Agim Isaku: “Zoti Nano a nuk keni frikë ta drejtoni Shqipërinë pa opozitë?”

(Botuar me 5 Tetor 1997 në KOHA JONE)

Nga Agim Isaku 

Pas rrëmetit dhe qametit, të cilin Shqipëria ende nuk e ka kaluar, më së fundi kemi një qeveri, sikundër doli nga zgjedhjet e fundit, me një mbështetje të gjerë. Përpjekjet e saj të deritanishme janë të lavdërueshme në shume drejtime. Veçanërisht në atë të rendit, të liberalizimit të masmediave edhe shtetërore, të përpjekjes për një qeverisje sa më të gjerë, të strukturimit të një shteti modern me pushtete të ndara etj. Sigurisht, edhe gabimet nuk duket të jenë pak. Megjithatë, natyrshëm besoj, secilin nga ne e mundon dilema: duhet që, në një kohë kur më shumë se 1 milion armë janë nëpër duart e njerëzve, shpesh të stresuar e të papërgjegjshëm; në një kohe kur thuajse të gjithë institucionet e shtetit janë të rrënuar, në një kohë kur bandat (cuba të mirëfillte, por edhe cuba politikë) ende vërtiten si makthe jetëmarrëse hapësirave të jetës normale, por edhe deri në parlament; në një kohë kur arkat e shtetit janë të zbrazura nga xhambazllëku i ish-politikanëve dhe kusarëve, pra pikërisht në këtë kohë na mundon dilema: a të bëjmë vërejtjet tona për qeverisjen, apo ta lemë atë të punojë, madje edhe të bashkërenditemi me të për ta ndihmuar në aksionin e vështirë të normalizimit të jetës?

Për arsye të ndryshme, por ndoshta më së shumti për hir të natyrës, mendoj se është jo vetëm e nevojshme, por e domosdoshme, mbajtja e një pozicioni vrojtues dhe kritik me sens konstruktiv ndaj aktivitetit të kësaj qeverisjeje. Pse e them këtë ? Së paku për dy arsye: e para sepse Shqipëria ndodhet në një nga momentet më kritike të historisë së saj, kur opozita aktuale është thellësisht e diskretituar për shkak të qeverisjes së mbrapshtë dhe kësisoj qëndrimet e saj, dhe kur janë të drejta, nuk zënë vend dhe së dyti, sepse vetëm qëndrimet kritike do ta shpëtojnë këtë qeveri nga theqafja e shpejtë, përndryshe do ta shpëtojnë (ndoshta) Shqipërinë nga kjo theqafje dhe humnerë që e kemi poshtë këmbëve. Janë pikërisht këto qëndrime dhe jo sallat e mbushura me servilo-militantë (që bërtasin në stilin komunist të deri gjashtë muajve më parë dhe ënjtin duart për çdo pushtet e pushtetar duke krijuar kështu ato që Majakovski i quante “gropat e festave”), që do të korrigjojnë ç’mund të korrigjohet në këtë kohë mllefesh dhe marrëzie.

Po cilat janë disa nga problemet aktuale më të mprehta me të cilat po përballet shoqëria dhe politika shqiptare e passhkatërrimit dhe cilat do të ishin disa mundësi për t’i zbutuar ato, apo për të mos lejuar të thellohen edhe më?

 

Zbrasësia në spektrin politik

Pas zgjedhjeve të 29 Qershorit spektri politik shqiptar në akt mbeti po ai që ishte, së paku në kuadrin e shifrave të përfaqësimit në parlament, pavarësisht nga ndryshimi i kahjeve. Madje mund të thuhet se edhe për sa i përket programit, edhe për sa i përket tendencave properëndimore apo euroatlantike, siç quhet sot, duket se nuk ka ndryshuar gjë. Tani Partia Socialiste është në pushtet në po atë masë frikshme që ishte edhe Partia Demokratike në fillim të qeverisjes së saj. Kjo parti mbart brenda vetes edhe problemet e saj që, ndryshe nga sa pritej, nuk sollën çarje të rënda edhe pas ardhjes në pushtet. Soliditeti i saj mund të konsiderohet edhe si një trashëgimi e “unitetit” të dikurshëm të saj, por më së shumti besoj se i dedikohet frymës tolerante të udhëheqjes dhe veçanërisht të dy-tre drejtuesve aktualë me në krye Nanon i cili, krejt ndryshe nga Berisha në gusht 1992, jo vetëm nuk i përjashtoi antinanoistët nga partia, por u “shpërndau” atyre poste jo të parëndësishëm.

Nga ana tjetër, të vetëdijshëm për vështirësitë e qeverisjes, ata thirrën në pushtet edhe disa parti të tjera, nga të cilat, më të spikatura mbetën dy prej tyre, ajo Socialdemokrate dhe Partia e Aleancës Demokratike. Të njëjtën gjë kishte bërë edhe Berisha pas ardhjes në pushtet në vitin 1992, veçse ai e kishte bërë këtë një koalicion sipërfaqësor dhe të gjithë kemi qenë dëshmitarë të mosfuqisë së aleatëve në atë kohë, derisa, njëri pas tjetrit u detyruan të largohen nga bashkëqeverisja.

Tani për tani duket se bashkëqeverisja me socialistët u ka dhënë aleatëve të tyre ku e ku më tepër hapësirë dhe nuk duket një truk propagandistik i bërë thjesht për të zbutur imazhin e të qenit ish-komunist që socialistët nuk arritën ta largojnë nga vetja ca për shkak të paragjykimeve të botës, ca për shkak të gabimeve të veta në drejtim të reformimit të bazës së partisë, e cila, besoj, ka mbetur Thembra e tyre e Akilit.

Përballë socialistëve dhe koalicionit qeveritar ndodhet në rolin e opozitës kryesore veçse një masë e mbetur nga Partia Demokratike, e cila po kalon krizën e saj më të rëndë qysh nga krijimi. Është një krizë e cila mund të sjellë edhe shpërbërjen e saj apo tkurrjen e mëtejshme. Natyra tashmë e njohur e Berishës i cili vazhdon të qëndrojë me kokëfortësi në krye të këtij grupi, jo vetëm nuk i lë kohë të reformohet dhe të vetanalizohet, por u ka siguruar Socialistëve komoditetin tepër të rrezikshëm të mospasjes së opozitës, përkthyer ndryshe, të pasjes së një opozite të diskretituar thellësisht. Por ky komoditet është vetëm në pamje të parë, sepse po të gjykohet me paanshmëri, kuptohet menjëherë se mosekzistenca e një opozite të fuqishme e të besueshme shumë shpejt mund të sjellë disekuilibër në qeverisjen e vendit, vetëbesim të tepruar, ndjenjë të paarsyeshme superioriteti, lexim të mbrapshtë të votës së popullit dhe të revoltës së tij.

Hapja e shesheve për demonstrime dhe qëndrimi i policisë është për t’u përgëzuar, por nuk është e vështirë të kuptohet që kjo hapje e shesheve ka pas saj edhe një qëllim tjetër: diskretitimin përfundimtar të Berishës dhe të atyre që e shoqërojnë. Përveç këtyre dy grupimeve, është edhe një mori partish dhe grupimesh të tjera të vogla si Partia Republikane, ajo e Legalitetit, Partia e Ballit Kombëtar, Partia Lëvizja për Demokraci, e Djathta Demokratike etj, të cilat nuk kanë mundur t’i imponohen elektoratit shqiptar së pari, mendoj, sepse nuk kanë arritur të grupohen dhe të paraqesin një alternativë të përbashkët. Disa prej tyre, për arsye që nuk janë të njohura publikisht, vazhdojnë t’i mbajnë iso politikës jokonstruktive të Berishës. Sabri Godo, Spartak Ngjela, Genc Ruli apo ndonjë tjetër, të cilët janë ndër politikanët më të spikatur të këtij grupimi, besoj se e kanë për detyrë të merren me organizimin e këtij grupimi për të përgatitur kësisoj një alternativë të vërtetë politike të pushtetit aktual. Ndërkaq është, ose më saktë duhet të jetë, një strukturë jashtëpartiake (por jo detyrimisht jashtëpolitike), e cila mundet të luajë rolin e opozitarit konstruktiv të qeverisjes: ky është sistemi i institucioneve të pavarura, i shtypit të lirë dhe ai i intelektualëve pa parti. Tragjedia që sapo kaluam ishte, përveç të tjerave, provë e mungesës së kësaj strukture dhe provë e shurdhërisë së shtetit ndaj fjalës së intelektualëve, të cilët kishte më se pesë vjet që përpiqeshin të bënin punën e tyre. Madje ca më keq akoma, i servilizmit të këtyre strukturave ndaj shtetit. Për fat të keq, edhe pse kanë kaluar disa muaj nga ajo që ndodhi, janë shumë të pakta shenjat që flasin për një ringritje të këtyre strukturave. P.sh., u bë ngritja e TVSH, bota shqiptare zien nga problemi i të ashtuquajturave firma rentiere, ndodhi demonstrimi i parë pas disa vjetësh në Kosovë, megjithatë asnjë institut i pavarur ekonomik apo i analizës politike nuk paraqiti në publik vrojtimet e veta.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se shteti i ri ka treguar, kryesisht përmes numrit një të tij, Presidentit të Republikës, se ai nuk do t’u kundërvihet më këtyre strukturave, madje merr përsipër, deklarohet, t’u japë atyre hapësirën e domosdoshme, gjë që mbetet për t’u lavdëruar. Megjithatë edhe këtu mbetet një problem: ai i rrezikut të komprometimit të këtyre institucioneve nga shteti, gjithnjë në emër të përkujdesjes.

Shkatërrimi i vlerave njerëzore, parapriu shkatërrimin e shtetit

Gjëja më e dukshme për të gjithë është shkatërrimi i lulishteve, ai i rrugëve nacionale, i hotelerisë, i sistemit të ujitjes apo i rrjetit elektrik, por ndërkohë ka ndodhur një shkatërrim edhe më tragjik, ai i shumë vlerave humane. Një lloj çoroditje ka ndodhur në të gjitha vendet e ish-diktaturave komuniste të lindjes dhe ndodh normalisht në çdo moment të ndërrimit të sistemeve, por në Shqipëri gjithçka shkoi në ekstrem për shkak të mbylljes së gjatë dhe represionit 50-vjeçar nga njëra anë, por më së shumti, për shkak të mungesës së një programi apo ideje të qartë se ku duhet të shkonte Shqipëria gjatë kohës, gjë që duhet ta përpunonte klasa politike shqiptare.

Mirëpo Partia Demokratike, (në fakt Berisha), për arsye të cilat do të duhet kohë të analizohen, në emër të luftës kundër komunizmit, i shpalli luftë të gjitha vlerave humane. U quajt kapitalizëm vetëm fitimi i parave, pragmatizmi i paskrupullt zëvendësoi gjithçka, individualizmi i egër rrënoi atë që quhet stof sociale të shoqërisë, e kështu me radhë. Fitimi i shpejtë dhe pasurimi u bënë busulla orientuese e popullit shqiptar gjatë këtyre viteve. Korrupsioni u shpall zyrtarisht si domosdoshmëri. U arrit deri atje saqë zyrtarët apo njerëzit e pakorruptuar të thirreshin komunistë, në një kohë kur në të gjithë botën vlerat humane të sprovuara nëpër shekuj mbeteshin vlera, kur mbeteshin korrupsioni-korrupsion, prostitucioni-prostitucion, pabesia-pabesi, e kështu me radhë.

Nga një shoqëri thellësisht e kontrolluar, ku dhuna shtetërore deformonte dhe shpërdoronte vlerat njerëzore, u kalua në një çshoqërizim te gjithçkaje. Parulla “O Mete për vete!”, e recituar nga naivi i rrezikshëm Blerim Çela, mund të shkruhej me germa të mëdha në hyrje të të gjitha institucioneve shtetërore, tashmë të shkatërruara, përveç të tjerave, edhe për shkak të kësaj parulle.

Madje ndoshta në çdo rrugë e rrugicë të përbaltur që qarkon vilat luksoze të zyrtarëve. Ishte ky shkatërrim i moralit shoqëror që solli edhe shkatërrimin e shtetit. Dhe tani, qeverisë shqiptare, të gjithëve bashkë do të na duhet të përballemi me këtë fenomen pa qenë të sigurt nëse do të mundim të rindërtojmë një shoqëri civile, solidare dhe të niveleve bashkëkohore, pa rrezikuar të rrëshqasim sërish në ekstremin tjetër, në komunistizimin dhe krijimin dhunshëm të vlerave. Po cila do të ishte rruga normale e rikrijimit, apo më mirë të themi e krijimit të këtyre vlerave? Le të shohim ç’rezistoi gjatë rrëmetit shqiptar. Në një kohë kur u shkatërruan deri edhe strukturat që konsiderohen si më të fortat e shtetit, si SHIK-u apo Garda Presidenciale, një strukturë tjetër, ajo e shtypit, të lirë, pavarësisht vështirësive, mbijetoi. Pse? Sepse kjo strukturë ishte krijuar sipas rregullave të lojës demokratike, pra përmes luftës, përpjekjeve, konkurrencës së ashpër dhe përherë, për shkak të natyrës së vet, nën vrojtimin e paanshëm dhe gjykimin e opinionit publik. Nga kjo nuk është e vështirë të kuptohet se vetëm kjo rrugë do të ishte rruga normale e krijimit të institucioneve demokratike dhe e ristabilizimit të vlerave në përgjithësi.

Rikthimi i besimit te politika dhe qeverisja

Sot, ngado që të shkosh në Shqipëri, do të dëgjosh të njëjtin vlerësim për politikanët shqiptarë: ata e morën në qafë vendin, të gjithë janë njëlloj, secili prej tyre mendon vetëm për vete, e kështu me radhë. Pa asnjë dyshim brenda këtij vlerësimi ka një të vërtetë, por në të njëjtën kohë, brenda këtij vlerësimi ka edhe një dozë të madhe të viktimizimit dhe të largimit të përgjegjësisë nga vetja, pasi në fund të fundit, nëse kemi këta politikanë që kemi, nëse ata janë ashtu si janë, vetë ky popull ka ndihmuar të bëhen të tillë, për të mos thënë se pikërisht nga gjiri i këtij populli kanë dalë.

Sidoqoftë, më së shumti, sidomos në gjirin e ish-suportuesve të Berishës, gjithnjë e më shumë po elaborohen tezat se ky vend nuk bëhet, se duhet luftuar protagonizmi politik, se populli është i pacivilizuar, fajin na e ka historia, Vija e Theodhosit, Konferenca e Jaltës, Sjellësi i ferexheve, Heroi Kombëtar, pushtimi turk etj. Brenda këtyre gjykimeve që ka të vërteta që duhet të merren në konsideratë, por nuk është e vështirë të kuptohet se elaborimi i këtyre tezave pikërisht në këtë moment, kur me të vërtetë besimi i njerëzve te politika vjen gjithnjë në rënie, ka prapa një rrezik të madh: atë të krijimit te njerëzit të bindjes se qeveritë janë vetëm të poshtra (Të tilla në fakt kanë qenë!) dhe të shurdhërisë qytetare ndaj vendimeve të qeverisë dhe të ligjeve të shtetit, ç’ka gjykohet të jetë më e rrezikshme edhe se vetë mosbindja e ndërgjegjshme civile ndaj qeverisë. Kjo do të riskonte një ndarje shtet-popull që nuk i jep asgjë të mirë shoqërisë dhe të ardhmes së saj.

Kalimi nga njëri ekstrem në ekstremin tjetër, mbetet një nga dukuritë më të rrezikshme të shoqërisë shqiptare. Kështu nga një fetish i shtetit, i krijuar me dhunë gjatë komunizmit, por edhe në periudhën e fundit të sundimit të Berishës, u kalua në një shpërfillje dhe nëpërkëmbje totale të tij. Përpjekjet për të nëpërkëmbur cilindo, përbaltja e cilitdo, duket se është pjesë e një programi të zi për ta thelluar edhe më rrënimin e vendit dhe për ta vështirësuar mundësinë e ringritjes së tij. Por cilat do të ishin rrugët për të rikthyer besimin, jo të verbër, por të nevojshëm te politika dhe te politikanët? E di që do të duket tepër naive dhe e vjetruar, por me sa duket në këtë fazë të zhvillimit shoqëror jemi. Pra, së pari është detyrë e vetë politikanëve të tregojnë përkushtim ndaj detyrës që kanë marrë përsipër, të jenë tolerantë dhe të demonstrojnë edukatë, kulturë e qytetërim. Por kur në Parlament thuhen dhe dëgjohen ato që thuhen, kur në korridoret e tij zbrazen armë si në mesjetë, kjo bëhet e vështirë, në mos po e pamundur.

Meritokracia… shqiptare?

Ristrukturimi i shtetit, institucioneve të tij dhe më pas edhe i respektit për shtetin dhe politikën lidhet drejtpërsëdrejti me atë që Nano, sipas stilit perëndimor e quan meritokraci, çka do të thotë shqip, secilit t’i japësh atë që i takon sipas aftësive. Duket gjithsesi një tezë tejet joshëse dhe shpresëdhënëse. Mirëpo ç’ndodh në të vërtetë? Si kuptohet kjo dhe si zbatohet? Së pari, duhet thënë qysh në fillim se zbatimi i këtij kriteri në ndërtimin e shtetit do të jetë i vështirë përderisa vijmë nga një regjim represiv si ai i Berishës ku njerëzit, për hir të bindjeve të tyre apo të afilacioneve politike kanë qenë të përjashtuar dhe të diskretituar që nga punësimi e deri te marrja e pensioneve. Megjithatë mbajtja dhe përpunimi i këtij kriteri, qoftë edhe duke rrezikuar të bjerë në radhët e militantëve, do të jetë një politikë afatgjatë që do të japë rezultatet e veta.

Mirëpo ç’kuptohet me meritokraci në radhët e shqiptarëve, është përgjithësisht tepër e ndryshme nga koncepti perëndimor borgjez. Tek ne, falë mentalitetit komunist që e kemi mes nesh me shumicë, meritë quhet aktivizimi në luftën kundër regjimit, pjesëmarrja nëpër mitingje dhe demonstrata, mbajtja në shpinë e shkopinjve, ngelja pa punë, persekucioni, bërja e shumë fëmijëve, pjesëmarrja në aksione dhe zbore, lidhjet farefisnore me këtë krah kundër krahut tjetër, etj, etj.

Tani duhen bërë përpjekje që nga ky koncept të kalohet te koncepti i aftësive që në fund të fundit do të jenë matësi kryesor i meritave. Prova e parë e gjykimit të nivelit të respektimit të meritokracisë ishte dhe është ende punësimi i njerëzve në strukturat e shtetit. Për të mënjanuar sadopak (pasi besoj se shmangia do të jetë e pamundur), gjëja e parë që do të bëhej do të ishte caktimi i kritereve në punësim.

  1. sh. mbi ç’kritere hiqen dhe pastaj mbi ç’kritere zëvendësohen drejtorët e drejtorive nëpër rrethe, ambasadorët, drejtorët e shkollave, të postave, shoferët e zyrtarëve e kështu me radhë? Pa asnjë dyshim, gjithsecili mund të zëvendësohet, ca më shumë që pas shkatërrimit të shtetit, kjo është e justifikuar edhe moralisht. Problemi shtrohet: me kë po zëvendësohet dhe mbi ç’kritere?

Përballë atij që quhet “pajtim kombëtar”

Teza e pajtimit kombëtar nuk është e re. Në një vend si Shqipëria ku gjakmarrja, vrasjet dhe armiqësitë kanë qenë sheshit, pajtimi ka qenë përherë i pranishëm si një komponent tepër aktiv, madje hera-herës edhe si një institucion i posaçëm, kurse në rrafshin politik për herë të parë teza e Pajtimit Kombëtar të paktën që nga Lufta e Dytë Botërore e këtej, është formuluar nga një grup intelektualësh menjëherë pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri, por, sikundër dihet, u silurua nga Berisha në emër të ish të persekutuarve politikë. Për herë të dytë kjo formulë u artikulua gjatë rrëmetit, në tavolinën e partive të 9 marsit, veçse kësaj radhe nga vetë Berisha. U arrit edhe të krijohet e ashtuquajtura Qeveri e Pajtimit Kombëtar e cila, sikundër po del, në të vërtetë, me përjashtim të faktit që i siguroi mbijetesën politike, aq sa ishte, Berishës, nuk arriti ndonjë pajtim, pasi qysh atëherë në Shqipëri janë vrarë e gjymtuar me mijëra njerëz dhe madje mospajtimi u ngrit deri në parlament. Pse ndodh kjo? Kam përshtypjen se edhe kur artikulohet kjo frazë, shumë pak mendohet me thellësi se çdo të thotë pajtim kombëtar?

Procesi i pajtimit është një proces i cili lidhet direkt me shkallën e tolerancës së një shoqërie, me kultivimin dhe më pas, me institucionalizimin e saj. Kur përmendim fjalët pajtim kombëtar, ta kemi më përpara të qartë me kë do të pajtohemi, ndryshe çdo të tolerojmë dhe çfarë nuk do të tolerohet, sepse për gjithkënd është e qartë se jo çdo gjë tolerohet. Tolerohet mendimi i ndryshëm, tolerohet ideologjia tjetër, tolerohet demonstrimi paqësor, greva, fjala e lirë kundra, votimi kundra, por nuk e di se si mund të tolerohet vrasja, qoftë edhe e bërë në emër të kanunit, si mund të tolerohet shpërndarja e armëve një populli të gjithë, shkatërrimi i rendit.

Kjo lidhet drejtpërsëdrejti me krijimin e shtetit të së drejtës, që në thelb nuk është asgjë më shumë se sa respektimi i ligjit dhe ndarja me krimin.

Le ta konkretizojmë: nesër policit të lagjes do t’i duhet të arrestojë dhe ta shpjerë para gjyqit hajdutin 12-vjeçar që rrëmben nga kioska në anë-rrugë dy kilogram mollë. Në bazë të ligjeve të shtetit, gjykatësi do të japë dënimin. Atëherë do te ngrihet hajduti i vogël dhe do t’i thotë: Ti më dënon mua për dy kile mollë në një kohë që nuk ke dënuar ata që dogjën, vodhën dhe shkretuan Shqipërinë? Pastaj, a nuk kemi për të bërë pajtimin kombëtar? Ose, edhe diçka tjetër. Në bazë të ligjeve në fuqi, policia do të arrestojë dhe ka filluar ta bëjë ketë, të gjithë ata që mbajnë armë pa leje. Dhe sigurisht që bën shumë mirë. Mirëpo, si mund të arrestohet fshatari që mori armën me firmë nga dora e ish-shtetit shtetar i cili paguhej pikërisht për të kundërtën? Dhe, sipas kësaj logjike, gjykatësi do të duhet të pajtohet me hajdutin, vrasësi me të vrarin, i spiunuari me spiunin, i burgosuri me gardianin e kështu me radhë… Nuk është e vështirë të kuptohet se kësisoj rrezikohet që shtetit të së drejtës t’i vihet ferra që në fillim, ndërsa ndarja me krimin nuk do të mund të realizohet.

Teoria e përfshirjes përballë asaj të përjashtimit

Ka tash disa kohë që një krah liberal i politikës shqiptare dhe së fundi vetë politikanët në fuqi, kanë vënë në përdorim tezën e përfshirjes. Është pa asnjë dyshim një tezë civilizuese dhe demokratizuese e cila i ka munguar vazhdimisht jetës politike dhe shoqërisë shqiptare e cila deri tani ka qenë thjesht shoqëri e përjashtimit. Kështu, qysh në kohën e pushtimit turk, kanë qenë të përjashtuar dhe të diskriminuar njerëzit që besonin besimet e krishtera. Më pas, për hir të kastave dhe të ideologjizmit të shtetit u përjashtuan për mëse gjysmë shekulli ata që nuk i bënin temena komunizmit apo familjet e të gjithë atyre që konsideroheshin kundërshtarë politikë të regjimit të Hoxhës. E njëjta gjë vazhdoi edhe gjatë çqeverimit të Berishës. Dukej se përjashtimi po bëhej normë për shoqërinë shqiptare. Dhe ja, më së fundi vjen një grupim politik i cili shpalos jo përjashtimin, por përfshirjen si normë të qeverisjes. Duket se ky konceptimi për shoqërinë shqiptare është një hap i ndjeshëm përpara dhe nëse do të mund të realizohet do të sjellë një transformim të ndjeshëm në të gjithë jetën sociale dhe politike të vendit.

Por në fakt si po realizohet kjo përfshirje? Ç’bëhet realisht në emër të saj? Ç’kuptohet në Shqipërinë e sotme me tezën e përfshirjes? Ç’rreziqe mbart ajo në vetvete krahas të mirave të padiskutueshme? Në dukje, me përfshirje nënkuptohet përfshirja dhe aktivizimi i të gjitha kapaciteteve njerëzore në mbarëvajtjen e shoqërisë dhe në zgjidhjen e morisë së problemeve të saj, thënë ndryshe, pavarësisht nga bindjet politike, pavarësisht nga origjinat dhe ideologjitë, pavarësisht nëse jemi pjesë e bllokut qeverisës apo e opozitës, apo qoftë edhe si të pavarur të bashkohemi të gjithë për të dhënë kontributin tonë. Mirëpo dy gjëra mbeten për t’u sqaruar dhe për t’u mbajtur parasysh: e para, a do të përfshihen këtu edhe hajdutët, kriminelët, xhahilët, vrasësit, spiunët, ata që e sollën Shqipërinë në këtë gjendje? Sigurisht nuk mund të inkriminohen kurrsesi me mijëra dhe dhjetëra-mijëra njerëz të ndeshëm, suportues të partisë Komuniste apo të asaj demokratike. Flas për ata që e dirigjuan këtë rrëmet dhe shkatërrim. Së dyti, brenda teorisë së përfshirjes ekziston një rrezik i madh, ai i komprometimit nga ana e shtetit të opozitës, të punëtorëve të fjalës së lirë, të veprimtarisë së organizatave të ndryshme joqeveritare e kështu me radhë. Pra rrezikohet të shuhet përfundimisht opozita dhe oponenca. Sepse kam përshtypjen se teza e përfshirjes është kuptuar disi në mënyrë empirike, domethënë thjesht si hapje e dyerve të punësimit për ata që nuk janë militantë të partive në pushtet. Do të ishte një koncept edhe më i gjerë dhe bashkëkohor sikur kjo përfshirje dhe pjesëmarrje e të gjithëve, të kuptohet si integrim i kontributeve, mundësisht duke respektuar mbetjen në opozitë apo në pozicionin e të pavarurit.

Po të huajt ç’thonë?

Duam apo nuk duam ne, duke qenë një vend i vogël dhe në këtë gjendje që jemi, sa kohë që tentojmë të integrohemi në bashkësinë ndërkombëtare, do të na duhet të kthejmë sytë nga bota, së pari duke synuar të respektojmë standardet bashkëkohore, por edhe duke dëgjuar këshillat e saj. Kjo bëhet edhe më e domosdoshme po të kemi parasysh se jemi një nga kombet më ashpër të goditur nga historia: kemi thuajse po kaq bashkatdhetarë jashtë kufijve shtetërorë nën një terror shoven tashmë të pranuar prej të gjithëve dhe problemi ynë kombëtar, duam apo nuk duam ne, ky problem nuk mund të hyjë në rrjedhën e zgjidhjes pa mbështetjen e botës.

Mirëpo ç’vihet re në këtë drejtim? Gjëja e parë që bie në sy është se, nga mbyllja proverbiale e kohës së komunizmit, Shqipëria dhe drejtuesit e saj kaluan në një hapje pa asnjë kriter. Çdo i huaj që vjen në Shqipëri është i mirëpritur në zyrat e shtetit, pa pyetur se cili është ai, ç’përfaqëson, ç’interesa ka. Tashmë për këdo është e qartë se politika e jashtme e Berishës ka qenë të paktën emocionale dhe pa bosht. Nga një miqësi e skajshme me amerikanët, ai kalon në një armiqësi po kaq të skajshme. Nga parullat për integrim evropian, anëtarësoi Shqipërinë në Konferencën Islamike, nga tezat për bashkim kombëtar, kaloi në shpërfillje të skajshme ndaj problemit të Kosovës dhe e përdori përçarjen në mes të shqiptarëve të Maqedonisë vetëm për të realizuar interesat e tij të qëndrimit në pushtet.

Mirëpo edhe nxitimi i qeverisë aktuale për t’i paraqitur me ngjyra rozë marrëdhëniet me botën dhe veçanërisht me Amerikën, organizimi i show-t për suksesin e pjesëmarrjes në një konferencë vjetore financiare të Bankës Botërore ku merrnin pjesë rreth 180 kryetarë shtetesh, të krijon përshtypjen e një hakmarrjeje tipike shqiptare. Le të mos harrojmë se jemi një shtet i vogël, i rrënuar nga komunizmi 53-vjeçar i Hoxha Berishës, që nuk kemi statusin e një shteti i cili mund të luajë politika të mëdha, të ngjallë xhelozira ndërkombëtare dhe te nxjerrë përfitime nga to. Një politike e jashtme neutrale dhe jo megalomane, e orientuar kah përfitimi ekonomik dhe interesi kombëtar do të ishte e mjaftueshme.

Nga ana tjetër nuk ka se si të mos bjerë në sy mënyra se si përthyhen këto marrëdhënie ndërkombëtare brenda politikës së vendit. Në një masë të caktuar kjo është e kuptueshme, por kurrsesi në atë shkallë që e përdor Berisha dhe grupimi i tij, i cili në çdo lëvizje të qeverisë së re, në mënyrë paranojake komunisto-primitive, arrin të shikojë vetëm prapaskena antishqiptare dhe tradhtira kombëtare.

Gjithë çështja është se në situatën në të cilën ndodhet problemi ynë kombëtar, një mirëkuptim mes partive politike në lidhje me platformën kombëtare të cilën ende nuk e kemi, është i domosdoshëm. Pas përpunimit të kësaj platforme ka shpresë se shumë gjëra, madje edhe sherri absurd rreth të ashtuquajturës çështje kombëtare, do të shuhej e mpakej vetvetiu. Sidoqoftë, sikundër edhe e thamë më sipër, ne do të na duhet me sa duket për një kohë të gjatë të pyesim: Po bota, ç’thotë? Dhe të mos harrojmë një gjë: pas ngjarjeve të fundit në Shqipëri, kur thuajse të gjithë u angazhuan, madje edhe me trupa ushtarake, për të ndihmuar që kriza shqiptare të zgjidhej në mënyrë demokratike, me anë të votës së lirë, një gjë është e qartë: kjo botë do të na mbështesë sa kohë të priremi për të ecur në rrugën e demokracisë dhe të përparimit.

 

SHKARKO APP