Tallje me shqiptarët apo vajza është peng?

-Xhisiela Maloku, vajza që çmendi një Shqipëri me denoncimin për djalin e deputetit thoshte se e kishte përdhunuar dhe rrahur, mbrëmë ndryshoi dëshminë dhe thotë se e bëri padinë nga xhelozia dhe u talla me policinë.

-Nëse në intervistat e djeshme ajo rrëzoi vetveten për të mbrojtur deputetët e përfshirë, atëherë kemi të bëjmë jo vetëm me dhunë, por me një skenar pengmarrje, bile shtetërore. Ajo pranoi të shkojë në burg dhe të nxjerrë nga burgu djalin e deputetit. Presioni, kërcënimi apo ryshfet-kërcënimi? Mbetet për t’u verifikuar!

Xhisiela Maloku, 25-vjeçarja që prej një jave ka ngritur në këmbë gjithë Shqipërinë me historinë e përdhunimit dhe të dhunës nga Rexhep Rraja, djali i deputetit të PS, Rrahman Rraja, dje ka përmbysur gjithë versionin që njohim deri tani për dhunën. Në dy intervista, në “Top Channel” dhe “TV Klan”, Xhisiela Maloku ka deklaruar se nuk është dhunuar asnjëherë nga djali i deputetit. Gjithashtu, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë kërcënim të saj, djegie të trupit me cigare, por janë vetdjegur të dy! 25-vjeçarja deklaroi se ka bërë tre denoncime në komisariate të ndryshme të policisë, por sipas saj kanë qenë për shkaqe xhelozie. “Nuk më ka kërcënuar asnjëherë djali i deputetit dhe nuk më ka përdhunuar”,- tha Xhisiela.

Gjithë Shqipëria u trondit këtë javë nga denoncimi i Xhisiela Malokut dhe detajet në raportin e policisë së korrikut 2018, i cili është firmosur nga eksperti mjeko-ligjor dhe policia. Por tronditja ishte dhe më e madhe dje, pas dy intervistave befasuese që vajza rrëzonte gjithçka lidhur me dhunën. Vajza 25-vjeçare me arsim të lartë, deklaroi praktikisht se me të gjitha denoncimet që kishte bërë në polici për dhunë, përdhunim, pistoleta dhe djegie me cigare ishte tallur me policinë! Sipas saj, të gjitha denoncimet ishin për shkak të xhelozisë që kishte pas ndarjes nga djali i deputetit. Ndërkohë që edhe kur është vendosur përballë raportit mjeko-ligjor, ku zyrtarët e shtetit kanë firmosur se ajo është rrahur dhe dhunuar, me shenja të dukshme, Xhisiela Maloku deklaroi se nuk ka asgjë të vërtetë.

Edhe pse vajza thotë se u tall me policinë, sipas ligjit, ajo mund të paditet për denoncim dhe dëshmi të rremë ne polici, një vepër penale që dënohet me disa vite burg. Është e pashpjegueshme sesi një denoncim mund të ndryshojë në mënyrë të tillë 100 përqind. Jo vetëm që ka liruar nga akuzat personin që dy muaj më parë deklaronte se e kishte kërcënuar me armë, por është e gatshme që të rrezikojë edhe vet burgun. Pra pas dëshmisë së saj mbrëmë djali i deputetit socialist lirohet nga burgu dhe arrestohet Xhiseila!

Është e pashpjegueshme sesi një denoncim mund të ndryshojë në mënyrë të tillë 100 për qind. Nga viktimë dhe një rast që solli reagime të mëdha dhe mbështetje nga gjithë shoqëria, dje Xhisiela Maloku u përpoq të dukej një vajzë mendjelehtë që i “kish rënë në kokë” për djalin e deputetit dhe tallej me policinë disa herë. Në daljet e saj në media, 25-vjeçarja u përpoq të tregonte se bëhej fjalë për një histori dashurie dhe gjithë zhurma që po bëhet këto ditë nuk ka lidhje dhunën dhe ndërhyrjet e deputetit në rastin e saj. Bile ajo akuzoi median se përse e kanë publikuar këtë ngjarje!

Në një analizë më të thelluar të atyre që kanë ndodhur këto ditë, rrëfimi i saj dje për mediat ngre pikëpyetje edhe më shumë sesa më parë. Dëshmia e vajzës dje nuk bind se është ajo e vërteta. Edhe pse deklaronte me papërgjegjshmëri se nuk ishte dhunuar dhe nuk dinte se kush e kishte bërë raportin mjeko ligjor, fakti është se raporti ka firmat e mjekëve dhe ekspertëve të policisë. Nëse vajza mund të ketë bërë humor për xhelozi, një ekspert mjeko-ligjor nuk tallet dot me profesionin e tij, sepse shkon në burg. Vajza deklaronte se denoncimet i kishte bërë për tallje me policinë, por si ka mundësi që në një rast ajo është ankuar dhe për oficerin e policisë duke e çuar për procedim penal, sepse po mbante anën e djalit të deputetit. Nëse ishte shaka, pse dërgoi për procedim penal dhe një oficer policie? Ndërkohë për “talljen” që ajo ka bërë me policinë, një oficer policie sot është nën hetim dhe i pezulluar, ndërsa një nënkomisar ka ikur në azil dhe deklaron se i kanë venë pistoletën në kokë pikërisht për historinë e saj. Një tjetër fakt që ngre pikëpyetje është se në të tre denoncimet që ka bërë, detajet janë të njëjta. Në të gjitha rastet vajza ka folur për armë, përdhunim dhe dhunim nga djali i deputetit. Është pak e çuditshme dhe e pabesueshme sesi një vajzë 25-vjeçare mund të tallet dhe bëj humor me nderin e saj, duke thënë se e kanë përdhunuar, kurse mbrëmë tha se nuk e kanë rrahur e përdhunuar.

Një ndryshim i tillë i deklaratave mund të bëhet vetëm nëse vajza ka probleme serioze personaliteti dhe kjo do ishte një dramë personale e saj. Ose, ajo çfarë është më e rënda dhe në këtë histori, s’mund të përjashtohet asnjë variant, kemi të bëjmë me vazhdimin e kërcënimit ose ryshfeti. Nga detajet që publikoi dje gazetarja Eni Vasili në jo pak raste Xhisiela Maloku linte të kuptonte se po gënjente. Një fakt që u tha ishte se gazetarja e Top Channel e pyeti se me çfarë do të shkonte pas intërvistës, ajo kishte thënë “me taksi”, ndërkohë që gazetaret e kishin parë se e priste një makinë, të cilët e morën.

Nëse në intervistat e djeshme ajo rrëzoi sërish variantin për të mbrojtur deputetët e përfshirë, atëherë kemi të bëjmë jo vetëm me dhunë, por me një skenar pengmarrje, bile shtetërore.

Kjo është e frikshme për gjithë qytetarët. Ajo vajzë dukej e frikësuar, e kërcënuar. E tregojnë dëshmitë e saj me shkrim në polici e prokurori, e manifestonte nga mënyra se si fliste mbrëmë.

Ajo pranoi të shkojë në burg dhe të nxjerrë nga burgu djalin e deputetit.

Mili Xhani

SHKARKO APP