Andi Bejtja nga Washingtoni: Kosova, Vietnam i Millosheviçit, jo Vietnam i NATO-s

(Botuar me 25 prill 1999 në KOHA JONE)

Nga Andi Bejtja-

Delegacioni shqiptar në Uashington ashtu sikurse dhe opinioni shqiptar kudo që ndodhet, po kërkojnë me insistim ndërhyrjen e trupave tokësore të NATO-s në Kosovë. Ndërkohë, në deklaratën përfundimtare mbi Kosovën nga 19 vendet e Aleancës si dhe në konferencat e shumta në shtyp të zyrtarëve të saj, nuk lihet asnjë dritë jeshile se kjo ndërhyrje mund të ndodhë në të ardhmen e afërt. Propozimi i kryeministrit britanik, Toni Bler për ndërhyrje të shpejtë nga toka më shumë është parë si një kërcënim ndaj Millosheviçit se sa si diçka që mund të ngjasë vërtetë. Megjithatë kjo nuk do të thotë që NATO nuk e ka një plan për të ndërhyrë nga toka, plan i cili sa më shumë i përmendet Millosheviçit aq më shumë e bën atë realist, se NATO pavarësisht nga opsionet që mund të zgjedhë, kurrë nuk do të tërhiqet. Por ç’mund të ndodhë nëse NATO hyn vërtetë nga toka? Aleanca ka llogaritur të paktën 8 mijë viktima në radhët e saj.

Një gazetar i njohur amerikan duke diskutuar mbi këtë çështje u shpreh: A mendoni ç’do të ndodhte sikur pas dy ditë luftimesh të ktheheshin 20 arkivole ushtarësh amerikanë në Amerikë, 20 arkivole ushtarësh në Angli, 20 në Francë e kështu me radhë? Çfarë do të bënte opinioni publik p. sh. në Amerikë që edhe kur vritet një person nga dy rrugaçë i vërsulet si i tërbuar Klintonit? Ç’do të bënte opinioni ndërkombëtar, i cili akoma nuk e di ku bie Kosova? Dëshira e mirë për ta parë Kosovën të pushtuar nga NATO mund të kthehet në një hidhërim, i cili nuk do të kalonte lehtë. Ndoshta më mirë për shqiptarët është ajo çka Aleanca po proklamon tani; sulme të pamëshirshme ajrore ndaj çdo objekti, këputjen e lidhjeve të infrastrukturës midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe furnizimin e forcimin e heshtur të UÇK, të cilës i takon realisht t’i përballojë serbët në terren. Le t’i japim bombave dhe një shans. NATO është përgatitur për rrugë të gjatë. Të hysh në Kosovë me trupa do të thotë ta pushtosh atë, kështu ka rrezik të kthehet sërish sindroma i Vietnamit, i cili është tepër i prekshëm sidomos në Amerikë. Kjo detyrë i takon UÇK-s. Le të jetë Kosova Vietnami i Beogradit, por jo Vietnam i Aleancës.

SHKARKO APP