Tritoli në banesën e gjyshit të Xhisielës, Rama akuzon opozitën
Kryeministri Edi Rama ka filluar me “Babale 1” dhe më pas ka vijuar me “Babale 2” duke derdhur një lumë akuzash ndaj opozitës në mbledhjen e grupit të PS. Rama e quajti opozitën kinostudio fabrikimesh kriminale.
Ndërkaq kryeministri foli dhe për tritolin në oborrin e banesës së gjyshit të Xhisiela Malokut duke akuzuar opozitën. Ajo sipas Ramës është e interesuar për këtë ngjarje.
“Babalja nuk ra nga qielli dhe nuk e çoi tek SHQUP-i gazetari kurajoz siç pretendohet në filmin e kinsotudios Luli shpk. Është shumë i tendosur. Kush si unë i di, ato që ai di thotë s’ka faj i shkreti. I ka shumëfishuar gojët e shqyera në adresë të prokurorisë flet për fundin e botës por në fakt po i vjen fundi lojës.
Ju siguroj se do dalë e plotë edhe e vërteta diskredituese për ata që e dhunuan vajzën e babale dyshit nga Fushë-kruja. Basha kërkon dëshpërimisht të pengojë daljen në dritë të atij filmi dhe i porosit gojët e shqyera të SHQUP-it të përsërisin avazin se Edi Rama synon të paravendos rezultatet e hetimit.
Mbrëmë natën vajzës së kthyer në mish për topat e kësaj politike i është hedhur lëndë plasëse në shtëpi. Kush është i interesuar për të thënë se vajza është nën terror psikologjik. Ne? Jo. S’ka mendje që se kupton që për këtë kanë interes ata që dhunuan përditë dhe askush tjetër”, deklaroi Rama.