Anila Basha: Kufiri me Kosovën, atje ku njerëzit bashkëjetojnë me luftën
(Botuar me 4 mars 1999 në KOHA JONE)
Nga Anila Basha-
Pak kilometra larg kufirit jugosllav, në Golaj të Hasit, por edhe në fshatrat e tjera të zonës, bombardimet e serbëve mbi Kosovë dëgjohen më mirë se në çdo vend tjetër. Por, shqiptarët brenda kufirit tashmë janë mësuar me këto oshtima që në të shumtën e rasteve i dëgjojnë në mëngjes herët. Kosova ishte shumë afër me këto zona, dhe fshatrat e Gjakovës, nuk i ndanin veçse 100 deri 200 metra nga toka shqiptare. Shqiptarët brenda kufijve, gjatë gjithë këtij viti e kanë menduar shumë shpesh luftën, madje, kanë filluar të bëjnë edhe stërvitje ushtarake si në kohën e Enver Hoxhës. Këto janë forcat vullnetare që do të vijnë në ndihmë të postave kufitare në rast sulmi. Ajo që u intereson më shumë atyre, është zgjidhja sa më e shpejtë e çështjes së Kosovës.
“Zgjidhja e Kosovës është vetëm pavarësia dhe për këtë duhet të ndihmojnë të gjithë shqiptarët”, thotë Hasan Peka. “Edhe nëse na bombardojnë ne, nuk kena ku me shku tjetër, veçse me luftu. Gjithë familja do marrë armën në dorë”.
Asgjëkund në ato zona, nuk gjeje një vendstrehim në rast lufte. Por, hasianët e kanë ndarë mendjen se nëse serbi do të sulmojë, ata do të luftojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre. Kanë dëgjuar për konferencën e Rambujesë, por nuk thonë dot asnjë fjalë. Më tepër duken se janë biseda që dikush ua ka sqaruar më parë.
“Vetëm dy pika ka për marrëveshjen: të mos dorëzohen armët dhe të shpallet pavarësia e Kosovës”. Mendohet pak dhe pastaj thotë duke tundur kokën se kosovarët nuk kanë pse firmosin asnjë marrëveshje. “E kanë firmosur një”,- thotë ai duke kujtuar pushkën. Kujtohet prapë më pas dhe e zë inati me Amerikën. “Amerikani ia ka shitur një herë armët Kosovës, pse don që t’ia mbledhi tashi? Apo me ia shit prapë pas ca vjetësh…”, dhe mendon se edhe në këtë mes ka një hile dhe askush nuk e ka mendjen te të drejtat e shqiptarëve, përveç vetë kosovarëve. Hasiani nuk kishte pasur asnjë kontakt me UÇK, “sepse as ata nuk më kanë rënë në qafë”. Por ishte i bindur se nuk mundej t’i linte trojet. Ai pranonte që në shtëpinë e vet të mbante gra e fëmijë, pleq e plaka që vinin nga Kosova, por asnjë burrë. “S’kanë ç’bajnë nëpër shpia. T’shkojnë atje me luftu”,- thotë ai, duke drejtuar sytë nga ana tjetër e malit ku gjendej Kosova. “Në ban me fillue lufta, fillon edhe ligji i luftës. Nuk ia falim serbit Kosovën. Veç po s’mujtëm”, – vazhdon ai.
Kërkon të sqarojë se shqiptarët nuk mund të ulen dhe të bëjnë paqe me një njeri që u ka prekur familjen, gruan, djalin e vajzën. Dhe kjo është një traditë e kahershme e shqiptarëve si brenda, ashtu edhe jashtë kufijve. “Ne shqiptarët nuk ia falim njëri-tjetrit, e jo më t’ia falim serbit”,- thotë ai duke kujtuar se gjatë këtyre viteve vetëm nga hasmëritë janë vrarë e prerë edhe vëllezërit me njëri-tjetrin. “Gjakmarrja në zonat tona është e theksuar dhe ne nuk mund t’ia falim serbit gjakun”, vazhdon ai.
Hasi, kosovarët gjejnë mikpritjen
Me gjithë varfërinë e madhe që kishin vetë shqiptarët, të detyruar nga gjendja e tensionuar e kufirit, duhet të mendonin edhe për atë që mund të vinte më pas. Nuk i besonin kësaj paqeje të rreme, por në të njëjtën kohë kërkonin që të bëhej më e mira. Shumë kosovarë kanë strehuar në shtëpitë e tyre. Ndërsa vetë të ardhurit, edhe pse ka muaj që kalojnë me shqiptarët, kërkojnë që të kthehen menjëherë në shtëpitë e tyre. Kosovarët nuk kanë pretendime, por kujtojnë varfërinë e Shqipërisë, thonë se pasuritë e Kosovës, kanë ditur t’i shfrytëzojnë sa për të siguruar jetën e tyre.
Vendqëndrimi i parë i të ardhurve nga Kosova, është pikërisht krahina e Hasit, e cila ndahet me pjesën e mbetur jashtë Shqipërisë, vetëm nga një mal. Fshatarët e varfër, u kishin hapur dyert e shtëpive që para një viti, por dhe vetë kosovarët, më tepër pleq, plaka e gra, nuk ndiheshin shumë rehat larg shtëpisë së tyre. Kishte nga ata njerëz që u kishin dhënë një pjesë të shtëpisë të ardhurve, ndihma më e madhe që mund të jepnin. Shumë kosovarë hynin nga gryka e Dobrunit dhe zhvendosjen e tyre të parë e kishin në Has. Nëpër shtëpi, ishin vendosur sa për të mos mbetur jashtë, sepse Hasi nuk kishte ç’t’u jepte më tepër. Halil Kelmekshaj, jeton në dhomën e bukës në shtëpinë e shqiptarit Zenun Lleshi, bashkë me gruan dhe dy fëmijët. Ishte nga Lipoveci dhe u largua nga Kosova pasi i kishin djegur shtëpinë. “Kur m’u kall shpia, atëherë mora rrugën dhe erdha këtej”,- tregon ai.
Dhoma ku rrinte ishte shumë e varfër. Mbi sobë ishte vendosur një ibrik i vogël me ujë të nxehtë për vajzën e vogël. Po aty, ishte lidhur edhe një tel për të nderur rrobat e lagura dhe mbi dyshemenë e ftohtë ishin shtruar shumë batanije. Halili ishte djalë i ri, por nuk kishte shkuar të bashkohej me UÇK-në. “Nuk kisha ku të lija gruan dhe fëmijët, ndaj u detyrova me ardh këtej. Po nuk kam çka me thanë. Këta më hapën shtëpinë”,- tha ai. Ndërsa mendon se lufta mund të përfshijë edhe Hasin, ai thotë se do të luftonte për të mbrojtur Shqipërinë, pa dhënë asnjë sqarim se pse nuk luftonte në Kosovë. “Pa Shqipëri nuk ka Kosovë, dhe pa Kosovë nuk ka Shqipëri. Janë nënë e bijë bashkë”. Gjithë ditën e kalonte kot, duke dalë rrugëve të Hasit dhe kur kishte ndonjë punë me Kryqin e Kuq, mundohej të punonte edhe ai. “E pse mos me punu, kur jemi t’mujtur. Po ktu s’kena çka me punu”, – thotë ai duke tundur ligësht kokën dhe duke mos parë asnjë perspektivë, as tek malet që kishin mbetur të shkreta për vite me radhë, por as tek tokat që as vetë shqiptarët nuk i punonin. Nuk kishte tentuar asnjëherë për t’u larguar nga Shqipëria. “Kam qenë një muaj në Zvicër. Jam betue që nuk do të dal jashtë shtetit shqiptar. Ndërsa dalim jashtë Kosovës, jashtë Shqipërisë, jo nuk mundena. Nëse Hasi lyp përkrahje prej nesh, atëherë ne mundna me shku, vazhdon ai. Me mendimin e tij për të punuar dhe luftuar në Shqipëri, nuk bashkohej e shoqja, një vajzë e re. Ajo tregonte vetë se kishte shumë frikë. “M’duket sikur jam n’vend t’huaj, sepse nuk njifem dhe nuk i njoh njerëzit”,- thotë ajo dhe mendon se ka tre muaj në Has dhe nuk ka dalë njëherë nga shtëpia. Por ndonjëherë, kur dilte me të shoqin dhe fëmijën jashtë shtëpisë që ishte në rrëzë të malit gruaja kujtonte të shkuarën në shtëpinë e vet. “Më duket kur dal që ktu, sikur më vjen flladi i Lipovecit”,- dhe hidhte sytë lart në majën e malit për të treguar se pas tij ishte Kosova dhe shtëpia e saj.
Vendasit kërkojnë mbrojtjen e Shqipërisë
Largimin nga vendi i tyre nuk e duan as vetë shqiptarët. Ishin të varfër boll, por nuk shihnin asnjë alternativë tjetër përveç atyre mureve të gurta që i kishin ndërtuar gjyshërit e tyre në ato zona shumë kohë më parë. “E ku kena me shku tjetër veç me jetu në trojet tona”. Hasan Peka, një burrë rreth të 40-ve, i lindur dhe i rritur në qytetin e Krumës në zonën e Hasit, asnjëherë nuk mendonte se do të vinte një ditë që mund të largohej nga shtëpia e tij. Madje, as i ka vajtur ndërmend se ndonjë ditë mund të largohet nga vendi i vet, por me mendjen e tij përsëriste shpesh se luftën e kishte në prag. “Nuk i kam ba keq njeriu, kam jetuar me punën teme. Po qe puna me luftu, kena me dek të tanë”, thotë ai, duke tymosur një cigare.
Në qytetin tepër të varfër, aty ku zbrisnin rrallëherë dhe banorët e Kukësit, (të cilët nuk i ndanin veçse 40 kilometra nga Kruma), banorët thoshin me bindje se po të fillonte lufta, të gjithë do të rrëmbenin armët për të luftuar. Nuk shihnin asnjë zgjidhje tjetër, ndërsa u vinte në mend fakti se ndoshta serbët do të sulmonin Shqipërinë. “Në paça n’mend me dek, vdes aty, në shpinë teme. Krejt aty, me vllahën e fmijë e gjithë të tjerët”,- thoshte Hasani. Nuk kishte njerëz të fisit, në zona të tjera të vendit, dhe nuk kishte mundësi as për të shkuar jashtë shtetit. Jo vetëm sepse kushtonte shumë dhe nuk i plotësonte dot lekët për të paguar kalimin e kufirit, por se ishte i bindur që shqiptarët e kanë traditë për të mos braktisur trojet e tyre. Ishin rreth 14 veta në shtëpi dhe të ardhurat ishin shumë të vogla. Vetë Hasani, i cili ishte shumë i vrarë në fytyrë dhe tregonte më shumë në moshë sesa ishte në të vërtetë, këtë kohë, ishte stabilizuar me punë në një vend të administratës shtetërore në Krumë. Familja kishte vetëm 2 hyrje në shtëpi dhe punonin në 4 hektarë tokë. Të 14 personat, përveç rrogës së tij, duhet të jetonin me punën e tyre. “Merremi me shtëpinë e me bujqësinë. Kemi vetëm dy lopë dhe ndonjë prodhim drithi dhe buke. Nga puna me tokën mundet me siguru vetë, veç 40 për qind të bukës”. Ai tregon se vetëm në tre muajt e verës mundej të shfrytëzonin tokën që kishin në Krumë, për të siguruar perime në ato muaj. Ajo çka merrnin nga toka e tyre ishin vetëm domatet, trangujt, patëllxhanët të cilët kultivoheshin që nga qershori deri në shtator. Dhe gjithë periudhën e dimrit konsumonin turshi, fasule e të tjerat që mbeteshin. Në varfërinë e tyre të madhe, nuk mund të siguronin as ngrohje në familje. Ngroheshin me një stufë të vogël me dru, që gjendej në një qoshe të shtëpisë. Brenda në dhomën e vogël, nuk shihej asgjë tjetër përveç disa nimave të vogla dhe shilteve që shtroheshin poshtë në dysheme. Asgjë nuk ishte e zhvilluar në këta tetë vjet. Jeta ishte njëlloj e varfër për banorët e Krumës dhe të fshatrave përreth në krahinën e Hasit, sikurse kishte mbetur shumë vite më parë.
Në qytet, ishte shumë e rrallë që të shiheshin vajza në qarkullim. 5000 banorë ishin në qytet brenda dhe kishte mbi 25 klube dhe 15 bilardo. Gjithçka që ishte zhvilluar në këtë zonë, mbahej mend vetëm deri në vitet ’46, kur banorët e fshatit zhvillonin tregtinë me Gjakovën. Ata e kujtonin shumë mirë se me prishjen e Shqipërisë me Titon, e gjithë jeta u kishte ecur për mbrapsh. Por vazhdonin të ruanin me të njëjtin fanatizëm dhënien e besës, duke e konsideruar si diçka të shenjtë. Banorët e zonës thonë se hasianët janë furrxhinj shumë të mirë dhe furrtarët e Hasit gjenden në Zagreb, Serbi e gjithandej. Andaj edhe loket hasiane ishin mjeshtre në gatimin e bukës nëpër shtëpitë e tyre. “Varfëria e këtij vendi, më tepër është rrjedhojë e izolimit të tij”, thotë Skënder Peka, drejtor i pyjeve në Krumë. Ishte vetëm Ura e lumit Drini i Bardhë që lidhte Hasin me Kukësin, por në të vërtetë ky izolim dhe ndarja e tij nga Kukësi gjatë qeverisjes së PD, u kishte kushtuar shumë banorëve.
A jetojnë shqiptarë e kosovarë bashkë?
Kur kosovarët erdhën për herë të parë këtu në Has, pati në të vërtetë një lloj hezitimi nga njerëzit. Duke pasur një fluks aq të madh, secili ishte duke pritur njerëzit e vet”. Kujtim Demi ishte i vetmi person që ishte marrë me rregullimin e kosovarëve në Has. Dhe fliste për vështirësitë e para, kur ai trokiste në dyert e hasianëve që këta të strehonin sa për një natë 10 apo 15 veta dhe ata nuk pranonin. “Detyrohesha pastaj që t’i fusja për një natë 20 a 30 veta në shpinë teme derisa t’i vendosja gjëkundi tjetër të nesërmen. Dhe vetë flija në korridor”,- thotë Kujtimi. Por më pas, edhe banorët e Hasit ishin ambientuar me idenë e të priturit të kosovarëve. Këta, sapo zbrisnin nga malet bridhnin rrugëve të qytetit dhe nuk kishin ku të shkonin tjetër. “Ne ishim fare pa përvojë që të prisnim refugjatë. Por pak më vonë populli i Hasit i ka pritur mirë. Ndoshta s’kanë pas me hëngër e me pi, po kjo e strehimit, ishte një gja e mirë”,- thotë ai. I njihte të tërë kosovarët që ndodheshin në Has, njihte edhe problemet e tyre. Por, kërkesa e herëpashershme e çlirimit të Kosovës, varfëria e madhe e hasianëve dhe mungesa e punës në të gjithë zonën, të jepnin përshtypjen se nuk mund të jetohej shumë gjatë në atë gjendje. Në familjen kosovare të Çenajve kishte vdekur një djalë, ushtar i UÇK. Avdyli, plaku 85-vjeçar, donte të vdiste sa më shpejt. “Ma gjej një kokërr (ilaç) me dek. Çuni m’ka dek, ç’ka me ba; pse me jetu”, thotë plaku, i cili rrinte në qoshe të dhomës dhe as nuk shihte e as nuk dëgjonte më. Edhe Halimeja 72-vjeçare nuk mundej të thoshte asgjë. “Që kur më ka dekur djali edhe sytë, edhe mendja, m’kanë hub dhe s’kam n’mend me jetu”,- plotësonte plaka. E reja e familjes kosovare nuk kishte veç tre muaj që kishte lindur një djalë, në Has. “Ka lindur në Shqipëri, ndaj dhe emrin ia kam vënë Mërgim”,- tha ajo. Dhe shumica e fëmijëve që kishin lindur në Shqipëri, kishin emra të tillë. Në një familje tjetër, vajzës tremuajshe, i kishin vënë emrin Ardhmëri. “Vetëm kështu vajza mund të kuptojë se me sa mundim është rritun”,- thoshte e ëma. As ata vetë nuk mendojnë se do të rrinë gjatë në Shqipëri dhe nuk e duan një gjë të tillë. “Me u ba mirë, duhet me u kthy n’vatrën tonë. Gjithçka këtu është mirë, por jo më mirë sesa atje në Kosovë”,- thoshte vajza 15 vjeçare e ushtarit të vrarë të UÇK-së. “Gjyshi me gjyshen duan të vdesin në shpinë e tyre”, thoshte ajo, dhe vinte vërdallë në shtëpi për t’u marrë me ndonjë punë.
Qafë Prushi, pika kufitare me flamurin e grisur shqiptar
Shumë afër fshatrave ku ishin vendosur kosovarët e parë, ishte pika kufitare shqiptare, Qafa e Prushit. Njerëzit që jetonin aty, kishin lidhje gjaku me kosovarët që vinin nga Gjakova dhe fshatrat rreth saj. Jeta e fshatarëve të atij fshati kufitar, Golajt, ishte shumë herë më e varfër sesa në Krumë, por njerëzit vazhdonin të rrinin se nuk kishin ku të shkonin tjetër. Pikërisht në këtë zonë, rreth 4-5 kilometra larg kufirit, bëhej edhe stërvitja vullnetare e banorëve të zonës me një komandant të ardhur nga Ministria Mbrojtjes. Këta njerëz, që vraponin e stërviteshin përgjatë gjithë ditës edhe për një shpërblim të vogël, do të ishin të parët që do të dilnin në mbrojtje të vendit, në rast sulmi të Serbisë.
Më të frikësuar nga lufta që ndihej sikur të ishte në derë të shtëpisë, ishin fëmijët dhe gratë. Fëmijët vazhdonin të shkonin në të vetmen shkollë që gjendej në komunë, por pas mësimit, të gjithë vraponin për në shtëpi. “Dëgjohen bombardimet që në orët e para të mëngjesit”,- tregonte tepër e frikësuar e reja e fisit Brati. “E ç’ka me ba? A kena me jetue?”,- thotë ajo e frikësuar. Njerëzit ecnin shumë shpejt në rrugicat e fshatit dhe mblidheshin menjëherë në qendër sapo shikonin që dikush me makinë hynte në fshat. Kujtonin se mund të ishin ndihma për fshatarët. “Sa për luftën që e kena shumë afër, me thanë t’drejtën, kena shumë frikë. Nuk dimë se ku me shku, por do të ikim që këtu po plasi lufta. Kemi fëmijë, familje”,- vazhdon ajo. Pastaj tregon se edhe aty nuk kanë ndonjë të ardhur shumë të madhe për të mbajtur familjen. “Tokat që kena këtu nuk punohen asnjëherë. Këtu është shumë ftohtë. Merrena vetëm me bagëtinë”,- thotë ajo.
Duke kaluar Golajn, është edhe një tjetër fshat i vogël kufitar Letaj, për t’u ngjitur më pas në Qafë Prush. Në kohën e monizmit, për të hyrë dhe për të dalë nga këto fshatra kufitare, duhej patjetër të merrej leje nga dega e brendshme. Posta kufitare shqiptare, ruhej nga një efektiv prej 40 vetash dhe me armatime ishin pajisur mirë. Ishte një i ftohtë i madh dhe bora kalonte mbi gju. Nga era që frynte si e çmendur, në këtë postë ishte grisur edhe flamuri shqiptar. Përballë, jo shumë larg dukej Gjakova dhe fusha e saj. Më pas, ishin hapur llogoret serbe. Kjo postë ishte një pikë strategjike në rast lufte. Sepse posta kufitare shqiptare ishte më lart sesa ajo serbe. Të dy palët vëzhgonin njëra tjetrën jo më larg sesa 50 metra. Efektivi policor aty thoshte se edhe ushtria shqiptare kishte marrë masa. Rreth një kilometër brenda territorit, ishin hapur llogoret e para për rast lufte.
Nga ana e kufirit serb, forcat shqiptare kishin evidentuar rreth 400 forca milicie, polici kufitare dhe një kompani ushtarake. Pas postës, në afërsi të Gjakovës, serbët kishin vendosur një batalion të sofistikuar ushtarësh. Nga vrojtimet e palës shqiptare, ata kishin në kufi murtaja, mitraloza të lehtë e të rëndë, topa 75 milimetra dhe armatime të tjera. Siç tregonin banorët e atyre zonave, Qafa e Prushit ishte hapur që në kohën e Zogut si pikë doganore. Gjatë 50 vjetëve diktaturë, që aty bëhej tregtia e kromit në Zenicë të Jugosllavisë nga miniera e Kamit. Madje kjo minierë, punësoi në atë kohë pothuajse gjithë banorët e Hasit dhe komunën e Bytyçit në rrethin e Tropojës.
Lufta rrënon ekonominë e Kukësit
Në Kukës, aty ku lufta ndihej më pak sesa në zonat e tjera më të thella, njerëzit më shumë sesa për luftën mendonin për ekonominë e tyre. Qyteti i Kukësit, ishte qyteti i dytë pas Vlorës që kishte humbur më shumë lekë në firmën piramidale Gjallica. Madje, edhe vetë Kukësi, shtrihej rrëzë malit Gjallica. Të gjithë qytetarët e vuanin njëlloj mbylljen e pikës doganore Morinë, ku deri në 28 mars të 1998, në mbylljen e saj përfundimtare për të mos u hapur më, ata vazhdonin një tregti të madhe me Prizrenin dhe Gjakovën. “Nëse na duhen 8 orë që të shkojmë në Tiranë, për të shkuar në Prizren nuk duhen veçse 3 orë”, – thoshin banorët. “Në Kukës nuk ka biznesmenë të mirëfilltë”, – fillon tregimin e tij Qamil Duraku, një prej tregtarëve të qytetit, i cili e kishte nisur punën që në 1992. “Kam qenë oficer dhe kam punuar 12 vjet në kufi. Jam liruar në mënyrë të padrejtë nga detyra dhe isha i vetmi person në familje që punoja”,- kujton Qamili. Pasi e kishin liruar nga detyra, i lodhur kthehej në shtëpi dhe në gjithë familjen sikur ra zia. “Goca e vogël më tha: tani që të përzunë babi, si do hamë bukë ne? Për herë të parë atë ditë më janë mbledhur dy lot, mu poshtë mjekrës”,- tha ai. Disa muaj e kishte kaluar kohën duke ardhur vërdallë. Një ditë, i ishte mbushur mendja që të dilte në pazar dhe të fillonte të shiste. “Një muaj nuk fola me gruan se ajo nuk donte. Kur e fillova, mbaj mend se ditën e parë nxora 5900 lekë të vjetra. Pastaj çdo ditë ngrihesha që në mëngjes herët, shikoja se mos binte shi dhe i lutesha zotit të mos binte. Ashtu me natë, dilja në treg me thes në kurriz që të mos më shihnin njerëzit”. Dhe nuk kishte shkuar më në punë që të merrte asistencën, por filloi tregtinë. E kishte filluar biznesin në tregun e shumicës, dhe më vonë, nga viti ’93 kishte blerë vetë një barakë. Me vizë ditore, tregtinë e bënte në Prizren, shkonte e kthehej brenda ditës. “Në 1997 për koincidencë në ditën që të tjerët ranë, unë kam investuar në 13 mars për lokalin. Trazirat nuk më prekën. Kisha mall në dyqan prej 10-15 mijë dollarësh dhe u qëndrova në kokë. Kisha investuar rreth 150 mijë dollarë për lokalin dhe është i vetmi lokal që konkurron në veri”, – thotë ai duke treguar ngjitjen e aktivitetit të vet.
Tregon se kur ishte qeveria e Pajtimit Kombëtar, ministri i Mbrojtjes Vukaj kishte bërë thirrje për kthimin në detyrë të ish-ushtarakëve të liruar. “Edhe unë u ktheva. Ishte edhe rreziku i luftës. Të gjithë kuksianet, serbin e kanë armik tradicional”,- tha ai. Por ja që punët nuk ecën dhe aq lehtë. Mbyllja e pikës doganore Morinë, e ka ulur shumë aktivitetin, por edhe të ardhurat. Vetë Qamili nuk ka humbur në firmën Gjallica, por 5-6 muajt e parë kur Morina u mbyll, ka kaluar një gjendje depresioni nga lodhja e tepërt. “Aq sa kur vinte në shtëpi,- tregon e shoqja,- ishte tjetër njeri. Kishte dhimbje koke”. E gjithë kjo vinte nga puna e lodhshme. Për të vazhduar tregtinë, tashmë duhet të zbriste në Tiranë dhe jo më në Prizren. “Më shumë se gjysma e Kukësit jetonin me tregtinë me Prizrenin. Mjaftonte që të punonte vetëm një person dhe të mbahej e gjithë familja”, tregon Qamili. Dhe tregon një fakt interesant: kur zhvillohej tregtia me Prizrenin, mund të ngarkoheshin rreth 15 makina në ditë, ndërsa aktualisht duheshin 15 ditë për të ngarkuar tre makina nga Tirana. “Ishte veza me 80 lekë në Kukës kur në Tiranë ishte me 140”,- thotë ai i mërzitur. Qamili thotë se ata që zhvillonin biznesin e mesëm, merrnin në ditë nga 500 deri në 1000 dollarë fitim. “Në Kukës qarkullonin rreth 80 mijë marka në ditë, ndërsa sot bëhen ndoshta për 4 muaj”. Më pas thotë se tani që ka një vit që është mbyllur pika doganore Morinë, krahasimi i këtij fillimviti me atë të kaluarin, as që mund të bëhet. “Ky muaj është tre herë më pak se shkurti i muajit të kaluar”,- thotë ai.
Bëmat e krahinës veriore
Kishin edhe hasianët bëmat E tyre gjatë viteve. Banorët e kujtonin shpesh se Bajram Currin e kanë varrosur ata, pasi e kishte braktisur populli i Tropojës. Dhe kjo për shkak të karakterit të tyre malësor dhe njerëz tepër fisnikë në mbajtjen e fjalës. Kishin një simpati të veçantë për deputetin e zonës së tyre Gafurr Mazrekun. Ata nuk e përmendnin skenën e plagosjes së Azem Hajdarit në parlament nga ana e deputetit të tyre. Gafurr Mazreku nuk ishte banor i qytetit brenda, por nga një fshat aty afër Krumës. Hasianët nuk mundnin dot të konceptonin një fyerje e aq më tepër publikisht, në sallën e parlamentit ndërsa Mazrekut i qëlluan me shkelm. Banorët e rrethit tregonin se ultimatumi që i kishin dhënë vëllezërit Mazrekut, ishte i thjeshtë: të lante hesapet dhe të vinte nderin e tyre në vend, ose për këtë do të përgjigjej fisi. Pikërisht, nga ky “kanun” më i fortë se ligji, ndodhi atentati në Parlament.
Ata jo vetëm që nuk flisnin keq për deputetin e tyre, por kishin edhe një simpati për të, që e shprehnin vetëm në momentin që pyeteshin. Dhe kujtonin më pas kohërat e shkuara. Ata thonë se edhe Avni Rustemi ishte deputet i krahinës së Hasit në kohën e Parlamentit zogist. Flisnin me krenari ndërsa kujtonin se Avni Rustemi, deputeti i zonës së Hasit, kishte qëlluar në Paris tradhtarin Esat Pashë Toptani. Madje, në Has kishte edhe një fis Kastrati. Dhe thuhej se edhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu e kishte origjinën nga Kastrati i Hasit.
Ata thoshin me krenari se edhe Pjetër Bogdani ishte nga ato anë, madje edhe Pallatit të Kulturës i kishin vënë emrin e tij. Ndërsa përmendnin figura të tilla, ata flisnin me krenari edhe për zakonet. Në të gjithë Krumën, dëgjoheshin vetëm këngët e malësisë, me çifteli. Vajza nuk shiheshin nëpër rrugë, kishte vetëm dy shkolla 8-vjeçare dhe një shkollë të mesme. Krahina e Hasit, ishte ndarë në dy pjesë, Hasi i Gurtë ishte brenda kufijve të Shqipërisë, ndërsa Hasi i rrafshët ishte pjesë e Kosovës. Një arsye më shumë për të cilën hasianët donin të luftonin, ishte pikërisht se në anën tjetër të kufirit, ata kishin njerëzit dhe farefisin e tyre që kishin vite pa i parë.