Erion Veliaj, drejtuesi i lëvizjes Mjaft tregon për “KJ” se cili është qëllimi i lëvizjes qytetare
(Botuar me 19 janar 2004)
Erion Veliaj, drejtuesi i lëvizjes Mjaft tregon për “KJ” se cili është qëllimi i lëvizjes qytetare
Zoti Veliaj, ka ditë që ndërsa popullariteti i Lëvizjes suaj po shtohet, reagimet e politikës në adresën tuaj gjithashtu shtohet. Nga se vjen kjo, sipas jush?
Ka dy lloj reagimesh nga politika, ato afruese dhe ato antagoniste, të përziera këto qoftë në grupimet pushtetare apo opozitare. Ne e kishim parashikuar që do të kishte tendenca të tilla, qysh në momentin që ne do të vendosnim të shfaqeshim si një faktor me peshë specifike të madhe, i cili lëviz masa të mëdha përkrahësish. Problemi është se ambienti i politikës së sotme shqiptare është ai i new farwest, ku gjerët ndahen bardhezi dhe ku nuk ka vend për ide të mëdha të parreshtuara në këtë apo atë llogore të politikës. Ky është një problem më tepër kulturor për ekzistencën e të cilit ne jemi të përgjegjshëm dhe i cili ka qenë thumbi i helmatisur që i ka zënë frymën për kaq kohë të gjitha përpjekjeve për të artikuluar një lëvizje të qytetarëve në opozitë të përhershme me këdo që është në pushtet.
Tendencat absorbuese dhe përfshirëse që shfaqën këto kur lëvizja MJAFT po tregon përmasën e saj të rrugës, janë po aq trishtuese sa edhe tendencat shpërfillëse të krahut tjetër të politikës. Ka pasur një numër reagimesh të cilat në mënyrë indirekte janë munduar të na shfaqin si një gjymtyre shtojcë të opozitës që synon të marrë pushtetin dhe kjo ndodhi sapo MJAFT u detyrua të tregojë “muskujt” duke mbledhur në shesh 5000 qytetarë. Për fat të keq, kjo provon edhe një herë se në skenën e politikës shqiptare ato që kanë rëndësi janë numrat dhe jo idetë. Ata që sot janë në pushtet, ia faturuan këtë lëvizje opozitës për t’u justifikuar para përkrahësve të vet. Opozitë e cila, nisur nga disa deklarata që ne kemi dëgjuar këto ditë nuk do t’i bënte naze “shërbimeve” të MJAFT. Ajo që nuk kuptohet në këtë mes, është se MJAFT nuk i përket askujt dhe nuk i ofron shërbime askujt, me përjashtim të qytetarëve.
Sa e rrezikon paragjykimi politik misionin e lëvizjes suaj?
Patjetër që e rrezikon. Ndaj edhe shprehemi dhe nuk do të ngurrojmë kurrë ta bëjmë këtë se për sa kohë që lëvizja MJAFT pohon hapur, qartë dhe pa nënkuptime, pavarësinë e saj politike, qytetarët duhet të jenë të qetë se në rastin tonë nuk do të kenë të bëjnë me vegla që lehtësojnë marrjen apo mbajtjen e pushtetit të askujt.
Ku ndryshon sipas jush Lëvizja “MJAFT” nga Zyra e Mbrojtjes Qytetare?
MJAFT që nga emri i saj, është një lëvizje. Lëvizje do të thotë të jesh përditë në kontakt me njerëzit, të dëgjosh çfarë thonë ata, të dalësh në rrugë për ta, të kapësh nga xhaketa zyrtarët për këta njerëz, mision ky i cili, natyrisht, nuk mund të realizohet vetëm nëpërmjet konsulencës së dobishme, por sipas përvojës shqiptare, jo përherë të efektshme, të një zyre. Realiteti shqiptar ka nevojë për një shkundje shumëplanëshe. Ai ka nevojë si për energjinë dhe kreativitetin që gjenerojnë djemtë dhe vajzat e reja të lëvizjes MJAFT, ashtu edhe për atë që ne e quajmë “lufta nen për nen” me parregullsitë ligjore që zhvillojnë kolegët e CAO. Ne e çmojmë realisht punën që kolegët tanë të Zyrës së Mbrojtjes së Qytetareve kanë bërë në këto kohë. Një lëvizje si MJAFT është përfshirëse dhe aspak përjashtuese e kontributeve të zyrave të shumta të cilat luftojnë për të njëjtën kauze, ndonëse me mjete të kufizuara.
Cila është struktura organizative e MJAFT-it deri në këto momente?
MJAFT ka një staf qendror prej 6-7 vetësh, disa koordinatorë në rrethe, mbi 500 vullnetarë të regjistruar për aktivitete të ndryshme dhe rreth 6,000 anëtarë aktivë në shumicën e qyteteve të Shqipërisë. Periodikisht MJAFT këshillohet me një grup shqiptar të vendit dhe diasporës dhe një grup tjetër ndërkombëtar të përbërë nga përfaqësues të trupit diplomatik.
Deri ku mund të shkojë mirëkuptimi juaj opozitën dhe ku ndaheni gjithashtu në këtë mirëkuptim?
Nëse quani mirëkuptim këtë që po ndodh në këtë rast me opozitën, atëherë çfarë duhet ta quajmë reagimin e menjëhershëm që kërkesa e MJAFT për rritjen e buxhetit të arsimit gjeti nga pozita? Këtu nuk bëhet fjalë për aleanca. Misioni i MJAFT është i pandryshueshëm: Gjithçka në interes të qytetarëve. Nëse aspiratat e opozitës ose të pozitës, qëllon që përkojnë përkohësisht me këtë mision në kohë të ndryshme, kjo tregon që MJAFT është bërë imponues dhe i qëndrueshëm. Ata që duhet të korrigjojnë “shënjestrën”, janë të tjerë.
A ka tendenca manipuluese në lëvizjen tuaj dhe nga vijnë ato nëse ka?
Nuk ka asnjë tendencë apo prirje të tillë, ndonëse njerëzit që përfshihen brenda kësaj lëvizjeje i përkasin një larmie shkollash mendimi, kulturash politike, shtresash sociale apo gjeneratash. Ajo që ne vërejmë me kënaqësi është se tek MJAFT ka diversitet mendimi, tolerancë dhe fleksibilitet produktiv.
Cilët janë shembujt që udhërrëfejnë lëvizjen tuaj? (Është fjala nëse keni një referencë homologe me lëvizje të ndodhura jashtë shoqërisë shqiptare, në vendet eruoatlantike.)
Lëvizje të ngjashme janë projektuar në Argjentine, Kili e Afrikë të Jugut. Lëvizje deri diku të ngjashme me MJAFT ka qenë OTPOR në Serbi dhe La Rete në Italinë e Jugut. Pikat e përbashkëta qëndrojnë në misionin për të nxitur reagimin qytetar dhe për të rehabilituar sensin e protestës.
Nëse lëvizja juaj do të vijojë me mbështetjen masive popullore dhe do të imponojë ndryshime qeverisëse, cili do të jetë pozicioni i drejtuesve të kësaj lëvizjeje pas këtij çasti?
Ne do të përdorim të gjithë energjinë që mund të akumulohet nga mbështetja masive popullore, për t’i shërbyer qëllimit tonë fillestar, rritjes së presionit ndaj qeverisjes kombëtare dhe lokale në favor të interesave të qytetarëve, votuesve dhe taksapaguesve shqiptarë. Dhe ashtu siç kemi bërë gjer më sot, do ta përdorim këtë masivitet për të rrëfyer imazhin e një Shqipërie tjetër, asaj që nuk trafikon, korrupton apo kriminalizohet. Deri diku kemi arritur të ndryshojmë këtë fytyrë të Shqipërisë në botë.
A do të kërkoni ju pas kësaj, si drejtues të një lëvizjeje që dha rezultate, të merrni përgjegjësi si administrues?
Jo, jo administrues në sensin politik të fjalës, por administrues të opinionit publik dhe reagimit qytetar. Për këto të fundit mbetemi më se të përkushtuar.
Intervistoi: Edlira Prenga