Bashkim Shala: Rrëfimet e të ardhurve: Kosova, morgu i madh i Evropës

(Botuar me 7 prill 1999 në KOHA JONE)

Nga Bashkim Shala: Rrëfimet e të ardhurve, Kosova si morgu i madh i Evropës

KUKËS – Kukësi po përjeton një situatë të rëndë, të paparë dhe të paparashikueshme. Në çdo 24 orë në këtë qytet futen rreth 40 mijë të ardhur nga Kosova, të cilët po kalojnë ditët më të pazakonta të jetës së tyre. Katastrofa më e madhe humanitare pas Luftës së Dytë Botëror, pas një deportimi masiv të paparë ndonjëherë që nga periudha hitleriane ka krijuar një situatë tepër të rëndë në këtë qytet. Të lodhur dhe të uritur nga rruga tejet e gjatë nga një gjendje tepër e keqësuar nga lodhja, uria dhe sëmundjet si dhe mungesa e një vendstrehimi, dhjetëra mijëra shqiptarë janë duke u shndërruar në personazhet e tragjedisë më të madhe humanitare. Numri i përgjithshëm i të ardhurve në Shqipëri tashmë është duke shkuar në 300 mijë. Ndërsa numri i të ngujuarve në Kukës ka arritur shifra të papërballueshme për qytetin e Kukësit. Janë rreth 150 mijë vetë që kanë “pushtuar” qytetin me 27 mijë banorë.

Ndërkaq që fluksi i thithjes drejt rretheve të tjera të Shqipërisë është në kufijtë minimalë, krahasuar me fluksin e të ardhurve gjithsej. Tashmë në Kukës është shumë e vështirë që të identifikosh ndonjë banor vendas ndërsa rrugët, sheshet dhe ndonjë hapësirë e lirë është bllokuar totalisht me mjetet me të cilat kanë udhëtuar të shpërngulurit nga Kosova si dhe mjetet e shumta të organizatave të ndryshme humanitare, si pasojë e të cilave është krijuar një re e madhe smogu.

Në spitalin e qytetit, situata nuk mund të bëhet më e rëndë. Vetëm dje kanë shkuar për të kërkuar ndihmë mjekësore 35 vetë. Ka patur të plagosur dhe të sëmurë rëndë nga rruga e gjatë në këmbë, por në spital nuk ka më shtretër. Qyteti është i tejmbushur dhe nuk ka më asnjë mundësi që të ardhurit të administrohen. Ndihmat kanë mbërritur, por ato janë shumë pak për nevojat e tyre. Ndërkohë që situata këtu është fare jashtë kontrollit dhe askush nuk e di se ku shkojnë e ku përfundojnë kosovarët pasi hyjnë në doganën e Morinës. Për pasojë edhe shpërndarja e ndihmave dhe pajisja e gjithsecilit me batanije e ushqimet më emergjente është e pamundur. Me ngrohjen e kohës situata higjenike është duke u përkeqësuar nga dita në ditë. Qyteti i Kukësit po rrezikon të bëhet i pabanueshëm edhe nga vetë banorët tij të përhershëm. Ai është tashmë qyteti më i ndotur i botës dhe i gjithi kutërbon një aromë të rëndë, të padurueshme.

Dëshmitë: Kudo të njëjtat skena

Tregimet e të shpërngulurve, megjithëse ata tashmë kanë humbur forcën edhe për të folur, janë të njëjta, edhe pse ata vijnë nga zona të ndryshme dhe mesazhi i serbëve ka qenë i qartë dhe i njëjtë për çdo shqiptar: “Ikni në Shqipëri, se përndryshe do të vriteni”. Të ngjashme janë dhe rrethimet e tyre për grabitje të valutës, në këmbim të jetës së tyre, fëmijëve apo të afërmve. Çdo kosovar sjell dhe dëshmi më vete që janë unikale në mbarë botën.

“Të shpërngulet me dhunë një popull i tërë i paarmatosur është një tragjedi që nuk e ka përjetuar asnjë popull në botë dhe kjo është një tragjedi mbarëkombëtare”, thotë Rasim Mulaj nga Lluka e Epërme e Komunës së Deçanit. Ndërkohë ai tregon për masakrat që kishte parë në fshatrat Beleg, Ishniç, Strellc e Ulët dhe Ubeniç. “Në fshatin Beleg kanë pushkatuar Tahir Dacin dhe vëllanë e tij, ndërsa në Isniç serbët kanë masakruar 7 burra. Gjithashtu në Lubiniç ka masakër të madhe por nuk dihet numri i të vrarëve”. Por për masakrën e Lubeniçit të Deçanit tregon Abdulla Shala nga ky fshat: “Në Lubeniç kam parë 8 vetë të masakruar ku disave u kishin prerë kokën, kishte kufoma pa buzë, veshë, vetulla, të prerë në fyt dhe me dhëmbë të thyer me çekiç. Kjo tregon se ata ishin torturuar në mënyrën më mizore deri në vdekje. Ndërsa në Strellc të ulët, ditën e Bajramit, ushtria serbe ka vrarë me predha të kalibrit 122 ml duke therur dashin (kurbanin) në oborr Dem Alinë, Azem Shalën si dhe dy vajzat 13-vjeçare të kësaj familje. Ndërsa Myrtez Luli shton se ka parë edhe 20 viktima të tjera të masakruara në fshatin Lubenic. Sërish Abdulla Shala tregon dhe për një krim tjetër makabër të forcave ushtarako-policore e paramilitare serbe.

“Në Gjakovë serbët kanë marrë 90 burra nga fshati Dubovik i Deçanit ku me automatik në fyt i ka mbledhur ku dhe janë rrahur shtazërisht. Pastaj i kanë hypur në një kamion vetëshkarkues. Në kryqëzim të Carabregut në buzë të një gremine, kanë ngritur krikun e makinës duke hedhur në greminë të gjithë burrat që ishin në karrocerinë e makinës, ku nuk dihet se nëse ndonjëri ka shpëtuar gjallë”. Ndërsa Hate Balaj nga Carabregu i Epërm tregon për mizoritë serbe që u ngjasojnë atyre të krematoriumeve të kohës së Hitlerit. “Dhjetëra skelete njerëzish i kemi gjetur nëpër furrat e gëlqeres, gjithashtu dhe shtëpi të braktisura janë të mbushura me skeletet e viktimave të vrara gjatë ofensivës serbe të filluara në qershor të vitit të kaluar. Që nga Deçani deri në kufirin me Shqipërinë , serbët në çdo postbllok na kërkonin para duke na kërcënuar me vdekje”. “Na kanë garantuar me minahedhës si dhe mitraluar me golinov dhe kallashnikov në fshatin Loçan, duke vrarë dy gra dhe dy burra, Zylfie dhe Zade Stojkaj si dhe vëllezërit Shaban e Tafil Kosumaj, ku pasi i kanë vrarë u kanë vënë zjarrin kufomave. Gjatë rrugës për në Shqipëri, në fshatin Zhurë kemi parë dy vajza të masakruara, të lëna në anë të rrugës të mbuluara me çarçaf. Ato ishin vrarë nga ushtarët serbë, pasi i kishin përdhunuar”, tregon Hysen Kosumaj nga Lloçani i Deçanit. Ndërsa një memec na tregon pasaportën e tij që mbante emrin e Sulejman Mehmetit ku me anë të shenjave arritëm të mësojmë se serbët i kishin vrarë të gjithë familjen dhe vetëm ai ishte i gjallë. Të gjithë ata që kanë ardhur janë dëshmitarë të gjallë të krimeve me të vërtetë makabër, të cilët pa asnjë dyshim që do ta çojnë Sllobodan Milosheviçin dhe gardën e tij kriminale në bankën e akuzës në Gjykatën e Hagës. Por tashmë në Kukës, problemi më i madh është se si të shpëtohen këta njerëz që janë mbërritur gjallë deri këtu./Bashkim Shala/

SHKARKO APP