Erion Veliaj: Kur Meros i mbetet Derri Maç në dorë
(Botuar me 26 tetor 2005)
Kur Meros i mbetet Derri Maç në dorë
Nga Erion Veliaj
Në shkrimin e djeshëm tek “Tema”, Mero Baze, ish-pronar i gazetës, tashmë e shitur pronarëve të Tajvanit, del në mbrojtje të projektit të kazinosë. Në fakt s’e di saktësisht shumën që kanë paguar pronarët e Tajvanit, disa thonë marramendëse, dhe e tillë duhet të jetë gjersa i ka marrë mendjen Meros, kësisoj duke i shkaktuar sklerozë profesionale, e për më tepër deficit të integritetit. Pse e them këtë? Po ja për shembull, lexoni ç’shkruan zoti Baze në 15 shkurt të këtij viti:
…oferta për kazino është bërë në shtypin ndërkombëtar nga qeveria shqiptare, ndërsa godina në qendër të Tiranës rezulton të jetë e një grupi biznesmenësh shqiptarë. Ky burim serioz dhe faktet që ka opozita (PD-ja) për aplikime të punonjësve të rrjetit të kazinove “Hyatt Regency Perth” në Tiranë, janë argumente të mjaftueshme që të nisë një hetim serioz… ka plot dyshime se pas grupit partner fshihet vetë kompania e gruas së kryeministrit ose biznesmenë të afërt me të, dhe kjo është shumë më e rëndë se sa fakti që Fatos Nano ka humbur para në kazinonë e Selanikut. Dihet se kur hyn në kazino, për të humbur hyn, dhe nuk ka rëndësi nëse të filmojnë duke paguar para apo jo. Teatralizimi (nga Berisha) i këtij fakti të hidhur që ka shumë gjasa të shndërrohet në një skandal financiar në Shqipëri… Ky emër, kjo fytyrë dhe këto para, (pronarët e godinës pra) janë shumë herë më tronditëse se skena e pagesës së rëndomtë të Fatos Nanos në kazinotë e botës, nga Selaniku në Atlantic City. (shtojcat në kllapa janë të miat).
Shefi i kuadrit de facto i qeverisë së re s’është aspak profesional kur krahason pastërtinë e biznesit që tashmë pronëson gazetën “Tema” me projektet e MJAFT-it. A mos po aludon se ata të cilët me pështirësi i përmend më lart qenkëshin më të pastër se një duzinë përfaqësish perëndimore që kontribuojnë për MJAFT-in?
Apo mos po thotë, se ashtu si ne të MJAFT-it dhe ai biznes kontrollohet nga kompani të njohura të auditimit?
Më mirë akoma, ku janë kontratat e punës për gazetarët e “Tema”-s, të cilët terrorizohen për të shkruar mashtrime siç i vjen për mbarë Meros? A do dalë Mero Baze t’i mbrojë dhe ata? Po ky Mero, që kthen fjalën e paradomuajve e u shet gazetën po atyre që e rrahën dhe e bënë peshk në jug, aludon se MJAFT-i po shitka dinjitetin për prona? Si mund të jesh kaq i paturp, kur teksa ke pyetur gjithë Tiranën se ku mund të ketë ndonjë banesë Erion Veliaj, e s’ke gjetur asgjë pasi ende s’po kualifikohem për kredi, të mbetet të përdorësh një bllof të rëndomtë e të konspirosh për çdo gjë që qejfi do ta kishte të ishte e vërtetë, por që realiteti ta mohon. Në fakt, harrova, ne kemi pasur oferta për prona, dhe për shuma marramendëse me 6 shifra dollarësh, por emrat e ofruesve zoti Mero i ka në aktin e shitjes së gazetës së tij, dhe emrat e sekserëve të paturp i ka përreth tavolinës, që si ai, kanë ndërtuar një karrierë të rreme si gazetarë “të pavarur”.
Po le të kthehemi në temë. Mero Bazes, realisht nuk ia ndien për kazinotë e vogla. Ky është thjesht një shfajësim për ta zhvendosur vëmendjen nga Kazinoja e Madhe e personalitetit të tij të vogël. E them këtë sepse ka pasur gjithë kohën në dispozicion për ta bërë këtë punë, e për të protestuar fillimisht tek ish-bar Fiesta ku çdo kalimtar i rëndomtë ta bën lidhjen me familjen e pushtetit të sotëm.
Po ky do ishte një konspiracion si i Meros kur thotë se MJAFT-i lë rrogën në kazino, ndaj e lëmë mënjanë këtë argument banal. Po ajo që s’mund të lëmë mënjanë është hipokrizia e deklarimit se misioni i MJAFT-it paskësh ‘dëshira për të futur në konflikt qeverinë me diplomatët amerikanë. Cilët diplomatë? Ç’është ky mit urban dhe mashtrim ordiner se Ambasada Amerikane paskësh qenë mbrojtëse e këtij projekti? Tregomani këtë prononcim ju lutem. Sepse të vetmit amerikanë të deklaruar publikisht dhe kundër kazinosë, kanë qenë Senatori Brownback që kryeson Komisionin e Helsinkit dhe Kongresmeni Eolf që drejton Komisionin e Buxhetit. Këto trillime që tallen me kompleksin që ne kemi ndaj të huajve i kanë hije Bar Westit, por përtej saj ngjajnë qesharake. Po pra po, qesharake, sepse është po ky Mero që në datën 19 Shkurt, në ballinë të gazetës TEMA shkruan: “Kazinotë, fitojnë dy grekë, humb shqiptari dhe USA”, e si me magji rezulton se njëri nga dy grekët është bërë amerikan gjatë kësaj vere. Kështu duhet të jetë, sepse po në atë datë Mero deklaron se … “Modeli grek për kazinotë në Shqipëri mund të krijojë krizë në tregun e lojërave të fatit dhe kontrollin mbi ‘cash’-in në vend” dhe përkarshi komenton: “Pothuajse gjithë vendet perëndimore kanë adaptuar një legjislacion, i cili nuk lejon kompani të huaja që të ushtrojnë veprimtari në fushën e kazinove. Shumicën e fitimeve nga kazinotë i merr shteti dhe ato janë tërësisht kompani vendase. I vetmi model problematik në fushën e kazinove, është modeli grek, i cili është dhe më i kritikuari në botë. Në Greqi, kazinotë u hapën si stimulim i korrupsionit politik dhe fshinë nga tregu lojërat e vogla të fatit duke krijuar monopole. E njëjta sitùatë duket se do të përsëritet në Shqipëri.
… Pas kësaj ne do të kemi një përqendrim të lojërave të fatit tek një kompani greke, me rrezikun e përhershëm që përveç pastrimit të parave, të kemi dhe riskun e transportit drejt Greqisë të ‘cash’-it shqiptar”.
A duhet të shtoj më apo mjaftojnë fjalët e vetë Meros për investimin “amerikan”? Apo të rrëmojmë prapë në arkivat e botimeve të Meros pas 97-s ku publicistika e tij ngjan më shumë me “Rrezikun Anglo-Amerikan për Shqipërinë”?
Nuk paskemi reaguar për të katër kandidatët? Patjetër që Mero nuk e di, sepse pasi folëm në shkurt në disa televizione dhe kur u takuam me banorët e Shallvareve dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Financave për të prezantuar shqetësimet e argument et (Gazeta TEMA, 4 Mars), ky zotëri vegjetonte në Rogner dhe e luftonte korrupsionin e qeverisë Nano me filxhan në dorë.
Më në fund akuzohemi se duam t’i shtojmë lajm negativ në bursën ndërkombëtare qeverisë së Shqipërisë. Po s’besoj se kryeministri të jetë aq i mefshtë sa të mos kuptojë se lajmi kryesor negativ në këtë bursë është nami se Mero, dora vetë, shërben si shef kuadri për të gjithë lëvizjet e personelit në administratë. Ja ku mund të ndërhyjë kryeministri për të ndryshuar kuotat negative në perceptimin e qeverisë së tij.
E për ta mbyllur, MJAFT ka evokuar në çdo rast për kontrollin e rreptë të të gjithë kioskave të lojërave të fatit, pa përjashtuar askënd. Pretendimet e Meros të ngjajnë me atë të Blend Klosit kur drejtonte njësinë antitrafik, sipas të cilit shoqëria civile duhej të bënte më shumë në kapjen e trafikantëve. Posi, patjetër, sapo të marrim nën kontroll policinë dhe burgjet do t’u biem nga pas, i thoshim Klosit atëherë. E me të njëjtën përgjigje ja presim dhe Meros sot. Po zotëri, kontrollojini rreptë kazinotë e çdo madhësie. Sepse sot policinë e shtetërore, financiare e ndërtimore e kanë në dorë ata me të cilët Mero eglendiset tërë ditën.
E sikletshme kjo situatë për Meron, sepse në këtë lojë bixhozi ku ka hyrë me pozicionin e tij si botues e opinionist krejtësisht i VARUR dhe me përballjen me deklaratat e tij të pamohueshme jo vetëm që i ka rënë një dorë shumë e keqe kupash -kupa të cilat po i skuqin faqen gjithë qeverisë së re, por më keq akoma, në lojë i ka ngelur vetëm ai, i ziu, tersi vetë, Derri Maç.
- S. Ah se mos harroj. Mero, karikaturën në mes të shkrimit të djeshëm kundër MJAFT-it tek TEMA, e ke me dritëhijen e logos “Corbis” në sfond, të cilën kompania e njohur e imazheve e vendos për të treguar se imazhi nuk është blerë ligjërisht. Tani që ke gjysmë milionë euro, sikur s’e bën veten burri të vjedhë një karikaturë që vlen vetëm më pak se 10 dollarë.