Erion Veliaj: Të ndalojmë jetën, nga frika mos vdesim
(Botuar me 20 tetor 2005)
Nga Erion Veliaj
Ç’të bëj mor Erion, thotë Petro, kam makinë familjare VE Sharon, me xhamat e pasme të errët për dy binjakët e vegjël që më duhet t’i lidh në sediljet e pasme e t’i mbroj nga dielli. Po pse, Hana dhe Joni 6-muajsh i shtojnë krimet e këtij vendi? Si të gjithë të tjerët, Petro duhet ta transformojë makinën e tij, duke shkëmbyer një pjesë të lirisë e privatësisë së vet për të zbatuar urdhrin e ministrisë së Brendshme. Sipas kësaj logjike, impotenca në kapjen e kriminelëve duhet të kompensohet me heqjen e lirive të qytetarëve. Me po këtë logjikë, ata që përdorin motorë uji apo skafin për të vajtur në Gjipe, gjithashtu duhet të kompensojnë paaftësinë e policisë për të përdorur radarë në ndrydhje të përdorimit të pronës së tyre legjitime për argëtim personal. Po kështu, dobësia e shtetit për të kontrolluar subvencionet e akcizës së naftës, penalizon fermerët që janë tashmë të rrënuar nga një treg i huaj e marrëveshje tregtare pas të cilave nuk konkurrojnë dot në treg.
Më tej, pafuqia e shtetit për të menduar një zgjidhje të arsyeshme e të matur për legalizimet do të çojë në kompensimin e ish-pronarëve me taksat e ‘ne të tjerëve që ende ëndërrojmë një vilë trekatëshe si ato në kthesë të Kamzës. E, më pas prapë, ne të tjerët, do të paguajmë edhe një herë që të kompensohen pronarët e tanishëm kur shteti të duhet të ndërtojë shkolla, kopshte e rrugë në pronat e tyre të sapolegalizuara. E, së fundi, dështimi në bërjen zap të minikazinove në Tiranë, përfshi dhe atë tek muga “4 Dëshmorët” në bllok, duhet të justifikojë hapjen e një kazinoje edhe më të madhe? Ende nuk kuptohet ku është fryma liberale në këto politika të ditëve të para? A mos është frymë liberale të kufizosh privatësinë, lirinë e pronën e tjetrit? A është liberale ideja e shtetit që kompenson pa fund me ngut pronat e zaptuara të tjetërkujt? A s’është kjo rritja e shtetit e a nuk duhej që të ishte “dora e fshehtë e tregut’ që i zgjidhte këto dilema? Apo jemi liberalë veç për lirinë e biznesit të kazinosë në mes të Tiranës, ndërhyrja në tregun mediatik të së cilës thuajse bllokon çdo shkrim apo lajm kundër këtij projekti në shumicën e mediave kombëtare? Xhanëm, kur vjen momenti që liberalët vdesin të punojnë në shtet, e gjithë retorika e mësipërme humb sensin. Ama së fundi, sipas kësaj logjike kufizuese, shumë shpejt do të duhet të ndalojmë ciklin riprodhues për frikë të Sidës, të mos marrim frymë për hir të ndotjes, e të ndalojmë jetën pasi konsumimi i gjatë i së cilës, detyrimisht na sjell vdekjen. Toleranca zero ndaj krimit duhet mbështetur, po kështu lufta kundër korrupsionit, trafikut, e kontrabandës, por taksat e Petros e gjithë qytetarëve mundësojnë të vini në përdorim radarë, policë e burgje me qëllim që t’i mbroni, e pikësëpari të mos u shkelni të drejtat e liritë elementare, liberalë të djathtë a megalomanë autoritarë qofshi. Paaftësia juaj nuk është problemi ynë.