Tensione dhe përplasje me policinë, tmerrohen fëmijët (FOTO)

Ditëm e sotme katër familje në rrugën ”Petro Nini Luarasi”, bllokuan rrugën kryesore pasi kundërshtojnë shembjen e banesës së tyre. Ata i dolën para makinave duke thënë se nuk do të lejojnë shembjen e banesës së tyre, të cilën e kanë me dokumente të rregullta. Një grua shtatzënë është përplasur me forcat e policisë, ndërkohë që disa prej familjarëve që qëndrojnë brenda kanë ndezur një zjarr në oborrin e shtëpisë. Toka ku ata kanë ndërtuar banesën i është kthyer pronarëve përmes një procesi gjyqësor. Nga kjo situatë preken rreth 15 banorë.

Disa punonjës të përmbarimit kanë tentuar të hyjnë me forcë brenda shtëpisë në rrugën Petro Nini Luarasi. Ndërkohë nga ana tjetër brenda oborrit ndodhen edhe fëmijët e katër familjeve që banojnë në këtë banesë. Punonjësit e përmbarimit kanë përdorur leva dhe shufra hekuri duke goditur me forcë portën e shtëpisë. Ndërkohë policia nuk ka bërë asnjë veprim për parandalimin e tyre.

Familjarët akuzojnë një person se ka arritur të fitojë tokën ku ata kanë banesën me vendim gjykate të falsifikuar. Nga sa tregojnë familjarët personi në fjalë pretendon se e ka tokën të trashëguar nga gjyshi i tij dhe që i është sekuestruar në periudhën e komunizmit. Një familjar i banesës thotë se prona nuk i është sekuestruar pas 1944 por në 1939. Gjithçka ka të bëjë me ndërtimin e një pallati, ku familjarët janë nxjerrë dhunshëm nga shtëpitë e tyre.

SHKARKO APP