Shqiptari i parë që merr një dekoratë perandorake nga Japonia

Ambasada e Japonisë në Shqipëri organizoi ditën e Enjte një ceremoni të veçantë në nderim të ish-ambasadorit të Shqipërisë në Japoni, profesorit Bujar Dida, të cilit iu akordua Dekorata ” The Order of the Rising Sun, Gold and Silver Star”.

Në një ceremoni ku morën pjesë Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Z.Etjen Xhafaj, Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës Z.Andrea Maliqari, ish-Presidenti Rexhep Meidani si dhe të ftuar e personalitete të tjera, Ambasadori Ito i dorëzoi z. Dida simbolet e nderit; Ҫertifikatën e Dekorimit dhe Dekoratën Perandorake,

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, Ambasadori Ito uroi ish-ambasadorin Dida për dekorimin dhe e falemnderoi atë për kontributin e dhënë gjatë 18 viteve të fundit, për krijimin e urës së parë të miqësisë dhe mirëkuptimit midis Japonisë dhe Shqipërisë. Duke e konsideruar zotin Dida si një prej miqve më të spikatur të Japonisë në Shqipëri, Ambasadori Ito tha: “Unë besoj se suksesi i marrëdhënieve midis Japonisë dhe vendeve të tjera i detyrohet shumë përkushtimit dhe përpjekjeve të njerëzve si z. Bujar Dida”.

Nga ana e tij ish-ambasadori Dida ishte i ngazëllyer dhe i emocionuar nga nderi i veçantë dhe shprehu mirënjohjen e tij të përzemërt Madhërisë së tij, Perandorit Akihito, Kryeministrit të Japonisë, z. Shinzo Abe dhe Ambasadorit të Japonisë në Shqipëri, z. Makoto Ito. Ai i dedikoi këtë dekoratë gjithë zyrtarëve, kolegëve, miqve dhe të afërmve që i kanë qëndruar pranë dhe e kanë mbështetur përgjatë viteve. Z. Dida përmendi si një prej arritjeve të tij më të mëdha, krijimin e një kurrikule të gjuhës japoneze në Universitetin Politeknik të Tiranës, nga e cila kanë përfituar rreth 100 studentë deri më sot, ndërsa shumë të tjerë që do të vijojnë ta ndjekin këtë lëndë gjatë viteve në vijim, do të përfitojnë gjithashtu.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë Zëvendësministri Etjen Xhafaj foli për rëndësinë që ka pasur kontributi i z. Dida në avancimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Japonisë. Duke vlerësuar Japoninë si një prej partnerëve më të rëndësishëm të Shqipërisë ai shprehu bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve do të vijnë duke u forcuar. Z. Xhafaj vlerësoi në mënyrë të veҫantë vizitën e fundit, që Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati zhvilloi në Japoni, para disa ditëve, “Iniciativën për Bashkëpunim me Ballkanin Perëndimor”, të lanҫuar nga qeveria japoneze në fillim të muajit Shkurt si dhe mbështetjen që JICA ka ofruar gjatë viteve si një dëshmi të bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve.

Dida është i pari shtetas shqiptar i cili nderohet me një Dekoratë Perandorake japoneze, e cila akordohet nga vetë Perandori i Japonisë, në vlerësim të përpjekjeve dhe përkushtimit të individëve të ndryshëm për të forcuar më tej marrëdhëniet e ngushta e miqësore midis Japonisë dhe Shqipërisë si dhe për përpjekjet e tij të vazhdueshme për të promovuar gjuhën dhe kulturën japoneze në Shqipëri. Z. Bujar Dida ka shërbyer si i pari Konsull i Përgjithshëm Nderi i Japonisë në Shqipëri dhe si i pari Ambasador i Shqipërisë në Japoni. Ai ka pasur detyrën e vështirë të krijonte kontaktet e para institucionale midis dy vendeve tona.

Fjalimi i Ambasadorit Makoto Ito në Ceremoninë e Dekorimit të ish-ambasadorit Bujar Dida.

Jam i lumtur t’ju mirëpres sot, në këtë ceremoni të veçantë në nderim të njërit prej miqve më të spikatur të Japonisë këtu në Shqipëri, z. Bujar Dida, i cili i ka kushtuar 18 vitet e fundit të jetës së tij krijimit të marrëdhënieve të forta dhe miqësore midis Japonisë dhe Shqipërisë.

Jam krenar që t’i ofroj atij sot, nderimet dhe përgëzimet e mia më të sinqerta, pasi është qytetari i parë shqiptar, të cilit i akordohet një Dekoratë Perandorake japoneze, “Order of the Rising Sun, Gold and Silver Star”.

Dekoratat Perandorake zakonisht akordohen nga vetë Perandori i Japonisë, dhe u jepet individëve në mbarë botën, në shenjë vlerësimi për përpjekjet dhe përkushtimin e tyre, për të promovuar një njohje më të mirë të Japonisë në botë.

Në mënyrë të veçantë, merren parasysh përpjekjet e tyre për të ndërtuar marrëdhënie të forta miqësie midis Japonisë dhe vendeve të tjera, përmes bashkëpunimeve në fushën politike, ekonomike, kulturore, arsimore, si dhe ne fusha të tjera.

Gjatë veprimtarisë së tij, z. Dida ka treguar angazhim dhe përkushtim të veҫantë për forcimin e marrëdhënieve Japoni – Shqipëri, duke u shndërruar gjatë viteve në një përkrahës të padiskutueshëm të mundësive për shkëmbim dhe mirëkuptim mes qeverive, parlamenteve, institucioneve dhe njerëzve të dy vendeve.

Gjatë karrierës së tij të gjatë diplomatike, fillimisht si i pari Konsulli i Përgjithshëm Nderi i Japonisë në Tiranë dhe më pas si Ambasadori i parë i Shqipërisë në Japoni, zoti Bujar Dida ka promovuar një kuptim më të thellë të politikës, ekonomisë, kulturës dhe arsimit japonez në Shqipëri dhe anasjelltas.

Si Ambasadori i parë i Shqipërisë në Japoni, z. Dida kishte detyrën e vështirë të krijonte kontaktet e para institucionale midis dy vendeve tona.

Përpjekjet e tij të shumta u shenjuan nga vizitat e para në Japoni të ish Kryeministrit shqiptar, z. Sali Berisha dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati si dhe nga vizita e parë në Shqipëri e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë, z. Burnei Ibuki.

Si profesor z. Dida ka punuar pa u lodhur për të krijuar kontakte institucionale midis Universitetit Politeknik të Tiranës dhe universiteteve e institucioneve kërkimore japoneze.

Përpjekjet e tij për të krijuar dhe forcuar bashkëpunimin me insitutcione të shumta japoneze mundësuan shkëmbimet mes akademikëve, studiuesve, profesorëve dhe studentëve midis Shqipërisë dhe Japonisë.

  1. Dida i ka kushtuar përpjekje të veҫanta promovimit të gjuhës dhe kulturës japoneze në Shqipëri.

Puna e tij ishte thelbësore për zhvillimin e kurrikulave të gjuhës japoneze në Universitetin Politeknik të Tiranës si dhe për botimin e Fjalorit të parë japonisht – shqip.

Përkushtimi i tij ndaj çështjeve kulturore u materializua me “Javën e Kulturës Japoneze në Shqipëri” i pari eveniment i kësaj natyre në Tiranë, i cili solli në Shqipëri një javë plotë me ngjarjeve kulturore, duke përfshirë muzikë, teatër, filma dhe ekspozita, si dhe sjelljen e “Gurit të Paqes” nga Fukushima në Tiranë, objekt i cili aktualisht është pjesë e koleksionit të Muzeut Historik Kombëtar.

Është e rëndësishme të njohim impaktin e kontributeve të tij të shumta, kontribute të cilat ndihmuan për ndërtimin e urës së parë të miqësisë dhe bashkëpunimit midis Japonisë dhe Shqipërisë.

Unë besoj se suksesi i marrëdhënieve midis Japonisë dhe vendeve të tjera i detyrohet shumë përkushtimit dhe përpjekjeve të njerëzve si z. Bujar Dida.

Prandaj është një privilegj për mua të falënderoj sot z. Dida për punën e tij të palodhur gjatë viteve, me qëllimin përfundimtar të krijimit të një mirëkuptimi mes vendeve dhe popujve tanë.

Dua ta mbyll fjalën time duke thënë se është një nder për mua ti ofroj z. Dida urimet dhe respektin tim më të thellë dhe të organizoj këtë ceremoni për të, duke njohur z. Dida zyrtarisht si marrësi i merituar i Dekoratës Perandorake.

Ju ftoj të gjithëve të bashkoheni me mua për të festuar këtë njohje të mrekullueshme që do të marrë tani. Faleminderit shumë.

Fjalimi i z. Bujar Dida në ceremoninë e dekorimit

 

Jam shumë i gëzuar dhe me emocione për nderin shumë të madh dhe të veçantë të dekorimit me Urdhrin e Diellit që Ngrihet, nga Perandori i Japonisë, dhe që ndonëse po e marr sot, do të më duhet akoma shumë punë për ta merituar plotësisht.

Ambasador, Ju lutem të përcillni falënderimet e mia me të përzemërta për Perandorin dhe Perandoreshën për dedikimin dhe kohën që na kanë kushtuar gjatë qëndrimit tonë në Japoni dhe interesin e tyre të veçantë për vendin tonë, bashkëpunimin dhe promovimit të fjalorit të parë Japonisht-Shqip që e nderuan si pjesë të bibliotekës perandorake.

Falënderimet do të vazhdonin për Kryeministrin ABE, për bashkëpunimin e hershëm që në kohën kur isha Konsulli i Përgjithshëm i Nderit i Japonisë, dhe për vlerësimin e veçantë të punës si Ambasador i parë i Shqipërisë në Japoni me propozimin e dekorimit të lartë.

Dhe këtu do të shtoja edhe falënderimet e veçanta për ish Ministrin Kishida, Ministrin Kono, grupin parlamentar të miqësisë Japoni-Shqipëri me Kryetar Nderi një nga figurat e spikatura te politikës Japoneze, ish Kryeministrin Mori; Kryetarin aktual HASE; Sekretarin e Përgjithshëm z. Kiuchi; ish anëtaren e këtij grupi, sot Kryetare e Bashkisë në Tokio, zj. Koike; mikun tim të veçantë z. Eto; ish Kryetarin e Parlamentit z. Ibuki (që vizitoi Tiranën në gusht 2014 dhe për rolin e veçantë që ai ka në hapjen e ambasadës Japoneze në Tiranë), dhe të tjerë anëtarë dhe personalitete të grupit parlamentar dhe të qeverisë Japoneze që për vite dhe ndër vite kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të mira dhe miqësore midis Japonisë dhe Shqipërisë.

Gjithashtu dua të falënderoj dhe të jem i qartë se në dedikimin e dekorimit “për përpjekjet e vazhdueshme për të promovuar gjuhën japoneze në Shqipëri” merita i takon bashkëpunimit të shkëlqyer të Universitetit Politeknik të Tiranës (Rektoratit dhe Dekanatit), Këshillit të Profesorëve, dhe Qendrës së Gjuhëve të Huaja  që së bashku me zj.Reko dhe në bashkëpunim dhe mbështetjen e pakursyer të Ministrisë së Arsimit (Ministres zj. Nikolla) dhe Japan Foundation, (Presidentëve z.Ando dhe z.Ogura), zhvilluan kurrikulën e mësimit të gjuhës Japoneze dhe kanë dy vite akademike që kanë mundësuar mësimin e gjuhës Japoneze me kreditë për studentët e nivelit bachelor.

100 studentët që kane përfituar deri tani në mësimin e kësaj gjuhe si edhe të tjerë që do të vijojnë në vitet e ardhshme do të jenë një garanci që angazhimi dypalësh gjatë vizitës së Ministrit Bushati me homologun Kono ,Ministrin e Ekonomisë Seko dhe JICA për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit dhe biznesit të kthehet në realitet.

Falënderimet e mia shkojnë edhe për kolegët e Ministrisë së Punëve të Jashtme me të cilët bashkëpunova për 9 vite e gjysmë si Konsulli i parë i Nderit i Japonisë dhe me tej për 6 vite e gjysmë si Ambasadori i parë i Shqipërisë në Japoni si edhe vazhdojmë të bashkëpunojmë më tej për çështje të ndryshme edhe sot. Faleminderit edhe Ju z. Ministër!

Në këtë sallë janë gjithashtu edhe mësuesit dhe kolegët e universitetit, miqtë dhe të afërmit që më kanë mbështetur dhe vijojnë të më mbështesin dhe që asnjëherë nuk do të gjej fjalët e duhura për t’i falënderuar sa duhet. Por do të veçoja këtu Presidentin Mejdani, për të cilin falënderimet e mia janë shumë të veçanta si ish studenti i tij, kolegu dhe Presidenti im!

Në mbyllje, falënderimi special është për Ambasadorin Ito dhe bashkëshorten, Ambasadën Japoneze këtu, pa punën dhe përkushtimin e tyre Japonia akoma do të vijonte të ishte larg, sakurat do të mungonin dhe gjithashtu kjo ceremoni!

SHKARKO APP