”Union Security Albania”: Krijimi i shoqërisë ”Illyrian Guard”, anti-kushtetues

Vendimi i qeverisë për krimin e shoqërisë tregtare ”Illyrian Guard”, për ofrimin e shërbimeve të ruajtjes së personave dhe institucioneve publike e private ka sjellë reagimin e shoqërive private që ofrojnë këtë shërbim sot. Gëzim Demiraj, kryetari i shoqatës Union Security Albania, pohon për ”Report Tv” se krijimi i kësaj kompanie i dëmton drejtpërdrejt duke çuar deri në falimentim, teksa thekson se është në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

“Sipas bindjes tonë, ne jemi shoqata Union Security Albania, ne themi se ky ligj atakon direkt të drejtën e zhvillimit të biznesit te shoqërive të ruajtjes së sigurisë fizike. Eshte në konflikt të hapur interesi sepse shoqëritë e ruajtjes së sigurisë fizike në daljen e kësaj VKM-je, shikojnë veten jashtë çdo tregu të ruajtjes. Gjithashtu ky akt bie në kundërshtim dhe me ligjin për prokurimet publike pasi shoqëria “Illyrian Guard” nuk i ofrohet ligji për prokurimet publike, por do të lidhë kontratë pa pasur asnjë konkurencë në treg. Në këto kushte ne jemi përpara disa fakteve të shkeljes ligjore, siç është: Shkelja e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, shkelja për ligjin e Policisë së Shtetit, shkelja e ligjit të prokurimeve publike, shkelja e akteve ku Shqipëria ka ratifikuar se çfarë është marrëveshja e stabilizim asociimit”, shprehet Demiraj.

Sipas Demirajt ky vendim sjell pasoja ekonomike kolosale pasi ndër vite këto kompani kanë investuar miliona euro për ndërtimin e infrastrukturës, armëve apo qendrave të kontrollit. Gjithashtu pasoja fatale ky vendim do të kishte edhe për 12 800 të punësuarve në këto kompani që do të nxirren në rrugë. “Me daljen e kësaj VKM-je shumë nga këto shoqëri do të dalin jashtë tregut dhe shumë nga këto punonjës, nesër do të jenë jashtë tregut të punës. Këto punonjës janë të certifikuar, të trajnuar, kanë shpenzuar vlera monetare. Gjithashtu dhe shoqëritë, administratorët e këtyre shoqërive kanë shpenzuar, investuar në teknologji, në infrastrukturë dhe me daljen e kësaj VKM-je këto nesër pasnesër janë të rrezikuar për të dalë nga tregu i punës”, thotë Gëzim Demiraj.

Nga ana tjetër Avokati Nertil Kanina, antar i bordit të Union Security Albania thotë se krijimi i kësaj kompanie bie ndesh edhe me vet ligjin për Policinë e Shtetit, ndaj dhe për zgjidhjen e kësaj problematike ata i janë drejtuar gjykatës me padi për shfuqzimin e vendimin. “Kemi të bejmë me një vemprimtari që merr autoritetin dhe atributet e policisë së shtetit. Kjo nuk mund të funksionojë për aq kohë sepse këtu do të kemi edhe përplasje të kompetencave ndërmjet një shoqërie SH.A dhe Policisë së Shtetit. Union Security Albania ka depozituar në datën 24.05.2019 pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, kërkesë padinë me dy pika: Shfuqizimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave numër 177 datë 04.04.2019 dhe sigurimin e padisë, pra për pezullimin e aktiviteti të kësaj shoqërie”, thotë Nertil Kanina.

SHKARKO APP