3 ditët e tmerrit për tre viktimat e familjes Haliti në Gjirin e Lalëzit (FOTO)

Ngjarja në Gjirin e Lalëzit është tragjike, pasi janë tre jetë të humbura. Ekspertët mjeko-ligjor kanë zbardhur ekspertizën e vdekjeve dhe vërtetohet se është helmimi i shkaktuar nga kërpudhat. Të afërmit dyshojnë se ata humbën jetën nga neglizhenca e mjekëve. Nusja e çiftit thotë se ”Mjekët në Tiranë thanë si ka mundësi që mjekët e Manzës i kthyen në shtëpi, tani është shumë vonë. Kur shkova në shtëpi pashë sa shumë kishin vuajtur”. Ajo shton se “do ta ndjekim ligjërish deri në fund, këtë çështje”.

Djali rrëfen për “Shqipëria live”, telefonatat me babanë, pasi u kthyen në shtëpi. ”Ishin shumë keq, gjatë gjithë kohës duke vjellë, kanë marrë shumë ilaçe, por pa rezultat”. Më tej, ata kanë shkuar sërish në ambulancë, ku janë nisur me urgjencë drejt Tiranës. Tashmë, priten përgjigjet e toksikologjisë, për të konfirmuar nëse kërpudhat ishin shkaku i vërtetë i vdekjes së tyre.

Gjithçka nisi të martën e kaluar kur familja konsumoi në banesë, kërpudhat e mbledhura në Gjirin e Lalëzit. Disa orë më pas Afrim Haliti, nëna dhe bashkëshortja e tij janë ndjerë keq, ndaj një punonjës i resortit i ka shoqëruar pranë qendrës shëndetësore të Manzës në orët e para të 5 majit për trajtim ambulator dhe pastaj u kthyen në banesë.

Po atë ditë kanë shkuar sërish në ambulancën e Manzës dhe pas marrjes së serumit e qetësuesve janë larguar për në banesë. Sipas mjekëve të qendrës së Manzës është respektuar protokolli i trajtimit, ndërsa referimi në spitalin e Durrësit nuk është bërë pasi ata ishin përmirësuar dhe nuk kanë deklaruar paraprakisht që kanë konsumuar kërpudha.

Rreth 20 orë pas marrjes së trajtimit ambulator në Manëz, anëtarët e familjes Haliti janë përkeqësuar dhe kanë kërkuar ndihmë nga urgjenca kombëtare e cila ka dërguar një autoambulancë nga Durrësi dhe pas një reanimimi të shpejtë i ka dërguar në Tiranë në gjendje të rënduar, ndërsa spitali njoftoi dhe forcat e policisë. Më 6 maj, 3 anëtarët e familjes mbërritën në QSUT në Tiranë për trajtim të specializuar, ku dhe humbën jetën, fillimisht nëna, pastaj i biri dhe më 8 maj edhe gruaja e tij.

SHKARKO APP