Ilva Tare: Shengeni 25, Lilli Gruber dhe Shqipëria
(Botuar me 1 maj 2004 në KOHA JONE)
Nga Ilva Tare
Pak në siklet, si në një martesë kur Ai është i pasur me ca vite më shumë mbi kurriz, kurse Ajo është e re, më energjike dhe më e ndrojtur nga varfëria. Sfondi është i mrekullueshëm, lule dhe himni i Bethovenit. Që nga 1 Maji, Europa numëron 25 anëtarë. Pesëmbëdhjetë shtete me demokraci dhe pushtet ekonomik të forcuar shkrihen me 10 anëtarë, pjesa dërmuese ish-motra të Bllokut Sovjetik. Për të thyer veshin e mësuar të pesëmbëdhjetëshes nuk do të këtë ndonjë vështirësi, për gjithë të tjerat do të jetë çështje kohe.
Harta e Bashkimit Europian, që ne shqiptarët e shquajmë edhe më lehtë me zonën Shengen, ku praktikat për të pasur një vizë janë diskriminuese, rivizaton kufijtë me 10 anëtarë të rinj Qipro, Estonia, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, Hungaria. Është zgjerimi më i madh në historinë e BE-së, që i jep vendin e fuqisë së tretë botërore për nga popullsia me 455 milionë banorë, pas Kinës dhe Indisë. Një qytetar evropian, pra një “bashkimist” i Perëndimit apo Lindjes mund të udhëtojë nëpër porte e aeroporte pa e treguar kurrë pasaportën.
Ndërsa Ti, ballkanas; shqiptar, maqedonas, serbo-malazez, kosovar do ta kesh edhe më të largët ditën e dasmës me 25-shen e sapongjizur. E kam fjalën edhe për ty emigrant, që je vënë në shënjestër të politikës së çarterave “prapa kthehu”. Flas me të gjithë ata klandestinë që ushqehen me frikën e riatdhesimit.
Jo vetëm se homologët e Tony Blair janë dashuruar pas dogmës së re të kontinentit të vjetër “Toleranca zero”, por sepse BE-ja llogarit aktualisht 1 milion emigrantë pa dokumente, të cilët i ka shpallur të padëshirueshëm për demokracinë e mikluar me korrupsionin e familjarëve të rinj e të vjetër. Bullgarët dhe rumunët do të jenë anëtarë me të drejta të plota në 2007, pasi t‘u jetë majmur buxheti me financime bujare të BE-së. Turqia myslimane mbetet ende një kandidate e ftuar për anëtarësim, i cili duket se do të jetë i largët. Ballkani mbron me trimëri pozicionin e një grope të errët, ku evropianët hedhin grepat për t’i tërhequr dhe ankohen se zënë gjithmonë peshq të qelbur nga kokat. Reforma, luftë kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve ilegale, demokraci të qëndrueshme, është vetëm kurora e buqetave që do të hedhin pa shumë diplomaci mbi tryezat e kandidatëve të vegjël me shumicë myslimane, siç është dhe rasti i Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës.
“Bashkimistët” që nga 1 Maji i 2004 janë njëzet e pesë, pabesueshmërisht edhe me kulturën e disa vendeve që dikur ishin në anën tonë të perdes së hekurt. Për të çarë “rrethimin” e tyre, na duhet një shtet i fortë me rregulla të qarta loje dhe demokratike. Pra, që në pasaportën e shqiptarëve të ketë më shume viza Shengen edhe pas marrjes së shenjave të gishtërinjve dhe retinës së syrit, duhet të jemi të paktën si letonezët që thonë se janë të zotë në basketboll. Na duhen zgjedhje të ndershme dhe të lira, ose meqenëse jemi vend me shumicë myslimane, na duhen vetëm “Zgjedhje demokratike në kushte të jashtëzakonshme”, siç ishte vlerësimi i fundit i OSBE-së për presidencialet e Maqedonisë, së cilës edhe pse një vit pas luftës iu pranua aplikimi si anëtare me të drejta të plota në BE. Pse jo, do na duhej edhe pak lobing në kryeqytetet politikbërëse.
Fare pa fat nuk jemi. Nëse gjysmëbusti më i famshëm i Italisë, Lilli Gruber, zgjidhet eurodeputete në 13 qershor, si përfaqësuese e listës së Prodit, një miku a ish-miku sipas humoreve të fjalimbërësve shqiptarë, mund të shpresojmë për një tjetër avokate. Këtë herë, dhëntë zoti, të suksesshme të interesave të Shqipërisë. Ajo vërtet ka vetëm votën e saj, por, meqenëse është e martuar me një mashkull të racës së gazetarëve, i cili është francez, mund të jetë e familjarizuar, – si fqinja jonë që është, – me shprehjen e një eurodeputeti frëngjishtfolës. “Në Perëndim, korrupsioni është një sport elite, ndërsa në Lindje një sport për masat”. Vazhdimi im do të ishte: në Ballkan për sport mund të gjesh edhe ndonjë të ndershëm…