Spaho: Sot qytetarët protestojnë paqësisht, Rama të largohet

Intervistë për “Koha Jonë” ish-deputeti i PD-së, Edmond Spaho:  Policia mos të provokojë

Intervistoi: Majlinda Noka

Partitë e opozitës së bashkuar vazhdojnë intensivisht përgatitjet për protestën e radhës, e paralajmëruar për sot, 16 mars në bulevardin e madh në Tiranë. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho në një intervistë për Gazetën “Koha Jonë” ka deklaruar se protesta zhvillohet pas jehonës dhe mbështetjes që PD dhe opozita morën nga shqiptarët me lënien e mandateve nga deputetët e tyre. Sipas Spahos pjesëmarrja do të jetë e jashtëzakonshme, pasi qytetarët do të shprehin pakënaqësinë e tyre me qeverisjen. “ Sot qytetarët do kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe hapjen rrugë të një zgjidhjeje politike nëpërmjet një qeverie tranzicioni që të krijojë kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kauza jonë është e drejtë”, është shprehur mes të tjerash Spaho.

Z. Spaho, sot është protesta e madhe e opozitës, e cila është paralajmëruar si masive. Çfarë do të ketë ndryshe kjo protestë nga protestat e tjera?

Protesta e dates 16 Mars zhvillohet pas jehonës dhe mbështetjes shumë të madhe që Partia Demokratike dhe opozita morën nga shqiptarët me lenien e mandateve nga deputetët e tyre. Qytetarët kuptuan që ky vend ka shpresë dhe u rrit besimi tek opozita. Rrjedhojë e kësaj, nesër do të ketë një pjesëmarrje jashtëzakonisht të madhe të qytetarëve të cilët do të shprehin pakënaqësinë e tyre me qeverisjen, mungesën e perspektivës, mungesën e vendeve të punës, emigracionin masiv, korrupsionin në çdo nivel të qeverisjes, kriminalizimin e saj në çdo qelizë, mbështetjen që i jep oligarkisë së vendit dhe mbi të gjitha për manipulimin e zgjedhjeve në bashkëpunim me krimin e organizuar. Për këto qytetarët do kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe hapjen rrugë një zgjidhje politike nëpërmjet një qeverie tranzicioni që të krijojë kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

-Mazhoranca ka nisur që tani të flasë për protestë të dhunshme që dëmton imazhin e vendit dhe negociatat me BE. E kujt është përgjegjësia nëse do të ketë dhunë?

Asnjëherë nuk kemi zhvilluar protesta të dhunshme, edhe sot qytetarët do protestojnë paqësisht. Këto janë skenare të maxhorancës dhe Edi Ramës të cilët përpiqen të frikësojnë qytetarët dhe t’i largojnë nga protesta. Kështu vepruan në 16 Shkurt kur njoftuan për kontigjente kriminale që gjoja po pregatisnin trazira. Në fakt të vetmit kontigjentë kriminalë ishin ato të cilët goditën qytetarët me gaz helmues i cili pëdoret në fushë beteja. Policia nuk duhet të provokojë me kontigjente të infiltruara si personi që godiste hyrjen e kryeministrisë apo një i dytë i mbështjellë me flamur amerikan dhe më pas të akuzojë opozitën për dhunë.

-Protestat e opozitës kanë arritur të ndërgjegjësojnë opinionin për atë që po ndodh në vend, por jo ndërkombëtarët. Si e shpjegoni faktin që nga ndërkombëtarët problemi po shihet ende të opozita dhe jo të qeveria?

E rëndësishme është që kauza jonë është e drejtë. Faktet për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017 janë servirur nga agjenci zbulimi të huaja. Ato u bënë të njohura për opinionin publik nga Zëri i Amerikës. Raporti i para disa ditëve i Departamentit të Shtetit konfirmoi që në zgjedhjet e viti 2017 janë blerë votat. Nëse shikoni median ndërkombëtare e gjitha ka qenë në favor të opozitës. Ato kanë shkruar se në Shqipëri ka probleme shumë serioze, se vendi drejtohet nga grupet kriminale dhe trafiqet e drogës lidhjet e të cilëve arrijnë në nivelet më të larta të politikës. Mbyllja e syve ndaj këtyre problemeve do të çojë në konfrontime sociale.

-Djegia e mandateve nga opozita është një akt i fortë politikë që pritej të sillte krizë të fortë qeverisëse. Pas gati një muajsh shohim se radhët e Kuvendit po mbushen me deputetë të listave. Si e parashikoni fundin e një situatë kur kemi opozitën reale në rrugë dhe disa deputetë që po tentojnë “opozitën e re” në Kuvend?

Është një fakt më shumë që kjo qeveri dhe Edi Rama blen gjithçka, përfshirë deputetët. Përfaqësuesit e vullnetit të qytetarëve janë ata të cilët dogjën mandatet. Opozita nuk mund të krijohet me artifice. Në fund të ditës pyetja që shtrohet është se cilën mbështesin qytetarët? Pergjigjen e kësaj pyetje do ta merrni sot në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe protestat do të vazhdojnë deri sa Edi Rama të bjerë.

-Opozita ka kërkuar qeveri tranzitore pa Ramën kryeminister. Sipas jush kush është figura brenda Ps-së që garanton zgjedhje të lira e të ndershme, siç opozita kërkon?

Nuk është në tagrin tim që të merrem me emra. Emri do dalë nga negociatat midis palëve.

SHKARKO APP