Meta: Deklaratat e Cakaj për ndryshimin e kufijve të papranueshme
Presidenti Ilir Meta vendosi sot të mos e dekretoj propozimin e Edi Ramës për ministrin e ri të Jashtëm. Vendimi i kreut të shtetit bazohet në një sërë argumentesh ligjorë, si dhe në profilin e kandidatit Genc Cakaj.
Mes shumë arsyeve që rendit kreu i shtetit, bie në sy dhe fakti se Presidenti Meta i ka kushtuar rëndësi qëndrimit që kandidatit për ministër ka mbajtur ndaj interesave kombëtarë, siç është çështja e Kosovës. Kujtojmë se Cakaj është i vetmi zyrtar i Shqipërisë që në postin e Zëvendësministrit të Jashtëm është deklaruar pro ndarjes së Kosovës.
“Kreu i shtetit shprehet se “qëndrimet e tij publike në kontekstin e debatit për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve të Kosovës e Serbisë por edhe të Ballkanit Perëndimor janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme dhe shtjellimin e saj nga Ministria e Punëve të Jashtme”,- shkruan Kreu i shtetit.
Presidenti Meta thekson ndër të tjera se “gjatë ushtrimit të detyrës së tij si zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj ka dëshmuar me të dhëna, me fakte e qëndrime se jo vetëm që i mungon përvoja e sprovuar në fushën e politikës së jashtme, por se qëndrimet e tij publike lidhur me çështje thelbësore të politikës rajonale janë të papranueshme.
Qëndrimet e tij publike në kontekstin e debatit për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve të Kosovës e Serbisë por edhe të Ballkanit Perëndimor janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme dhe shtjellimin e saj nga Ministria e Punëve të Jashtme (citoj nga intervista e Zv/ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, për emisionin “Zona e Debatit” në Klan Kosova, dt. 01 nëntor 2019:
“…Tani te korrigjimi i kufijve semantikisht kjo nuk është thjeshtë një operacion linguistik për ta relativizuar çështjen e këmbimit territorial, por situata ka evoluar tutje.
Evoluimi i parë është, sepse po konceptohet në suaza të korrigjimeve të përgjithshme territoriale që janë duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor”…).
Këto deklarata të rrezikshme të z. Gent Cakaj, me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe me gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Evropian.
Përkrahja, sponsorizimi apo dhe mosreagimi me vendosmëri ndaj tezave për shkëmbim territoresh/korrigjim kufijsh në rajon është qasje destruktive që kërcënon paqen dhe sigurinë e rajonit dhe në mospërputhje me angazhimet e detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe minon besueshmërinë e vendit tonë”.