Blendi Fevziu: Dorëheqja e përsëritur e Fatos Nanos

Botuar me 29 shtator 1998

Nga Blendi Fevziu-

Nano nuk do të ulet më në karrigen e Kryeministrit të Shqipërisë. Lajmi surprizë është bërë publik dje në mbrëmje, rreth orës 21.00, ndërkohë që redaksitë e gazetave qenë vënë në dijeni një orë më parë. Si rrallë ndonjëherë lajmi befasues është paraprirë nga një deklaratë e ashpër e Ministrit të Rendit Teta, i cili pohoi se largohet nga posti i ministrit dhe për këtë largim bëri përgjegjëse PS dhe PAD. Toni mjaft i ashpër i Tetës duket se ka qenë përcaktues në vendimin e Kryeministrit. Pas dy ditësh të lodhshme konsultimesh për krijimin e qeverisë së re, Nano e ka kuptuar se ka rënë peng i politikës së tij dhe se qe vonë për të riparuar diçka. Po dje, PS ka deklaruar se Majko është ngarkuar për krijimin e qeverisë. Jashtë këtij konteksti të turbullt dhe kontradiktor, një gjë është e qartë: Nano po shpërngulet nga selia e Kryeministrisë në atë të PS, ndërsa Majko, në drejtim të kundërt. Në këtë ndryshim vendesh, nuk dihet ende nëse do të ketë ndryshime programore dhe cili do të jetë prioriteti i qeverisë së re.

Largimi i Nanos, edhe pse i beftë, kishte filluar të pëshpëritej në ambientin politik. Dy javë më parë, pas ngjarjeve të 14 shtatorit, qe Meidani që i kërkoi një gjest të tillë, por Nano duket se nuk e pranoi. Ai shpresoi tek mandati që mund të rifitonte në parti dhe te krijimi i një qeverie të re me një program pilot. Siç ndodh rëndom në këtë vend, fitoi betejën e parë, më të vështirën, por humbi betejën e dytë, atë që s’e priste askush. Dhe kur humbi atë, u largua me dinjitet, duke përsëritur thënien e vjetër: një politikan i mirë di të tërhiqet në kohë. Dorëheqja e Nanos erdhi në momentin kur ai shkau nga programi i tij i parë, liberalizmi, dhe u përpoq të gjallonte në mbretërinë e “dorës së fortë”, ku kishin thyer kokën edhe politikanë të tjerë. Një vit më parë, ai erdhi me kostumin e një kryeministri liberal dhe i injektoi politikës shqiptare një frymë të re. Ky kryeministër që vinte nga qelitë e burgut, por që përçmonte dhunën dhe politikën e dorës së fortë, krijoi një imazh të panjohur më parë. Qe tolerant me kundërshtarët e tij në parti, drejtoi me një koalicion shumëpartiak dhe pengoi depërtimin e militantëve në strukturat shtetërore. Por Nano nuk diti të ruante ekuilibrat brenda qeverisë së tij. Si pasojë e politikës së gabuar të kuadrit, ai krijoi brenda institucioneve dualitete interesash dhe këto rivalitete i bënë shpesh të pamenaxhueshme ato. Nga ana tjetër, Nano ra në rrjetin e komenteve të kontrabandës, paaftësisë për të garantuar rendin në vend dhe një konflikti të pakuptueshëm me shtypin. Sidoqoftë, Nano nuk është më njëshi i qeverisë dhe nuk dihet nëse do të kthehet përsëri. Tetë vjet më parë, në qershor 1991 ai është larguar po kështu, dhe ai largim nuk e ka penguar të ngjitet përsëri. Por Nano mbetet Kryetar i PS dhe Majko, në rolin e Kryeministrit, do të ndiqet nga hija e tij. Të drejtosh Qeverinë, me një kryetar partie të fortë, nuk është e lehtë. Aq më tepër në Shqipëri./Blendi Fevziu/

SHKARKO APP