Situata momentale, 49 viktima dhe 790 të plagosur

Numri i viktimave dhe dëmet që shkaktoi tërmeti i ditës së martë vijon të rritet në mënyrë tragjike. Ministria e Mbrojtjes konfirmoi dje në mbrëmje se janë 49 persona që kanë humbur jetën dhe 790 të plagosur. Shifra e lartë dhe frikshme e viktimave, fatkeqësisht nuk është përfundimtare. Në Durrës flitet për viktima të tjera që po kërkohen poshtë rrënojave dhe numri mund të rritet gjatë ditës së sotme. Mediat, duke u bazuar në dëshmitë e qytetarëve, flasin edhe për disa viktima të tjera. Kërkimet e ekipeve të shpëtimit u ndërprenë dje në Thumanë të Krujës. Nga rrënojat e banesave, gjatë tre ditëve u nxorën trupat e pajetë të 22 personave.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në këtë zonë, më e goditura nga tërmeti, nuk ka më viktima të tjera. Ndërkohë në Durrës janë nxjerrë 25 viktima që nga data 26 nëntor dhe kërkimet do të vijojnë edhe këto ditë. Dëmet në banesa në Durrës janë më të mëdha dhe situata paraqitet edhe më e vështirë. Për pallatin që është fundosur disa kate nuk ka të dhënat të sakta sesa mund të jetë numri i viktimave. Reshjet e shiut dhe stuhitë që nisën mbrëmë në Durrës e bëjnë edhe më të vështirë punën e ekipeve të shpëtimit për të kërkuar njerëzit e humbur. Tragjedia është e madhe për familjet e viktimave, ndërkohë situata në Durrës është kritike dhe për familjet e mbijetuara dhe qytetarët që kanë humbur banesat. Zonat e Durrësit që u goditën nga tërmeti kanë nisur të ngjajnë me një “qytet fantazmë”. Tërmeti i ka bërë të pabanueshme një pjesë të pallateve dhe qytetarët kanë zgjedhur të largohen në mënyrë masive, derisa të gjendet një zgjidhje për shtëpitë e tyre. Ata më të dëmtuarit nga tërmeti janë strehuar në kampet e ngritura për përballimin e emergjencës. Numri i madh i qytetarëve në kampet e Durrësit e bënë të vështirë menaxhimin e situatës. Pas dëmeve të tërmetit është me rëndësi që autoritetet të shmangin një krizë humanitare me personat që janë pa strehë ku të fusin kokën. Dimri shqiptar nuk ka nisur ende mirë dhe ata mijëra gra e fëmijë kanë nevojë për një strehim më të mirë sesa çadrat e ndihmave të huaja. Ushqimet që sipas kryeministrit teprojnë dhe po kalben në magazinë, nga pamjet e mediave duket nuk po shkojnë atje ku duhet.

Ndërkohë veç viktimave tragjike të Durrësit, situata e pazakontë e tërmeteve ka prodhuar probleme në Tiranë dhe në Lezhë. Në kryeqytet katër pallate u klasifikuan të pabanueshëm dhe qindra familje janë nga mbrëmë pa strehë. Për Lezhën është folur pak ose aspak në media, por në disa fshatra të këtij qarku situata është alarmante dhe banorët kanë nevojë për ndihma dhe mbështetjen e shtetit. Fakti që nuk ka viktima është lajmi i mirë, por kjo nuk e bënë situatën më pak dramatike dhe urgjente. Tragjedia me të cilën po përballet Shqipëria është e pazakontë dhe kërkon institucione dhe përgjegjshmëri maksimale nga qeveria. Më e keqja duket se ka kaluar, por faza e ringritjes dhe përballimit pasojave të kësaj katastrofe kërkojnë një rithemelim të gjithë institucioneve që dështuan. Lista e atyre që gabuan dhe gjërave që u bënë këtë është e gjatë dhe në një kohë të dytë dikush duhet të japë përgjegjësi për kasaphanën urbanistike që merr jetë njerëzish njerëzish. Edhe pse quhet fatkeqësi natyrore, shqiptarët paguan çmimin më të lartë të papërgjegjshmërisë shtetërore. Natyra dhe Zoti na dhënë mësimin më të hidhur, me kosto të tmerrshme në jetë njerëzish. E ardhmja e shoqërisë tonë dhe shmangja e tragjedive të tilla do të varet shumë nga mënyra sesi do të veprojmë pas kësaj katastrofe.

Mili Xhani

SHKARKO APP