Fatos Lubonja: Kolapsi që sapo përjetuam, është akti i fundit i mendësisë autoritariste

(Botuar me 13 Korrik 1997 në KOHA JONE)

Nga Fatos Lubonja

Ajo çka ra në sy në Shqipërinë e muajve të fundit është një papërgjegjshmëri e skajshme shoqërore e cila u shfaq në dy forma, njëra më dramatike se tjetra: më një anë papërgjegjshmëria e politikanëve, gatishmëria e tyre për ta shkatërruar vendin për hir të ruajtjes së pushtetit dhe, më anën tjetër, papërgjegjshmëria e popullit ndaj vlerave të përbashkëta, paaftësia e tij për t’u organizuar në mbrojtje të shkollave, bankave, bibliotekave, spitaleve, urave, muzeve, pra jo vetëm të gardheve të shtëpive, por edhe të atyre gjërave të cilat bëjnë që një turmë individësh apo familjesh të quhet komunitet. Brenda tre muajsh në Shqipëri janë vrarë mbi 1500 vetë dhe janë shumë të paktë ata për të cilët mund të thuhet se dhanë jetën për një ideal shoqëror.

Pak kujtesë historike

Për të shpjeguar fenomenin shqiptar të papërgjegjshmërisë shoqërore duhet të depërtosh më thellë sesa historia komuniste dhe rasti patologjik Berisha.

Në fund të shekullit XIX, ndër popujt ballkanikë, ne ishim ata që kishin bërë më pak hapa se të tjerët për të dalë nga gjendja fisnore, për të ndërtuar një realitet të pavarur shtetëror dhe një identitet të spikatur kulturor dhe kombëtar. Të ndodhur në kufijtë ndarës të perandorive bizantine, otomane e austro-hungareze, të rekrutuar si mercenarë herë nga njëra perandori e herë nga tjetra, shqiptarët nuk arritën as të asimilohen, as të qytetërohen dhe as të marrin seriozisht ndonjërin prej tre besimeve të këtyre perandorive.

Mithat Frashëri shkruante më 1912 se shqiptarët ndodheshin asokohe përpara detyrës që ta kthenin vendin e tyre nga një grumbull i shpërndarë fisesh në një komb.

Fati i Shqipërisë së shekullit XX duket se më shumë se gjithçka mban vulën e dështimeve të klasave politike shqiptare dhe të elitave kulturore e klerikale në përmbushjen e misionit të përbashkimit të shqiptarëve rreth disa vlerave të pranuara nga të gjithë si themele të kombit. Dramat që përjetojmë në këtë shekull janë pasqyrë e vështirësisë për të kapërcyer vakuumet e historisë, e pamjaftueshmërisë së atyre “lëndëve formuese të komuniteteve”, siç janë feja e përbashkët, kultura e përbashkët apo ndërgjegjja historike e përbashkët, e pamjaftueshmërisë së ngjizjes së një identiteti kombëtar nga veriu në jug të vendit.

Lindja e shtetit të pavarur shqiptar më 1912 u bë e mundur më shumë nga frika e ndarjes së tokave shqiptare midis Greqisë dhe Serbisë, pas rënies së perandorisë otomane, sesa nga nevoja e realizimit të aspiratave tona pozitive. Kjo frikë, kryesisht e atyre shqiptarëve që ishin politikanë të Stambollit dhe e një pjese intelektualësh romantikë, rilindasve, u bashkua me interesat e italianëve dhe të austro-hungarezëve për Ballkanin. Këta të fundit ndikuan jo pak për të bindur Turqinë të hiqte dorë nga sovraniteti mbi vendin e vogël buzë Adriatikut, me të cilin, pas Luftërave Ballkanike të 1912-s, nuk kishte më vazhdimësi territoriale.

Mithat Frashëri ve në dukje se më 1912 shteti i pavarur më shumë iu dhurua shqiptarëve nga konjukturat ndërkombëtare sesa u krijua dhe u organizua nga ata vetë. Provë e kësaj është fakti se qeveria e Vlorës e asaj kohe u kontestua në Durrës nga Esat Pashë Toptani, në Korçë nga qarqet shqiptare të mbështetura nga Grekët dhe në përgjithësi nga kryetarët e klaneve, të cilët dëshironin të ruanin privilegjet që kishin gëzuar në perandorinë otomane. Kështu, më 1914 Ismail Qemali u detyrua të jepte dorëheqjen për t’ia lënë vendin një princi gjerman, Vidit. Por edhe ky nuk mundi të mbretëronte më shumë se gjashtë muaj në një gjendje anarkie. Qysh prej asaj kohe shqiptarët kanë dalë nga gjendjet e anarkisë dhe të destabilitetit vetëm nëpërmjet vendosjes së diktaturave të mbështetura nga forca të jashtme.

Pas Luftës së Parë në Shqipëri lindën parti që tentuan të fusnin reforma të modelit perëndimor, por ato ndeshën me kundërshtimin e kryetarëve të klaneve dhe të pronarëve të mëdhenj të tokave. Pas një gjendjeje anarkie disavjeçare përfaqësuesi më i shquar i konservatorëve, Ahmet Zogu, i eliminoi kundërshtarët liberalë me në krye Nolin. Në fillim si kryeministër, pastaj si mbret i shqiptarëve (19281939) ai kreu një centralizim të administratës, duke hedhur bazat e një shteti shqiptar. Megjithatë ky shtet vazhdoi të mbetet i varur së jashtmi nga Italia fashiste dhe, në përgjithësi, e mbajti vendin në një prapambetje, e cila dukej se i interesonte ruajtjes së pushtetit nga ana e krerëve të klaneve dhe pronarëve të mëdhenj të tokave.

Anarkia e mbarimit të Luftës së Dytë e gjeti Shqipërinë me një parti komuniste më të organizuar sesa partia nacionaliste dhe ajo ruajaliste. Komunistët, kësaj here me ndihmën e aleatëve të Lindjes, i eliminuan shpejt të gjithë kundërshtarët e tyre. Ndërtimi i shtetit komunist nën modelin stalinist u shoqërua me një urbanizim masiv të pangjarë deri atëherë në Shqipëri. Fshatarë të paditur dhe tejet të varfër, kryesisht nga jugu, zbritën në qytet dhe mbushën ushtrinë dhe policinë duke i dhënë diktaturës komuniste të Enver Hoxhës trajtën më të egër dhe më fanatike në të gjithë Lindjen. Shqipëria ishte i vetmi vend në kampin lindor që nuk dënoi stalinizmin në vitet 50, që eliminoi krejtësisht liritë fetare më 1966 dhe që, pas prishjes me Kinën më 1978, zgjódhi izolimin e plotë si të vetmen rrugë që u kishte mbetur udhëheqësve të inkriminuar për të vazhduar sundimin. Mbështetja jugosllave, pastaj sovjetike dhe më tej kineze kanë qenë vendimtare për ruajtjen e jetës së këtij regjimi.

Nuk mund të mohohet se gjatë komunizmit Shqipëria pati një proces të rëndësishëm homogjenizimi nga veriu në jug. Por ky jo vetëm që u bë nën tutelën dhe shtrëngimin shtetëror, por u bë edhe në emër të një ideologjie e të një sistemi ekonomik që dhunoi të drejtat themelore të njeriut. Për këtë arsye ai nuk hodhi dot baza të qëndrueshme komuniteti, veçanërisht nuk zhvilloi përgjegjësinë e individëve ndaj tij. Rënia e komunizmit e futi Shqipërinë përsëri në anarki. Duke qenë se afro dy të tretat e historisë së shtetit të pavarur i kishte dominuar komunizmi, rënia e simboleve komuniste e la Shqipërinë jo vetëm tejet të varfër ekonomikisht, por edhe në krizë identiteti. Asaj i mungonte një substrat i fortë nacionalist, për ta konvertuar autoritarizmin komunist në një autoritarizëm të mbështetur mbi nacionalizmin, siç bëri Millosheviçi, Tuçmani apo Iliesku, por i mungonin edhe ato filiza të institucioneve demokratike – të pranishme nëpër vende si Polonia, Çekia apo Hungaria – për të zhvilluar një shtet demokratik.

Duke u shtuar këtyre mungesave faktin se i ashtuquajturi “revolucion demokratik” i vitit 1991 nuk kishte kuptimin e atyre revolucioneve ku një klasë e caktuar shoqërore, pasi është fuqizuar ekonomikisht, kërkon edhe pushtetin politik, Shqipërisë i mbeti si gjasa më e mundshme stabilizuese ndërtimi i një shteti ku metodat e vjetra autoritariste të kombinoheshin thjesht me lakminë e klasës së re politike për të nxjerrë përfitime vetjake, pra, ndërtimi i një shteti mafioz.

Gjatë periudhës postkomuniste në Shqipëri, së bashku me tendencën e përqendrimit të pushtetit në duart e një klani politik që eliminoi të tjerët, filloi edhe një fazë e dytë urbanizimi masiv, të cilin Enver Hoxha e kishte ndërprerë që me prishjen me Bashkimin Sovjetik. Njerëz të zbritur nga fshati, kësaj here më shumë nga Veriu, mbushën përsëri administratën, policinë dhe shërbimet sekrete e filluan të shpërblehen për kontributet” e tyre nëpërmjet procesit të privatizimit.

Ashtu si në kohët e para të komunizmit Shqipëria qytetare dhe intelektuale nuk pati forca të mjaftueshme shpirtërore dhe ekonomike për t’i rezistuar agresivitetit të këtyre barbarëve të rinj. Përsëri nuk mungoi mbështetja e huaj për këtë diktaturë të re. Duke parë te Berisha një faktor stabiliteti në Ballkan, Perëndimi e mbështeti atë pa pyetur shumë për demokracinë e brendshme shqiptare. Kështu, nën sytë e Perëndimit, politikanët në pushtet eliminuan dialogun e saponisur dhe ndërtimin e shoqërisë civile në fushën e politikës e të të drejtave të njeriut, kurse në fushën e ekonomisë paralizuan iniciativën private të porsanisur nëpërmjet inkurajimit dhe organizimit të piramidave financiare. Kjo bëri që edhe në kohën postkomuniste Shqipëria të vazhdojë, në thelb, traditën e vjetër autoritariste ku, sipas modelit që kishin njerëzit në kokë, shteti duhej ta siguronte vetë ekzistencën e tij, kësaj here me ndihmën e Perëndimit dhe, njëherësh, të përkujdesej për bashkësinë. Edhe politikanët që hipën në pushtet e panë shtetin thjeshtë si mjet përfitimi e jo si detyrë dhe përgjegjësi. Diktatura në emër të demokracisë, dhe ndërtimi i piramidave në emër të iniciativës private ishin karikatura të sistemit politiko-ekonomik komunist, ose mutacioni i tij i fundit. Përbindëshi i lindur nga ky mutacion nuk mundi të mbijetonte më shumë se pesë vjet. Kolapsi që përjetoi Shqipëria është kolapsi përfundimtar i mendësisë autoritariste, sipas së cilës shteti dhe populli nuk bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, por i tremben njëri-tjetrit, e vjedhin dhe e mashtrojnë njëri-tjetrin.

Në ç’gjendje ndodhemi sot?

Përpara zgjedhjeve të 29 qershorit, pakkush besonte se ato do të ofronin një zgjidhje për të dalë  nga anarkia e muajve të fundit. Përgjithësisht mendohej se drama e lindur në fillim të këtij viti që pati për akt të parë revoltën në Jug dhe akt të dytë anarkinë vrastare të krijuar nga hapja prej Berishës të depove të armëve dhe burgjeve në të gjithë vendin, do të pasohej nga një akt i tretë apo dhe i katërt përpara se të mbaronte konflikti. Këto hamendje bazoheshin mbi supozimin se rezultati i zgjedhjeve do të ishte deri diku i ekuilibruar, çka do ta linte në pushtet shkaktarin kryesor të destabilitetit në Shqipëri, Sali Berishën. Ndërkaq askush nuk besonte se mund të arrihej një kompromis i qëndrueshëm midis Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste e aq më pak një pajtim midis popullit në Jug dhe njerëzve të Berishës. Një fitore e Berishës, qoftë edhe e njohur nga Perëndimi, vështirë se do të mund të pranohej në Jug të vendit. Ndodhi e vetmja gjë që jep shpresë se zgjedhjet do të ofrojnë mundësinë e një zgjidhjeje paqësore: fitorja bindëse e opozitës.

Përpara këtij rezultati, që shprehu gjykimin dhe verdiktin e popullit ndaj shkaktarëve të tragjedisë, Berisha u detyrua të pranonte humbjen. Shqipërisë i është dhënë sot mundësia e krijimit të një qeverie me autoritet dhe me mbështetje ndërkombëtare.

Skenari më i dëshiruar nga shumica e shqiptarëve është që kjo qeveri të neutralizojë me pjekuri dhe njëherësh me vendosmëri destabilizimin e shkaktuar nga banditizmi politik, pastaj të fillojë punën e vështirë të eliminimit të bandave ordinere, të cilën ta shoqërojë me përpjekjet e rimëkëmbjes të institucioneve dhe të ekonomisë së vendit.

Por, ndërkaq, duket se nuk përjashtohet mundësia e shfaqjes së skenarëve të tjerë të papritur dhe të rrezikshëm. Çështja e parë që del është nëse do të mundet koalicioni i qendrës së majtë të ndërtojë një shtet që t’i përgjigjet për nga autoriteti përqindjes së lartë të votave që i dha populli. Çështja e dytë, e lidhur me të parën, është nëse do të mund të fillojë në Shqipëri një politikë e mbështetur mbi dialogun me synim ndërtimin e së ardhmes së Shqipërisë apo do të vazhdojë politika e konfliktit.

Nga sa duket vështirë se do të fillojë dialogu midis pushtetit dhe opozitës. Politika e konfliktit vazhdon ta rrezikojë seriozisht ndërtimin e një shteti me autoritet. Ka shenja të qarta se Berisha do të bëjë ç’është e mundur që ta mbajë përsëri të ndezur konfliktin. Nga deklaratat pas zgjedhjeve duket se pëdëistët, më shumë sesa për t’u angazhuar të japin kontribut për shpëtimin e Shqipërisë, mendojnë për revanshin e shpejtë. Ndërkaq Leka Zogu, të cilin shqiptarët e pandehën se vinte me një kulturë politike evropiane, sapo humbi referendumin e zhveshi rrobën e pajtuesit e paqëtuesit dhe veshi atë të një luftënxitësi primitiv shqiptar duke treguar se, ashtu si politikanët e lindur dhe rritur në Shqipëri, edhe ai është i aftë t’i verë kazmën vendit veç të sundojë.

Me këta dy kundërshtarë të betuar, që kanë filluar edhe manipulimin e ndasive veri – jug, me gjendjen katastrofike ekonomike dhe me bandat e kriminelëve që janë thuajse një fuqi e tretë në vend, koalicioni i qendrës së majtë do ta ketë të vështirë krijimin e një shteti me autoritet. Akoma më i vështirë bëhet problemi në vend kur mendon se gjatë këtyre tre muajve ka patur mbi 1500 të vrarë.

A do të ketë në Shqipëri drejtësi apo krimi politik do të vazhdojë, si në të kaluarën, të kalojë pa u ndëshkuar? – pyesin një pjesë e njerëzve. Nga ana tjetër, a mund të arrihet një drejtësi që të sigurojë paqen apo kërkesa e drejtësisë do ta rrezikojë paqen edhe më keq? Po kthimi i parave a do të mund të kryhet? Disa parti i kërkojnë Berishës të rrijë në pushtet që të garantojë premtimin e bërë nga Nano në Vlorë për kthim të parave 100%. Komitetet në jug deklarojnë se po nuk u kthyen paratë do të vazhdojnë turbullirat. Kuptohet se të dy palët jo vetëm nuk janë të ndërgjegjshëm për katastrofën që po kalon vendi, por vazhdojnë ta konsiderojnë popullin shqiptar si një turmë idiotësh që mund ta manipulojnë për të realizuar ambiciet e tyre. Nano e “korrigjoi” premtimin e bërë në Vlorë duke deklaruar se paratë do t’ua marrë hajdutëve. S’do shumë mend se këta mund të përdorin një pjesë të këtyre parave për t’u mbrojtur nga ky kërcënim. Shkurt, situata është tejet e mbarsur me konflikte politike, të shpërthyer apo në potencë. Kjo situatë vazhdon të mbetet klima më e mirë për shtimin dhe lulëzimin e krimit të bandave të cilat po i detyrojnë qytetarët në shumë qytete të rrinë mbyllur në shtëpira. Dhe jo vetëm të krimit të armatosur, por edhe të lulëzimit të atyre krimeve ndaj komunitetit dhe të ardhmes së vendit që po shkatërrojnë përditë infrastrukturat, ekologjinë, urbanistikën.

Njerëz të “çliruar” nga shteti po çajnë tubacionet e ujit të pijshëm dhe po lënë qytetin pa ujë, po presin pemë dhe ndërtojnë garazhe makinash mu atje ku duhet të luajnë e të çlodhen fëmijët, po vazhdojnë të rrënojnë e grabisin edhe më tej institucionet të cilave u vunë flakën gjatë këtyre muajve.

Ç’të bëjmë?

Shqipëria është sot një shembull “par exellence” që të bën të kuptosh se pse historikisht anarkia ka qenë djepi i tiranisë. Shumëkush sot ndjen nevojën e një shteti të fortë që të eliminojë banditizmin politik dhe ordiner me çfarëdolloj mjeti dhe çmimi. Mirëpo zgjidhja e problemit nëpërmjet vendosjes së një autoritarizmi të ri do të thotë vazhdim i mendësisë së vjetër të lënies së punëve në dorë të një shteti të shkëputur nga njerëzit, që nesër mund të fillojë të abuzojë përsëri me të drejtat dhe liritë tona.

A do të dalim kësaj here nga rrethi vicioz diktaturë – rebelim – shkatërrim – diktaturë?

Ndodhemi përsëri përpara udhëkryqit të vitit 1991: ose të zgjedhim heronj dhe simbole të rrejshme e t’u japin atyre pushtetin e përgjegjësitë, ose të zgjedhim rrugën e gjatë e të mundimshme të ndërtimit të shoqërisë civile së bashku me shtetarët e zgjedhur nga ne.

Në teori shumëkush mund të shprehet në favor të shoqërisë civile, por në praktikë kjo punë kërkon shumë përkushtim, guxim dhe krijimtari.

Shndërrimi i kryengritjes antiberisha në një anarki vrastare, thirrja e forcave shumëkombëshe për të shpëtuar vendin, krijimi i idesë se politikani dhe polici merren vesh më mirë me mafiozin dhe hajdutin sesa metarin e ndershëm, e kanë tronditur thellë besimin e shqiptarëve se ky vend mund të bëhet”. Në qytete si Shkodra, Vlora apo Berati, njerëzit jetojnë gjysmën e ditës të mbyllur në shtëpi, gjë që s’ka ndodhur as në kohë lufte. Institucionet në shumë qytete janë të shkatërruara ose nuk punojnë fare. Prirja për ta lënë vendin po bëhet gjithnjë e më e fortë.

Shqipëria ka sot nevojë për një rilindje të dytë, për një frymë ripërtëritëse, për një mit të ri politik, rreth të cilit të hidhen themelet e një epoke të re. Kuptohet se në epokën e demokracisë, pluralizmit dhe multikulturalizmit, një mit i tillë nuk mund të ngrihet rreth një ideologjie, një feje apo rreth një individi. Duhen kërkuar rrugë të tjera. Siç na tregon historia, shpesh herë mitet, si faktorë përbashkues dhe motivues, kanë lindur nga nevoja e përballimit të një armiku, apo edhe si pasojë e një katastrofe. Armiku dhe katastrofa jonë nuk ishte Berisha, armiku dhe katastrofa jonë është një kuçedër me dy koka, njëra prej të cilave këto pesë vjet mori rastësisht fytyrën e Berishës. Në thelb njëra kokë e kësaj kuçedre është një shtet që nuk na ka mbrojtur dhe shërbyer, por na ka shtypur dhe shfrytëzuar, kurse koka tjetër është mungesa e ndjenjës së komunitetit, mendësia “ai gjarpër që nuk më kafshon mua, rroftë 110 vjet”.

Të gjitha përpjekjet duhen përqendruar për zhdukjen e kësaj kuçedre. Duhet të fillojë një punë intensive për edukimin e njerëzve me idenë se në demokraci shteti dhe individi janë dy anë të së njëjtës medalje; se shteti nuk mund të mbahet nëse ata nuk paguajnë taksa, se shteti nuk mund t’i ruajë nga vjedhësit dhe mashtruesit nëse ata duan të bëjnë njëherësh politikanin dhe mashtruesin, policin dhe hajdutin.

Duhet të luftojmë kundër papërgjegjshmërisë shoqërore nëpërmjet zhvillimit të ndjenjës së komunitetit dhe ndërtimit të shoqërisë civile. Këto gjëra nuk janë të panjohura në teori. Shumë syresh erdhën e na i mësuan lektorët perëndimorë pas rënies së komunizmit. Por ndoshta mësimi nga katastrofa që pësuam do të jetë shumë më efikas sesa teoritë e shkruara mbi përvojën e të tjerëve. Është shumë më e vështirë të kryesh në një kohë të shkurtër diçka të ndjeshme për ndërtimin e një shteti të drejtë ligjesh dhe institucionesh, por është edhe më e vështirë puna për ndërtimin e një ndjenje komuniteti, të një shoqërie civile, ku njerëzit të jenë njëkohësisht të lirë e të pavarur, por edhe solidarë e të bashkuar. Formulimi i ideve krijuese në këtë drejtim është detyra imediate e të gjithë elitës kulturore, politike e klerikale të vendit. Ide të tilla nuk kanë munguar në shoqërinë shqiptare, por ato janë asfiksuar nga pushtetarë që, për të sunduar më lehtë, i mbanin njerëzit në injorancë. Sot shpresojmë se ato do të rishfaqen e do të frymëzojnë ndërtimin e një Shqipërie të re. Me këtë shpresë po propozoj më poshtë ndonjë ide për ndërtimin e një shteti të ri shqiptar dhe për zhvillimin e ndjenjës së komunitetit. Shqiptarët kanë treguar se sa herë kanë marrë pushtetin kanë lëvizur nga vendi edhe varret, edhe historinë, kurse disa simbole të pakta të kombit i kanë keqpërdorur deri në humbjen e ndjeshmërisë së njerëzve ndaj tyre.

Në kohën që jetojmë, kur asnjë personalitet politik i së kaluarës nuk është kthyer në një simbol të pranuar nga të gjithë shqiptarët apo është konsumuar aq sa nuk frymëzon më kurrkënd, një mit i ri politik frymëzues ndoshta do të ishte KUSHTETUTA. Krijimi dhe ekzaltimi i një kushtetute të pranuar dhe nderuar nga të gjithë mund të ishte themel i një epoke të re, i epokës së shtetit ligjor. E tillë është p. sh. kushtetuta amerikane. Nene të saj, të varura nëpër mure shkollash e universitetesh pak nga pak janë kthyer në simbole. Le ta bëjmë kushtetutën, të pranuar nga të gjithë, një nga simbolet kryesore të një Shqipërie të re. Simbole të një koncepti të ri mbi shtetin dhe të ndjenjës së përgjegjësisë ndaj shoqërisë mund të bëhen edhe politikanët që do të vijnë në pushtet.

Njerëzit presin shumëçka prej tyre. Shumë shpejt ata do të shohin se plagët e hapura nuk mund të mbyllen aq kollaj. Por më e rëndësishme se mbyllja e plagëve është lindja e shpresës se ato janë në duar mjekësh të përkushtuar e të zot. Nëse politikanët tanë të rinj do t’i shohim më shumë pranë problemeve të njerëzve sesa pranë aeroporteve, nëse do t’i shohim t’u përgjigjen kritikave me argumente e jo me arrogancë, nëse ata do ta kthejnë TVSH në një tribunë të mendimit të mençur dhe pluralist ku kundërshtarët polemizojnë, por dhe i japin dorën njëri-tjetrit, nëse nuk do të kërkojnë ryshfet, por do t’i dëbojnë ryshfetdhënësit, nëse do të mbajnë qëndrime kritike ndaj gabimeve që mund të bëjnë, ata shumë shpejt mund të shndërrohen në shembull frymëzues.

A nuk do të ishte frymëzuese sikur në vendin e pemëve të prera në trotuaret përballë Kryeministrisë, bri të cilave Berisha dhe Meksi kanë kaluar me mijëra herë, ndokush prej tyre të kujtohej të mbillte nga një pemë të re që do të ktheheshin në simbole të ripërtëritjes?

Por, nëse politikanët do të fillojnë të grinden si çakej për poste, nëse do të na gënjejnë duke na konsideruar budallenj, nëse për të sunduar do të zgjedhin vetëm vartës të nënshtruar e mediokër, nëse do ta pushtojnë televizionin me lakmi për pushtet dhe ekzibicionizëm të shfrenuar, nëse do ta shikojnë Shqipërinë me mendimin se, pasi ta mjelin, do ta braktisin për të shkuar në Evropë, atëherë do të përbuzen më keq se të parët.

 Po për zhvillimin e ndjenjës së komunitetit çfarë mund të bëhet?

Struktura e shoqërisë sonë në thelb ka mbetur në një stad primitiv, ku përtej detyrimeve ndaj familjes apo gjakut ekzistojnë “të tjerët” ndaj të cilëve nuk kemi detyrime. Një shoqëri e mbetur në këtë stad është një shoqëri ku krimi ndaj “tjetrit” është shumë i mundshëm dhe gati i pranueshëm. Komunizmi imponoi një bashkësi ku lidhja me “tjetrin” u kthye, jo rrallë, në një torturë. Rënia e komunizmit thuajse na ktheu në primitivizmin e të parëve. Ishin dy faqe të së njëjtës medalje. Dikur njerëzit i ka lidhur në komunitete kryesisht religjioni. Vetë kjo fjalë në origjinë ka kuptimin lidhje. Sot, që të kalojmë nga lidhja e gjakut te lidhja e madhe e shoqërisë civile, duhet puna e koordinuar e politikanëve, intelektualëve, klerikëve, puna e shkrimtarëve, e artistëve, e të gjithë elitës së një vendi. Njerëzit lidhen duke shkuar së bashku në kopshte dhe shkolla të mirëmbajtura, ku mësojnë jo vetëm të shkruajnë e të lexojnë, por edhe të arsyetojnë e të dëgjojnë njëri-tjetrin. Njerëzit lidhen duke punuar së bashku, ku jo vetëm fitojnë, por edhe mësojnë të respektojnë djersën e njëri-tjetrit. Njerëzit lidhen duke shkuar së bashku në kinema dhe teatro ku shohin një film që u prek shpirtin. Njerëzit lidhen duke shkuar së bashku në kishë ku dëgjojnë një predikim që u bën jehonë dramave të jetës së tyre. Njerëzit lidhen duke u grupuar në shoqata ku ndajnë hallet dhe pasionet e përbashkëta. Njerëzit lidhen duke shkuar së bashku në stadiume në koncerte ku ndajnë së bashku gëzime e emocione… Bandat kriminale me të rinj që po lindin sot si kërpudhat, janë produkt i varfërisë ekstreme të gjithë këtyre elementeve të shoqërisë.

Ne jemi aq të egërsuar ndaj këtyre banditëve të rinj sa duam t’i shohin sa më parë të varur në litar në mes të shesheve. Por ne harrojmë se kemi bërë aq pak për t’u krijuar këtyre të rinjve, që para disa vjetësh ishin krejt fëmijë, kushte që të mos i derdhin energjitë në krime, por në krijimtari dhe dashuri. Ne presin të vijë shteti me policë dhe autoblinda të na shpëtojë nga këta kriminelë. Por asnjë shtet, sado i fuqishëm qoftë, nuk mund të jetë më i fuqishëm se një komunitet i organizuar mirë, që i neutralizon banditët me mjete shumë më paqësore se litarët dhe burgjet.

Vitet 90-91 ishin vitet e thirrjes “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa. “Shumica e shqiptarëve e përdorën këtë thirrje për të hapur kufijtë, por pastaj, në vend që të përpiqeshin ta bënin Shqipërinë si Evropa, zgjodhën rrugën më të shkurtër, atë të arratisjes për në Evropë. Ata që morën pushtetin nuk bënë asgjë për të kthyer trurin që iku, përkundrazi, krijuan një klimë që edhe të tjerë, që mund të nxirrnin telashe, të merrnin arratinë.

Një nga detyrat më të para të politikanëve në pushtet është pikërisht krijimi i një klime të favorshme për rikthimin e sa më shumë shqiptarëve të përzënë edhe nga politika injorante e diskriminuese e Berishës. Prania e tyre do të pasuronte jetën shpirtërore dhe do të binte shumë përvoja pozitive evropiane. Shumëçka duhet menduar se ç’duhet të bëjmë edhe në fushën e ekonomisë, të infrastrukturës, të marrëdhënieve me jashtë…

SHKARKO APP