Erli Murati: Kryeministër në ditën e Kurbanit
(Botuar me 22 shkurt 2002 në KOHA JONE)
Nga Erl Murati
Parlamenti shqiptar miratoi sot në orën 01:30 të mëngjesit qeverinë e rreme me në krye Pandeli Majkon. 81 deputetë votuan pro, 42 kundër, ndërsa 3 deputetë nuk morën pjesë në votim. Ish-ministrat Ilir Gjoni dhe Ben Blushi abstenuan në votimin e djeshëm, i cili u kontestua ashpër nga opozita. Deputetët e koalicionit opozitar Bashkimi për Fitore filluan të rrahin tavolinat me pëllëmbë, kur kryetari i Kuvendit, Dokle hapi procedurën e votimit. Parlamentarët e “BF”-së kërkuan që votimi të bëhej i fshehtë gjë që u hodh poshtë nga Dokle. Ish-kryeministri Meta votoi pro qeverisë Majko ndërkohë që dy deputetë të Partisë Demokrate abstenuan. Gjithsej tetë orë debate dhe diskutime të tensionuara për përbërjen dhe programin e qeverisë së re, detyruan parlamentin shqiptar të vazhdojë punimet deri në orët e para të ditës së Bajramit. Fill pas shpalljes së rezultatit, deputetët e pozitës duartrokitën përqafimin e kryeministrit Majko me ministren e Jashtme, Arta Dade. Ilir Meta nuk diskutoi dje në parlament për qeverinë e re, por së bashku me kryesocialistin Nano votuan pro “Majko 2”.
Maratonë parlamentare
I zhytur në poltronën e tij në mes të podiumit të Kuvendit të Shqipërisë, Pandeli Majko hapi gojën. Këtë radhë jo për të prezantuar programin e qeverise por sepse i vinte gjumë. Gjysmë i zënë në turp me një dore para gojës, kryeministri pa orën në momentin që akrepat u puthitën tek dymbëdhjeta. Deri në atë moment, kandidatit për kryeministër, Pandeli Majko iu desh të dëgjonte për gjatë gjithë ditës vërejtjet dhe denigrimet e figurës së tij dhe të ministrave nga deputetët e opozitës dhe ai e ndjente veten të lodhur. 90 minuta më vonë i qeshur dhe me një ecje të lehtë, Majko iu drejtua derës së daljes së parlamentit, duke lënë komplimentet e socialistëve nga pas.
Fillim i nxehtë
Parlamenti shqiptar debatoi dje për rreth tetë orë në lidhje me programin politik dhe përbërjen e qeverisë së prezantuar nga kryeministri Pandeli Majko. Në fillim të seancës kryetari i Kuvendit, Namik Dokle deklaroi se ai u kishte thënë disa deputetëve të opozitës që do të jepte dorëheqjen nëse Gjykata Kushtetuese jepte një vendim të ndryshëm nga ai që u komunikua dje paradite. Seanca e debatit ka nisur me një ndërhyrje të kreut demokrat Berisha, i cili kërkoi shtyrjen e seancës së votëbesimit në mënyrë që anëtarët e kabinetit të deklaronin para Kuvendit pasuritë e tyre. Kërkesa nuk u pranua pasi u vlerësua e qëllimshme nga ana e socialistëve. Berisha i ka thënë kryeministrit Majko që ai duhet të kthejë xhepat e ministrave mbrapsht për të parë nëse mes tyre ka ose jo abuzues. Lideri demokrat i la Kuvendit një orë kohë për të zhvilluar këtë proces. “Dosjet e korrupsionit të qeverisë tënde u vodhën nga sirtarët e tu”, iu drejtua ai Majkos.
Berisha u shpreh se kryeministri Majko vjen në parlament i zhvirgjëruar dhe i shpartalluar. “Unë nuk po bëj gjë tjetër veçse po kërkoj atë që kërkoi kryetari i partisë suaj, fshat më fshat dhe sallë më sallë”, tha ai. Propozimin e Berishës e kundërshtoi menjëherë kryetari i grupit parlamentar socialist, Arben Malaj, i cili reagoi edhe ndaj deklaratave të liderit demokrat kundër mazhorancës.
“Berisha mos të harrojë që në ’97 u vranë 1500 veta dhe shqiptarët humbën 600 milionë dollarë”, tha Malaj. “Unë vë re një tendencë për të penguar votëbesimin e qeverisë. Opozita le ta marrë iniciativën dhe pastaj do ta shqyrtojmë atë në komisione”, tha Malaj. I pari e ka marrë fjalën kreu i PS-së Fatos Nano, i cili u shpreh se “mazhoranca ka përgjegjësi për të arritur standarde bashkëkohore të qeverisjes së mirë dhe për të luftuar sëmundjet tradicionale e moderne të pushtetit”. “Rikonfirmojmë angazhimin politik për ta vënë shtetin në shërbim të qytetarëve përballë çfarëdo përfaqësuesi të klasës politike të tranzicionit që priren ta përdorin pushtetin në mënyrë abuzive”, tha ai.
Kryetari Nano tha se qeveria e kryeministrit Majko nuk është fryt i kompromiseve midis klaneve, por është produkt i një konsensusi përfaqësuesish të përgjegjshëm të mazhorancës. “Kjo qeveri ka marrë para Kuvendit dhe qytetarëve përgjegjësi të plota për ta larguar vendin nga harta e krimit të organizuar dhe e trafiqeve, për të luftuar fenomenet e abuzimit me pushtetin dhe korrupsionit të trashëguar”, vuri në dukje ai. Nano shtoi se opozita nuk mund të jetë e gatshme për të ardhur në pushtet me politika të tilla arkaiko-infantile të fillimit të pluralizmit.
Kryesocialisti kërkoi më tepër transparencë në qeverisje dhe premtoi se do të kërkojë afrimin e opozitës dhe të njerëzve nga shoqëria civile në drejtimin e vendit. Ai kërkoi gjithashtu ndalimin e abuzimit me pushtetin dhe shtoi se nuk mund të qeveriset me kostume ndërkombëtare të qeverisjes.
Votat kundër
Deputeti i Partisë Demokratike, Spartak Ngjela e quajti qeverinë qesharake për nga qëllimet që ka i vënë vetes. “Programi i kësaj qeverie është një porkeri”, tha ai duke shtuar se kishte gjetur në program plot gabime dhe se ai nuk ndryshonte shumë nga programi i qeverisë Meta. Duke folur për zhvillimet në Partinë Socialiste dhe duke i lidhur ato me qeverinë e drejtuar nga Majko, Spartak Ngjela iu drejtua socialistëve se “ju po bëni një referendum partiak për të nxjerrë një sekretar të parë dhe një president me kasketën e Iliçit. Por ne nuk mund të pranojmë një president me kasketën e lliçit”. Nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli deklaroi dje se qeveria që po prezantohej në radhë të parë është një qeveri jokushtetuese. Ajo tha se duke lexuar programin e qeverisë Majko, shihen plot gabime si p. sh. objektiva që “Majko 2” i ka vënë vetes për t’i realizuar brenda vitit 2001.
Deputeti i PDK-së, Nikoll Lesi shpalli dje publikisht votën kundër qeverisë Majko. “Kjo është një qeveri e detyruar të përballet me rrëzimin e shpejtë. Ti Majko ke hyrë ndershëm në mes të përndershmëve”, tha Lesi. Në emër të grupit parlamentar të PDK-së, Lesi tha se do të votojë kundër qeverisë së drejtuar nga Pandeli Majko. Pas tij kanë qenë përgjithësisht deputetë të opozitës që kanë dhënë vlerësimet e tyre për programin e paraqitur nga kryeministri Majko. “Porkeri, demagogji, mediokritet, utopik, falimentim të PS-së, të pashpresë” – me këto epitete u vlerësua programi i qeverisë nga deputetët Mediu, Bode, Çeku, Shehi, Palaj, Balla etj, të cilët kanë argumentuar me mënyrat e tyre, faktin përse do të votojnë kundër qeverisë Majko. Deputetët e opozitës i kanë tërhequr vëmendjen kryeministrit Majko për faktin se shumë nga ministrat e tij janë të korruptuar, kanë një CV që le për të dëshiruar apo janë vendosur në postin e gabuar.
Dueli Berisha-Majko
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha konfirmoi në diskutimin e tij se vendimi politik i koalicionit opozitar Bashkimi për Fitore është që ky grupim të votojë kundër qeverisë Majko. Ju imponuat seancën e natës së madhe dhe gabuat që bllokuat natën e Bajramit me këtë seancë”, tha Berisha duke u uruar besimtarëve myslimanë shqiptarë festën e Kurban Bajramit. “Unë po citoj fjalët e një deputeti socialist në mbledhjen e byrosë parlamentare që nëse qeveria Majko do të votohej në mënyrë të fshehtë atëherë ajo nuk do të merrte as dhjetë vota”, tha lideri demokrat. Duke iu drejtuar kryeministrit Majko, Barisha tha se “ti dy vjet më parë ishe kryeministri i shanseve të mëdha. Por, ju u provuat dhe dolët më pas kryeministri i shanseve të humbura”. Berisha vlerësoi më pas rolin e Majkos gjatë luftës në Kosovë por nuk i kurseu akuzat kundër tij dhe tërë mazhorancës. “Ju kemi grabitur të varfrit, dhe keni sjellë në qeveri njerëz me vila e pallate. Në krye të financave nuk keni vënë një financier. Ju kryeministër po riktheheni nga dritarja”, iu drejtua Berisha kryeministrit Majko.
Më pas lideri demokrat nuk e kurseu serinë e akuzave ndaj socialistëve. “Ju jeni të verbuar nga pushteti dhe kryeministri juaj është njeriu më pak i mbështetur nga të gjithë kryeministrat që kanë kaluar këta dhjetë vite”, tha ai. Sipas Berishës, 12 anëtarë të qeverisë janë deputetë me mandat të vjedhur. Ai e cilësoi programin e qeverisë Majko, programin e thellimit të krizës. “Qeveria Majko është ajo që ka rrëzuar integrimin. Qeveria e Adil Çarçanit është më e mirë dhe e ka më të lartë koeficientin e profesionalizimit. Bile po të ishte Enveri gjallë Adili do të dilte revizionist”, tha Berisha. Kryedemokrati korri të qeshurat dhe duartrokitjet e deputetëve kur i tha Majkos: “trego se e ke merituar medaljen Pishtar i Demokracisë”.
Për sa i përket përbërjes së qeverisë, Berisha tha se ky nuk është ansambli Labëria, por ansambli Paaftësia. Kryeministri Majko iu përgjigj Berishës se “ti je pragmatist dhe fjalimi yt ishte me ide, por ti më ke quajtur të çmendur”. “Kur serbët bombarduan Tropojën, Majko fuste kokën në jorgan”, replikoi Berisha.
Akuza dhe sugjerime
Ministri i Arsimit, Luan Memushi tha dje se pasuria e tij ishte se për 30 vjet kishte qenë mësimdhënës dhe autor i shumë teksteve shkollore. Deputeti i PD-së, Ljublin Dilja u shpreh se qeveria nuk e lufton dot korrupsionin dhe as malavitën dhe nuk mund të realizojë dot integrimin e Shqipërisë në strukturat europiane. “Kabineti juaj qeveritar ngjall pesimizëm”, tha Dilja. Socialisti Hushi tha në seancën e djeshme plenare se programi i qeverisë ka vend për sugjerime. Ai ftoi kryeministrin Majko që të angazhohet që në KESH të punojnë njerëz të aftë. “Uroj që kryeministri dhe ministri përkatës të bëjnë verifikime dhe të përmbushet programi”, tha Hushi. Në këtë moment, kryetari i Kuvendit, Dokle i tërhoqi vëmendjen deputetit demokrat, Shaban Memia se kishte marrë kartën elektronike të socialistit Memushi. “Duket qartë se kush vjedh”, tha me të qeshur Dokle.
Tepër i ashpër u tregua në fjalimin e tij, deputeti i PD-së, Edi Paloka. Ai i quajti deputetët socialistë “të çnderuar” dhe shtoi për Majkon se “tani para parlamentit gjendet një njeri që ka bërë korrierin nga vila 31 deri tek restorant Piazza”. “Si gazetar nuk ju kam çnderuar aq sa ju veten tuaj. Si mund t’ju votoj juve me në krye Këno Çaushin, apo me Majkon që në kohën e tij u vodhën ndihmat kosovarëve”, tha Paloka. Sipas tij, një deputet socialist i kish deklaruar se Pandeli Majko ka në një bankë të ishujve të Mesdheut 5 milionë dollarë. “Mos i detyroni shqiptarët në një tmerr pa fund, se po ju paralajmëroj, do të shihni një fund me tmerr dhe do të jetë vonë”, tha ai.
Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Preç Zogaj tha se është lëvizja Nano ajo që e ka prodhuar qeverinë Majko. “Ne jemi të interesuar për një pozitë-opozitë që të alternohen në pushtet në zgjedhje të lira”, tha Zogaj duke shprehur votën e grupit të tij parlamentar pro qeverisë Majko.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Bamir Topi e cilësoi programin e qeverisë Majko një program demagogjik. “Nuk e fsheh aspak simpatinë personale për zotin Majko, por programi i qeverisë është një demagogji. Ju e keni futur shoqërinë në një krizë të plotë dhe në një degjenerim total”, tha Topi. Sipas tij, politikanët e majtë njihen si njerëzit më të pasur të Shqipërisë. Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Arben Malaj ftoi qeverinë që të prezantohet si partnere serioze me organizmat ndërkombëtare si FMN-në dhe Bankën Botërore. “Majko ka përgjegjësi për korrigjimin e fenomeneve negative të vëna re”, tha Malaj. Pas diskutimeve të grupeve parlamentare, opozita kërkoi nga Dokle që votimi të bëhej i fshehtë. Deputeti i PD-së, Ngjela tha se qeveria vërtet është publike, por vota duhet e fshehtë. Dokle e hodhi në votë këtë propozim dhe në fund u vendos që qeveria të votohej në mënyrë të hapur me elektronikë. Për përbërjen e qeverisë votuan pro 81 deputetë, 42 kundër, 2 abstenuan dhe 3 nuk morën pjesë. Ndërsa për programin e qeverisë përsëri votuan pro 81 deputetë, 40 kundër, 2 abstenuan dhe 5 nuk morën pjesë në votim.