3 arsyet pse u krijua ”Illyrian Guard”, Hodaj: Ka një organizim dinamik

Qeveria ka vendosur të krijojë policinë e re që do të mbrojë objektet dhe personat. Kjo strukturë është në varësi të të Ministrisë së Brendshme dhe është emërtuar “Illyrian Guard”.

Zv/ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, ka dhënë detaje se si do të funksionojë shoqëria tregtare “Illyrian Guard”. Së pari ai tregon arsyet e krijmit. ”Për tre arsye kryesore, për të ofruar një standard të ri cilësie në tregun e sigurisë dhe rendit publik; për të kursyer nga buxheti i shtetit shuma të konsiderueshme që shkojnë sot për ruajtje dhe sigurisë fizike nga institucionet shtetërore; e treta, jo më pak e rëndësishme, ofron një mundësi të mirë freskimi për personelin e Policisë së Shtetit”,-thotë Hodaj. Më tej ai thekson se kjo shoqëri do të jetë një element kyç përsa i përket modernizimit të Policisë së Shtetit apo të strukturave të tjera të Ministrisë së Brendshme.

Sipas tij, burimi kryesor i rekrutimit të punonjësve do të jetë Policia e Shtetit. ”Në Policinë e Shtetit ka shumë njerëz me eksperiencë, të cilët për një arsye ose për një tjetër, nuk kanë pasur atë ecuri në karrierë. Flasim për ata që kanë po themi 20-25 vite eksperiencë në Policinë e Shtetit. Mund të jetë një mundësi shumë e mirë për ta që të punojnë për një entitet që garanton edhe kushte ndoshta të mira pune dhe duke vazhduar pak a shumë të punojnë në të njëjtin profil”, tha Hodaj.

Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e shoqërisë tregtare “Illyrian Guard”, sh.a, me kapital 100% shtetëror, për ofrimin e shërbimeve ndaj personave fizikë e juridikë publikë dhe privatë. Kapitali fillestar për krijimin e kësaj shoqërie në varësi të Ministrisë së Brendshme do të jetë 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë që do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Shërbimet me pagesë ofrohen kundrejt subjekteve të treta, publike apo private në fushën e rendit e të sigurisë publike, teknologjisë së informacionit, si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.

Përse u krijua shoqëria “Illyrian Guard”, sh.a?

Për tre arsye kryesore, për të ofruar një standard të ri cilësie në tregun e sigurisë dhe rendit publik; për të kursyer nga buxheti i shtetit shuma të konsiderueshme që shkojnë sot për ruajtje dhe sigurisë fizike nga institucionet shtetërore; e treta, jo më pak e rëndësishme, ofron një mundësi të mirë freskimi për personelin e Policisë së Shtetit. Për të krijuar këtë shoqëri do të marrim eksperiencat më të mira që ka sot në Europë apo në botë. Nuk është një risi që kompani tregtare, të zotëruara nga shteti, të operojnë në këto lloj fushash. Kemi shembuj të tillë të suksesshëm në Austri, në Gjermani, në Francë, në Itali, ku mjaft kompani shtetërore janë lider në tregjet përkatës dhe duke qenë lider në tregjet përkatës jo vetëm që gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme edhe për buxhetin e shtetit por kanë edhe lirinë për të kërkuar dhe zhvilluar teknologji të reja, në mbështetje gjithmonë të atyre që janë qëllimet e tyre. Pra shërbimet, me çmime të arsyeshme, risi teknologjike për fushën e sigurisë dhe rendit publik.

Si do të organizohet dhe si do të funksionojë?

Do të organizohet me disa departamente në varësi të shërbimeve që do të japë. Nuk është thjeshtë një shoqëri që ofron shërbim ruajtjeje dhe sigurie fizike, pra nuk është thjesht një ‘SHPSF’, patjetër që do të operojë edhe në atë treg, sidomos me institucionet shtetërore. Por edhe një komponent tjetër mjaft i rëndësishëm është kërkimi teknologjik dhe fusha e teknologjisë së informacionit. Pra, ajo që ne kemi si shtysë sot që është modernizimi i strukturave të Ministrisë së Brendshme.

Cilat janë avantazhet e “Illyrian Guard”?

Avantazhet në krahasim me një organ shtetëror, ka avantazhe, sepse duke qenë një shoqëri tregtare, ka një organizim dinamik. Pra nuk është e kushtëzuar nga ato skema që sot ndjekin agjencitë shtetërore apo institucionet shtetërore. Pra i adaptohet shumë më lehtë tregut. Në fushën e rendit dhe sigurisë publike ka një avantazh tjetër në raport me kompanitë e tjera, sepse mund të shfrytëzojë gjithë eksperiencën dhe “know how-n” e Policisë së Shtetit. Pra është një vlerë e shtuar nga ana tjetër.

Si do të rekrutohet punjonjësit e “Illyrian Guard”?

Burimi kryesor i rekrutimit të punonjësve do të jetë Policia e Shtetit. Në Policinë e Shtetit ka shumë njerëz me eksperiencë, të cilët për një arsye ose për një tjetër, nuk kanë pasur atë ecuri në karrierë. Flasim për ata që kanë po themi 20-25 vite eksperiencë në Policinë e Shtetit. Mund të jetë një mundësi shumë e mirë për ta që të punojnë për një entitet privat, që garanton edhe kushte ndoshta të mira pune dhe duke vazhduar pak a shumë të punojnë në të njëjtin profil.

Në çfarë fushe do të operojë “Illyrian Guard”?

Ruajtja dhe siguria fizike është vetëm një nga fushat ku mund të operojë kjo. Duke qenë shoqëri tregtare mund të operojë në të gjitha fushat që e gjykon të arsyeshme dhe në të gjitha ato fusha, të cilat përveçse mund të krijojnë të ardhura, mund të jenë edhe me interes për zhvillimin e mëtejshëm. Ajo që ne mendojmë është që kjo shoqëri do jetë një element kyç përsa i përket modernizimit të Policisë së Shtetit apo të strukturave të tjera të Ministrisë së Brendshme. Që do të thotë, duke qenë një entitet privat, ka gjithë lirinë që të ushtrojë veprimtarinë në fushën e kërkimit dhe zhvillimit të teknologjive. Ne besojmë fort që në këtë pikë do të jetë një ndihmë e madhe për të gjithë institucionet e Ministrisë së Brendshme.

SHKARKO APP