Qeveria e Greqisë i përgjigjet Ramës: Tone të ulëta, s’ka nevojë për agresivitet
Qeveria greke ka reaguar përmes zëdhënësit të saj dhe ministrit të shtetit për vrasjen e minoritarit grek në Bularat të Gjirokastrës, Kostandinos Kaçifas. Duke folur për një televizion të Athinës, Dimitris Tzanakopoulos theksoi se autoritetet greke janë në kontakt me palën shqiptare.
Zëdhënësi i qeverisë së Tsipras ka theksuar gjithashtu se nuk duhet të nxitohen për të dalë në përfundime, por ai këshilloi që duhet t’i qëndrojnë fort mesazhit të Ministrisë së Jashtme të Greqisë, që sipas tij është një “mesazh i ashpër”.
Njëkohësisht, Tzanakopoulos këshilloi edhe qeverinë shqiptare, duke thënë që duhet të ulë tonin e retorikave për këtë çështje dhe jo ta trajtojë me agresion, sidomos kur është humbur një jetë njeriu.
Ministria e Jashtme greke e konsideroi të papranueshme vrasjen e Kostandin Kaçifës, edhe pse ky i fundit hapi zjarr me breshëri ndaj policisë shqiptare.
Kurse Kryeministri Edi Rama iu përgjigj palës greke duke i thënë se duhet falenderuar Zoti që nuk u vra asnjë polic i pafajshëm, ndërsa 35-vjeçarin që humbi jetën e konsideroi “një të fandaksur nga marrëzia ekstremiste”.