Blendi Fevziu: Meta, sfidë në PS
Botuar me 27 shkurt 1999 në KOHA JONE)
Nga Blendi Fevziu-
Komentet, akuzat dhe hamendjet ditëve të fundit mbi zhvillimet në lidershipin e PS kanë marrë dje përgjigjen e parë zyrtare. Por ndryshe nga sa pritej, përgjigjja nuk ka ardhur as nga Sekretari i Përgjithshëm Majko, as nga Sekretari Koordinativ Ruçi dhe as nga ai Organizativ Legisi. Me një editorial në shtypin e përditshëm, Ilir Meta, Zv. Kryeministër dhe Kryetar i FRESH ka marrë përsipër të sqarojë të ardhmen e PS dhe të fusë elektoratin “një milionësh” të partisë rozë në drejtimin e duhur. Jashtë kontekstit të shkrimit, ndërmarrja e Metës ka një vlerë të veçantë. Duke folur në emër të Partisë Socialiste dhe duke u përgjigjur për gjithë komentet e bëra mbi të, Meta merr përsipër publikisht rolin e liderit. Hamendjet që e përcaktojnë atë si njeriun më të fuqishëm në strukturat e Partisë Socialiste kanë tashmë edhe përgjigjen e tij pozitive.
Socialistët gjenden në një situatë kaotike dhe këtë Meta nuk heziton ta pranojë. Mungesa e një lideri të mandatuar nga kongresi ka hapur shtigjet e shpresës për shumë individë dhe grupime, përplasja e të cilëve në kongresin e qershorit ka filluar të përgatitet që sot. Kësaj fryme i shërbejnë edhe lojërat me shtypin apo deklaratat kontradiktore, të cilat kanë krijuar një pështjellim të plotë jo vetëm në PS, por edhe në qeverisje. Duke e ndjerë këtë boshllëk dhe mungesë autoriteti në lidershipin e PS, Meta ka marrë përsipër të pilotojë të ardhmen e partisë më të madhe në vend.
Jashtë simbolikës, Meta ka hedhur në shkrim një ide të guximshme. Ai ka bërë ndarjen e lidershipit të PS në të përgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm dhe ka përcaktuar se mbi ç’kritere mund të bëhet ky klasifikim. Mendimi se të përgjegjshmit janë ata që zbatojnë statutin e partisë dhe institucionet, ndërsa të papërgjegjshmit të tjerët, nuk ka nevojë për komente. Meta ka qenë i kujdesshëm për të mos përmendur emra, por nuk është vështirë të kujtosh se ata që janë kritikuar kohët e fundit nga partia për shkelje të programit rozë janë disa nga figurat më të rëndësishme, përfshi Kryeministrin Majko.
Ideja e një konflikti Majko – Meta është përmendur shpesh, por zhvillimet e ardhshme në PS mund t’i shndërrojnë hamendjet në një përplasje reale. Shkrimi i djeshëm është ftesa e parë që Meta i ka bërë gjithë partisë, por në radhë të parë Majkos për të respektuar rregullat e lojës. Rregulla, që duket se janë vendosur në prapaskenat e partisë rozë./Blendi Fevziu/