Fjala e deputetit Nikoll Lesi pas padisë së kryeministrit dhe Xhoana Nanos për heqjen e imunitetit

(Botuar me 10 nëntor 2004)

Fjala e deputetit Nikoll Lesi në seancën e pardjeshme parlamentare të votimit për heqjen e imunitetit me kërkesë të Gjykatës së Lartë, datë 8 nentor 2004)

Lesi: Janë përballë dy botë, bota e krimit dhe bota e medias së lirë

“Nesër do jetë radha juaj, e njerëzve tuaj, sepse ky njeri njeh vetëm dy principe: nënshtrimin ose hakmarrjen. Kryeministri ynë sa harxhon gjithë këtë energji dhe kohë të maxhorancës për çështjen time, ai fare mirë mund t’i kushtohej punës për të ndryshuar ato gjëra që ia kërkon elektorati, si qeverisjen, luftën ndaj krimit etj.”

I nderuar zoti kryetar! Të nderuar kolegë deputetë! E nderuar familje kryeministrore!

Jam sonte këtu para jush me kërkesën e Gjykatës së Lartë për të dhënë shpjegimet e mia në lidhje me padinë e familjes kryeministrore. Fillimisht më lejoni që të sjell në vëmendjen tuaj por dhe të gjithë atyre që na ndjekin në këtë transmetim të drejtpërdrejtë televiziv një zhvillim të shkurtër të marrëdhënieve 13-vjeçare të medias “Koha Jonë” dhe të z.Fatos Nano, të cilat shumë herë kanë qenë miqësore dhe disa herë konfliktuale:

11 Maj 1991: Koha Jonë del si gazeta e parë e pavarur në Shqipëri.

Mars 91-mars 92: Koha Jonë përkrah ardhjen e PD-së në pushtet, ndonëse atë kohë ishte gazetë rajonale.

Më 30 janar 1993 u bë gazetë kombëtare.

Mars 92-korrik 1993: gazeta fillon kritikat ndaj qeverisë së demokratëve.

Korrik ’93 e në vazhdim që nga momenti kur u arrestua kryetari i Partisë Socialiste z. Nano media ime kaloi hapur në mbrojtje të kryetarit të burgosur të socialistëve. Pushteti filloi ndëshkimin ndaj medias time. Koha Jonë u bë streha mediatike e të gjithë opozitarëve të asaj kohe.

Korrik 1996: kryetari Nano që nga burgu filloi lëvizjen për ndryshimin e kupolës së partisë Socialiste pasi i quajti një pjesë prej tyre si spiunë të Berishës. Gazeta “Zëri i Popullit” nuk i botonte asnjë letër apo shkrim kryetarit të saj zotit Nano, pasi sipas njërit prej drejtuesve të asaj kohe në PS, që sonte ndodhet afër tij, kryetari “kishte rrjedhur dhe nuk kuptonte se ç’po ndodh jashtë qelisë së tij”. Letrat dhe intervistat e kryetarit të PS-së në Mocionin për Ndryshim u botua vetëm në gazetën “Koha Jonë”.

2 mars 1997: redaksia e gazetës “Koha Jonë” digjet krejtësisht. Për 63 ditë gazeta nuk doli në treg. **

Shtator 1997: Gazeta “Koha Jonë” uron zotin Nano për detyrën e kryeministrit, duke i kujtuar se tashmë do të jemi miq-kundërshtarë.

21 tetor 1997: Koha Jonë boton, pas 6 viteve miqësi, të parin shkrim kritik ndaj kryeministrit Nano. Një ditë më vonë kryeministri në takimin e forumit Eurosocialist të Tiranës më sulmon egërsisht mua si botues.

22 nëntor 1997: Kryeministri sulmon përsëri “Koha Jonë” pas një shkrimi kritik për doganat. Nano citon publikisht:” Unë e bëra deputet Lesin. Është faji im që e solla në parlament”. Por unë si botues e kundërshtova, gjithashtu publikisht, që nëse ishte për shpërblim atëherë gazeta Koha Jonë meritonte 20 deputetë nga radhët e gazetarëve të saj për kontributin që dha për daljen e zotit Nano nga burgu. Pra më ka borxh edhe 19 deputetë!

Shtator 1998: Kryeministri Nano, pas djegies së kryeministrisë, ia mbath në Maqedoni i veshur si fshatar tirane. Koha Jonë e quan gjest frikacaku braktisjen e detyrës nga kryeministri.

Shkurt 1999: Zoti Nano jep dorëheqjen nga posti i kryetarit të PS-së. E braktisin të gjithë. Donin ti merrnin edhe partinë. Shumica e ministrave që ka tani përkrah nuk i hapnin as telefonin.

Janar 99-tetor 99: Media Koha Jonë që përbëhej nga gazeta Koha Jonë”, radio dhe TV KOHA e përkrahin hapur zotin Nano kundër kryeministrit të asaj kohe z. Pandeli Majko. Në faqe të parë botoheshin përditë fjalët e Nanos dhe kishte komente pro tij, pasi mendonim se kishte të drejtë. Shtator-dhjetor 2001: Media Koha Jonë ishte solidare me idetë progresive të zotit Nano në Lëvizjen për Katarsis, por që në fund na përdori të gjithëve për interesat e tij personale.

Qershor 2002: Koha Jonë kundërshton hapur zgjedhjen e Nanos për President të Republikës, pasi opozita do të destabilizonte gjithë vendin, pas zgjedhjeve të kontenstuara të qershor 2001.

13 dhjetor 2002: gazeta Koha Jonë rrethohet me policë tatimore, të rendit dhe të policisë elektrike pas një shkrimi tepër kritik ndaj zotit Nano. Për 18 ditë me radhë në zyrat e gazetës shikoje vetëm gazetarë dhe policë të tatimeve të Tiranës, të përforcuar nga drejtoria e përgjithshme e Tatimeve të Republikës. Në fund, me datë 31 dhjetor, kontrolli shtetëror nuk nxori asnjë shkelje. U larguan.

19 shkurt 2003: Koha Jonë boton një tjetër dokument komprementues për kryeministrin. Të nesërmen ushtria e kontrollorëve shtetërorë bllokuan KOHA JONË. Reagon Keshilli i Europës me një deklaratë për presionet e kryeministrit ndaj medias.

19 qershor 2003: Koha Jonë boton një shkrim mbi hakmarrjen e familjes Nano e cila pushoi nga puna, padrejtësisht, gruan e zotit Fatos Klosi, ish-kryetar i SHIK. Koha Jonë bëri një analizë ku thoshte se kjo bëhej pasi zoti Klosi kishte hedhur hije dyshimi mbi të kaluarën agjenturore të gruas së dytë të kryeministrit.

Shtator 2003: Koha Jonë hap dosjen e vrasjes së Shkallnuerit në Durrës ku akuzohej Fatos Nano. Kryeministri acarohet. Tatimorët hyjnë prapë për kontroll në shenjë presioni në Koha Jonë.

4 tetor 2003: Kryeministri Nano më propozon me anë të dy ministrave të tij që janë sonte në podiumin e parlamentit që të firmos një akt Marrëveshje me të personalisht ku si kusht ai kishte që gazeta ime të mos sulmonte atë deri në kongresin e Partisë Socialiste si dhe të mos shkruante për bizneset e gruas së tij. Si kompensim unë bëhesha ministër në kabinetin e tij. Këtë propozim ma bënë edhe dy këshilltarë të kryeministrit, të dërguar nga zoti Nano.

9 Janar 2004: Ndodh tragjedia e Karaburunit. Kryeministri rrinte në pishinat e Stambollit, ndërkohë që në Vlorë ishin mbytur 21 jetë njerëzish. Gramoz Ruçi i lutej në telefon kryeministrit që të vinte urgjent në Vlorë, por zoti Nano rregullonte edhe lëkurën e fytyrës në klinikat e Stambollit. Koha Jonë bëri kritika të forta për kryeministrin që as nuk erdhi për tre ditë, por as nuk u shkoi familjarëve për ngushëllim.

Mars 2004: Koha Jonë arrin të marrë një dokument nga kryeministria dhe publikon vendimin e qeverisë ku kryeministri firmos për të shpërblyer veten e tij me pesë paga mujore, vendim i cili ishte marrë me datë 14 janar 2004.

Prill 2004: Koha Jonë boton shkrimin se në ç’mënyrë i justifikon gruaja e kryeministrit gjithë ato para që fiton dhe konkretisht shumën prej 256 milionë lekë fitim vetëm për vitin 2003 në shoqërinë Joy Travel në linjën e autobusëve që kishte vetëm 7 muaj punë me licencë.

14 Maj 2004. Vjen finalizimi: Fatos Nano dhe Xhoana Nano bëjnë tre padi kundër meje. Një padi civile dhe dy penale.

Të nderuar deputetë!

Kam dalë sonte në këtë podium të lartë të Parlamentit Shqiptar jo si çdo herë në këto 7 vite që jam deputet. Disa mendojnë se jam nën akuzë, të tjerë janë të kënaqur që më në fund njeriun që na ka kritikuar në median “Koha Jonë” tash 13 vite e vumë nën hanxharin e Nanos; ndërsa shumica për ti thënë STOP aventurës së zotit kryeministër në duelin me median e lirë.

Nuk jam unë sot në rolin e të pandehurit. Përkundrazi ! Sot në vendin tim mund të ishin, ndofta edhe emra të tjerë në parlament që vijnë nga radhët e gazetarisë, të cilët shquhen për kurajë e profesionalizëm. Ndaj kam obligimin që të manifestoj edhe vlerat e parimeve të tyre fisnike në mbrojtje të fjalës së lirë. Në një farë mënyre kryeministri që do kokën time në sininë prej argjendi të së shoqes ka bërë që herë-herë në këtë podium t’ju shfaqen edhe kokat e deputetëve gazetarë si Erion Braçes apo Edi Palokës, Ilir Gjonit apo Neritan Alibalit, Sokol Olldashit apo Preç Zogajt, Ben Blushit apo Besnik Mustafajt, Musa Ulqinit apo Shpëtim Rroqit.

Keqdashja e një kryeministri dhe hakmarrja politike e tij më solli në ditën e fatit tim, pra që të mbroj unë median e lirë nga uzurpimi dhe represioni i zotit Fatos Nano. Këtë fat mund e duhej ta kishin edhe ata gazetarë që kanë dhënë kontributin e tyre në këto 13 vite për të mbjellë dhe rritur median e mendimin e pavarur. Këtu, në këtë podium të lartë, mund të flisnin më mirë dhe të ishin oratorë më të flaktë edhe ata njerëz të medias me të cilët kemi punuar apo debatuar në mbrojtje të fjalës së lirë në këto vite pluralizmi. Mund të ishte këtu në vendin tim Fatos Lubonja apo Ardian Klosi, Mero Baze apo Frrok Çupi, Aleksandër Frangaj apo Andi Bejtja, Armand Shkullaku apo Andi Bushati, Blendi Fevziu apo Rudina Xhunga, Astrit Patozi apo Aleksandër Çipa, Mustafa Nano apo Kiço Blushi, Arban Hasani apo Enton Abilekaj, Mimoza Picari apo Arian Çani, Alfred Peza apo Enkel Demi, Edi Rama apo Artur Zheji, Fahri Balliu apo Ylli Rakipi, Martin Leka apo Karlo Bolino. Nëse kam lënë ndonjë emër VIP nga radhët e gazetarisë pa përmendur i kërkojë ndjesë , por unë jam një prej këtyre, siç janë edhe deputetët gazetarë një prej atyre.

Pra akuza, hakmarrja dhe ndëshkimi nuk është vetëm për mua nga ana e kryeministrit Nano. Dueli është mes dy botëve; botës së medias së lirë dhe një bote që po jep shpirt, por që akoma ka forcë goditëse ndaj së mirës së përgjithshme. Pra kjo botë quhet bota e krimit, e shpërdorimit të pushtetit dhe moralit qeverisës. Unë në këtë botë nuk dua të futem, ndaj kam luftuar ndaj kësaj të keqeje që ka zënë për fyti të gjithë shqiptarët, të majtë dhe të djathtë, neutralë apo indiferentë.

Natyrisht që dikush prej jush mund të jetë duke pyetur veten nëse ka ndonjë padi ky njeri i medias që flet nga podiumi? Po, të nderuar deputetë, ka një padi, ashtu siç ka dhe dy padi të tjera të bëra nga familja kryeministrore e që të tria paditë civile e penale janë firmosur pikërisht me datën 14 maj 2004, pasi unë lajmërova se po përgatis për botim një libër me titull “Si e njoha unë Fatos Nanon?”. Natyrisht që më duhet të pohoj se ndaj medias “Koha Jonë” kryeministri ka ushtruar kontrolle të panumërta vetëm që të gjente ndonjë shkelje në shenjë hakmarrje për shkrimet e saj. Për këtë presion të kryeministrit kanë reaguar, siç janë tashmë të njohura, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve me qendër në Bruksel. Artikulli 19 në Londër, Human Rights Watch me qendër në Uashington dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.

Të gjitha këto hakmarrje kryeministrore kanë ardhur pas botimit nga Koha Jonë të dokumenteve kompromentuese për kryeministrin. Pra familja kryemistrore ka bërë tre padi.

Tani po ju paraqes dokumente për paditë e kryeministrit. E para është bërë më 14 maj 2004 dhe brenda një kohe rekord gjykata e Tiranës, me seanca urgjente, me datë 21 maj jep vendim pro Nanos. Si ka mundësi që brenda një kohe kaq rekord të shqyrtohet një padi, ndërkohë për qytetarët e thjeshtë gjyqet zgjasin nga 23 vjet? Gjithashtu po më këtë datë, pra më 14 maj 2004, kryeministri ka bërë edhe një padi në Prokurorinë e Përgjithshme, ku kërkon heqjen e imunitetit tim. Po ju lexoj dokumentet (dhe lexohen dokumentat)

Po më datë 14 maj 2004 një tjetër padi, këtë radhë e firmosur nga Gruaja e Parë e këtij vendi që quhet Xhoana Nano. Edhe ajo kërkon ndëshkim penal, pra heqje imuniteti. Kjo data 14 maj 2004 më duket si një ditë tersi e kryeministrit pas një nate dështake. Padia që ka ardhur është krejtësisht padi civile dhe nuk kishte përse të vinte në parlament për penalitete që ndëshkojnë politikisht edhe mazhorancën. Fare mirë padia mund të fillonte si për çdo qytetar te Shqipërisë në gjykatën e Tiranës. Nuk kishte përse kryeministri të shpërdoronte gjithë pushtetin e tij për tu hakmarrë politikisht për qëndrimet e mia konstante ndaj korrupsionit të qeverisjes së zotit Nano.

Kritik, bile më i ashpër, kam qenë dikur edhe ndaj pushtetit të Berishës. I tillë do të mbetem ndaj çdo qeverie që shkel ligjet apo që nuk ecën me ritmin që duan njerëzit e thjeshtë apo që nuk plotëson standardet euroatlantike. Ardhja e kërkesës për heqje imuniteti në parlament është një gjest hakmarrës i një mashkulli politik që ndjen pleqërinë e tij dhe kërkon ndëshkim për ata që nuk janë fajtorë për gjërat që zoti Nano nuk i kryen dot.

Zoti Nano për tu treguar një DHENDËRR i ri dhe i fortë, që bën namin ndaj kujtdo që e kritikon apo që i kërkon të jetë transparent në bizneset dhjetëra milionëshe të gruas së tij ka bërë një gabim fatal që do ti kushtojë mazhorancës: Është turrur me hanxhar në dorë ndaj pushtetit të medias që quhet pushtet i katërt. Gjithashtu kryeministri si kryetar i mazhorancës ka vënë në dyshim pavarësinë e Gjykatës së Lartë në këtë akt kërkese, e cila në thelb është krejt antikushtetuese, pasi ka shkelur vendimin numër 31, datë 23 qershor 2000 të Gjykatës Kushtetuese.

Konkretisht Gjykata Kushtetuese e përjashton rolin e prokurorit në të tilla çështje. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është mbi të gjithë. Kurse Gjykata e Lartë e ka shkelur këtë vendim pasi ka pyetur edhe prokurorin. Po ju lexoj vendimet.

Të nderuar deputetë!

Vendimi i Gjykatës së Lartë për kërkesën për heqjen e imunitetit tim është marrë kryekëput nën urdhrat e Nanos pasi në gazetën Koha Jonë e në shkrimet e mia nuk gjendet asnjë rresht që mund të provokojë ndëshkim penal. Shkrimet nga niset akuza dhe Gjykata e Lartë janë vetëm opinione bazuar në faktet e publikuara nga mediat e tjera. Nuk ka gjykatë në botë apo parlament që njeh nocionin më elementar të një demokracie që mund të dënojë për dhënien e një opinioni. Shkrimet e mia apo të gazetës time janë sa një e njëmijta e atyre që kanë shkruar me parë dhe më pas analistët e mirënjohur Mustafa Nano në gazetën “Shekulli” dhe Andi Bushati në revistën Klan për Xhoana Nanon.

Nëse nisemi nga kjo logjikë kryeministrore, atëherë zoti Mustafa Nano dhe Andi Bushati duhej të ishin arrestuar 5 herë për ato ç’kanë shkruar e dokumentuar për familjen kryeministrore. Gazeta “Koha Jonë” dhe unë personalisht nuk kemi bërë as më shumë e as më pak veçse kemi patur guximin që të pasqyrojmë në gazetë dokumente komprementuese për kryeministrin. Kështu, njëri prej shkrimeve është bazuar në deklaratën e ish-kreut të Shërbimit Sekret shqiptar zotit Fatos Klosi i cili në emisionin e gazetares Rudina Xhunga ka hedhur akuzën për implikimin e gruas së kryeministrit Nano të përzier në shërbimet greke. Si të mos mjaftonte akuza e Klosit, vetë kryeministri ka bërë gabimin fatal, pasi me datë 11 tetor 2002 i ka kërkuar shërbimit sekret dosjen e gruas së tij. Atëherë pyetje ime publike është se përse zoti Nano ka kërkuar dosjen e gruas së tij? Ka dyshuar apo ka dashur të pastrojë dosjen në Shërbimin Sekret Shqiptar? Më thoni se cili kryeministër shqiptar apo President e ka bërë një gjë të tillë? Kur nuk ke përse dhe nëse je i pastër atëherë ç’të shtyn të kërkosh dosjen!? Pra kemi përpara një akuzë të Fatos Klosit dhe një shkresë të kryeministrit për Xhoana Nanon që indirekt konfirmon akuzën e të parit. Ndërsa media ime, si çdo media tjetër, ka bërë analizën e akuzave dhe fakteve. E kush mund të guxojë të dënojë një gazetar apo botues vetëm e vetëm se ka shkruar një opinion? Çfarë nuk i shkruan dhe i transmetuan ish-presidentit amerikan Bill Klinton me skandalin e Monika Levinskit , por asnjë gazetar nuk u dënua apo ndaj të cilit pati padi civile apo penale.

Meqë jemi tek kjo pikë unë dua të pyes kryeministrin tim që drejton edhe shërbimin sekret nëse ka ndonjë lidhje greku Jorgo Jorgopullos me familjen Nano dhe çfarë pune bën ky person në Greqi? Çfarë kam kërkuar nga zoti Nano? Vetëm transparencë për bizneset e tij dhe miradministrim të pushtetit. Kam kritikuar mënyrën se si përdor mazhorancën, brenda së cilës ka plot deputetë me dinjitet dhe që mund ta drejtojnë vendin më me shpirt dhe aftësi profesionale.

Liria e fjalës, kjo është e drejta më elementare që me jep Kushtetuta si qytetar dhe njeri i medias. Duke qenë edhe deputet, obligimi im është i dhjetëfishuar, pasi dua që vendi im të zhvillohet e të integrohet sa më shpejt në Evropë. Dua që shqiptarët të hyjnë lirshëm, pa viza, në Europë. Ç’kanë me tepër bullgarët se sa ne të cilëve Evropa iu ka hequr regjimin e vizave? Asgjë, bile janë gjeografikisht me larg Italisë se sa ne. Por kanë një klasë politike që përbashkohet për interesat kombëtare dhe një qeverisje eficente. Këtë dua edhe unë në kritikat e mia, që ndonëse nganjëherë mund të kenë nota të egra kritike apo në ndonjë rast fjala mund të jetë keqlakuar, por më lind e drejta të pyes kryeministrin tim: Cila është më rëndë për një vend, për një popull: Keqpërdorimi i pushtetit dhe deformimi i moralit qeverisës apo keqlakimi i fjalës nga media? Besoj se përgjigja dihet se nga anon.

Të nderuar deputetë, kjo klimë e sulmit politik ndaj medias ka krijuar një situatë aspak të favorshme për të gjithë median në Shqipëri. Duke ndjekur e kopjuar kryeministrin Nano kanë vërshuar dhjetëra e dhjetëra padi ndaj gazetave të ndryshme. Vetëm pas bërjes publike të padive dhe të sulmit të zotit Nano ndaj medias Koha Jonë, ku fitoi 20 mijë dollarë nga gjykata e Tiranës, kanë vërshuar qindra padi nga qytetarët shqiptarë ndaj gazetave “Korrieri”, “Tema'”, “Gazeta 55”, “Gazeta Shqiptare”, “Zëri i Popullit”, “Albania”, gazeta “RD”, revista “Klan”, gazeta “Shekulli”, “Panorama”, “Sot”, etj.,

Të gjithë nën shembullin e kryeministrit në çdo padi të tyre kërkojnë nga 5 milionë deri në 20 milionë lekë gjobë. Pra tani ka filluar moda e padive kundër gazetave që të fitojnë paratë që nuk i kanë fituar tash 13 vite me punë. Kanë parë kryeministrin dhe duan ta kopjojnë, por ata harrojnë se Nano është vetëm një kopje. Kopje tjetër si Ai nuk ka për dallavere e pazare për vete! Në këtë drejtim ai mbetet i tmerrshëm në perfeksion!

Të nderuar deputetë! Lufta ndaj meje është krejtësisht hakmarrje politike dhe një çmenduri e një njeriu që ka humbur për momentin logjikën për të më ndalur mua në denoncimin e çdo gjëje të keqe në këtë klasë politike që po i merr shpirtin shqiptarëve. 13 vite konflikte, 13 vite sherrmajë, 13 vite që na ka lënë 130 vite pas vendeve të tjera. Përse reagon Nano ndaj meje? Reagon dhe do kokën time pasi unë kam botuar vendimin e qeverisë ku shpërblente veten e tij me pesë paga mujore pesë ditë pas tragjedisë së 9 janarit të këtij viti, kam botuar fakte dhe kërkuar në parlament hetimin me anë të një komisioni hetimor parlamentar për akuzën ndaj tij për aksidentin e Shkallnuerit, ku dyshohet se zoti Nano ka aksidentuar për vdekje një qytetar dhe më pas e ka hedhur në kanal duke ikur nga vendi i ngjarjes.

Kjo ngjarje nga ana e prokurorisë nuk është zbardhur akoma. Kam publikuar fakte për pallatin e tij që na e paska blerë vetëm 35 mijë dollarë me një sipërfaqe 270 metra katror mu në mes të Tiranës, ndërkohë që kaq kushton një shtëpi dy dhoma e një kuzhinë në Laprakë. Gjithashtu inati i kryeministrit vjen si hakmarrje pasi unë i kam kërkuar të më sqarojë publikisht se përse ka mashtruar në deklaratën e tij të pasurisë për një dhuratë për një benz të blinduar që kushton mbi 200 mijë dollarë. Kam kërkuar një mirëqeverisje prej tij dhe konvertim të pushtetit të socialistëve në shërbim të interesave familjare.

Po të isha nisur nga interesat personale sot mund të isha ministër kulture në kabinetin e tij siç ma kanë ofruar këshilltarë dhe ministra të tij të dërguar po prej tij. Nuk kam pranuar, pasi mes kolltukut të ministrit kam zgjedhur atë të deputetit gazetar. Nëse ju nuk keni harruar, zoti Nano ka akuzuar me gojën e tij plot ish-ministra apo ministra që ka sot në kabinet për korrupsion dhe shkelje të ligjit. Atëherë si ka mundësi që ky njeri nuk ka bërë asnjë padi në Prokurori për heqje imuniteti, por merret me deputet të medias? Ai nuk harron për kritikat dhe dokumentet që i kam publikuar atij. Ndaj do hakmarrje, duke na paraqitur një kokë të bukur gruaje para nesh. Por të nderuar deputetë, hakmarrja e Nanos është sa e ashpër, aq dhe primitive. Ai e shtrin hakmarrjen e tij edhe në familje çka është e papranueshme dhe jashtë logjikës jo vetëm për një shoqëri demokratike, por një hakmarrje e tillë dënohej dhe nga kanuni i Lekë Dukagjinit. Rastet që do të tregoj janë të shumta. Unë po ju përmend disa prej tyre: A nuk ishte Nano që çfarë nuk i bëri Fatos Klosit, edhe në burg donte ta fuste, vetëm e vetëm se hodhi hije dyshimi për të kaluarën agjenturore të gruas së tij. E paditi gjoja për një tender 60 milionë lekësh, ndërkohë që ministrat e tij vjedhin miliona e miliona dollarë nga tenderimet. I pushoi padrejtësisht gruan e tij nga puna në shenjë hakmarrje. A ishte kryeministri Nano që për hir se deputeti Eduart Alushi kaloi me LSI i shkarkoi njerëzit e afërm nga puna? Apo nuk është zoti Nano që i pushoi nga puna motrën dhe të afërmit e deputetit Albert Çaçi sapo ai e kritikoi? Natyrisht që me urdhër të kryeministrit janë shkarkuar. Mua nuk më la njeri me mbiemrin Lesi në administratën shtetërore. A e dini se çfarë i bëri ish-drejtorit të Policisë së Tiranës Pjerin Ndreu sapo ky i kapi drogë në linjat e autobusëve të gruas së kryeministrit? E shkarkoi, e arrestoi .

Të nderuar deputetë me lejoni t’ju drejtoj disa pyetje: Si do të ndiheshit secili prej jush nëse do t’ju largonin gruan nga puna shtetërore e fituar me konkurrim vetëm se ministri thotë se “Kam urdhër nga kryeministri Nano që ta shkarkoj, pasi është gruaja e filan deputeti që ka kritikuar zotin Nano?

Si do të reagonit secili prej Jush, të nderuar deputetë, nëse gruan tuaj në momentin që hynë në zyrën shtetërore shkojnë bodigardët e ministrit dhe e nxjerrin përjashta ministrisë, pasi kanë urdhër nga ministri?

Si do të ndiheshit ju nëse iks ministër vjen dhe ju thotë tërë frikë se “Nuk kam se çfarë të bëj, por gruan tuaj do ta largoj nga puna shtetërore, pasi nuk mund të punoj në administratën e zotit Nano, ndërkohë që ju po kritikoni kryeministrin Nano? A do t’ju nxihej fytyra nga zemërimi nëse vëllai i secilit prej jush shkarkohet me urdhër të kryeministrit, vetëm se ju keni kritikuar në parlament apo në media kryeministrin? A do t’ju mbante vendi secilin prej jush nëse kryeministri do të urdhëronte shkarkimin dhe përjashtimin nga administrata shtetërore të çdo njeriu që mban mbiemrin Tuaj? A mendoni se dhe të afërmit tanë kanë dinjitetin dhe personalitetin e tyre, por që për kryeministrin tonë janë vetëm shenja në letër të cilët mund ti heqë e ti zhdukë kur të dojë? Nesër do të jetë radha juaj, e njerëzve tuaj, sepse ky njeri njeh vetëm dy principe: nënshtrimin ose hakmarrjen.

Kryeministri ynë sa harxhon gjithë këtë energji dhe kohë të mazhorancës për çështjen time ai fare mirë mund ti kushtohej punës për të ndryshuar ato gjëra që ia kërkon elektorati, si qeverisjen, luftën ndaj krimit, etj. si dhe vetlargimin për t’u hapur udhë emrave të tjerë nga PS që kanë kredibilitet e për të bërë një qeveri që edhe nëse nuk e do politikisht e voton për hir të emrave me personalitet.

Të nderuar deputetë,

Ka deputetë që kanë tash sa vite nuk e kanë takuar Nanon, por që tani i ka thirrur në vilen qeveritare, për votën e sotme. Këto ditë kryeministri është bërë dashamirës me të gjithë deputetët, pasi i duhet vota. I thërret në vilë, i pyet edhe për kushërinjtë e pestë dhe u qan hallet. Sapo të mbaroj punë sonte siç do zoti kryeministër atëherë as nuk ka për ti takuar më. Kryeministri e ka për zakon që të përdorë dhe të heshtë, të nderuar kolegë! Unë këtu nuk jam i akuzuari apo mëshirë kërkuesi! Unë jam këtu, pa pranga apo me pranga nesër në mëngjes, pasi Prokuroria po pret pas derës, që të denoncoj dhe t’u kujtoj shqiptarëve se kush është tashmë pushteti personal i Fatos Nanos. Ky nuk është pushteti i të majtëve shqiptarë. Ky është pushteti i bizneseve personale të Fatos dhe Xhoana Nanos.

Pra dua t’i them mazhorancës se me këtë njeri po i humbni të gjitha shanset, ndonëse siç thashë edhe më sipër brenda mazhorancës ka plot emra që ia vlen të përkulesh në shenjë respekti. Unë jam këtu për t’i kujtuar ndonjerit apo gruppakicës nano-xhoiste se nëse dikur e kemi mbështetur, qoftë dhe në Lëvizjen e tij katarsiste, ai na ka tradhtuar. Ai shkeli çdo parim moral . Ai është mosmirënjohës ndaj jush. Ai nuk e ka për gjë, që për hir të ambicieve të një dhëndri të ri dhe pazareve fitimprurëse personale të shkelë çdo ligj, të hedhë këdo e cilindo në hendek, pasi të ketë mbaruar punë. Fatos Nano është mosmirënjohësi më i madh në klasën aktuale politike. Çfarë nuk tha për Gramoz Ruçin, Ilir Metën, Namik Doklen, Pandeli Majkon, dhe plot politikanë në PS. Fjalori i tij, siç do ta dëgjoni në një dokument sekret të cilin do t’ua nxjerr pak më vonë është jashtëzakonisht i ulët për një deputet e jo më për një kryeministër. Me këtë dokument që unë do të paraqes, ai duhet të japë dorëheqjen, nëse i ka mbetur diçka nga Fatosi i viteve ’93-’97. Nëse ka njeri që çfarë nuk ka thënë për anëtarët e kryesisë së PS dhe prapë, kur ia do halli iu bën lajka, ky është vetëm Fatos Nano.

Fatos Nano me mënyrën se si e shikon pushtetin në shërbim të pazareve të tij personale e familjare është bërë rrezik jo vetëm për PS-në, por për krejt shoqërinë. Janë shumë fakte që tregojnë karakterin e tij negativ qeverisës, porse unë po ju lexoj një dokument i cili më ra në dorë dhe ku tregohet për një bisedë të kryeministrit Nano dhe deputetit Fehmi Abdiu. Ndaj për këtë dokument dhe aksidentin e Shkallnuerit, ku zoti Nano akuzohet për vdekjen e një personi dhe fshehjen e krimit, do të kërkoj komision hetimor parlamentar. Po ju lexoj dokumentin që ju premtova (dhe lexon dokumentin).

Zotin Nano e njeh shumë mirë vetëm një njeri, një biznesmen nga Durrësi, i cili e ka ndihmuar kur nuk kishte asnjë lek, kur i shpëtoi jetën në aksidentin e Tepelenës me benzin e tij të blinduar. Ai e njeh shumë mirë zotin Nano, ai ia di të fshehtat financiare këtij njeriu që po qeveris duke shkatërruar vendin. Ai quhet Leonard Koka. I drejtohem publikisht atij që të rrëfehet dhe të çlirojë veten e tij nga ato që di për Njeriun me të rrezikshëm të Shqipërisë që quhet Fatos Nano.

Të nderuar kolegë, deputetë! Përfundimisht e dorëzoj vullnetarisht imunitetin tim si deputet vetëm me një kusht: Zoti Nano dhe unë ta dorëzojmë tani para jush, të firmosim në prani të kryetarit të Kuvendit. Zoti Nano ta dorëzojë imunitetin për akuzat që i janë bërë për aksidentin e Shkallnuerit, për trafikun e armëve në gjashtëmujorin e parë të vitit 1998, për vendimin e qeverisë së 14 janarit, ku shpërblen veten e tij, për pallatin në qendër të Tiranës që ka mashtruar me çmimin, për tjetërsimin e pasurisë nga ai tek Xhoana Nano duke shfrytëzuar pushtetin ekzekutiv mbi doganat, për akuzat e Brukselit si një kryeministër i përzier në afera korruptive, për mashtrimet që ka bërë me deklaratën e pasurisë për Benzin e blinduar, etj. kurse unë për akuzën e gruas së Nanos. Gjithashtu do të dorëzoja mandatin e deputetit me vullnetin tim të lirë në qofte se në adresën time do të kishte akuza për pjesëmarrje në trafiqet e drogës, armëve apo kontrabandës, dukuri të cilat kanë qenë, janë e do të jenë larg figurës time për sa të jem gjallë, sepse përveç se përfaqësoj popullin që më ka zgjedhur kam edhe dy djem të cilët dua që kur të rriten të jenë krenar për babanë e tyre.

Pas kësaj ekspozeje shumë prej jush mund të mendojnë se tashmë unë nuk rrezikoj vetëm imunitetin, por rrezikoj edhe jetën time sepse hakmarrja e Nanos që nuk njeh kufi. Do të jetë shumë më e egër se tani. Megjithatë , Ju kolegë deputetë keni në dorë sonte jo fatin tim, jo jetën time apo profesionin tim të gazetarit. Ju keni në dorë nderin dhe dinjitetin tuaj që është njëkohësisht edhe dinjiteti i Parlamentit.

Edhe njëherë duke përfunduar duke ti kujtoj kryeministrit që nëse më ndodh gjë mua ose familjes time, siç dhe ai po përgatit i kujtoj se në momentin që ai urdhëron eliminimin tim fizik atëherë, po në atë moment, të porosisë arkivolin për kokën e tij. Ju faleminderit!

Shënimi redaksisë: Pjesa e fjalimit ku flitet për aksidentin e Shkallnuerit nuk botohet për mungesë vendi në faqet e gazetës.

SHKARKO APP