Lulzim Basha:Vajza mohoi përdhunimin dhe masakrën vetëm që të mbesë gjallë!
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas intervistës televizive të Xhisiela Malokut, mbrëmjen e sotme. Kreu i PD e quan tronditës faktin që një e mbijetuar e përdhunimit dhe e dhunës të mohojë përdhunimin dhe torturën për të mbetur gjallë.
Ai akuzon Rrahman Rrahjan se është pjesë e një prej bandave kriminale që sundojnë dhe terrorizojnë Shqipërinë.
Basha vazhdon duke hedhur akuza mbi prokurorinë, policinë duke thëne se në këtë vend nuk ekziston drejtësia.
Deklarata e plotë e Bashës:
Është tronditëse të shohësh një të mbijetuar të përdhunimit dhe të dhunës të mohojë përdhunimin dhe torturën për të mbetur gjallë!
Xhiseila e di shumë mirë se çfarë kriminelësh gjakftohtë dhe të pamëshirshëm janë ata, ai që e përdhunoi dhe ata që e mbrojnë përdhunuesin, ndaj ajo bëri sot atë që bën çdo njeri i tmerruar që kërkon të mbijetojë: mbrojti veten dhe familjen e saj.
Rrahman Rrahja është pjesë e një prej bandave kriminale që sundojnë dhe terrorizojnë Shqipërinë. Sot në Shqipëri nuk ka më as polici, as prokurori, as drejtësi as parlament. Parlamenti dhe drejtësia kanë rënë, dhe në vend të tyre sundon banda e Ramës, Rrahjave, Habilajve, Bajrëve, Shullazëve me shokë.