Edi Muka: Onufri ’97- Impass apo shpresë

(Botuar me 11 Janar 1998 në KOHA JONE)

Nga Edi Muka-

Më në fund, pas polemikave të shumta, konfuzionit, mungesës së kohës e të përgatitjeve, i përvitshmi Onufri i hapi dyert për vizitorët. Në sallën e madhe të Galerisë Kombëtare, në katin e parë, hapësira është aranzhuar me gati 100 punimet e seleksionuara për konkurrimin e këtij viti.

Cilido qoftë niveli i konkurrimit të sivjetshëm, gjë për të cilën do të flas pak më poshtë, të bie në sy leximi i këndshëm i hapësirës, i realizuar përmes seleksionimit të punëve të ekspozuara dhe tendenca për një aranzhim serioz sipas kushteve që hapësira përkatëse ofron. Këto përbëjnë vetëm të dhënat teknike të ekspozitës. Por ajo çka më intereson më shumë është thelbi i saj si për nga ana organizative ashtu edhe për vlerat që ajo presupozohet të mbartë apo të zbulojë. Për të diskutuar mbi këto pika, mendoj se është e rëndësishme të dihet se si u organizua Onufri këtë vit.

Dihet nga të gjithë tashmë që konkursi kombëtar Onufri në vitet e fundit ishte kthyer në shembullin më perfekt se si një ekspozitë nuk duhet të organizohet, se si mund të veprohej për të shkatërruar një sistem vlerash tepër delikat si ai shqiptar, e se si mund t’i mbyllej rruga njëherë e mirë çdo alternative apo tendence që aspironte për hapësira e dimensione të reja kulturore. Arma më efektive në këtë drejtim rezultoi hapja e dyerve të Galerisë Kombëtare, që presupozohet të jetë tempulli i artit, gjithë zulmës e zallamahisë së dyqanxhinjve apo pikturistëve që erdhën me nga një “pikturë” e një çengel më vete, për të varur punën aty ku t’i dukej e përshtatshme. Dhe u deshën tre vjet me radhë që krijuesit e artit figurativ shqiptar, që kanë krijuar personalitetin dhe kanë lënë shenjën e tyre në këtë fushë, të kuptonin se heqja e seleksionimit dhe “shpërndarja e çengelave” kishte për qëllim mbytjen e asaj pak çka mund të hapte diskutim dhe spekulimin me shumat joshëse të çmimeve. Kjo mund të themi se u bë tradita më e re në format e ekspozimit të artit shqiptar, që zëvendësoi komisionin censurues të real-soc-it dhe që bëri të mundur ruajtjen e një sistemi organizativ të ndryshëm në dukje, por të njëjtë në thelb me paraardhësin. Është pikërisht ky tradicion dhe mentaliteti tradicional që drejtori i ri i Galerisë z. Qendro nënkupton kur thotë se është për krijimin e hapësirave për një “mentalitet të ri në përdorimin e gjuhës vizuale…dhe jo për vazhdimin e mendësisë tradicionale”. Është pikërisht ky “tradicion” që krijoi batakun mbytës në artet pamore shqiptare të periudhës së post-komunizmit.

A ishte kjo mënyra e duhur për të realizuar një ekspozitë kombëtare, a është kjo e ndryshme nga ajo që trashëguam dhe a është kjo praktika që duhet ndjekur në të ardhmen? Unë mendoj që jo. Që të realizohet një ekspozitë në një institucion që ka për qëllim ruajtjen dhe konservimin e sistemeve të caktuara vlerash. A e arriti Onufri 97 këtë? Unë mendoj që nuk u arrit dhe se jemi ende larg fillimit.

Për këtë mosarritje faji bie diku dhe mbi dikë, por këtë radhë, mund të themi se faji kishte një natyrë të përgjithshme. Gabimisht pas gjithë atyre që ndodhën në Shqipëri, sferat e fundit që merren në konsideratë për t’u rimëkëmbur janë kultura e arti. Kësisoj, Onufri i sivjetshëm vuajti që në fillim nga mungesa e emërimit të drejtorit të Galerisë Kombëtare dhe për pasojë, edhe nga përcaktimi i një linje të qartë organizative për ekspozitën. I emëruar vetëm dhjetë ditë para datës së stërshtyrë të hapjes së ekspozitës z. Qendro nuk mund të bënte tjetër veç me aq sa mundte të organizonte së paku seleksionimin e sasisë së punëve që ishin derdhur në derën e Galerisë sipas “traditës” së krijuar në vitet e fundit. Natyrisht që ky seleksionim arriti të eliminojë një pjesë të konsiderueshme të diletantizmit, mediokritetit apo mungesës së arritjeve të përkohshme. E megjithatë edhe seleksionimi i bërë, për mendimin tim nuk mundi të ishte konsekuent deri në fund, gjë kjo që reflektohet pothuaj tërësisht në sallën e vogël anësore të Galerisë, që do të quhej pjesa e “kompromisit”. Nëse punët e vlefshme për t’u paraqitur apo marrë pjesë tek Onufri nuk i mbushnin dot të dyja sallat, atëherë le të mbushej vetëm njëra dhe përzgjedhja të bëhej e plotë. Sidoqoftë shkaqet e këtij mosrealizimi i përmenda pak më sipër, prandaj do të doja të përqendrohesha në atë çka Onufri 97 solli (apo pritej të sillte) në skenë. Për këtë është mirë t’i marrim gjërat me radhë.

Ka disa vite që ideja e futjes së rolit të kuratorit të një ekspozite (praktika bashkëkohore e organizimit të ekspozitave) kërkon të realizohet në terrenin artistik shqiptar. E megjithatë kjo ide, për arsye të përplasjeve të “traditës” së sipërpërmendur me praktikat e reja, ende nuk ka arritur ta institucionalizojë hapësirën e saj. Ndjekja e një praktike të tillë, ku një person merr përsipër formulimin e platformës mbi bazën e një problematike të nxjerrë nga analizat esenciale të territorit e të lëvizjeve artistiko-kulturore të tij, krijon mundësinë e organizimit të një ekspozite mbi kritere krejt profesionale e me përgjegjësi të specifikuar. Kjo praktikë organizimi, e cila kërkon të paktën gjashtë muaj punë përgatitore mundëson inspirimin, zbulimin dhe evidentimin e propozimeve të reja në artet pamore nga njëra anë dhe nga ana tjetër prezantimin e identiteteve të stabilizuara në këtë fushë të seleksionuar nga bashkëpunimi kurator-artist. Gjithashtu, kjo praktikë shmang rënien e nivelit të debatit në ato të thashethemnajës dhe hap mundësinë për të kritikuar profesionalisht qëndrimin dhe zgjedhjen e kuratorit, d. m. th. krijon premisat e ndërtimit të institucionit të kritikës së artit, i cili është krejt inekzistent te ne. Me termin “propozime të reja” nënkuptoj qëndrime të reja të nxjerra nga përjetimi dhe shfrytëzimi i situatave apo potencialeve ekzistuese që nxisin reflektimin apo hapjen e problematikave të caktuara, e që përbëjnë premisa për krijimin e një lëvizjeje kulturore, gjë që hëpërhë nuk ka marrë ende formë në Shqipëri. Është pikërisht kjo pika delikate e Onufrit të sivjetshëm, dhe të gjithë artit e kulturës në Shqipëri. Natyrisht që e gjithë kjo është një çështje e lidhur ngushtë me konceptin e organizimit të ekspozitës dhe me rolin e sipërpërmendur të kuratorit, gjë që çon në përcaktimin e karakterit të këtij evenimenti.

Ideja ime personale është që Galeria e Arteve funksionon si një institucion që ka për qëllim ruajtjen dhe konservimin e një sistemi vlerash të përbërë nga vepra individësh apo grupimesh artistike, me rëndësi të stabilizuar në kohë e në kontekste specifike. Ndërsa një ngjarje e tillë, siç është i përvitshmi Onufri duhet të synojë krijimin e hapësirave të duhura pikërisht për ato propozime të sipërpërmendura, që potencialisht çojnë në zhvillimin e sistemeve të reja të vlerave pa përjashtuar atë të stabilizuarin e të njohurin tashmë. Në këtë drejtim, i cili ka një rëndësi jetike për mbajtjen hapur të shtegut në të cilin kultura e një vendi mbahet në lëvizje, Onufri 97 u paraqit tejet i varfër. Kjo varfëri konsiston kryesisht në dy aspekte të shqueshme problemore, që lidhen me karakterin social dhe profesional të artit. Le të marrim aspektin e parë, atë social apo më saktë impaktin e potencialeve të territorit në artin e artistëve paraqitur tek Onufri 97.

Gjithsekush e di se nëpër ç’makth kaloi Shqipëria në gjysmën e parë të këtij viti. Ngjarje, skena dhe shifra të tilla janë të atij karakteri që futen apo lënë një shenjë në historinë e një kombi. Por për çudi, kur hyn në sallën e Onufrit të krijohet përshtypja se këta artistë që ekspozojnë këtu (pjesa më e madhe të paktën), jo vetëm nuk kanë jetuar në Shqipëri gjatë këtij viti, por nuk kanë asnjë lidhje apo shenjë të prekuri nga gjithë çka ndodhi. Si është e mundur që, me disa përjashtime, ndryshimi i raporteve njerëzore, humbja e vlerës së jetës, paranoja marramendëse e armëve e sa e sa të tjera, nuk arrijnë të penetrojnë në kullën e artit shqiptar. Në pjesën më të madhe ai shfaqet indiferent, me bravura penelash, volumesh apo objektesh, të cilat largohen nga publiku e nga problematika jo vetëm si gjuhë e mjet shprehije, gjë që në momente të caktuara zhvillimi gjuhësor janë të natyrshme e të domosdoshme, por ç’është më e rëndësishme largohen krejtësisht si kontekst e si territor. Unë e gjykoj këtë fakt si papërgjegjshmëri dhe si paaftësi përjetuese e trashëguar e artit dhe artistëve shqiptarë, të cilët që nga 1990 prodhojnë një art ku më shumë e ku më pak hermetik e të pandjeshëm ndaj përmasave të reflektimit. Këtu është e rëndësishme të kuptohet se ana apo karakteri social i artit nuk po theksohet në dëm apo në injorim të problematikës profesionale apo të elementëve gjuhësorë të artit vizual, përkundrazi.

Nëse pjesa më e madhe e punëve të ekspozitës do të konsiderohet nga pikëpamja e paraqitjes së problemit që shqetëson më së shumti secilin nga artistët, pra duke supozuar se aty ka punë të bëra posaçërisht për Onufrin me këtë problematikë, atëherë mund të nxjerrësh konkluzionin se në këtë ekspozitë apo në rrethet artistike në Shqipëri nuk ka shumë pretendime e aspirohet tepër pak në raport me thatësirën kulturore që na rrethon, pra dashje pa dashje kemi rënë pre e saj. Nëse nga ana tjetër, Onufri konsiderohet si një moment që ofron mundësinë e ekspozimit të një nga veprat e krijimtarisë personale dhe aq, edhe në këtë rast justifikimi nuk qëndron, sepse është gabuar konsiderata për Onufrin, dhe rrjedhimisht zgjedhja bëhet e gabuar që në princip. Sidoqoftë, duke qenë se mendoj se e keqja qëndron në mënyrën e konceptimit dhe organizimit të ekspozitës, nuk dua të përfshij në debat detaje të saj, që konsistojnë në diskutimin e përveçëm të artistëve pjesëmarrës dhe veprave të tyre, aspak për të shmangur bisedën apo konfliktet e mundshme, por vetëm sepse një bisedë e tillë do të ishte jashtë kontekstit. Të vetmin përjashtim do ta bëja për një nga më të rinjtë e ekspozitës, G. Gjikopulli, të cilit i dërgoj simpatinë dhe përgëzimin tim personal për pikturën e paraqitur në ekspozitë, e cila bashkë me disa punë të tjera të artistëve me krijimtari të stabilizuar apo në formim, përbën një nga “propozimet” apo qëndrimet e reja të sipërpërmendura. Shpresoj që “Onufri 98” do të mbartë më shumë të tilla e do të hapë më shumë debate profesionale në lidhje me vetë ekspozitën, me të gjithë veprimtarinë e artit vizual shqiptar dhe me rrugën nëpër të cilën kultura shqiptare duhet të fillojë të lëvizë.

EDI MUKA

SHKARKO APP