Çfarë rektorucësh! Fatkeqësisht, kryeministri Rama ka të drejtë!

Nga Spiten Prulli

Edi Rama, i tmerruar nga protesta e studentëve që nuk pranojnë ta takojnë, por i vënë kusht 8 kërkesat t’i plotësojë pa llafe, i acaruar nga të tijtë në PS dhe qeveri që nuk kanë ç’të mbrojnë kryeministrin përballë një urugani studentor; mblodhi këtë të enjtë gjithë rektorët dhe dekanët e universitetëve publike në Shqipëri.

Kryeministri e organizoi kastile dhe në mënyrë dinake takimin me ta dhe live në media për t’iu thënë studentëve se “fajin e kanë këta, e jo qeveria”, se “këta janë hajdutë dhe unë nuk kam përgjegjsi se janë autonomë me ligj e Kushtetutë”, etj, etj.

Dhe sulmoi që në fillim. Natyrisht që kishte informacione në letër se ç’kanë bërë disa prej tyre në sallë si rektorë. Nuk është siç mundohet të justifikohet nëpër televizone se “tash i mora vesh se çka ndodhur”! Kryeministri ka ministër arsimi, ka këshilltarë për arsimin, ka plot rrjet informacioni edhe se ç’bisedojnë dy botues mediash në drekë dhe nuk paska patur informacion për milionat e eurove që kanë shpërdoruar rektorët, siç ua përmendi sot.

Por Rama mbetet mjeshtër i artit skenik politik dhe mediatik. E ka këtë aftësi në raport me kundërshtarët, por kjo nuk e shpëton nga përgjegjsia ndaj studentëve dhe arroganca që manifeston edhe këto ditë, po në raport me protestuesit.

Ai sulmoi hapur rektorët, bile u tha se do të rishikojë autonominë e universitetëve. Kjo ishte skandaloze! I ra tavolinës sikur ata të ishin vartësit e tij në PS dhe asnjë nga rektorët apo dekanët nuk foli.  I poshtëroi, i dhunoi publikisht. Të gjithë heshtën dhe shumica ulnin kokën.

Pse? Sepse kryeministri ua di se ç’kanë bërë me paratë e universitetit. Sepse shumica e tyre janë njerëz pa identitet të spikatur, por të zgjedhur nga kulisat e votimeve, siç bëhen votimet në Shqipëri. Ata heshtën se kanë hallin e karrikes së tyre dhe përfitimev që vjen nga posti në universitete publike.

Por poshtërimi nuk ndaloi këtu. U tha se jeni si “kryetarë komunash!”. Dhe asnjë nuk u ngrit të kundërshtonte dhe të mbronte dinjitetin e tyre personal, por edhe të fakultetit apo universitetit të tyre.

Asnjë nuk doli para kryeministrit t’i thoshte se “me kë flet ti?!”. Bile nëse ishin me kaq dinjitet apo krenari sa shiten para studentëve duhej të reagonin fort se “zoti kryeministër nëse vazhdon të na fyeni kështu ose ik nga takimi ose ikëm ne!”.

Asnjëri nuk bëzani!

Protestuesit këto ditë thonë TURP, për qeverinë.

Por TURP duhej edhe për këta rektorë e dekanë, të cilët i mori si tufë delesh dhe u foli si çoban, duke i rrahur me shkop dhe publikisht.

Fatkeqsisht, kryeministri ka të drejtë në raport me ta dhe me atë çka shqiptarët panë sonte live nga takimi i Ramës me rektorët dhe dekanët.

SHKARKO APP