Erion Veliaj: Mero Baze, më në fund dhe PD-ja ka gjetur Xhoanën e vet

(Botuar me 28 tetor 2005)

Mero Baze, më në fund dhe PD-ja ka gjetur Xhoanën e vet

Nga Erion Veliaj

Po e filloj me një falënderim për lexuesit e këtij shkrimi. Me gjithë zemër, ju faleminderit, të gjithë 300 e kusur prej jush, kryesisht punonjës të medias, që pardje më përshëndetët për shkrimin e parë në këtë dialog me Ymer Bazen (a. k. a. Mero). Unë e di që s’ia thek shumë për të shkruar, ama ndiej fort atë që shkruaj e dje kuptova se kësaj here atë që ndjeja unë e paskan ndjerë dhe shumë prej jush. Në fakt, jo se bie plotësisht dakord me sms-të pothuaj identike të gjithë komunitetit të medias “mirë ia bëre asaj plehre”, pasi nuk mendoj se Mero në vetvete është i tillë. Ai mund të jetë gjobaxhi, intrigant, e i paaftë, paçka se djallëzisht manipulues, por jo plehrë, kjo është e tepërt dhe s’dua ta besoj. Ama, besoj fort, se fenomeni që Mero përfaqëson është gangrenë jo vetëm e komunitetit të medias por e thelbit të vlerave tona si shqiptarë të 2005-ës. Mesazhet tuaja pardje më bënë të kuptoj se “personi” Mero përfaqësuaka një makth mbytës në rrethet tuaja, e si rrjedhojë “fenomeni” Mero po bëhet një ves i prapë i mbijetesës së pandershme në Shqipëri.

Dje, ata që u kuriozuan nga kjo replikë lexuan kundërpërgjigjen e Meros, që siç e quajti një kryeredaktor i njohur i lajmeve i ngjante një letre të një ish-dashnoreje të inatosur” me mungesë të theksuar argumentesh dhe faktesh. Po dje, Mero refuzoi të prononcohej bashkë me mua në TV KLAN, pasi në dallim nga gazeta, në ekran njerëzit ta shohin fytyrën, atë fytyrë që ndoshta ende skuqet e hundë që ndoshta ende rritet nga çdo rrenë. Mero nuk mundi, dhe s’kishte se si të ndodhte ndryshe, t’u përgjigjej argumenteve kryesore. Mero i Temës, i paaftë për të replikuar me argumente, është mjeshtër vetëm i devijimit nga “tema”. Ja pse:

Sepse Mero nuk ka ç’të komentojë për kontratat e munguara të gazetarëve të tij. Sepse Mero nuk ka se si të mbrojë ofertat 200,000 dollarëshe që na janë bërë nga pronarët e sekserët e tij për të mbyllur gojën, duke qenë se ai vetë s’kupton ç’do të thotë integritet. Në fakt, po m’i ofruan edhe njëherë do t’i marr do ia dhuroj Interpolit që të hetojë offshore-t e tyre në Qipro dhe Maltë.

– Sepse Mero nuk mund të mohojë që i quajti “grupe të dyshimta” pas Xhoit dhe Nanos pronarët dhe kumbarët e tij në këtë histori.

Sepse Mero nuk mund të justifikojë se si grekët që i akuzoi si aspiratorë të parave të shqiptarëve tanimë qenkan një kompani amerikane.

Sepse Mero nuk gjen dot fjalë të shpjegojë se si shpifi tavolinave se ata, ata pra diplomatët amerikanë, na paskëshin qenë mbështetësit e këtij projekti.

Sepse Mero nuk mund të kundërshtojë se MJAFT ka reaguar që në fillim të këtij procesi siç e kish botuar vetë TEMA e shkurt-marsit 2005.

Sepse Mero nuk diti të shpjegojë pse nuk i kërkon qeverisë aktuale të menaxhojë mini-kazinotë duke përfshirë atë pranë Bar “Fiesta” në bllok.

Dhe sepse Mero nuk ka ç’të thotë as në rastet banale kur kapet duke vjedhur pronë intelektuale nga fotogaleria “Corbis”.

Si“padashur” këto ishin argumentet që Mero as nuk i cek në palo replikën e tij. Një gazetar kaq të dobët nuk e gjen as në Burundi, oh sa i dobët. Ndërkohë, me zhdërvjelltësinë perverse që e ka kthyer në mjeshtëri, Ymer Baze shmang pyetjet e jargavitet pafundësisht me aludime infantile. Nuk paska hetues për universitetet e mia në SHBA e Angli? Shtyp në internet dhe do e gjesh internet quhet ajo gjëja Mero ku ti vjedh karikatura të të tjerëve.

Kemi abuzuar me Gallupin? A kujton se të beson më njeri, o i mjerë? Athua se Gallup International, që bën dhe Eurobarometrin ndër të tjera, do prishte imazhin për një kontratë në Shqipëri? A nuk e di se i kemi fituar të tria gjyqet me avokatët e tu për këtë çështje? A mos na fajëson pse sondazhet nuk kishin mendjen tënde perverse që të parashikonin Xhuvelin dhe gjithë butakët e tjerë të politikës shqiptare. A mos po thua se tre ambasadat kryesore në Shqipëri që morën njëkohësisht rezultatin janë blerë nga MJAFT-i? Të beson kush thua? Poja, të pyesim lexuesit. Nëse do ju duhej t’ia besonit portofolin dikujt, kë do zgjidhnit mes njërit prej ambasadorëve apo Mero Bazes?

Meron e akuzova si spiun të rëndomtë që zhbiron ku i kanë shpitë të tjerët. E Mero për t’u mbrojtur thotë “është paranojë e Erionit sikur të kem pyetur për vilat në Selitë”. Po unë s’thashë gjë për pyetjet e Selitës? Dhe të vetmen gjë që Gazidede u mundua t’ia mësojë Bazes, spiunllëkun pra, edhe aty, në zanatin më të ulët të botës, Ymer Baze është një dështak i paparë.

Fondacioni MJAFT qenka si i Sudes? Nuk e dija që Maarti Ahtisaari themeloka të tilla fondacione, po do sigurohem që t’ia them tani që e kemi më shpesh në rajon. Jam që jam, po i them dhe për ato piramidat që shokët e tij administruan para se të bëheshin milionerë e kështu kompletohet fotografia.

Po po, shqetësohu për sondazhet. Sepse ty Mero të bëhet shumë vonë për vullnetin e zgjedhësve. Si atëherë, në 2001-shin kur kandidoje për PD-në në Zonën nr. 26 në Durrës, e ndërsa PS-ja kish fituar vetëm 35.66% të votave si subjekt (Buletini i Zgjedhjeve Parlamentare, 24 Qershor 2001, faqe 253-257) e qytetarët e djathtë të kishin votuar ty në parlament, ti i zhgënjeve, ti pshurre besimin e tyre, more 30,000 Euro nga Gazmir Bizhga dhe nuk e ankimove vendimin. Oh sa turp, sa turp! Moooooos! Ndoshta nuk e di Doktori këtë??? Se po ta dijë ai që ti je Judasi që e shet sovranin (popullin) për 30 monedha floriri, e po të ketë burrni, ai të sikteris atje ku ti nuk riciklohesh dot më në jetë publike.

Po tani ndoshta është shumë vonë, as Doktori nuk ka ç’të të bëjë më. Sepse Mero, dhe fenomeni që ai përfaqëson, është shumë i fuqishëm, ai cakton ministra, ambasadorë, drejtorë, ngre trarë doganash, të pushon nga puna. Ai bëhet garanci për investitorë, pretendon lart e poshtë se është “qafa” që rrotullon kokën e Kryeministrit. Ç’dështim i parathënë ky për investitorë që kanë Meron sekser, e ç’turp për një Kryeministër që premtoi se do na çlironte nga “malavita”. E vetmja gjë që kemi mësuar nga historia është se nuk kemi mësuar asgjë nga historia. Ja ku jemi, pas ndryshimit të madh, asgjë s’ka ndryshuar, sepse tani dhe PD-ja e duarve të pastra e ka tashmë Xhoanën e vet, quhet Ymer Baze.

Së fundi, më duhet ta pranoj, i vetmi i marrë në këtë histori jam unë, që harxhoj një orë nga dita ime tashmë e mbingarkuar dhe merrem me dikë si Mero Baze. Ai duhet injoruar një orë e më parë. E ndonëse ai nesër do prodhojë vrer prapë, po kështu pasnesër, e prapë çdo ditë, vë bast po nuk qe kështu, ai duhet injoruar. Dhe kur “investitorët e tij të merren pafundësisht me MJAFT-in, siç na çuan fjalë (po çuna, na erdhi llafi, faleminderit për publicitetin) duhen injoruar. Duhet injoruar i gjithë mentaliteti se në Shqipëri nuk jetohet po nuk e shite nderin e po nuk aplikove “gjobën”.

Andaj, ndjesë o miq për këtë shkrim të fundit për Meron, është i fundit vërtet.

  1. S. Meros i ka mbetur aq pak dinjitet sa harron kur komunikova me të nga Anglia për ta ngushëlluar në ditën e rrahjes së tij nga pronarët e tij të tanishëm. E dje pretendon se s’u kujdesëm për rastin e tij. Komunikova me të sepse m’u dhimbs vërtet, ndonëse i prapë, ai mbetet një njeri. Ndaj, jo vetëm s’uroj që të vdesë, siç insinuon ai, përkundrazi, uroj të ketë një jetë të gjatë e të bëhet plak i moçëm. Që kur djali im të jetë bërë sa jam unë sot, të kem mundësi ta shtrëngoj prej krahu e t’i tregoj me gisht plakun Mero që kërruset për intrigën e radhës, e t’i them “Biri im, shihe atë mjeran, e mos e dhëntë Zoti ta kalosh jetën si Ymer Baze”.

SHKARKO APP