Blindohet fshati Resulaj (FOTO)

Një person nga fshati Resulaj në Vlorë ka ekzekutuar në gjakftohtësi 8 persona, anëtarë të dy familjeve Zykaj, me banim në po të njëjtin fshat. Sot u regjistrua një ndër ngjarjet më të rënda në dy dekadat e fundit. Autori 24-vjeçar Ridvan Zykaj, u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa po kërkohet nga forca të shumta policie të Drejtorisë së Policisë së Vlorës.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që ndodhen po në këtë qark kanë dalë në aksion për kapjen e tij, pasi konsiderohet tejet i rrezikshëm dhe i armatosur. Ndërkohë që edhe forca të tjera shtesë nga Tirana janë nisur drejt Vlorës. Reparti RENEA është vënë menjëherë në lëvizje. Të gjitha fshatrat rreth e rrotull Resulajt, i Njësisë Administrative Vllahinë, janë rrethuar nga uniformat blu për gjetjen në kohë të shpejtë të Ridvan Zykajt.

Policia ende nuk ka një motiv të qartë të ngjarjes, se përse është shkaktuar. Në asnjë ngjarje tjetër të rëndë kriminale në Shqipërinë e pas viteve ’90, një autor i vetëm nuk ka shkaktuar këtë numër të lartë viktimash.

SHKARKO APP