Meta për akuzat e Ballës: Nuk komentoj deklarata të njerëzve pa dinjitet

Pas dekretit të Presidentit Ilir Meta për emërimin në Gjykatën Kushtetuese të juristes Marsida Xhaferrllari, Sekretari i PS-së, Taulant Balla deklaroi se kreu i shtetit shkeli kushtetutën.

I pyetur për akuzuat e bëra nga Balla, Presidenti Meta tha se: “Unë nuk jam për t’u marrë me thashetheme të turpshme që u takojnë vetëm njerëzve dhe politikanëve që nuk kanë asnjë lloj dinjiteti jo vetëm institucional dhe politik, por as familjar dhe shoqëror. Mos prisni nga unë të merrem me gjëra të tilla. Besoj se veprimet e mia kanë qenë tërësisht të ligjshme”.

Ai mbrojti dekretimin që i bëri Xhaferllarit duke thënë se ka pasur një ndër CV-të më të mira nga të gjithë kandidatët e tjerë. Madje sipas Metës, ajo ka qenë e diskriminuar në proces.

“Emri është me CV më të shkëlqyer nga të gjithë kandidatët që kanë qenë të sjella nga KED. Është person tërësisht i diskriminuar duket qartë se për çfarë arsyesh. Është një person që nga dy persona tërësisht të shfaqur si politikisht nga KED kanë marrë vlerësimin zero dhe kjo është arsyeja pse jemi këtu. Ka patur të gjitha kualifikimet më të larta si për sa i takon shkollimit, eksperiencës administrative dhe të gjithë vlerësimeve të tjera të karrierës në gjyqësor. Presidenti nuk merret me asnjë individ”, tha Meta

Meta tha se bllokimi i Gjykatës Kushtetuese ka ndodhur qëllimisht. Këtë gjë deklaroi se ua ka transmetuar edhe disa “diplomatëve të korruptuar”.

“Në qoftë se presidenti nuk do të kishte besimin tek asnjë individ do thoshte që nuk kam besim te askush dhe nuk kam detyrim të përzgjedh dhe të vepronim si të donin. Të ndërtosh një proces kaq me shumë probleme që nuk do doja t’i evidentoja, por janë evidentuar qartë për faj të mungesës së bashkëpunimit nga kryetari i KED dhe parlamentit për fat të keq dhe të përpiqesh ta banalizosh me histori të tilla, aq më tepër kur bëhet fjalë për krijimin e Gjykatës Kushtetuese e cila asnjë ditë nuk duhet të kishte qenë e mbyllur dhe bosh. Kjo ka ndodhur qëllimisht. Ua kam thënë edhe disa diplomatëve të korruptuar që thonin më mirë pa Gjykatë Kushtetuese”, tha Meta.

Presidenti Ilir Meta në një konferencë për mediat ka sqaruar sot procedurën ligjore që ka ndjekur për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kreu i shtetit deklaroi se ka respektuar Kushtetutën dhe ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Menjëherë pas kthimit nga vizita në Paris kam firmosur emërimin e gjyqtares Marsida Xhaferrllari duke ndjekur procedurën”,- tha Presidenti.

Lidhur me akuzat e PS se kreu i shtetit shkeli afatin 30 ditor me këtë dekretim, Presidenti tha se nuk ka shkelur asnjë fat.

“Nuk ka një afat të përcaktuar në Kushtetutë për Presidentin e Republikës. Kushtetuta është një dhe e ka parashikuar procedurën”,- tha Meta.

SHKARKO APP