Sulmi ndaj Lalës, reagon Agron Duka: Gjest mafioz, këtë hov ka marrë krimi në vend
Edhe kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, ka reaguar menjëherë pas bërjes publike të lajmit të sulmit me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala.
Përmes një postimi në “Facebook”, Duka thotë se nga ky gjest mafioz, kundër guximit profesional të gazetares së kronikës, ilustrohet hovi që ka marrë krimi në vendin tonë.
Duka i shpreh solidaritetin Klodianës dhe familjes së saj.
Statusi i Agron Dukës:
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, është sulmuar me breshëri automatiku shtëpia e gazetares Klodiana Lala. Një gjest mafioz kundër guximit të saj profesional, që fatmirësisht nuk pati pasoja për jetët e familjarëve.
Fatkeqësisht kjo ngjarje e shëmtuar ilustron hovin që krimi ka marrë në vendin tonë; guximi për të intimiduar një përfaqësuese të shtypit të lirë e vendos Shqipërinë, kandidate për në BE, krahas vendeve si Kolumbia apo Siria.
Me këtë mesazh i shpreh solidaritetin tim Klodianës dhe familjes së saj.
Përballë këtij alarmi duhet të gjithë të reagojmë; pasi përgjumja e qytetarëve prodhon gjithmonë monstra.