Negociatat, Presidenti Meta: Të mos humbasin shpresat
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka folur për negociatat nga qyteti i Kukësit. Ai i bëri apel qytetarëve shqiptarë të mos humbasin shpresat, ndërsai fton vendet skeptike të ndjekin shembullin e Bundestagut gjerman. ”Shpresoj të ketë reflektim për vendim pozitiv. Asgjë nuk ka përfunduar dhe shpresoj të ketë reflektim. Vendet skeptike të ndjekin shembullin e Bundestagut.Të mos humbasin shpresat”.
Prononcimi i Presidentit Meta në Kukës:
Pyetje: Mirë se erdhët për 60-vjetorin e Kukësit, por do t’ju pyesim për negociatat?
Presidenti Meta: Kam ardhur për 60-vjetorin e Radio ‘Kukësit’. Për negociatat nuk mund të flitet sot. Asgjë nuk ka përfunduar. Shpresojmë të ketë reflektim. E kam thënë edhe më përpara: Ato vendet që janë skeptike të ndjekin shembullin e Bundestagut të Gjermanisë.
Pyetje: Do ta dekoroni kryeministrin zoti President, nëse do të çelen negociatat, meqë e keni deklaruar?
Presidenti Meta: Sot jemi këtu për të dekoruar Radio “Kukësin”, me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, sepse e ka merituar plotësisht dhe e ka përmbushur misionin fisnik sidomos në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, duke pasur kontribute për ato arritje që ka sot Kosova dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Pyetje: Nëse nuk çelen sot negociatat zoti President? Duket se ka dështim?
Presidenti Meta: Po të mos humbasim shpresën… Sot këtu në Kukës…
Pyetje: E ka fajin qeveria apo Franca?
Presidenti Meta: Sot në Kukës kemi një gëzim dhe ta çojmë gëzimin deri në fund!