Agron Llakaj: Aktori i humorit një opozitar i përhershëm

(Botuar me 18 nëntor 1998 në KOHA JONE)

Agron Llakaj: Aktori i humorit një opozitar i përhershëm

– “Kjo ikje masive e intelektualëve më bën të mendoj se ata ikin nga “kolera” që mbjellin politikanët në këtë vend”-

Agron Llakaj tashmë është bërë i njohur për publikun shqiptar me gamën e gjerë të interpretimeve të tij në planin e humorit. Kohët e fundit, ai është parë të dalë i vetëm përpara publikut, pasi miku dhe partneri i tij, Koço Devole, është larguar për në kontinentin tjetër. Projekti i tij me të njohurin Filip Çakuli, që do të fillonte javë më parë në bashkëpunim me TVSH-në, ka “dështuar” për shkak të mungesës së sponsorizimit. Llakaj tashmë pret që të nisë një seri televizive me Televizionin e klanit për programin e Vitit të Ri. Preferon të jetë gjithmonë në lëvizje me makinën e tij, por jeton në një shtëpi, që nuk e ka pronë personale.

Aktori i humorit është një opozitar i përhershëm, me të gjithë ata pushtetarë, që marrin një karrige, të cilësdo ngjyrë qofshin ata. Për aktorin Llakaj familja është një nga shqetësimet e tij më të mëdha. Ka dy fëmijë që i ka mësuar të mos jenë qaramanë dhe një bashkëshorte të mrekullueshme, që ka duruar dhe duron natyrën e tij të “rënduar” nga humori. Për Agron Llakajn ajo, që e shqetëson në jetë, shprehet me shumë mjeshtëri me humor. Parashikon se në vitin 2040, nga shpërfillja, që politikanët i bëjnë inteligjencës dhe qenies njeri, në Shqipëri nuk do të ketë më shumë se 3 vetë. Një ndër të cilët mund të jetë edhe ai, por, gjithsesi, kjo mbetje do të qe e barasvlershme me zero, pa numër përpara. Ndoshta e pashprehur plotësisht, por ai, aktori, që di të bëje kaq bukur humor, pranon me dhimbje, se nuk është gjë tjetër, por vetëm se një pasanik shpirtrash që “Nuk do të doja të humbisja asnjë dyshkë nga pasuria ime e vetme”.

Në kafenetë ku ai zakonisht hyn, të gjithë e njohin dhe e përshëndesin, diku i ulen në tavolinë dhe i tregojnë ngjarje, që ata nuk mundin dot të shprehin. Tashmë edhe ai si shumë shqiptarë të tjerë është në pritje të mbarimit të diskutimit të kushtetutës dhe, ashtu siç ndodh rëndom në kësi rastesh, edhe të ndonjë mundësie për të nisur një “betejë” tjetër. A. B

Si funksionon brenda jush raporti imitues dhe aktor i humorit?

Unë kam dëshirë të jem aktor i universit të humorit. Kjo është një arsye shumë e fortë të mos e bëj këtë ndarje. Një aktor, kur realizon një rol, ka një përvojë jetësore në kokën e tij dhe për këtë, kur krijon një karakter, sigurisht që imiton në mënyrë artistike një personazh real.

Ç’do të thotë për ju të jesh aktor i humorit?

Kjo ka të bëjë në radhë të parë me një gamë të gjerë interpretimi ku hyn imitimi, pantomima, vodvili, aktori i karakterit etj. Të gjithë këtë gamë unë përpiqem ta realizoj me mënyrën time.

Po imitimi?

Sot për sot, imitimi është një zhanër që është mjaft i pëlqyer kudo në botë, që ka patur shumë sukses. Nuk ka mundësi që këtu tek ne të jetë ndryshe. Kështu unë jam përpjekur ta kem atë një nga planet e mia për të bërë humor.

Ndodh që t’ju thërrasin në rrugë me emrin tuaj?

Në përgjithësi, më flasin në emrin e personazheve që unë kam ngjitur në skenë, dhe kjo më bën të ndjehem mirë. Unë e di se ata të gjithë më njohin, madje dinë edhe emrin tim të vërtetë. Është e vërtetë që rrallë më thërrasin në emrin tim, por unë nuk jam mërzitur asnjëherë, përkundrazi, kuptoj se kam bërë diçka në skenë.

Me Koço Devolen keni patur një nga bashkëpunimet tuaja më të gjata… Ka qenë një dyshe e gjetur, pa dyshim më e shkëlqyera dyshe humori në këta vjet. Ka qenë një bashkëpunim që ka patur ecuri dhe sukses. Ky bashkëpunim ka qenë për mua një shkollë e dytë e humorit.

Përse Devole nuk është më përkrah me Agronin?

Hallet dhe problemet e bënë atë të largohet nga Shqipëria. Indiferentizmi i pushtetarëve, që asnjëherë nuk mundësuan financiarisht për realizimin e shumë prej projekteve tona, në fushën e humorit. Ai humbi besimin se këtu mund të bëhet diçka.

Po Agroni e ka humbur besimin se një ditë…

Mendoj se një ditë Devole do të kthehet dhe ne do të jemi përsëri së bashku në skenë dhe në ekran si më parë.

Cila është ndjesia juaj për politikanët?

Më vjen keq të shprehem ashpër, por të gjithë ata në mënyrë të heshtur po ushtrojnë gjenocid mbi intelektualët shqiptarë. Janë me qindra ata që po lënë vendin dhe po largohen nga Shqipëria, drejt vendeve të huaja. Kjo ikje masive më bën të mendoj se ata ikin nga “kolera” që mbjellin politikanët në këtë vend. Sapo thatë se ju mungon partneri juaj, Devole.

Mos vallë me largimin e tij ju janë larguar edhe aktivitetet?

Këtu tashmë është e vështirë të bëhet fjalë për aktivitete në vazhdimësi. Të gjitha pjesëmarrjet e mia të fundit gjatë këtyre muajve kanë qenë aktivitete spontane. Edhe një projekt që kishim për të filluar në fund të tetorit me shkrimtarin humorist Filip Çakuli, nuk do të bëhet pasi nuk ka fonde. Ndërsa për ekranin privat të TV Klan do të bashkëpunoj për Vitin e Ri.

A ka menduar aktori i humorit të ikë nga Shqipëria?

Kam menduar dhe shpesh madje, por sot jam në një dyzim të fortë. Një zë i brendshëm më thotë “ik”, kurse një tjetër më thotë: “Mbase një ditë do të bëhet më mirë”. Kjo më ndodh kur jam në momente dramatike për qenien time.

Keni ju brenda vetes një raport të caktuar për dramatiken dhe komedinë?

Këtë e ka cilido nga ne, dhe kjo vjen për një shkak fare të thjeshtë, sepse këtë na e kanë bërë politikanët tanë të nderuar. Këta politikanë dhe kjo klasë politike ka kohë që ka sjellë në arenën e madhe, Karnavalet. Kjo me një ndryshim të madh, fundi i karnavaleve është e qeshura, kurse këtu tek ne ato mbarojnë me tragjedi. Unë do ta mbyllja përgjigjen e kësaj pyetjeje me një pyetje.

Kur do të luhet akti i fundit që edhe ne të shpëtojmë?

Spektatori ka parë në skenë një artist që qesh dhe bën të tjerët të qeshin. A ju ka ndodhur ndonjëherë të qani? Po të më shohin dhe mua duke qarë, pastaj… Unë jam i bindur që spektatori, kur unë dal në skenë, lexon në ballin tim: “Qesh palaço qesh, se shpirti e di se ç’heq!”

Pra nuk keni qarë kurrë?

Unë jam natyrë optimiste dhe me karakter të fortë. Kjo më bën, që, kur i vë vetes një qëllim, mund të luaj diçka në kohë, e cila realizohet pak më shpejt apo pak më vonë, por, në përgjithësi, vetëm vdekja më kthen mbrapa. Edhe pse kam këtë karakter të fortë them se është e vështirë për t’i bërë njerëzit për të qeshur, sepse, kur nuk janë optimistë brenda vetes, sigurisht e kanë të vështirë të qeshin. Pavarësisht nga kjo, sot në kafene në qendër të bisedave më shumë se cilido politikan është batuta: “Kur do të plasë prapë”.

 Ju si e parashikoni këtë?

Nuk ka horoskop në Botë që të parashikojë fatin e vendit dhe popullit tim.

Bëni humor në skenë, sepse e takoni atë edhe në jetën e përditshme?

Unë lëviz shumë nëpër Shqipëri dhe me atë që takoj dhe shoh do të më duhej të vija kujën.

Por ajo që unë ngre në humorin tim është kontrapunkti i kësaj gjendjeje. Njerëzit më thonë kur më takojnë, që të them me humorin tim atë që ata nuk e shprehin dot.

Bëni humor për humor?

Mendoj se humori im është humor politik dhe në të, unë them atë që duan të gjithë të thonë, por që nuk kanë mundësi.

Bëni ndonjëherë kompromis në skenë?

Unë nuk e njoh kompromisin me politikën dhe do të jem opozitar i përjetshëm me politikanët, që deri tani janë tallur me popullin tim.

E keni ndjerë ndonjëherë frikën pas humorit?

Frika më shoqëron, por gjithsesi deri më tani nuk më ka ndodhur gjë. Diçka nga jeta juaj private? Unë jam i martuar me Kostandinën dhe kam dy fëmijë, vajzën Alkida që është 13 vjeç dhe djalin Eno 12 vjeç. Kam një bashkëshorte që më ka duruar dhe më duron shumë, ndonëse unë asnjëherë nuk mund t’ia garantoj të ardhmen. Besoj se do të më durojë akoma edhe më tej, sepse unë kështu jam gatuar.

Është xheloze gruaja juaj?

Aspak. Ajo tashmë mund të quhet artiste po aq sa edhe unë.

Me streset dhe problemet që mund të këtë cilido aktor, Konstandina ka qenë dhe do të jetë qetësia ime shpirtërore. Mbështetja e saj ka qenë potenciali im në skenë dhe në ekran.

Jeni i përkushtuar në familje?

Them se përkushtimi im shkon deri në sakrilegj për familjen. Fëmijët ma shpërblejnë këtë, sepse janë të shkëlqyer në mësime.

Ndoshta sepse kanë një baba të njohur?

Unë kam kërkuar nga ata gjithmonë që të jenë në radhë të parë njerëz dhe të mos jenë fëmijë qaramanë. Jetën time unë e kam ngritur nga e para vetë “duke luftuar”. Për këtë i falem Zotit, sepse kam çarë gjithçka me shpatullat e mia. Fëmijëve të mi nuk dua t’u mungojnë gjërat kryesore dhe shkollimi.

 I preferuar i publikut dhe keni realizuar shumë dalje në skenë. A jeni i pasur tani?

Si artist bëj pjesë në ata që janë artistë të varfër, por e them me mburrje se jam multimiliarder i shpirtrave dhe nuk do të doja që të më humbiste asnjë dyshkë nga kjo pasuri. Paraja është e nevojshme për jo gjithçka. Unë bëj pjesë në armatën “Ndonëse të dh… por krenarë!” Së shpejti do të jetë referendumi për kushtetutën.

Mesazhi juaj?

Unë jam koshient që ajo i duhet këtij vendi. Por duke parë se si politikanët po luajnë me kushtetutën them se këtij vendi i duhen shumë gjëra të tjera. Politikanët nuk kanë sepse të vrapojnë… Në radhë të parë duhet të sigurohen vendet e punës, qetësia, sepse atëherë shqiptarët nuk do të duan të ikin nga ky vend. Politikanët i duan paratë që marrin nga taksapaguesit shqiptarë, por në këtë rast them se është me vend vargu popullor: “O ju politikanët tanë haram e paçi paranë…”

ALDA BIDA

SHKARKO APP