Aleksandër Meksi, ish-kryeministri i Shqipërisë: Çdo shtet që mendon se fillon nga zero është i destinuar të mbetet në zero
(Botuar me 11 tetor 1998 në KOHA JONE)
Shkruar Aleksandër Meksi, ish-kryeministri i Shqipërisë: Çdo shtet që mendon se fillon nga zero është i destinuar të mbetet në zero
Është jashtë çdo dyshimi se në Shqipëri është krijuar një gjendje e palejueshme dhe e padurueshme për njerëzit e ndershëm e njerëzit e punës. Për fat të keq kur priten ndryshime (që t’i shpëtojnë përgjegjësisë eterit e kombit) ndodh përherë diçka. E atëherë njerëzit veshin lëkurë luani dhe betohen se pa trimëritë e tyre do të ishte bërë hataja. Askush nuk i beson, veç atyre, këto gënjeshtra e për fatin e keq të shqiptarëve ata e shtyjnë për disa kohë, “sa të vendoset stabiliteti”, që deri më tash nuk e vendosën dot. Pak rëndësi ka se nuk deshën, nuk dinin apo nuk qenë të zot, pak rëndësi ka që të pranohet se ka veprime apo elemente destabilizues. Rëndësi ka që pasojat i paguan Shqipëria e shqiptarët, që mbesin këtu. Kjo mjafton për t’u thënë me gojën plot largohuni të gjithë e sa më parë. Kjo mjafton që njerëz të tillë të mos vihen kurrë të drejtojnë. Për këtë arsye ata u mbyllën gojën mediave private me eksploziv e arrestime, duke harruar protestat e tyre të djeshme për raste analoge. Këmbëngulja e tyre në marrëzi tregon shkallën e lartë të rrezikshmërisë politike e shoqërore të tyre.
Unë mendoj se sot më shumë se kurdoherë është imperative kërkesa që duhet t’i largohemi sa më parë kësaj gjendje, duhet të dalim nga ky batak, duhet të shpëtojmë Shqipërinë. Dhe mbas këtyre fjalëve shumë të përsëritura këto ditë, del natyrshëm pyetja:
Në çfarë mënyre duhet të veprojmë, çfarë duhet të bëjmë?
Për mendimin tonë, ka vetëm një rrugë: kthimi në rregullat e një shoqërie demokratike, respekti total për ligjet demokratike, largimi nga drejtimi (në mënyrë demokratike) i atyre që kanë punuar keq apo nuk janë të zotë për të drejtuar, largimi nga politika i atyre që goditën shtetin duke filluar detyrimisht që dje, largimi i atyre që nuk dëshirojnë të mbrojnë shtetin, kur e kanë për detyrë, largimi i njerëzve të dhunës komuniste.
Kushti themeltar për të dalë nga vorbulla mbytëse në të cilën ndodhet Shqipëria është vetëm një identifikim i gabimeve të këtyre viteve dhe i veprimeve të ndaluara që u përdorën për të marrë pushtetin politik një vit më parë e në kohën që pasoi. Mungesa e kurajës qytetare për ta bërë këtë akt është arsyeja e vetme e zvarritjes së shqiptarëve, e përdhosjes së emrit të shqiptarëve dhe kjo gjë do të vazhdojë të thellohet në mënyrë të vazhdueshme me momente tensioni e destabilizime ciklike, dhunë politike e kriminalizim gjithnjë e më të theksuar të shoqërisë shqiptare deri sa jeta këtu të bëhet e pamundur për ata që duan të jetojnë të ndershëm e që duan të ecin përpara.
Me sa duket kjo është shumë e vështirë (mbase dëshirojnë ta praktikojnë ende) përderisa prej gati një vit e gjysmë nuk po dëgjoj asnjë politikan që të thotë se është gjë e keqe të përdorësh dhunën për qëllime politike, të vrasësh, të grabitesh, të përdhunosh, të djegësh, të rrëmbesh femra të reja deri të mitura, të merresh me trafikun e drogës e të klandestinëve. Do të mjaftonte që kjo të pranohej, edhe pa procese për të djeshmen (si turp kolektiv), mjafton që të mos përsëritej.
Nuk ka gjë më të turpshme e deri qesharake të dëgjosh nga goja e politikanëve të mëdhenj që rrinë në karrige të rënda se protestat e muajve të fundit janë destabilizuese e i bëjnë dëm Shqipërisë e çështjes kombëtare, se trazirat e provokuara prej tyre pak ditë më parë (qesharaku “grusht shteti”) duhet të dënohet rreptësisht (mundësisht me ligje komuniste), kur vetë dje hipnin mbi tank, mbanin fjalime në tribuna të paguara nga të huajt dhe kur zjarri mori vendin dhe ata karrigen i thurën himne revolucionit të II-të demokratik popullor (ose qëndresës). Zotërinj mos bëni sikur nuk keni qenë në Shqipëri në vitin 1997 që të mos dini se çfarë ndodhi e të mos e zëmë fare në gojë. E për të na mbushur mendjen na thoni se kam këtë apo atë mbrapa, na mbështet ky apo ai, dhe sajoni lajme se bota po habitet nga sukseset tuaja, duke fshehur dënimet për ty e shpifni për kundërshtarët.
Me këto metoda nuk ndërtohet shoqëri demokratike por veçse diktaturë. Kot mundoheni të na gënjeni se do rrini në fuqi deri në 2017-tën se ju mbron bota vetëm juve, nga që nuk duan të tjerët. Po kështu mos thoni ikni se iku njeri. Ju duhet të ikni për pazotësi, implikim në të keqen dhe se nuk ju duan shqiptarët, të tjerët dhe përkrahësit e tyre le të mbajnë vetë përgjegjësinë historike që rrinë.
Ishte normale të na krijohej ideja se qeveria Nano favorizonte apo provokonte destabilizimin për të shmangur dhënien e llogarisë për korrupsionin, kontrabandën e trafiqet që kryheshin nga njerëzit e vet, për pazotësinë (ose mosdashjen) për të vendosur rendin. Është më e ndershme të largohesh se sa të vazhdosh në rrugë të keqe. Nga ana tjetër nuk arrij të kuptoj përse shqiptarët duhet të besonin e mbështesnin këtë qeveri kur ajo për më shumë se një vit nuk luftoi korrupsionin dhe krimin, madje dhe kur u akuzua për së drejti dhe nga gazeta pranë Presidentit Meidani dhe nga gjithë mediat, dhe deri më sot nuk u inkriminua asnjë për kontrabandë e trafiqe. Kushdo që ju mbështet juve, shqiptarë apo i huaj qoftë, të bën të dyshosh që dhe ai është i përfshirë në punë të pista me ju ose është antishqiptar dhe kërkon rrënimin e Shqipërisë.
Socialistëve u intereson destabilizimi për t’i zgjatur jetën qeverisjes së pseudoshtetit të stërkorruptuar, pa dhënë llogari. Një qeverisje e tillë bie për pasojë rrënimin e mëtejshëm ekonomik e social të Shqipërisë dhe tensione të mëtejshme. Unë do t’u thosha socialistëve, e mbështetësve të tyre realistë e të ndershëm se litari këputet me të holluar, zullumi me të trashur, prandaj mos lozni me shqiptarët sepse linja e juaj është përfundimisht e dështuar. Zor se mund të sajoni sërish ndonjë grusht shteti, për ta shtyrë prapë fundin. Ai do të jetë dhe më i keq. Kriza e provokuar nga qeverisja e dështuar e koalicionit të forcave të majta ishte rezultat i programit dhe synimeve, i njerëzve që mblodhi (jo përzgjodhi) i metodave të vjetruara e të diskredituara në 50 vjetët e kaluara. Rrëzimi i saj ishte i paevitueshëm e për ta shmangur atë u bënë arrestimet, vrasja dhe u spekulua me trazirat e paorganizuara. Në rrethana ende për t’u përcaktuara, qeveria Nano ra. Ajo u zëvendësua menjëherë (se presin tenderët për t’u firmosur) duke ruajtur të njëjtin program e shumicën e njerëzve. Duket qartë e përfundimisht se partitë e aleancës së majtë nuk këmbejnë udhë.
Dështimi në këto 15 muaj i qeverisjes së aleancës së majtë tregoi mjaft qartë jo vetëm se nuk janë në gjendje të ndërtojnë shtetin, por dhe nuk dinë se çfarë është shteti e si ndërtohet ai. Dhe kjo është e vetëkuptueshme përderisa erdhën në fuqi duke goditur shtetin. Shteti ishte, me të mirat dhe të metat e tij, duhej përmirësuar apo rregulluar në rrugë demokratike. Këto 15 muaj treguan se me njerëz nga rruga, vetëm me merita militantizmi në PS, apo pse për të tillë i trajtuan sektorë të veçantë të PD, nuk drejtohet.
Dështimi erdhi për paaftësi, mllef, maninë e vitit zero për dëshirë përvetësimi nga ana e administratës “meritokratë” të të gjitha niveleve vendimmarrëse e politika hartuese të Qeverisë Nano. Kush do të përsërisë të punojë me pseudomeritokraci (lexuar kjo fjalë sipas Dritëroit) do të dështojë e do të përgjigjet kur të jetë e qartë se e përsërit për të dëmtuar vendin e në interes të klaneve kriminale apo antishqiptare. Përfundimisht Qeveria Nano u rrëzua sepse dështoi dhe jo nga kapriçot e aleatëve, siç mundohen mediat zyrtare e pranë tyre të na i mbushin mendjen. Nuk duhet të spekulojmë me faktin që shoqëria shqiptare po mbijeton ende, falë hopit të madh ekonomik të reformës së viteve 1992-1996, falë një ekonomie pak a shumë solide në transformim dhe zhvillim të vazhdueshëm, si në çdo tranzicion, falë një ekonomie private ku nisma e njeriut të lirë bën çudira, por kjo nuk mund të vazhdojë gjatë prandaj duhet nxituar për të vendosur stabilitetin dhe rifillimin e reformës.
Krijimi i një stabiliteti politik shoqëror në Shqipëri, kusht i domosdoshëm për kthimin në demokraci dhe rifillimin e reformës ekonomike, sipas të vetmit model të pranueshëm, kërkon mbi të gjitha ndalimin e konfrontimeve ndërmjet kundërshtarëve politikë dhe dhunës ndaj politikanëve që vetëm përbën precedentin e një dhune në sens tjetër nesër (hakmarrje politike), kërkon ndalimin e qeverisjes me dhunë që për fat të keq është rrjedhojë e pashmangshme (kurdoherë e në çdo vend) e marrjes me dhunë të pushtetit. Duhet sa më parë të vendoset dialogu e toleranca por dhe respekti për vendimet e shumicës reale e për paraardhësit. Çdo shtet që mendon se fillon nga zero është i destinuar të mbetet në zero.
Krijimi i frymës së besimit reciprok dhe i besimit për një të ardhme për Shqipërinë e shqiptarët kërkon para së gjithash zgjidhjen transparente përpara opinionit publik shqiptar të disa problemeve që janë në themel të gjendjes së sotme. Vetëm atëherë ato nuk do të kushtëzojnë të sotmen dhe të ardhmen, vetëm atëherë nuk do të përsëriten. Në situatën e sotme politike e shoqërore të vendit tonë, konsideruar dhe përvoja e hidhur e hetimeve apo shqyrtimeve të mbyllura dhe jo transparente për opozitën dhe publikun, pra normalisht të pabesueshme, këto hetime duhet të kryhen publike me ekspert ndërkombëtar, të opozitës dhe pozitës. Ndryshe nuk do të kenë asnjë vlerë. Sipas nesh problemet që parashtrohen për t’u sqaruar me urgjencë janë:
- Hetim për kontrabandën dhe korrupsionin që vazhdojnë me ritme të papara deri më sot, me akuza nga brenda dhe jashtë qeverisjes së majtë, se janë vetë zyrtarët e lartë (emrat e të cilëve i njeh gjithë publiku) që e kanë kthyer në trafik e biznes duke i shkaktuar shtetit (më saktë shqiptarëve) dëm qindra milionësh në dollarë amerikanë. Askush nuk inkriminohet dhe kontrabanda vazhdon duke asfiksuar dhe tregtinë dhe ekonominë private. Duhet të publikohet dokumentacioni që ka BE dhe organet e specializuara të vendeve fqinje për të kërkuar me rrugë ligjore pagimin e detyrimeve si dhe hetimin e të implikuarve. Për fat të keq po na krijohet ideja se këto gjëra ndodhin sepse duhet të jenë të implikuar jo vetëm zyrtarë shqiptarë, por dhe të BE e jo vetëm të niveleve të ulëta. Ndryshe nuk do të merrte ky krim ekonomik përmasa të tilla dhe të mos prekej administrativisht e penalisht askush.
Lidhur me korrupsionin duhet të hetohet praktika mbizotëruese thuajse e ndaluar me ligj e prokurimeve të drejtpërdrejta që i shkakton shtetit humbjen e 20-30 për qind të fondeve publike. Në të njëjtën kohë duhet të kryhet verifikimi i pasurisë sipas ligjit përkatës, duke përfshirë dhe organet e specializuara të huaja, për të parë depozitat në bankat e huaja për zyrtarët dhe nëpunësit e fushës së ekonomisë. Këtyre ju duhet kërkuar që përpara kontrollit të deklarojnë shumat që kanë në atë ditë në banka brenda dhe jashtë vendit. Me ligj të posaçëm shumat e padeklaruara dhe ato që do rezultojnë korruptive të konfiskohen.
- Hetim për trafikun e drogës dhe klandestinëve, që të dy të ndaluar nga ligji shqiptar dhe ai i vendeve të tjera. Opinioni publik shqiptar nuk informohet asnjëherë, a bllokohen skafet, kush janë pronarët, a bllokohet drogë, kush janë trafikantët. Çuditërisht kjo nuk bëhet as kur kapen në Itali, madje dhe kur rezulton (çka sigurisht duhet provuar) se droga rafinohet në Shqipëri. Të krijohet ideja se ata kanë proteksionin jo vetëm të shtetit shqiptar, por dhe të fqinjëve, madje ke të drejtë të mendosh se janë zyrtarë të shumë vendeve të implikuar në këtë punë të fëlliqur. Shpresoj që të huajt t’i mbyllin këto shtigje ende pa e mësuar më mirë zanatin.
- Hetim për vrasjen e Azem Hajdarit, për të cilën askush nuk u largua nga posti çka do të thotë se shteti nuk e ndjen këtë detyrim. Kërkesën për një hetim sa më të shpejtë të këtij krimi e kanë bërë dhe zyrtarë të huaj.
- Hetim për transparencën e fajdeve. Tashmë jemi të bindur se shteti dhe ekspertët e huaj të paguar me miliona dollarë nuk janë të interesuar për ta bërë. Publiku shqiptar duhet të dijë sa më parë, koha e lënë në dispozicion ka qenë më se e mjaftueshme, sa është dëmi ekonomik i vendit, sa është dëmi i individëve, sa depozita ka mbledhur çdo fondacion ose firmë, sa ka paguar, sa ka investuar, sa i është dëmtuar, kush i ngriti firmat dhe fondacionet e kush punoi apo përfitoi padrejtësisht nga to etj., që i kemi thënë pafundësisht e pa i dëgjuar njeri.
- Hetim për përfshirjen në poste vendimmarrëse e politikë, në administratën e lartë, në drejtësi e pushtetin ligjvënës të punonjësve dhe të bashkëpunëtorëve të Sigurimit dhe ish-komunistëve aktivë në politikën dhe ekzekutivin gjatë diktaturës komuniste. Ky hetim duhet të bëhet në analogji me vendet e tjera të Evropës lindore. Kur shqiptarët të marrin përgjigje të sakta dhe përgjithësisht vendimtare për këto probleme kyçe të politikës së sotme, mund të gjykojmë më mirë për çka ndodhi e ç’do të ndodhë në Shqipëri, për partitë e individët, për çfarë është bërë e ç’duhet bërë. Ndryshe do të mbetemi këtu ku jemi e do të zhytemi më thellë në batakun e mbrapshtësisë e varfërisë, do t’i largohemi Evropës dhe nuk do të jetë askush në gjendje të parashikojë të ardhmen e vendit dhe të popullit shqiptar.
Politizimi fundamentalist i jetës politike ekonomike e shoqërore Shqiptare në kundërshtim të plotë me mësimet e demokracive perëndimore po bie krijimin e një shteti monopartiak me ushtri, polici, prokurori, drejtësi e administratë publike vetëm të një partie apo qoftë dhe të aleancës së majtë. Kjo në gjuhën shqipe do të thotë që shteti është i yni, shteti është për ne. Unë do t’u thoja se ky shtet nuk është i qëndrueshëm dhe ata nuk do të punojnë për ju por për vete (çka po ndodh) sepse e dinë fare mirë që nesër nuk do jenë më. Ky është varianti modern i luftës së klasave. Të jeni të sigurt se kjo do t’ju përmbysë. Në këtë mënyrë nuk do të ndërtohet kurrë një administratë publike e sigurtë dhe një drejtësi e pavarur, që janë në themel të shtetit ligjor.
Që gjëra të tilla të mos ndodhin duhet që partitë të mos fosilizohen, të mos jenë sektare dhe autoritare. Kjo është arsyeja që ne kemi kërkuar fraksionet që do të ndihmonin në tërheqjen dhe seleksionimin e propozimeve e të njerëzve, do të ndihmonin në moskrijimin e aparateve, nomenklaturave, aparatçikëve dhe liderëve të përjetshëm e absolut të rrethuar nga klane të ligjsh e të paaftësh, me gazeta partiake vetëm për ta, do të ndihmonin në qenien e tyre demokratike e të tilla mund të jenë si partitë e spektrit të qendrës së djathtë dhe ato të qendrës së majtë. Nuk flas për ekstremet që janë fundamentalistë e përjashtuese.
Duke parë me qetësi e nga jashtë ata çka ndodhi e po ndodh në Shqipëri një gjë është e qartë shqiptarët duan karriget e të huajt jomiqësorë ose me vështrime të ndryshme nga ne, destabilizimin e Shqipërisë. Për këtë arsye duhen zgjedhur më mirë miqtë, duhen lidhur me ta pakte më të qarta e më afatgjatë, gjithnjë pa dëmtuar Shqipërinë, ndërsa shqiptarëve iu duhen bërë karriget jo të lakmueshme, të pasigurta e jo afatgjatë si dhe me përgjegjësi ligjore e administrative më të qartë për detyrën që kryejnë dhe veprimet që ndërmarrin.
Incidenti i fundit gjatë formimit të Qeverisë Majko (Nano e riformuar), kur partitë e vogla deshën të ruanin ministrat e tyre ose së paku ministritë, flet qartë për krijime çifligjesh dhe përfitime të jashtëligjshme. Ishte e qartë që nuk luftuan për programin, por për vete. Duke mbetur po ata njerëz apo të po asaj partie, Qeveria Majko nuk mund të bëje asgjë. Në perëndim kur formohet një qeveri koalicioni diskutohet gjatë për programin e saj e vetëm në fund për ndarjen e karrigeve. Ministritë ndahen sipas përqindjes së secilës parti në zgjedhje dhe në asnjë rast nuk vërehet i ashtuquajturi parcelizim ofiqesh, pra vjen ministri i një partie të koalicionit e i bie gjithë nëpunësit. Këtu është arsyeja e këmbënguljes së paprinciptë që të mbeten po ata ministra ose të po asaj partie.
Ka ardhur koha të flasim qartë e haptas, vetëm të vërtetën dhe të gjithë atë, çdo mënyrë tjetër është e padobishme për kthimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën e drejtë të qytetërimit evropian, veçse zgjat agoninë e turpshme për racën arbërore që po përjetojmë.
Zgjedhjet e dhunshme jo të lira e të pandershme të 29 qershorit e aspak plebishitare, siç ju pëlqen disave të vlerësohen, duhet të përsëriten menjëherë pas kushtetutës, duke rikrijuar të gjitha institucionet pa asnjë përjashtim, e përsëris të gjitha e pa asnjë përjashtim. Në Shqipëri nuk do të ketë demokraci e liri të individit përderisa do të ketë 29 Qershore e gjëra të tjera si ajo. Turpi për të bie jo vetëm tek shqiptarët me kallash në dorë, por dhe te ata të huaj që i organizuan dhe i monitoruan e që për fatkeqësinë e shqiptarëve heshtën e i pranuan.
Shqiptarët nuk hanë bar, kur nuk na i mësoi Enver Hoxha për 50 vjet nuk na i mëson dot më askush, sado i vështirë të jetë krijimi i plotë i demokracisë, kushdo qoftë e sado emër të këtë i huaji. Të gjithë ata do të përmenden për keq në historinë e Shqipërisë moderne. Padrejtësinë, papërgjegjësinë e përbuzjen e tyre për racën arbërore po paguajmë ne sot. Them se dhe ata një ditë paguajnë. Është jashtë çdo diskutimi që Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të jetojnë e të përparojnë jashtë botës, pa marrëdhënie me vendet e tjera, pa harmonizuar politikat me miqtë e vet, me ata që e ndihmojnë dhe kjo si në aspektin global ashtu dhe në atë rajonal. Izolimin dhe kundërvënien e gjithë botës ne e provuam për 50 vjet të regjimit komunist, pra nuk ka pse ta riprovojmë. Shqipëria e ka zgjedhur drejt rrugën e demokracive perëndimore dhe të synimit për t’u përfshirë tërësisht në familjen euroatlantike e për të bërë pjesë në mënyrë të shkallëzuar në Bashkimin Evropian. Ne duhet t’ju jemi mirënjohës atyre. Shqiptarët nuk kanë për të lejuar kurrë askënd për të ndryshuar këtë kurs. Por në të njëjtën kohë duhen patur parasysh vlerat e peshat e vendeve të veçanta në politikën botërore e rajonale, fuqia e tyre dhe pesha e tyre ekonomike në tërësi e në ndihmat apo praninë në vendin tonë. Në këtë stad fëmijëror që është shteti shqiptar nuk është e lejueshme që të bëjmë sikur përzgjedhim shtetet dhe qëndrimet ndaj tyre duke menduar se po bëjmë “politikë të madhe”. Nuk na lejohet të përkrahim dikë për inat të dikujt apo se kështu na “intereson”. Nuk jemi ne që e komandojmë botën e as mund të ndikojmë në histori. Për këtë duhet të pyesim e të këshillohemi, madje dhe kur besojmë se e dimë se çfarë duhet bërë. Kjo nuk është bërë, kjo nuk po bëhet, por duhet bërë, nëse nuk duam ta pësojmë sërish.
E njëjta gjë duhet thënë për zgjidhjen e çështjes kombëtare, nëse mendojmë se nuk mund të zgjidhet pa ta. Ata duhen sqaruar me një zë të vetëm, e jo duke thënë “po” sa herë që ndryshohen opsionet për realitetin kombëtar shqiptar për dhunën në Kosovë e me ta duhen gjetur zgjidhjet imediate, afatshkurtër e afatgjatë, të cilat në asnjë rast nuk do të na lejon të jenë jashtë zgjidhjeve që mendojnë dhe të tjerët. Këtu na kujtohet parulla e madhe në sfond jeshil pas shpinës së Adams kur katolikët irlandezo-veriorë do të miratonin paqen: The Union is our future (Bashkimi është e ardhmja jonë…). Këtë nuk duhet ta harrojë asnjë shqiptar. Sa më parë të ndodhë aq më mirë do të jetë. Për to duhet të punojmë të bashkuar, për ditë e papushuar. Kush nuk është në një mendje me ne është tradhtar i kombit. Nga ana tjetër, duhet protestuar kudo për barbaritë e kasapit Millosheviç ndaj shqiptarëve të Kosovës, me të e të tijtë nuk duhet shtrënguar dora (as unë e kam bërë këtë), ai duhet demaskuar kudo. Po kështu çdo zgjidhje e problemit të Kosovës duhet të vijë në radhë të parë nga vullneti i popullit kosovar e përfaqësuesve legjitimë të tyre, në harmoni me të huajt e dokumentet ndërkombëtare.
Por duhet të kemi parasysh gjithashtu se nuk ka përparim pa atdhetarizëm. Askush nuk të respekton e ndihmon kur nuk do e nuk punon për vendin tënd, kur nuk punon për dinjitet kombëtar. Po kështu nuk e duan më shumë Shqipërinë apo dhe Kosovën ata që bërtasin më shumë për një gjë të tillë, por ata që punojnë për përparimin e Shqipërisë. Sa është i domosdoshëm inkuadrimi i politikave shqiptare në kuadrin ndërkombëtar e përkrah aleatëve e mbrojtësve tanë po aq e domosdoshme është që të huajt të na thonë disa gjëra qartë por dhe ata brenda rregullave të demokracisë.
Nuk duhet të ndodhë si në arrestimin e të gjashtëve, ku zoti D. Agolli thotë pak a shumë në intervistën e tij në Gazetën Shqiptare… se “po ta kenë kërkuar të huajt atëherë edhe unë jam dakord….” Forma të tilla do të përligjin gjithçka të keqe që nga dhuna ndaj kundërshtarëve politikë, te korrupsioni e krimi shtetëror. Kështu nuk mund të ecet. Prandaj dhe kemi ngecur. Të huajt duhet t’ua thonë shqiptarëve haptazi çfarë duhet të bëjnë e çfarë nuk duhet të bëjnë si dhe pasojat që do të kenë për veprimet e tyre. Vetëkuptohet që kjo vlen për rastin kur mbas veprimeve të shqiptarëve vijnë ndihmat apo riperkursione deri tragjike (viti 97).
Po kështu të huajt duhet t’u thonë shqiptarëve nëse ekspertët e tyre kanë punuar dje mirë apo keq me qeverinë shqiptare, ndryshe nuk ka pse të përsëritet puna. Vetëm në këtë mënyrë do të forcohet besimi i ndërsjellë dhe porositë, kërkesat apo këshillat e tyre do të përvetësohen e dëgjohen më mirë dhe do të zbatohen.
Në Shqipëri operuan të huaj që nuk e njihnin Shqipërinë e shqiptarët. Zgjidhja e zgjedhur prej tyre dështoi duke shkaktuar viktima e shkatërrime. Duhen të tjerë të na rregullojnë e do të jenë të mirëpritur. Por dhe ata do të kenë të njëjtin fat, në kurriz të shqiptarëve, po nuk njohën vendin dhe mentalitetin e shqiptarëve. Nuk qe faji te shqiptarët sesa te metodat e përdorura, qe ndërsimi i krerëve.
Duam apo nuk duam nuk mund të mos kthehemi tek pyetja çfarë duhet të bëjnë shqiptarët për të dalë nga kjo gjendje. Unë u mundova të shprehem për mjaft probleme apo aspekte të jetës shqiptare se çfarë mendoj se duhet bërë. Mbetet të shprehemi konkretisht për qeverisjen e sotme. Me dorëheqjen e Fatos Nanos u pranua de facto pazotësia e aleancës së forcave të majta për të qeverisur, më mirë të themi keqqeverisja e saj. Në raste të tilla si në gjithë vendet demokratike mbetet të rishkojmë në kutinë e votimit, tani që dihen qartë vlerat dhe synimet e secilës parti apo individ qoftë, tani që u bindëm që me mllef nuk i dilet mbanë dhe premtimet ishin tërësisht të rreme. Sa më shpejt të votohet aq më mirë. Meqenëse na thonë që duhet me kushtetutë të re, dakord por, kushtetuta duhet bërë me të gjithë dhe jo nga një palë me synimin për të përjetësuar regjimin që doli nga kallashi. Në të njëjtën kohë duhen deklaruar që tani zgjedhjet në fillimin e pranverës së ardhshme. Ato duhet t’i organizojë OSBE-ja së bashku me pozitën e opozitën, por jo qeveria, e cila duhet të jetë deri atëherë për të “vendosur” rendin. Njëherazi deri atëherë duhet të jenë kryer dhe hetimet publike që përmendëm më lartë, pa të cilat nuk do të ketë qetësi e stabilitet. Deri atëherë dhe shqiptarët do të vendosin të qetë që ia vlen të shkojnë në kutitë e votimit dhe për kë të votojnë.
Një hipotezë tjetër mund të shtrohet si zgjidhje politike, nisur nga fakti që për zgjedhje të shpejta duhet rënë dhe çka thamë më sipër dhe për shumëkënd është krijuar bindja që këto nuk mund t’i kryejë kjo qeveri e kjo aleancë që për hir të një kolltuku shpërbëhet. Mund të krijohet një qeveri kalimtare me program afatshkurtër e të caktuar qartë, rezultat i dialogut dhe me konsensusin e forcave kryesore politike për të patur autoritet real e forcë për të vendosur rendin. Ajo duhet të formohet me përfaqësues në numër të njëjtë nga dy partitë kryesore të cilat dhe mund t’u delegojnë poste aleatëve të tyre. Në secilën nga ministritë e përafërta, secili grupim ka ose ministrin ose zëvendësin e tij. Çdo mosmarrëveshje zgjidhet nga kryeministri dhe vetëm mbi bazën e konsensusit dhe programit dhe për çështjet që përmbahen në të, për këtë kjo qeveri është afatshkurtër. Detyrat e saj duhet të jenë vendosja e rendit, hetimet e sipërpërmendura, plotësimi i kërkesave për zgjedhjet. Vetëkuptohet që ndërkohë duhet të përfundojë kushtetuta, mbi një bazë sa më të gjerë konsensusi dhe sipas modeleve perëndimore. Mendoj se rifillimi i reformës varet nga fillimi i projekteve me ndihmë të huaj që mund të bëhet vetëm kur të ketë stabilitet. Nëse gjatë kësaj qeverisjeje kalimtare, ato mund të fillojnë, aq më mirë do të jetë. Për mendimin tonë vendosja e rendit, që është dhe detyra bazë mund të bëhet nëpërmjet çarmatosjes që duhet të ketë në themel regjistrimin e armëve dhe mbajtjen e përdorimin e tyre me norma të përcaktuara qartë e me ligj si dhe dënime të rrepta për shkeljen e ligjit. Veç kësaj duhen organizuar forcat e ndërhyrjes së shpejtë si xhandarmëri, duhet reformuar policia, duhen kërkuar mjete nga perëndimi dhe u duhet shpallur luftë bandave, të cilat njihen mirë kush janë. Rrugët e tjera u provuan e dështuan. Nuk ka kohë për eksperimente.
Zgjedhjet e reja, veçse të lira e të ndershme, do të krijojnë kushte të reja për rifillimin e reformës e jetës demokratike në themel të të cilave janë dialogu e mirëkuptimi ndërmjet forcave politike, qoftë edhe kundërshtare, duke hequr dorë nga dhuna politike, mllefi e hakmarrja është konsensusi për të qenë një vend me demokraci të tipit perëndimor kërkesa bazë. Në të kundërt mjerë Shqipëria e Shqiptarët./Aleksandër Meksi/