Intervistë e Remzi Lanit me shkrimtarin e madh, Ismail Kadare: Politikanë të papërgjegjshëm po e bëjnë Shqipërinë turpin e Evropës
(Botuar me 24 korrik 1999 në KOHA JONE)
-Intervistë e Remzi Lanit me shkrimtarin e madh, Ismail Kadare: Politikanë të papërgjegjshëm po e bëjnë Shqipërinë turpin e Evropës-
Pyetje: Gjatë ditëve të bombardimeve mbi Jugosllavi ju keni qenë shpesh herë optimist, por disa herë edhe mjaft pesimist. Tani, pas instalimit të NATO-s në Kosovë, cilat janë opinionet tuaja?
Mendoj se një luhatje të tillë e kanë përjetuar shumica e shqiptarëve. Ngjarjet ishin të tilla që e diktonin këtë. Ndërkaq dua të them se e quaj një cilësi jo të mirë të popullit shqiptar kalimin nga ngazëllimi i shpejtë në dëshpërim të shpejtë. Më qëllon të dëgjoj në telefon fjalë të tilla: ka një farë shprese, punët po venë më mirë. Dhe pas dy ditësh të kundërtën: e mira mbaroi, filloi prapë e liga. Të gjithë janë të dëshpëruar. Një popull nuk mund të ngrohet e të ftohet kështu, si një gotë ujë. Një populli do t’i shkonte më fort krahasimi me detin. Dhe dihet që deti edhe ngrohjen edhe ftohjen e ka të ngadaltë. Shqiptarët është mirë të jetojnë më të ndarë nga politika e ditës. Kjo do t’u mësojë shumë gjëra, e në radhë të parë gjakftohtësinë, rrjedhimisht kthjellimin e mendimit. Mendoj se s’ka arsye as për ndezulli të kotë, e aq më pak për dëshpërim. Pas vendosjes së NATO-s në Ballkan, historia e krejt gadishulli hyn në një fazë të re. Pas shkëputjes prej 6 shekujsh, Ballkani po i kthehet Evropës. Fati i tij, do të lidhet tani me fatin evropian. Për të ardhmen e kombit shqiptar, për strategjinë shqiptare, kjo është absolutisht e favorshme. Të gjitha aspiratat shqiptare përputhen me spikamën e Evropës së sotme e të ardhme. Asnjë interes shqiptar nuk bie ndesh me to. Në këtë nyje qëndron edhe baza e shpresës për të ardhmen. Pikërisht sa ra në kundërshtim me vizionin evropiano-atlantik, Serbia erdhi në prag të katastrofës.
Në një pjesë të shtypit botëror, por edhe në Shqipëri, vazhdojnë debatet, madje edhe dyshimet lidhur me UÇK-në. Ndoshta është shpejt të shkruhet historia, por si e vlerësoni ju UÇK-në?
Historia e UÇK-së është në një farë mënyre edhe historia e demonizimit të saj. Qysh në zanafillë, ajo u sulmua me armë dhe me shpifje nga regjimi serb, nga rrethet kundërshqiptare në vende të ndryshme të Evropës (Greqi, Itali, etj.) nga aleatët e serbëve qofshin komunistë, qofshin fashistë nga “vëllezërit sllavë”, rusë, bjellorusë etj. Së fundi, dhe kjo ishte me e hidhura, ajo u sulmua egërsisht e pabesisht nga ultrapacifistët shqiptarë. Thika në shpinë e këtyre të fundit i shkaktoi dhe vazhdon t’i shkaktojë shumë dëmtime UÇK-së, rrjedhimisht çështjes shqiptare sot.
Në një skajim më të gjerë UÇK-ja, si çdo forcë e ashpër dhe heroike, që ngjan disi jashtë kohës, ngaqë bie ndesh me frymën e kohës, ra në kundërshtim nga një anë me një frymë grykësie materialiste, nga ana tjetër me mungesën e burrërisë, që është aq e shpeshtë në kohën tonë. Grykësit, të korruptuarit dhe frikacakët ndihen gjithmonë ngushtë përpara njerëzve idealistë dhe trima. E është kuptimplotë që ushtarakët e NATO-s janë marrë vesh më mirë me UÇK-në, se sa të tjerët.
A ka bërë gabime UÇK-ja? Natyrisht që ka bërë. Më ka qëlluar që t’i vë në dukje, madje me ashpërsi. Gabime janë bërë sidomos në kohën kur UÇK-në u përpoq ta vinte nën kontroll LPK-ja, me nostalgjitë e saj marksiste të padurueshme. Ky kontroll i shkaktoi një famë të keqe UÇK-së dhe po të vazhdonte do të ishte fatale për të. Kjo u duk në bisedimet e Rambujesë dhe të Parisit, kur krahu marksist bëri çmos që, në traditën komuniste antishqiptare ta armiqësonte Kosovën me Perëndimin. Ky ishte, me sa dukej, aksioni i fundit komunist shqiptar, për ta izoluar prapë Shqipërinë. Pikërisht në Paris UÇK-ja bëri shkëputjen nga ky krah, e flaku shefin e saj politik, Demaçin dhe u shpall ashtu siç duhej të ishte, aleate e Perëndimit atlantik. Ky akt i saj ishte historik. Me këtë akt, UÇK-ja dëshmoi se ishte një lëvizje që pranonte hapje, emancipim, evropianizim. Qëndrimi i saj kohët e fundit, marrëveshja për çarmatim për shembull e ridëshmoi këtë.
Rugova, kthimi i tij në Kosovë, marrëdhëniet e tij me UÇK-në, mosardhja e tij në Shqipëri, mbeten tema të debatit. Një opinion për këtë?
Mendimi im për të nuk ka ndryshuar. Në qoftë se për hir të një kërkese evropiane për paraqitje unike të shqiptarëve, hyn në punë personazhi i tij, ashtu qoftë. Por, nëse ky njeri do të kërkojë më tepër se ç’meriton, asgjë të mirë s’do të ketë nga kjo. Unë jam për kompromiset e nevojshme, për të mbyllur grindjet, për t’i mbyllur sytë edhe për gabime të rënda. Por në moralitetin e një populli ka kufij që s’mund të kapërcehen. Një njeri që pretendon të jetë lideri i Kosovës, pasi kthehet i fundit në “shtetin” e vet, pasi kthehet i bronzuar nga dielli, në kohën që populli i vet është shkrumbuar e pastrehë, i uritur e me kufomat e foshnjave nëpër këmbë, një njeri pra, që nuk di t’i thotë dy fjalë këtij populli, që nuk di të shprehë asnjë dhimbje, por di vetëm të qeshë dhe si të mos mjaftojë kjo, pas disa orësh shpejton të kthehet në plazhin e Italisë, është vështirë të pranohet si i tillë. Dhe kjo që thashë më lart është ana më e paktë, ana etnike, njerëzore e çështjes. Ky njeri ende nuk ka dhënë asnjë shpjegim për marrëdhëniet e tij me xhelatin e popullit shqiptar. Ky lider është i vetmi në Evropë që nuk e ka dënuar Milosheviçin. I vetmi që nuk i ka dënuar ende krimet serbe. Populli shqiptar ka të drejtë të kërkojë arsyen e këtij qëndrimi. Pyetjet janë dy: e para, mendon vërtetë Ibrahim Rugova se Serbia dhe Milosheviçi s’kanë bërë ndonjë hata në Kosovë? E dyta, ka ende frikë? Në këtë rast të fundit vjen pyetja tjetër: nga e ka frikën? Me se e kanë zënë peng?
Ju më pyesni për mosardhjen e tij në Shqipëri. Ka vite që ky njeri, në kohën që takohet e buzëqesh me kriminelët e popullit shqiptar, në kohën që rend në Beograd sa herë që e thërrasin, refuzon me këmbëngulje të shkojë në Tiranë. Gjithë ftohtësinë e tij e ruan për Shqipërinë, gjithë buzëqeshjen për Serbinë. E gjithë kjo nuk kërkon koment. Del pyetja tjetër: Përse ka rrethe në Evropë që e përkrahin? Besoj se arsyet janë dy: Kur ka grindje në një zonë të botës cilësimi “i moderuar” është tepër joshës për ata që i shohin ngjarjet nga larg. “I moderuari” zakonisht jep përshtypjen e mirë, përshtypjen e të urtit, e atij që qëndron mbi pasionet, që sinqerisht kërkon zgjidhjen e çështjes. Duhet pranuar që shpesh është kështu. Por jo gjithmonë. Ka kinse të moderuar, ka njerëz pa parime, që do të pranonin çdo cilësim, veç të nxirrnin përfitim prej tij. Le ta shikojmë problemin rrokshëm. Rugova quhet “i moderuar” ndërkohë që gjithmonë kërkon pavarësinë e Kosovës. UÇK-ja quhet fare e pamoderuar, ndërkohë që nuk ngul këmbë për pavarësinë (së paku për disa kohë).
Rrjedhimisht ajo Evropë që përmendëm më lart duhet të jetë me UÇK-në dhe jo me Rugovën. Mirëpo shpesh ndodh e kundërta. Ata që janë kundër pavarësisë, madje edhe ata që fjala pavarësi i tërbon, duke përfshirë këtu Milosheviçin, rusët, bjellorusët etj., për çudi janë haptas pro Rugovës. Atëherë del pyetja: ç’është kjo ngatërresë? Shpjegimi është i thjeshtë: qoftë rrethet evropiane që janë kundër pavarësisë së Kosovës, qoftë armiqtë e tërbuar të saj janë megjithatë pro Rugovës, ngaqë e dini se kërkesa e Rugovës për pavarësi është e rreme. Në këtë pikë duhet thënë se disa rrethe evropiane duhet të jenë më serioze me problemin shqiptar. Serioziteti fillon nga përjashtimi i gënjeshtrës. U bë një luftë për shkaqe etike, morale, për të drejtat e njeriut. Pas kësaj lufte nuk mund të ketë një paqe me të tjera kritere. Paqja në Ballkan është po aq serioze sa lufta, ndoshta më tepër. Kjo është, në radhë të parë, tragjedia e popullit shqiptar dhe pastaj “tragjedia e përbashkët e shqiptarëve, serbëve, ciganëve, turqve”, siç përpiqen të na mbushin mendjen disa. (Shikoni përpjekjen për relativizimin e dramës shqiptare: caktohet këshilli bashkiak me 80 shqiptarë e 60 serbë. Caktohen gjykatat me 5 anëtarë shqiptarë, 3 serbë, 1 jevg e 1 turk. Jepen me pikatore ca dhoma në spital, ca vende në postë). Unë jam absolutisht që serbët të mos largohen nga Kosova, për respektimin e gjithë të drejtave të tyre, për ndalimin e çdo hakmarrjeje kundër tyre. E kam dënuar haptas kudo, e sidomos në shtypin e Kosovës, përpjekjen për revansh nga ana shqiptare. E kam quajtur këtë si një njollë që populli shqiptar mund t’i vërë ndërgjegjes së vet. Duke mos qenë politikan, e kam bërë këtë jo vetëm sepse kam bindjen se kjo është në të mirë të shqiptarëve, por sepse e drejta njerëzore e kërkon këtë gjë, se ky është i vetmi qëndrim i moralshëm në këtë botë dhe ky moral është i detyrueshëm për të gjithë. Por që të arrihet kjo duhet që administrata evropiane në Kosovë të jetë vërtetë e paanshme. Në Ballkan smirat e xhelozitë marrin përmasa të lemerishme. Të jesh i drejtë është një nga kërkesat themelore të njerëzimit. Por të jesh i drejtë do të thotë të dënosh gjer në fund krimin. Dënimi i krimit në Kosovë është sot pjesë e historisë, evropiane. Kontinenti mbarë është përfshirë në të. Ndaj këtu nuk mund të bëhen lodra: Dënimi i krimit nuk mund të merret si favor që iu bëhet shqiptarëve.
Ballkanasit kanë të drejtë të kërkojnë që administrata evropiane të shkëputet nga çdo mundësi kolonialiste, me fjalë të tjera, të marra seriozisht këtë punë. Por këtu del pyetja: në kohën që ne kërkojmë seriozitet prej të tjerëve, a jemi ne seriozë me veten tonë?
Ndoshta për herë të parë, Shqipëria gjatë luftës u shfaq si një partner i Perëndimit dhe jo si një problem, siç kemi qenë këto vitet e fundit. Por, disa akte shkatërrimi dhe mungesa e rendit publik rrezikojnë të na kthejnë tek “vendi problematik ballkanik”. Ç’duhet bërë?
Sa herë që vjen puna te gjendja e brendshme e Shqipërisë, ju them sinqerisht ndiej një bezdi të madhe për t’u përgjigjur. Bezdia shkaktohet nga përshtypja se po përsëris të njëjtat mendime. Kur në një vend nuk ndodh ndonjë gjë e mirë, edhe sikur të këqija të mos ndodhin, përshtypja është se punët venë keq. Për fat të keq, në Shqipëri, mbrapshtia është e dyfishtë: as gjëra të mira nuk ndodhin, as gjërat e këqija nuk rreshtin.
Disa ditë më parë, në gazeta “Le Monde” botohej një shkrim mjaft i thellë për çështjen shqiptare. Ndërsa parashikonte një të ardhme të shkëlqyer për Kosovën, gazeta shprehte mendimin se problem po bëhej Shqipëria, si vend i destabilizuar, që mund të ndikojë për keq në krejt Ballkanin. Ky mendim i “Le Monde” përputhet me atë të përgjithshmin: në Shqipëri nuk ka rend dhe siguri. Në Shqipëri korrupsioni, qoftë ai shtetëror, qoftë në jetën civile ka arritur pikën më të lartë. Mungesa e rendit dhe korrupsioni janë të lidhura bashkë. Ato të dyja mjaftojnë për ta çnderuar një vend. Shqipëria ka rrezik të kthehet në turp të Evropës. Shqiptarët vështrojnë me pikëllim largimin e një pjese të trupave të NATO-s, largim i natyrshëm, pas mbarimit të konfliktit. Të mësuar kohët e fundit me asistencë, fitim të lehtë, me dokrra, grindje dhe bingo, një pjesë e shqiptarëve nuk e kuptojnë se askush nuk do të merret me ta në qoftë se ata s’merren me vetveten. Për fat të keq, kjo psikozë po bëhet zotëruese në vend. Pyetja shtrohet e qartë dhe e thjeshtë: do ta lëmë vendin tonë të bëhet, pas Serbisë, faqja e zezë e Ballkanit, apo do të ndërmarrim diçka? Serbia u bombardua nga Evropa për krimet dhe egërsinë e saj. Shqipëria nuk mund të presë përkëdhelje. Mesazhi i komunitetit evropian është i qartë: nuk do të keni ato ndihma që prisni po nuk vendosët rendin dhe nuk luftuat korrupsionin.
E verbër dhe përgjegjshme, pjesa më e madhe e klasës politike shqiptare, nuk bën asgjë për vendin e vet. Le të ndalemi tek rendi dhe tek korrupsioni. Pyetja përsëri shtrohet e qartë: ka mundësi apo nuk ka mundësi të vendoset rendi? Ka mundësi apo nuk ka të kufizohet korrupsioni? Unë jam i bindur se të dyja këto mund të bëhen. Pavarësisht nga zvetënimi dhe rënia shpirtërore e sotme nuk ndodh kurrë që në një popull të zhduken njerëzit idealistë. Në Shqipëri jam i bindur se ka jo pesë e pesëdhjetë, por dhjetëra oficerë policë me ndjenjën e detyrës ndaj shtetit, atë ndjenjë pa të cilën nuk mund të ndërtohej kurrë asnjë strukturë shtetërore, rrjedhimisht asnjë qytetërim. Një grusht oficerësh të tillë, ndonëse sot mund të dukeshin si kalorës të vetmuar, shumë shpejt mund të përhapnin një mesazh të ri, duke tërhequr pas vetes kolegët e tyre, e më pas masën e policëve. Ministrit të sotëm të Rendit, intervistat e të cilit më kanë lënë një përshtypje mjaft të mirë, përshtypje e konfirmuar nga mendimet e miqve të mi në Shqipëri, i përket ndoshta të parit të ndërmarrë një aksion të tillë përtëritës. Si dush i ftohtë vjen një pyetje e tretë: dëshiron klasa politike shqiptare, apo nuk e dëshiron vendosjen e rendit dhe luftën kundër korrupsionit? Sinqerisht nuk jam i sigurtë për përgjigjen. Që një pjesë e kësaj klase është lidhur edhe me bandat edhe me korrupsionin, kjo s’ka dyshim. Por, që kjo pjesë të ketë arritur të diktojë rregullat në këtë vend, për këtë nuk jam i bindur.
Mendoj se Presidenti i Republikës bashkë me Kryeministrin i kanë mundësitë të dinë cilët janë ministrat ose parlamentarët e korruptuar. Një aksion i parë i vendosur kundër këtyre ministrave pritet prej popullit shqiptar dhe komitetit evropian. Kur është fjala për interesat madhore të vendit, nuk mund të ketë as mëdyshje e as mëshirë për kurrkënd. Sa herë që bie fjala për klasën politike shqiptare, sidomos për marrëdhëniet shtet-opozitë, dëshiroj t’i shmangem balancimit të gjërave. Është gjithmonë komode të thuash: të dy palët kanë faj, ejani në vete, o politikanë etj. etj. Duke e ditur këtë, gjithsesi nuk kam dashur të bie në këtë stil gjykimi sipërm. E, megjithatë ajo që ndodh në Shqipëri, më detyron të përgjigjem ashtu si më parë: një pjesë e madhe e klasës politike shqiptare, qoftë në shtet, qoftë në opozitë vazhdon me këmbëngulje të jetë e papërgjegjshme për fatet e vendit. Këta politikanë, pavarësisht ku ndodhen në pushtet apo në opozitë, kanë të njëjtat zakone me ata që i kanë shpallur si kundërshtarë: të njëjtën hakmarrje, të njëjtën urrejtje, të njëjtin stil pune, të njëjtën etje për revansh. Le të marrim vetëm një shembull: kthimin e deputetëve në parlament. Kam menduar përherë se bojkotimi i parlamentit prej kujtdo qoftë është veprim i dënueshëm, vulgar dhe i mjerë. Si të tillë, e dënoj bojkotin e deritanishëm të demokratëve dhe shpresoj që ata ta korrigjojnë atë sa më shpejt. Ndërkaq, po aq i dënueshëm e po aq vulgar më duket hakërrimi i mjaft politikanëve që janë në pushtet kur gjykojnë demokratët për këtë gjë. Ata kanë të drejtë të kritikojnë demokratët, por nuk kanë të drejtë të hakërrohen shumë, për arsyen e thjeshtë se, kur kanë qenë në opozitë, kanë bërë të njëjtën lojë të mbrapshtë, duke e bojkotuar parlamentin.
Prandaj, në qoftë se ata vërtetë kanë kuptuar diçka nga drama e popullit shqiptar, nëse me gjithë mend duan të ndreqen gjërat e jo të prishen, duke e kritikuar me të drejtë PD-në për kokëfortësinë e saj, duhet të kenë kurajën të thonë se ata vetë e kanë bërë një gabim të tillë, një gabim që s’duhet të përsëritet më. Vetëm kështu, nëpërmjet njohjes së gabimeve dhe shqyrtimit të ndërgjegjes së vet, klasa politike shqiptare do të mund të emancipohet. Pozita dhe opozita shqiptare duhet të kuptojnë ligjin numër një të realitetit të sotëm shqiptar: të dy palët kanë përgjegjësi për atë që po ndodh. Dhe nëse vendi do të shkojë drejt katastrofës, të dy palët gjithsesi do të dënohen. Pozita dhe opozita duhet të bëjnë marrëveshjen numër një, të detyrueshme midis tyre: në çdo rast, në çdo rrethanë, në çdo luftë politike, ata nuk duhet kurrsesi të prekin ngrehinën e shtetit dhe institucionet e tij. Pa këtë ngrehinë dhe pa këto institucione s’mund të ketë Shqipëri, e aq më pak Shqipëri evropiane. Rrjedhimisht të dy palët duhet të dënojnë ngjarjet e pranverës së vitit 1997, atëherë kur shteti shqiptar mori një goditje, plagët e së cilës ende nuk ро shërohen. Ky do të ishte ndoshta fillimi i një kulture të re politike.
Është shprehur mendimi se keni obsesion kundër klasës politike shqiptare. Ç’mund të thoni? Po ashtu u është bërë vërejtje se disa herë keni kritikuar popullin shqiptar, gjë që nuk jeni mësuar ta bëjmë.
Kurrsesi nuk kam obsesion kundër klasës politike. Përkundrazi kam padurim të vijë dita që të them fjalë të mira për të. Këtë e pohoj me sinqeritetin më të madh. Dhe këtë e kam bërë kur ka qenë rasti të mbroj shtetin shqiptar kohët e fundit, kur është fajësuar pa të drejtë në çështjen e Kosovës. Pa kurrfarë mëdyshje kam thënë kudo se qëndrimi i Shqipërisë ka qenë përgjithësisht korrekt. Edhe në këtë intervistë (pak më lart kur përmenda Presidentin dhe kryeministrin), i përmenda si dy njerëz që mund të ndërmarrin një aksion kundër korrupsionit, nga që thuhet se nuk janë të korruptuar. E njëjta gjë thuhet për shefin kryesor të opozitës, Berishën. Konfirmimi më i mirë, për një nam të tillë të mirë është pikërisht ky aksion. Të jesh vetë i pakorruptuar nuk mjafton. Të luftosh korrupsionin, kur je në majën e shtetit ose të pozitës, është e detyrueshme. Ka ardhur koha që në Shqipëri të ketë një ndarje tjetër midis politikanëve, një ndarje që qëndron sipër politikës, një grupim të ri moral: të korruptuar dhe të pakorruptuar. Në të dy kampet ka të tillë dhe kjo ndarje që propozoj nuk është fantaziste.
Opinioni publik shqiptar përgjithësisht e bën dallimin, pa çarë kokën për ngjyrat politike. Në fund të fundit, takimi Majko-Berisha ishte fillimi i një veprimi të tillë. Ndaj ai nervozoi shumë njerëz nga të dy kampet. Të korruptuarit ndjenë rrezikun. Dhe në rastin e Shqipërisë, të korruptuarit nuk janë thjesht të korruptuar. Ata lidhen me krimin, me mungesën e rendit dhe me destabilizimin e vendit. Me një fjalë me shkatërrimin e tij. Sa për kritikën ndaj popullit shqiptar, unë e quaj veten pjesë të këtij populli, ndaj e quaj të natyrshme të nervozohem me të, ashtu siç mund të nervozohem me veten ose me të afërmit. Kjo është një temë e gjerë, por këtu do të kufizohem vetëm me atë që e quaj keqkuptim dramatik të një pjese të shqiptarëve me vendin e vet. Një pjesë e shqiptarëve e quajnë veten si banorë të përkohshëm të Shqipërisë, dhe këtu unë gjej rrënjët e mosdëshirës për stabilitet. Në këtë kah, ngjarjet e Kosovës ishin, veç të tjerash, një zbulim i madh. Edhe në Kosovë ishte e fortë psikoza e ikjes. Mirëpo kur kosovarët e panë ç’do të,: thoshte humbje e vërtetë e atdheut, ata kryen një nga mrekullitë e përmasave biblike, që mahniti krejt botën: brenda tri javësh u kthyen për t’u ngulur prapë atje prej nga i shkulën. E një ndër to ishte zbulesa për tërë ata që i bëjnë naze vendit të tyre dhe dinë ta çmojnë vetëm kur e humbin.
Para një viti, kur as që mendohej ende se krerët e regjimit serb do të akuzoheshin nga gjyqi i Hagës për shkak të Kosovës, e keni përmendur këtë gjyq me një kontekst tjetër: keni paralajmëruar se një pjesë e politikanëve shqiptarë mund të kalojnë në të. A nuk ju duket sot një frazë e tmerrshme?
Jam i një mendje me ju se fraza tingëllon e tmerrshme. Megjithatë le ta shikojmë punën me gjakftohtësi. Shqipëria ndodhet në këtë fundshekulli në zgrip të fatit të saj. Të gjitha gjasat janë që ajo “të dalë më në fund në dritë”, siç thoshin dikur poetët. Gjysma e saj, Kosova, praktikisht u bë e lirë, Shqipërisë iu hap vërtet rruga e Evropës, vëmendja ndërkombëtare ndaj saj i kapërceu kufijtë e ëndërruar. E megjithatë, me gjithë këtë shans të pashembullt përpara Shqipërisë, si një shkëmb ogurzi ka dalë një faktor pengues: faktori shqiptar. Një grup politikanësh shqiptarë, një zhgan banditësh e mafiozësh, një varg gjykatësish të korruptuar, të ndjekur nga një turmë laramane sejmenësh jo vetëm e pengojnë këtë vend të ecë drejt fatit të tij të mirë, po e shtyjnë drejt humnerës. As lodhja e popullit, as flijimet e tij, as një milionë të shkulurit e Kosovës, as njëmijë fëmijët e pushkatuar mizorisht nuk ndikojnë për t’i sjellë në vete. Përkundrazi, më me zell se më parë kanë marrë kazmën shkatërruese. Me fjalë të tjera, ia kanë bërë benë Shqipërisë, siç thuhet. Atëherë ç’do të bëjmë përballë kësaj force të zezë? Mendoj se diçka duhet bërë. Ka nisur një epokë e re në botë: epoka e ndëshkimit. Askush s’mund të mbrohet nga kufijtë e shtetit, nga kushtetutat, nga titulli president, kryeministër apo kryetar i parlamentit. Kosova arriti t’ua hajë kokën krerëve kriminelë serbë e po i dërgon në gjyqin e Hagës. Në qoftë se zhguni i mësipërm shqiptar vazhdon dhunën kundër popullit të vet, përse të na duket i tepruar gjyqi i Hagës? Ngaqë ata janë shqiptarë?
Cili është vizioni juaj për Ballkanin e sotëm?
Shpëtimi i Ballkanit është emancipimi i tij. Kjo ide, për fat të mirë po bëhet zotëruese. Një ndreqje globale e punëve në gadishull është në të mirë të popullit shqiptar. Hapësira shqiptare në Ballkan nuk ka nevojë për asgjë tjetër veç normalizimit të jetës së këtij gadishulli. Në një jetë normale, kjo hapësirë shqiptare zhvillohet natyrshëm. Ajo nuk ka nevojë për toka të popujve të tjerë dhe as i kërkon ato. Ajo s’ka nevojë për ide të çmendura e qesharake, për ringjallje perandorish të vjetra. Ajo nuk njeh mite vrastare dhe as shpall vise të huaja si djep të saj. Ajo nuk joshet nga përndezje fetare, që përfundojnë pastaj me ndezje luftash si fryma e ortodoksisë, ose e myslimanizmit etj. Ajo nuk njeh doktrina që nxitin urrejtje kundër popujve të tjerë, e aq më pak projekte dëbimesh e masakrash. Ajo ka brenda vetes një energji e vitalitet të jashtëzakonshëm, që duhej të ndikonte për të mirë e që, për fat të keq, më së shumti ka ndikuar për keq. Energjinë negative një hap e ndan nga energjia e krimit. Prandaj Shqipëria ka nevojë të shkundet për të flakur të keqen. Mendoj se flakja e së keqes në Ballkan do të jetë më e sigurt kur të bëhet nga të gjithë popujt e tij. Strategjisë shqiptare i volit shumë një emancipim i shpejtë i Ballkanit. Një gadishull ballkanik me kufij të ç’dramatizuar, i çliruar nga xhindet shoviniste, me qarkullim të lirë njerëzish, mallrash e idesh, shkurt një Ballkan i evropianizuar përkon plotësisht me aspiratën shqiptare. Për fat të mirë, ajo përkon gjithashtu me aspiratën evropiane. Pikërisht në këtë përkim duhet të bazohet shpresa dhe besimi ynë.
Intervistoi: Remzi Lani