Dinastia e Marubëve, legjenda e shekujve në fotografi
(Botuar me 30 dhjetor 2000 në KOHA JONE)
Rudina Llazari
“Ah, sikur të kish qenë gjallë njëri nga Marubët”. Kështu thuhet të ketë thënë në fillimin e viteve ’90 shkodrani hipur majë bustit të Stalinit, teksa lidhte nyjën e kavos në qafën e tij. Fatkeqësisht, në ato momente e gjithë dinastia e Marubëve dergjej nën dhe, por ata kishin lënë një gjurmë të madhe prej 150 mijë negativësh çka përbëjnë fondin më të artë të historisë së fotografisë shqiptare. Të gjitha momentet e historisë që nga 1858, kur Pjetër Marubi shkrepi për të parën herë në Shqipëri aparatin e tij e deri 1944. Figurat madhore shqiptare të gjitha kostumet shqiptare dhe peizazhet e natyrës, janë ulur këmbëkryq në atë që quhet kryevepër fotografike e dinastisë Marubi.
Ky art në Shqipëri e jo vetëm këtu por përgjithësisht në Ballkan nxori më pas mjeshtrat e mëdhenj, por fillimin e parë pikërisht te Marubët, të cilët patën meritën e veçantë të fiksojnë në celuloid e të vlerësojnë figurat e shqiptarëve dhe historinë e tyre. Në fotoenciklopedinë e vërtetë të botës shqiptare, në harkun kohor të një shekulli, ata ditën se ç’të vendosin. Mbase kjo pikërisht ngjan të jetë misioni i vërtetë historik i 150 mijë negativëve të tre brezave të Marubëve që ruhen me fanatizëm në fototekën Marubi.
E në tërë këtë enciklopedi mund të hasësh natyrshëm diversitetin e universit shqiptar. Evenimente historike, etnologjike, folklor, arkitekturë, urbanistikë pa lënë mënjanë një galeri të tërë kostumografie.
Dinastia
Nuk është një apo dy, por janë plot 4, ata që formuan mbase të parën dinasti artistike shqiptare të fotografëve. Tre breza, një shekull. Pjetri, Matia, Keli, e deri tek më i fundit Gega. Të gjithë patën vetëm një synim: të fotografonin e të fotografonin artistikisht çdo gjë që kishin përpara. Historia nis me Pjetron. Sipas një studimi të Ismail Kadaresë, i cili u referohet fakteve historike, Pietro Marubi i lindur në Piacenza të Italisë më 1934, për arsye politike iu desh të ikte nga vendlindja.
Idetë politike, aktiviteti garibaldist dhe pjesëmarrja në luftën kundër pushtuesit austrohungarez të kohës kanë qenë, sipas Kadaresë, shkaqet kryesore që kanë shtyrë Pietro Marubin të ikë nga vendlindja e tij. Veç kësaj, aty rreth vitit 1850 ai ka kërkuar të vendoset pikërisht në Shkodër, duke u përpjekur të sigurojë azil politik pranë qeverisë osmane të kohës. Arkitekt, skulptor, piktor, Pietro e pat fillimisht artin e fotografisë një hobi, e më pas kjo do të bëhej profesioni i tij duke hapur kështu të parën studio fotografike në Shqipëri dhe në Ballkan në vitin 1858.
“Qyteti i preferuar i tij do ta mirësevijë krahëhapur magjistarin e kohës, i cili ndizte flakë ca pluhura dhe lëngje dhe më pas të jepte në dorë një copë letër të trashë ku ishe pikërisht ti”. Pak a shumë kështu thuhej në kronikat e kohës. Nuk dihet për ç’arsye i pari i Marubëve zgjodhi pikërisht Shkodrën. Nga njëra anë qyteti qe pjesë e pandarë e perandorisë osmane e për rrjedhojë sipas ideve të fesë zyrtare të kohës, konfigurimi i qenieve njerëzore qe rreptësisht tabu. Por, nga ana tjetër qyteti shqiptar në veri të vendit pranë maleve të larta qe një krahinë së pari epike ku këndoheshin epet dhe këngët e kreshnikëve legjendarë.
Në një mjedis të tillë, Pietro Marubi pas disa vitesh qëndrimi në Shkodër, vetëquhet Pjetër Marubi, shkodran mes shkodranëve. Kështu ai nxjerr fotografinë e parë. Ende nuk dihet data precize. Merret vesh vetëm viti. 1858, pak a shumë 24-vjeçar, Pjetri vendos aparatin magjik para luftëtarit shkodran 79-vjeçar Hamza Kazazi. Ky i fundit pozon i veshur me një kostum feste me fustanellë dhe një shpatë të gjatë dhe dy pistoleta jatagan varur në ije. Ky mësohet të jetë kontakti i parë i fotografit mjeshtër Marubi me botën shqiptare dhe që më pas do të pasohet nga disa të tjerë. Fjala merr dhenë. Një italian ka ardhur në Shkodër dhe bën mrekullira dhe magjira. Njerëzit fillimisht e shikonin me frikë e më pas çdo gjë vjen natyrshëm. Krijohet kështu pra e para atelie, të cilën vetë Marubi e quajti Dritëshkronja. Sipas të dhënave dhe dëshmive të kohës, mësohet që atelieja të jetë diçka mes realitetit dhe mitikës, të paktën kështu konsiderohej asokohe.
Një dhomë e madhe me sipërfaqe 35 metër katror, gjysmë prej muri, gjysmë prej xhami. Ana e djathtë e mureve e edhe çatia ishin të tëra prej xhami, me qëllim që drita të hynte edhe të depërtonte natyrshëm. Klishetë e para bardh e zi qenë të formateve 21×27, 26×31 dhe 30×40.
Më pas vijnë e ndryshohen dhe fotografi arrin të bëjë klishe thuajse të të gjitha formateve të kohës. Të mos harrojmë se jemi një kohë kur Evropa veçse pak vite më parë kish njohur artin mrekulli të fotografisë. Ndërsa për Marubët, reputacioni në pak vite vjen duke u rritur. Jo vetëm reputacioni, por edhe nami. Organet e ndryshme botërore, revistat dhe gazetat lidhin kontrata. Kështu nuk është e rastit që fotografitë e kohës të Pietro Marubit, gjenden në shumë gazeta italiane dhe franceze të kohës. Pietro Marubi duke pasur gjithë këtë punë merr të parin ndihmës.
Një djalosh nga malet diku rrotull Shkodrës, të birin e kopshtarit të shtëpisë së tij, Mati Kodhelin. I lindur më 1862, Matia është i mrekulluar nga puna e mjeshtrit Marubi, e kështu në këtë drejtim ai kërkon të punësohet pranë mjeshtrit. Ky e dërgon për një kohë specializim në Trieste. Më pas kthehet në Shkodër të punojë pranë Pjetër Marubit, por fatkeqësisht jeta për Mati Kodhelin është shumë e kursyer. Vetëm 21-vjeçar, Mati Kodheli mbyll sytë më 1881, por gjithsesi duke lënë një emër jo të paktë në atë që do të quhet dinasti e Marubëve. Vendi i tij nuk lihet bosh. Pasioni nuk del jashtë familjes Kodheli. Zëvendës i tij bëhet Kel Kodheli njëri nga vëllezërit e Matisë dhe ky pasi specializohet për disa kohë në Trieste punon pranë mjeshtrit Marubi. Është pikërisht në këtë kohë, që Pjetri modernizon sipas standardeve evropiane studion e tij. Kështu, studioja do të ketë e më pas dy emra Pjetër Marubin dhe Kel Kodhelin, i cili punon me të njëjtin pasion si edhe mjeshtri i tij. Punët e Kel Kodhelit nisin të kenë të njëjtin sukses.
Kështu, Pjetri gatit testamentin. Për Kel Kodhelin studion e edhe mbiemrin. Pas vdekjes së Pjetër Marubit, dinastia do të ketë trashëgimtarë të tjerë të mbiemrit Marubi. Tashmë, emri i përveçëm është Kel Marubi. Për këtë puna është në veçanti një art dhe fotografimi merr një drejtim tjetër. Çdo shtresë shoqërore ka të drejtën të jetë e fotografuar. Kjo do të jetë motoja e punës së Kel Marubit. Të paktën kështu del nga ajo pjesë e fototekës që mban vulën e Kel Marubit. Njerëzit e rëndomtë të popullit, të gjithë krahas shtresave të larta. Kasollet krahas salloneve, klerikët krahas katundarëve, histori, peizazhe, kostume mbeten sërish të fotografuara. Fama e tij shumë shpejt kalon kufijtë shqiptarë.
Në Mal të Zi e thërrasin herë pas here dhe Kel Marubi është ndër të parët fotografë që fotografon dhe armikun e shqiptarëve Kral Nikollën. Pasioni i tij do të transmetohet edhe tek i biri. Gega do të jetë kështu i fundit i dinastisë njëshekullore, brezi i tretë i saj. Në vitet 20 të shekullit të 20, ai ndjek në Paris dhe Lion një kurs profesional pranë vëllezërve La Lemier për fotografi dhe për kinema. I pari bie në Ballkan, në qendër të Shkodrës, kinemanë. I pari projekton filmin që u quajt në një sallë të Shkodrës kinemaja e saj, aty rreth vitit 1914. Këtë shkodranët me shaka, ironi apo frikë, nisin ta quajnë ëndrra në beze.
Në vitet 20-30 krahas fotografisë, kinemaja bëhet pasioni i dytë i Gegës dhe Shkodra do të jetë qyteti i filmit dhe i kinemave. (Një paradoks kohor në mijëvjeçarin e ri. Shkodra nuk ka asnjë kinema). Në vitet 1970, Gega do t’i jepte i pari fotografisë shqiptare ngjyrat. Sipas asaj që tregon Tereza Marubi, vajza e Gegës, më 1972 me një letër personale të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror, Enver Hoxha, Gega ia dorëzon shtetit arkivën e gjithë Marubëve. “Ishte diçka që im at e bëri me dhimbje”, thotë Tereza. Mundi dhe djersa e të parëve të tij, pronë private, ndërron pronar. Kalon në duart e shtetit, pronë e gjithkujt dhe e askujt. Kështu, 150 mijë negativët që formojnë enciklopedinë fotografike, marrin për nder të tij emrin e asaj që u quajt Fototeka Marubi. Lastrat prej bromuri argjendi të kësaj fototeke kanë fiksuar pamje dhe fytyra të ndryshme që nga mbretërit deri tek njerëzit e thjeshtë, nga heronjtë legjendarë dhe heronjtë e librave e deri tek nëpunësit e thjeshtë të postave apo vilajeteve. Fshatarë që presin në radhë mjekun për t’u vizituar, artizanë që punojnë në pazarin e vjetër të qytetit. Njëri pas tjetrit të gjithë vijnë e rrinë të qetë përpara aparateve fotografike të dinastisë Marubi. E dinastia e Marubëve i jep kështu jetë dinastisë së etërve të fotografisë.
Art vlerash apo antivlerash
I vlerësuar dhe i pavlerësuar sipas rastit, arti i Marubëve është dhe mbetet unik në Shqipëri. Objekt ilustrimesh për historianët, folkloristët, etnografët, arkitektët dhe urbanistët ai merr më tepër lëvdata nga të huajt se sa nga shqiptarët, megjithëse arti dhe objekti i fotografive është thellësisht shqiptar. Një album në Francë, një në Itali, një gjysmë në Shqipëri. Veç kësaj edhe një fletëpalosje e vogël që u jepet vetëm të huajve, botuar rreth 12 vjet më parë. Gjithçka do të përmblidhet këtu. Shqiptarët veç faktit që ata ishin fotografë shumë pak dinë për Marubët. Të huajt mund të na sqarojnë më shumë. Në Mal të Zi aktualisht po përgatitet të hapet një fotoekspozitë me punimet e Marubëve për dhe në këtë vend. Në Cetinë, fotot e tij ishin ndër më shtrenjtat.
Bar-Cafe-Krajln në qendër të Cetinës s’kishte asnjë pikturë apo zbukurim në mure, ndërsa këto qenë të mbushura me fotot me përmasa të mëdha dalë nga negativat e Marubit. Në Itali në 1998 në Bari organizohet një ekspozitë. Në pranverën e vitit 2000, në Rimini hapet një tjetër ekspozitë. Sipas Terezës, vajzës së Gegës “jam ndjerë krenare për mbiemrin që mbaj më shumë se askund në Bari, në një ekspozitë hapur nga komuna e Barit ka qenë i ftuar nënkryetari i Bashkisë, juristi i Bashkisë dhe një pjesëtar i familjes Marubi. Të gjitha janë rregulluar nga komuna e Barit. Edhe shpenzimet e vizave dhe të udhëtimit”. “Ekspozita,- tregon Tereza pati sukses të plotë. Vizitorët e shumtë shikonin të mrekulluar fotot e shekullit të kaluar. Si sot më kujtohen fjalët e asesorit të kulturës të komunës së Barit. Me një ekzaltim që s’mund të shprehet, ai përpiqej t’i shpjegonte njerëzve. Shikoni dy planet e fotove, kombinimi i dritëhijeve dhe pastërtia e figurave janë në shkallën më të lartë. Ishte ndalur përpara një fotografie të luftëtarëve të vitit 1909 dhe tregonte veç planit njerëzor, fytyrave dhe portreteve të luftëtarëve edhe planin e dytë, ambientet, malet të cilat ishin realizuar dhe pasqyruar me një forcë të madhe artistike”.
Veç të qenit fotograf, Marubët ishin edhe artistë shqiptarë. Të tjerët që i vlerësojnë janë sërish të huajt. Një shoqatë franceze Eredite Sans Frontiere (Trashigimi pa kufi) i rivlerëson jashtëzakonisht fotografitë e Marubit. I vetmi aktivitet në Shqipëri është organizuar pikërisht nga kjo shoqatë, ndërsa herë pas here dikush kujtohet të organizojë një konkurs të fotografisë shqiptare. Ndërsa nga ana tjetër, fototeka është një institucion i lënë thuajse në harresë, ndërkohë që prej dy vitesh flitet për institucionalizimin e tij. Kjo do të thotë që fototeka të shndërrohet në Institut Kombëtar të fotografisë, të varet direkt nga Ministria e Kulturës pa pasur punë me organet e pushtetit lokal të Shkodrës, të cilat ngrenë duart lart kur vjen puna për ndonjë fond.
Sigurisht kjo mund t’i ndryshojë për mirë gjërat. Në fund të fundit fototeka do të ketë për më mirë vlerësimin edhe të shqiptarëve dhe një numër të madh fondesh. Mbase kjo do të ndihmonte dhe në ekzekutimin e së drejtës së autorit. “Prej 6 vitesh, – shpjegon Tereza, – Marubi kemi bërë gjyqe pas gjyqesh. Përfundimisht është vendosur që të na njihet e drejta e autorit si pjesëtarë të familjes në vijë të drejtë. Deri më tash asnjë derivat prej kësaj, megjithëse duhet të kishim shumë përfitime materiale”. Shprehur ndryshe, Marubët ekzistues ata që jetojnë aktualisht në Shkodër, nuk kanë mbi fototekën megjithëse deri vonë ishin pronarë të vetëm të saj, asnjë të drejtë. Muzeumi i Shkodrës duhej t’i jepte familjes sipas ligjit pikërisht të drejtën e autorit. Në drejtorinë e muzeumit thonë se ne na duhet shkresë nga Ministria e Kulturës, ndërkohë që kurrë ndonjëherë nuk ka mbërritur një shkresë e tillë. “Tashmë jam lodhur, – thotë Tereza. Do të desha të paktën të vlerësohen Marubët për meritat që kanë. Asgjë më tepër”.
Sfilatë kostumesh dhe personazhesh
Duke qenë italian, pra jo shqiptar, ndër gjërat e para që i bie në sy të parit të Marubëve, Pietros, natyrisht janë kostumet. Kombinimi i ngjyrave, punimi mjeshtëror, prerja fikse, shumëllojshmëria e tyre e bëjnë atë që të mrekullohej përpara njerëzve që i kanë të veshura këto kostume. Ndër gjërat e para edhe kur ato janë historike, të fotografuara janë pikërisht kostumet. Kështu, veç anës mjeshtërore në kombinimin e dritëhijeve, në vendosjen dhe depërtimin e mënyrës së dritës sa dhe si duhet, në nxjerrjen qartë të figurës dhe portretit njerëzor ku mund të dallosh edhe karakteristikat e njerëzve, në realizimin artistik edhe të planit të dytë të sfondit, Marubi kërkon të nxjerrë në plan të parë edhe kostumet. Shumë shpejt nis t’i dallojë ato. Mëson ndarjen sipas krahinave, sekseve, grupmoshave, kategorive shoqërore dhe rasteve situacionale të veshjes së tyre. Sipas etnologut Agim Bido, Pjetër Marubi kërkoi të fiksojë polifunksionimin shoqëror dhe historik të kostumeve tradicionale në jetën shqiptare, por sipas mënyrës së tij duke i dhënë atyre vlerën e dokumenteve historikë të përkohshëm të epokës me të cilën ata u prezantuan. Kështu koincidencë, rastësi apo dashje, por fotografia e parë shqiptare që mban vulën e Pjetër Marubit ajo që paraqet Hamza Kazazin është pikërisht foto që paraqet nga ana tjetër edhe kostumin tradicional të burrave shqiptarë shkodranë në një ditë feste. Kështu ndodh në më të shumtën e rasteve, pjesa më e madhe e fotove paraqet kostume të llojeve nga më të ndryshmet. Në përgjithësi personazhet apo grupet e personazheve të fotografisë së Marubëve janë të veshur me kostume kombëtare, paraqesin imazhet e tyre ashtu siç janë në festa, ceremonira, ambiente familjare qoftë dhe në ushtrimin e zanateve të tyre artizanal në pazarin e Shkodrës.
Një pasion të tillë e trashëgon e gjithë dinastia. Matia, Keli edhe Gega. Në mënyra të ndryshme nisën të japin, kostumet duke dhënë kështu edhe evoluimin kohor të kostumografisë shqiptare. Parë kështu, fototeka Marubi mund të shndërrohet shumë mirë në një muzeum etnografik. Kështu është e lehtë të përcaktosh kohën nisur nga veshjet e personave të fotografuara. Fotografitë e para kanë personazhe me fustanellë, karakteristike për veshjen burrërore të mesit të shekullit të XIX. Më pas vendin e tyre do ta zënë tirqet, të cilat përdoren në fund të shekullit të XIX. E këto në fillimin e shekullit të XX, zëvendësohen me brekushet. Kështu ndodh edhe për veshjet e grave. Xhubleta e malësoreve, veshja e princeshës mirditore, veshja e gruas katolike shkodrane, apo asaj myslimane janë pasqyruar më së miri në fotografi. Pas këtyre kostumeve natyrshëm shihen figurat më të mëdha të historisë së veriut shqiptar. Patriotët në grupe të Lezhës, Dukagjinit, Mirditës, Kosovës të gjithë të veshur me kostume.
Krerët, emrat e përveçëm në celuloidët e Marubëve do të mbeten edhe më të njohur dhe do të shndërrohen të njohur edhe në portrete. Ded Gjo Luli, Mehmet Shpendi, Azem e Shote Galica, Esat Toptani, Filip Shiroka, Haki Stërmilli, Hil Mosi, Fan Noli, të gjithë janë fotografuar veçse prej Marubëve.
I fundit i Marubëve
Duke jetuar deri vonë 1984 kuptohet se në Shkodër kujtimet më të gjalla dhe respektin më të madh njerëzit e ruajnë për Geg Marubin, të fundin e dinastisë të fotografëve artistë. Zotni Gega, qe njeri i madh, thonë shkodranët duke i pasatribuar atij gjithmonë epitetin e zotnisë edhe atëherë kur duhej të ishe shok. “Prej tij kujtoj rregullin dhe disiplinën”, thotë kështu Muhamet Bushati, fotografi që punoi me të një jetë të tërë. “Vinte në punë në 7 pa çerek, bënte gjithçka gati, solucione, negativë, aparate, në mënyrë që në 7 të fillonte punën. Kishte një kaligrafi për t’u pasur zili. Gjithçka e mbante me tepër rregull”. “Kur isha e vogël,- kujton Tereza, mbaj mend dhomën në fund të korridorit ku mua më qe ndaluar rreptësisht të hyja. Shihja nga larg, ishte arkivi prej nga ku doli fototeka. Çdo gjë qe në rregull perfekt. Veç kësaj Tereza kujton dhe regjistrin e madh. Ishte një libër i madh ku qenë shënuar me saktësi datat dhe njerëzit apo familjet e fotografuara. Kështu rastiste që pas 80, 100, 50 apo 20 vitesh njerëz të ndryshëm kërkonin tek babai ndonjë foto të tyre apo të familjes. Zotni Geg më duhet kjo foto, e Krajave apo Bushatllinjve fjala vjen. Më mjafton viti të paktën, thoshte babai dhe çdo gjë gjendej në pak sekonda. Më pas hapeshin skedat dhe menjëherë gjendej negativi në arkiv. Më pëlqente pa masë të shihja pa masë babanë tek punonte. E pyesja me kureshtje për dritat e kuqe, përse shërbente ky apo ai solucion, për sa kohë bëhet stampimi dhe ai me durim më përgjigjej për imtësitë më të vogla”.
Epilog
Thuhet se dinastia e Marubëve mbaron me Gegën. Faktikisht pas vdekjes së tij asnjë nga Marubët nuk e trashëgoi më profesionin, nuk pati më aparatin fotografik si treguesin e artit apo të shpirtit të tij. Ndërkohë nga Marubët nga shkolla e tyre në Shkodër krijohet një brez i tërë fotografësh të cilët në një mënyrë apo tjetër krijojnë dinastitë e tyre. Jakovajt, Pistullorët, Nënshatët, janë gjithë ata që nisin t’i japin emra të rinj fotografisë shqiptare. Ndërsa vajza e vetme e Geg Marubit, mori drejtim tjetër. Fotografia është vetëm kënaqësi për të. E shijon duke e parë, di ta vlerësojë siç mund ta bëjë pak kush në Shkodër. Ndërsa profesion nuk është për të.
Por duket se geni i artistit prej fotografi është transmetuar në vijë të zhdrejtë. “Im bir, Tani,- thotë Tereza Marubi spontanisht,- i ka të dukshme prirjet e trashëguara. E shoh këtë në mënyrën se si e realizon fotografinë. Dritëhijet janë të përsosura. Fotot dalin të dukshme, të pastra dhe të realizuara në të gjitha drejtimet”. Tani ka një profesion që është shumë larg asaj të qenit fotograf. Për stomatologun Irtan Mëhilli mbase do të jetë e afërt dita që mund të hapë ndonjë ekspozitë duke nisur kështu brezin e katërt të dinastisë Marubi, pinjollin e pestë të fotografëve.