Erion Veliaj: Pardesyja e Marianës

(Botuar me 7 dhjetor 2005)

Pardesyja e Marianës

Nga Erion Veliaj

Të dashur miq liberalë të djathtë, në Kryeministri, ministritë e linjës, në gazetat e qeverisë a kudo qofshi. Fillimisht ndjesë për letrën e përbashkët, por s’besoj t’ju kem cenuar. Herën e parë që hodhëm shashkat e këtij debati, 5 prej jush ishit përballë meje në një televizion kombëtar, e që atëherë, përveç punësimit të shumicës tuaj në qeverinë “Berisha”, pak ka ndryshuar nga qëndrimi në grup. Kurse unë ju mbaj mend si tani, pranverës që shkoi, ishit disa të rinj të shëndetshëm, të cilët çdo pasdite tek bahçja e shtëpizës sonë në rrugën e Elbasanit nr.77, mblidheshin për të ndarë me ne në diskutime miqësore, shqetësimet e natyrshme ndaj keqqeverisjes së socialistëve dhe kryeministrit abuziv Nano.

Sinqerisht ju falënderoj për shpotitë, marritë dhe fantazitë – të gjitha të nevojshme këto dhe për MJAFT-in, që do duhet të mbijetojë në një realitet ku këto janë normë më shumë se sa përjashtime. Largojmë që nga fillimi i kësaj letre ato që janë të tepërta. Të akuzosh MJAFT-in se paska “shumë fanse vajzash të reja” apo se “takohet me Ahtisaarin, Sorosin, Van der Linden e funksionarë të lartë të huaj”, në rastin më të keq tregojnë një kompleks të theksuar inferioriteti, në rastin më të mirë janë forma tepër të cekëta të retorikës publike me të cilat, të më ndjeni, po nuk mund t’i adresoj unë sepse nuk përbëjnë probleme të miat.

Por, po aq sinqerisht duhet të pranoj dhe disa vërejtje të drejta tuajat. MJAFT-i mund të bëjë më tepër për të rritur përfaqësimin publik. Po bëjmë çmos që kjo të ndodhë. Në dy vite e pak punë, kemi ngritur një grup këshillues të përbërë nga rreth 50 personalitete të jetës publike në Shqipëri të cilët përfaqësojnë një larmi interesash dhe përvojash në fusha të ndryshme. Ka shkrimtarë të njohur, ekonomistë, ekspertë ligjorë, urbanistë, autoritete të medias dhe shoqërisë civile. Këta individë janë bazë për një barometër të interesave publike, ndonëse jo të pagabueshëm gjithnjë. Në vitin e fundit, MJAFT ka ngritur me sukses një rrjet të klubeve qytetare, 12 brenda Shqipërisë dhe rreth 10 klube jashtë vendit.

Ndonëse në pjesën më të madhe klubet tona ndjekin prioritete në nivel lokal dhe kanë grupet e tyre këshilluese, janë pjesë e konsultimeve periodike kur MJAFT-i përcakton një synim më të gjerë, fjala vjen kur ka lobuar me sukses dy vjet radhazi për buxhetin e arsimit, apo importin e plehrave, çmimet e Telekomit dhe furnizimin me energji elektrike. Jo rrallëherë kemi anketuar publikun për çështje të caktuara si ndërtimi i kazinosë (sondazh i kryer ky nga një koleg juaji, fillimisht organizues i grupimit liberal), herë të tjera jemi bazuar në kërkime të përvojave ndërkombëtare siç ka qenë fushata për uljen e buxhetit në parlament, apo puna me shoqatat e komunitetit të Bathores dhe Kënetës për të mundësuar artikulimin e disa kërkesave bazë për urbanizimin dhe legalizimin e vendbanimeve, arsye këto që i përmendëm gjatë debatit për këtë çështje të fundit. Këto ndonëse forma të papërsosura të demokracisë plebishitare janë sigurisht të mjaftueshme për të krijuar gjykime që gjenerojnë një aksion publik. Në një kohë jo shumë të largët shpresojmë të implementojmë ‘formalitetet për të cilat ju miq kaq shumë predikoni, por kurrë nga partia juaj nuk i pretendoni e që shumë organizata tepër të njohura si Amnesty International, Grupi Ndërkombëtar i Krizave dhe Transparency International s’i kanë pasur ndonjëherë.

Megjithatë, partia juaj nuk është standard për matjen e demokracisë së brendshme, dhe nëse është, është standard tepër i ulët. Ndaj po përpiqemi fort, që në vitin e 3të të Lëvizjes sonë ta tejkalojmë demokratizimin që partia juaj ende nuk e ka arritur pas 15 vitesh.

Ne sigurisht u jemi shmangur argumenteve tuaja, sepse në pjesën më të madhe kanë qenë një nonsens total. MJAFT-i pretendon se publiku formal’ rëndohet pa të drejtë me pagesën për ish-pronarët dhe se ai ‘informal’ nuk përfiton pa u urbanizuar. Ju na quani “maoistë”. Ç’argument është ky? MJAFT-i, së bashku me figura të njohura dhe komunitetet fetare e banorët e Tiranës argumenton se kazinoja vjen me probleme sociale, ekonomike dhe të rendit publik. Kurse media të caktuara, pronë e kazinove, miqtë tuaj dhe besnikë të Berishës, është normale të implikojë në festa të shfrenuara në kazino, apo edhe orgji, ndërkohë që deri para zgjedhjeve përdornit po të njëjtat arsye antikazino për fushatën tuaj elektorale. Ç’argumente janë këto? MJAFT-i denoncon korrupsionin me transferimet e paligjshme të studenteve Jorgo e Thanas nga Prishtina e Tetova pas thirrjes se kryeministrit për denoncime, kurse ju na quani “antishqiptarë’. Ju lutem, sërish, ç’argumente janë këto? Si të mos u shmangesh këtyre ‘argumenteve’? Mendimi im miq, është se liberalizmi që ju predikoni, përveçse është “cut and paste” pa pasur aspak parasysh kontekstin lokal, është ‘utilitar dhe jo vleror’. E thënë shqip, ju predikoni liberalizmin si një mënyrë e mirë për t’u katapultuar në makinat me Z dhe jo si besim në një sistem vlerash. Ndryshe nuk shpjegohet heshtja juaj e rëndë kur qeveria konfiskoi padrejtësisht pronat, pula a motorë uji qofshin këta, kur ajo përdor paratë publike për kompensime jashtë çdo kriteri të “laissez faire” kapitalizmit, kur qeveria harton një buxhet kryekëput një shteti komunist’ sipas deputetit Ngjela apo kur qeveria refuzon të respektojë vendimin e gjykatave sa herë bie ndesh me opinionin e udhëheqësit. Si ka mundësi që emërimet në administratë dhe shitblerjet e medias ishin të gabuara për ju vetëm kur i bënte vetëm PS-ja dhe tani jo PD-ja? Hayek-u po rrotullohet në varr nga dorëzimi i heshtur i kauzës tuaj, ndërkohë që këto mund të ishin fare mirë temat për të cilat ja vlen të debatohet, sesa debati mbi debatin e asaj që bën MJAFT-i. Sigurisht, organizimi prej jush i asaj tryezës me Berishën në fillim të këtij viti ishte arritje e madhe, shumë e madhe, e madhe fare, por që prej asaj kohe përveç refuzimit apriori të secilit aksion të MJAFT-it, s’di më se kë përfaqësoni e ç’ideale mbroni?

Sot, besoj, se shumë debate nuk shihen veçse në bikolorin tuaj akademik të kuq e blu. Energjinë e munguar elektrike e kërkojnë si të majtë dhe të djathë, ndihmë nga përmbytjet duan si demokratët dhe socialistët, më shumë buxhet për arsimin meritojnë si FRPD-istët dhe FRESSH-istët. Ndaj, për po këto çështje për të cilat dje na përkrahnit, sot nuk mund të na kryqëzoni, sepse në rastin më të mirë kjo do të quhej hipokrizi. Por le ta pranojmë, MJAFT-i nuk i leverdis më kauzës suaj pas zgjedhjeve, sepse siç e pranoni MJAFT-i ka tepër ‘pushtet publik, mediatik dhe ndërkombëtar’ e si i tillë tashmë që lideri juaj është në pushtet nuk meriton të bezdiset nga lëvizje që nuk organizojnë votime çdo orë për çdo vendim që merret. S’ju duken qesharake këto arsye?

Mundoheni pafundësisht të përkufizoni MJAFT-in si të majtë, jo sepse është i tillë, por sepse veçse duke u etiketuar i tillë mund të anatemohet mjaftueshëm për t’ju dhënë ju një kauzë. Ndaj, sa mirë që ekzistojmë që të mund t’ju sigurojmë dhe simbiozën tuaj. Po si mund të jetë MJAFT-i i majtë, kurse ish-zyrtarë të qeverisë “Nano”, sot në kabinet me z. Berisha, paskëshin qenë e djathta e vërtetë? A s’ju duket qesharak fakti se mentori juaj, burrë i respektuar e tashmë shef kabineti i kryeministrit, anatemohej me po këtë frymë ‘të gjeneralit grek të 97-s’ kur ishte ministër Drejtësie i z. Nano e se gjysma e kabinetit tuaj sot, ata më të aftët si Pollo, Ruli e të tjerë u larguan nga Berisha si profesorë të korrupsionit e plot marrëzi të tilla. Uroj që MJAFT-i t’ju japë pikërisht këtë, alibinë e ‘armikut për të justifikuar luftën tuaj. Ajo që nuk kuptoj unë është se ku e gjeni ju të drejtën të flisni me bindje për hamendjet tuaja. T’i trumbetoni ato me megafon si të ishin të vërteta të pakontestueshme dhe pastaj të ankoheni nëse dikush ju shkund nga ëndrra dhe zbuloni se realiteti është krejt tjetër.

Sigurisht, distancohem nga ata që ndonëse me argumente të shëndosha pro-MJAFT-it, mund të kenë kaluar cakun e etikës në replikat ndaj jush. Por nuk pranoj t’i etiketoni si anonimë ata që çdo ditë shkruajnë përkrah emrave tuaj. Fakti që këta djem nuk kanë nevojë për një yllëz shpjeguese pranë emrit apo si drejtuesit e mediave tuaja nuk vënë emrat e gazetareve të përulura dhe pa kontratë poshtë çdo shkrimi denigrues për kundërshtarët, nuk janë arsye të mjaftueshme për t’i anashkaluar. Për më tepër, disa prej jush hanë bukë e flenë gjumë në anonimitet të plotë të kompleksuar dhe nga emrat tuaj të lindjes ndryshuar nga rilindas në mbretër anglezë, por kjo s’ka qenë arsye për t’ju kundërvënë, apo jo? Ndoshta, z. Kosturi dhe Memia ju ndihmuan të kuptoni se ka edhe shumë njerëz të tjerë të lodhur nga kori juaj i pandërprerë i kërkesë llogarisë ndaj Mjaft, a thua është mjaft pjesë e qeverisë dhe jo ju. Athua nuk kishte edhe në kohën e Fatos Nanos letra anonime që u dërgoheshin ambasadave të huaja apo donatorëve tanë për të na i prerë financimet, njëlloj siç bëni edhe ju tani. Ky shkrim është një epilog i atij debati që s’ndodhi kurrë, jo sepse s’kish vullnet, por sepse replikat tuaja nuk ballafaqoheshin me çështjet e rëndësishme që ngrinte MJAFT-i por me disa modalitete e teknikalitete mbi pse, qysh, tek, si, kur, sa, duhet të reagonte MJAFT-i. Është kësisoj e pamundur të debatosh me spektatorë të aksionit tënd, që kurrë nuk duan të futen në fushë e të disa aktorëve paralegale, që jo vetëm operojnë të paregjistruar, të papërfaqësuar dhe aspak kontribues në sistemin e taksave, por as nuk kanë interes të jenë të tillë. Ndaj miq, si rrjedhim ju kurrë nuk do të shkoni në Bathore për të mësuar nevojat e atij komuniteti, kurrë nuk do të shkoni në parlament për të evokuar rritjen e buxhetit për arsimin, e kurrë nuk do të denonconi asnjë akt korruptiv që mund të cenojë interesat e shefave tuaj.

Ju miq, sigurisht do të përgjigjení përsëri, e do na flisni pa fund për proces, proces, proces, ndërkohë që shumica e njerëzve sot duan produkt, produkt, produkt – por këtu po ndaloj, se rrezikoj të tingëlloj më i djathtë se ju e të dal jashtë kornizës ku do dëshironit të mbetesha. Ndërkohë unë, dhe besoj shumë nga kolegët, nuk do ta vazhdojnë më këtë replikë me ju, sepse kemi kuptuar, ndoshta me vonesë, se i vetmi rezultat i kësaj vara-vingoje është humbja e kohës dhe vëmendjes tonë nga çështjet e shumta që kemi ngritur. Ndaj dhe besoj, se pjesërisht e keni arritur fitoren në këtë debat, urime, po do ngelet me kaq. Ajo që unë dua të bëj përmes këtij shkrimi që nuk merr përsipër të vetëkualifikohet me emra bombastikë si letër e hapur, apo debat publik, është t’ju bëj një ftesë miqësore. Ejani më shpesh tek bahçja ku gjerbnim kafe dhe bisedonim miqësisht. Po ta shohim njëri tjetrin nga përballë dhe jo prapa kontrabandës së artikujve “kush e hedh më larg”, do të shihni se edhe pse ju u rreshtuat në politikë dhe jeni pjesë e qeverisjes, ne sërish s’kemi armiq personalë. Ndoshta çlirimi nga kjo ide fikse do t’ju lejojë më në fund të performoheni plotësisht në detyrën e qeverisjes së bashku me Partinë Demokratike. Veçse druaj, se MJAFT për ju tashmë është shndërruar në Marianën e Kadaresë tek Nata me Hënë, ku ca e urrenin se ish e bukur e ndillte djemtë, ca se ishte e deklasuar, ca se lexonte libra revizionistë e një femër e rëndomtë e urrente thjesht sepse Mariana ‘ma ha shpirtin kur e shoh me atë pardesy’. Por këto ditë është ftohtë djema, ca nga ne do duhet të mbajnë pardesy, paçka se inatçohen femrat e rëndomta. Sinqerisht, Eri

SHKARKO APP