Kastriot Çipi: Varrmihësit e Teatrit Kombëtar. Historitë e ministrave të Kulturës dhe bëmat e tyre

Placeholder Image

(Botuar me 5 nëntor 1999 në KOHA JONE)

Nga Kastriot Çipi

Që fantazma e reformës do të trokiste një ditë në dyert e Teatrit Kombëtar, për këtë nuk dyshonte askush. Por me kalimin e viteve, inercia që karakterizoi superstrukturën e teatrit shqiptar, me gjithë ndryshimin e shpeshtë të Ministrave të Kulturës dhe ca më të shpeshtë të drejtuesve të TK, krijoi te komuniteti i artistëve dhe punonjësve të teatrit ndjesinë e një komforti molisës dhe bindjen se ky fragment i shoqërisë shqiptare kishte fituar tashmë imunitet ndaj “virusit” të reformës.

Pas “knock doën”-it të vitit 1991, me të cilin u mbyll edhe periudha e shkurtër (dhe e shurdhët) e ministrit të parë “pluralist” të Kulturës, Preç Zogaj, erdhi koha e reformave aq të shumëpritura dhe e ministrit të ri, Dhimitër Anagnosti. Kineasti më i madh i vendit, ishte thirrur në këtë sfidë, jo aq për kontributin e tij politik, se sa për curriculum-in e pasur dhe prirjen e lindur properëndimore.

Anagnosti përpiqet të lëshojë ide jo fort entuziaste për mjedisin bajraktaro-islamik të qeverisjes së PD-së. Nis programe financimi për botime private, një tjetër program për financimin e nismave private në arte, bën përpjekje për krijimin e një kuadri ligjor favorizues për kulturën me ligjet e para për sponsorizimin, të drejtat e autorit dhe kinemanë, decentralizon administratën e kulturës, emëron drejtues të institucioneve njerëz teknicienë, pa “merita” politike si Neritan Alibali në Teatrin Kombëtar dhe Petrit Beci në Studion Alba Film, vendos regjimin e kontratës së punës në sistemin e kulturës dhe, më në fund, përpiqet për lirinë e informacionit dhe transparencën ndaj taksapaguesve, duke botuar Vjetarin e MKRS-së, e vetmja përvojë e këtij lloji deri tani në vend, fatkeqësisht e pandjekur nga asnjëri prej pasuesve të tij.

Pasardhësi i tij, Teodor Laço, është krejt i painteresuar për frymën e Anagnostit. Megjithëse më i privilegjuar në buxhete dhe disponim të hierarkisë shtetërore, në raport me paraardhësin e tij, ai është më i shqetësuar për pozitën e tij politike se sa për komunitetin që drejton. Nën hundën e tij “zhduken” plot 60 kinema; me direktivën e tij bëhet “tufëzimi”i institucioneve kulturore të nivelit bashkiak në “qendra kulturore” dhe rikthehet centralizmi në drejtimin e tyre; me bekimin e tij hartohet një dokument monstruoz, i pagëzuar me titullin “Strategjia afatmesme e reformës në kulturë, 1995-1998″ që ndër të tjera parashikon privatizimin e teatrove të vendit(!).

Paradoksalisht, tensionimi i  situatës politike në fundin e legjislaturës 1992-96 dhe kriza e 96-97, eklipsoi “reformën” që do të sillte vdekjen e sigurt të teatrit në Shqipëri. Procesi u “ngri” për të mos i hapur telashe të reja Qeverisë Meksi.

Rikthimi i socialistëve në pushtet, zgjoi në komunitetin e teatrit shqiptar shpresat për financime vitale për kulturën, në traditën e socialistëve francezë. Askush nuk u kujtua të vërente se modeli i ofruar nga Jack Lang, për 13 vjet Ministër i Kulturës, nën presidencën e Miterrand, nuk ishte shembulli i filantropisë më të kulluar, por i rikonceptimit të kulturës si biznes, i patronazhit shtetëror që synon aftësimin e sistemit të kulturës për mbijetesë në një shoqëri pragmatiste, që jetonte vdekjen e ideologjisë.

Nga e gjithë përvoja kontradiktore, por gjithsesi e vyer e Lang, “homologia” shqiptare e radhës, Arta Dade, kishte përftuar vetëm trukun e 1%-shit. Ashtu si Lang më 1981, ajo erdhi në krye të administratës së kulturës me zotimin se do të merrte për kulturën 1% të buxhetit të shtetit. Por krejt ndryshe ç’ishte zotuar, ajo as nuk kërcënoi me dorëheqje, siç kish bërë Lang, as e qëlloi Nanon me këpucë, siç kish bërë grekja Melina Mërkuri me kryeministrin e saj. Duke mos pasur as aftësitë e Lang, as famën e Mërkurit, ajo heshti në qeveri, dhe bëri të heshtë edhe reforma në kulturë.

Kështu erdhi prilli ’98, kur në krye të administratës së kulturës erdhi polemisti Edi Rama, i thirrur enkas për t’u bërë, nga emigrant anonim, një ministër. Ekzibicionist, agresiv dhe i paparashikueshëm, me të kaluar politike tepër të dyshimtë dhe me karrierë artistike aspak krenare, Rama është shumë i vetëdijshëm për pozitën e tij delikate. Deklaratat e tij të para janë po aq pompoze dhe sterile sa ato to paraardhësve. Fjalët reformë, projekt, menaxhim, konkurs, curriculum, ligj përsëriten tepër shpesh në deklarimet e tij publike. Si edhe paraardhësja e tij, Rama, nuk ka asnjë ide, asnjë strategji në kokë. Por në ndryshim nga ajo, Rama vlerëson rolin e medias, punon shumë për krijimin e profilit të tij publik, duke investuar gjithë karizmin e tij mbi gazetarët dhe duke shfrytëzuar më së miri interesat dhe konfliktet e tre bosëve më të mëdhenj të medias shqiptare. Në vend të programeve të vërteta për zhvillimin e kulturës, ai zgjedh spektaklet me audiencë të gjerë televizive, eventet “elitariste”… Hakmarrës dhe revanshist prej natyre, Rama nis spastrimin e administratës nga “armiqtë” e tij personalë. Provokon konflikte dhe i menaxhon mirë ato. Arrin të jetë në fokusin e vazhdueshëm të medias, të krijojë në publik, imazhin e reformatorit radikal, që përkrah njerëzit dhe idetë e reja.

Në këtë klimë vjen dueli i tij me Gëzim Kamen dhe “odisea” e mjeruar e Teatrit Kombëtar. Pas plot pesëmbëdhjetë vjetëve në krye të Katedrës së Aktorëve në ILA (sot Akademia e Arteve), Kame dha dorëheqjen më 1991, dhe u katapultua në majën e TK. Pa qenë kurrë i emëruar de jure, ai arrin megjithatë të bëhet de facto Udhëheqësi Artistik i TK, e më pas edhe Drejtor i plotfuqishëm, posedues i monopolit mbi repertorin e institucionit më të rëndësishëm teatror në vend. Gjatë kësaj kohe, Kame përdori çdo mjet për krijimin e kultit të tij, që nga favorizimi i aktorëve të improvizuar regjisorë. Kulmi arriti më 1995, kur ai, duke sfiduar Këshillin Artistik, inskenoi një dramë në kuadrin e Studios Eksperimentale të TK, një projekt i nisur nga ish-Drejtori Neritan Alibali, i destinuar për regjisorët debutues. Duke iu trembur një shkarkimi të mundshëm (Kame nuk mori kurrë emërimin de jure as si Drejtor i TK) ai zgjodhi përrallën e Fondacionit për Ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, për të rilëshuar veten. Dhe nuk mendoi keq.

Vetë Presidenti Mejdani e mori seriozisht këtë absurditet dhe Ministrja e atëhershme e Kulturës, Dade, e emëroi kryetar të grupit për hartimin e projekt-ligjit të teatrit. Pa strategji, pa projekt-buxhet, pa projekt ndërtimi, madje pa shesh ndërtimi për këtë qëllim, Fondacioni arriti megjithatë të përurojë themelimin, në prill ’98, me një gala dhe 221 mijë dollarë të dhuruar. Në këtë kohë vjen edhe përplasja e parë Rama-Kame: Ministri shprehet indiferent për nismën dhe nuk premton asgjë. Kishte filluar kështu shpërfaqja e një konflikti personal, që datonte nga koha kur të dy protagonistët ishin në Akademinë e Arteve, një konflikti që pa kuptuar do të merrte përmasat e një konflikti social. Me një të rënë të lapsit Rama anuloi financimin e grupit punës për projekt-ligjin e teatrit, që kryesohej nga Kame, pa u merakosur për të emëruar një grup të ri pune. Me të njëjtën lehtësi, Nano, zhvlerësoi donacionet e kompanive shtetërore në favor të Fondacionit dhe i derdhi ato në buxhetin e shtetit. Qeveria shpalli në këtë mënyrë devizën e saj: nuk kemi nevojë për Teatrin e ri Kombëtar! Nën euforinë e këtyre “fitoreve”, Rama guxoi të ndërmerrte një hap edhe më dramatik.

Në korrik ’98, me ftesë të tij, një drejtor teknik i një teatri francez, viziton për disa minuta teatrin dhe shpall: Godina ka rrezik zjarri dhe shembjeje. Asnjë komision apo grup pune, asnjë ekspertizë apo kontroll teknik i konstruksionit, vetëm një fjalë goje dhe Shqipëria mbetet pa Teatër Kombëtar! Artistët protestojnë, ndërsa nga MKRS vijnë deklarata të papërgjegjshme të Shefit të Kabinetit të Ministrit, Blendi Gonxhe dhe Drejtorit të Projekteve Artistike, Vangjush Valla. Rama shpall se nuk ka ndërmend të shpenzojë asnjë qindarkë për rikonstruksionin e teatrit. Kame pozicionohet hapur kundër kësaj alternative, duke harruar se pikërisht kjo kish qenë alternativa e tij, e shprehur publikisht tre vjet më parë në gazetën “AKS”. Ndërkohë premtimet e Ramës për zgjidhje alternative si skena e Teatrit të Operas dhe Baletit apo ajo e Akademisë së Arteve, rezultojnë demagogjike. Vijojnë takime e debate të hapura, konferenca shtypi, peticione e deklarata të ashpra. Shumë zhurmë për asgjë: gjashtë muaj më pas skena e TK rihapet, me kusht që të pastrohet nga pluhuri dhe të mos lejohet përdorimi i llozhave(!).

Alarmi për godinën ka eklipsuar atë që në fakt duhej të ishte konflikti real: dy vendime të Qeverisë Nano të korrikut ’98, kanë shkaktuar tërmet në financat e TK, duke privuar këtë të fundit nga e drejta mbi të ardhurat e krijuara nga shitja e biletave dhe qiradhënia e hapësirave të lira, por edhe nga të gjitha veprimtaritë e tjera ekonomike. Kjo do të thotë reduktim drastik i buxhetit të TK me 45%: në shifra reale, buxheti ka rënë nga 40 në 22 milion lekë! Asnjë teatër në botë nuk do t’i rezistonte një sfide të tillë. Por alibia e godinës së TK është tema e ditës. Ajo që karakterizon krizën është pasioni irracional i artistëve, që nuk janë të aftë të organizohen dhe të propozojnë alternativa dhe cinizmi i ministrit Rama dhe pasuesve të tij, që mbështeten fuqimisht nga media Tetori i 98-s e gjen TK pa repertor, pa buxhet për të mbështetur prodhimin, pa politikë kulturore, pa strategji ekonomike dhe… pa drejtor. I qetësuar pas riemërimit në Qeverinë Majko, Rama ka marrë më në fund guximin t’i thotë Ramës, se ai në fakt nuk ka qenë kurrë i emëruar Drejtor i TK. Me këtë rast, ish-Ministrja Dade rikonfirmon inkompetencën e saj duke shpallur publikisht se Kame ka qenë emëruar prej saj në këtë post! Më komike nuk bëhet: një Ministër nuk e di se nuk e ka emëruar Drejtorin e TK, ndërsa tjetrit i duhen gjashtë muaj për ta zbuluar këtë! Në këtë situatë të favorshme për të, Rama bën dy lëvizje të mençura, duke shpallur fillimin e punës për hartimin e një projekti të ri të ligjit për teatrin dhe duke shpallur sloganin bllof: Greqia do të ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar.

Në thelb asgjë nuk ndryshon nga përralla e Fondacionit, me përjashtim të faktit, se kësaj borie i fryjnë pikërisht fqinjët tanë problematikë, historia e të cilëve nuk flet aspak për dashamirësi ndaj kulturës sonë, por krejt për të kundërtën e saj. Dhe kur pas gati një viti, nuk ka as shesh ndërtimi, as projekt, as grup pune, as buxhet fillestar, rievokimi i bllofit nga një figurë si Kryeministri aktual grek, në vend që të shkaktojë buzëqeshje, të zhyt thellë në mendime… Largimi i Kames e zbeh disi konfliktin. Në skenë kanë dalë dy protagonistë të rinj: Vangjush Furxhi, ish-Zv/Ministër i Kulturës në vitet ’92-’94, Kryetar i ShMAT (Shoqata Mbarëkombëtare e Artistëve të Teatrit) dhe Ahmet Pasha, Kryetar i Sindikatave Autonome të Teatrove të Shqipërisë.

Me oponencën e tyre refraktare, ata kanë pamundësuar çdo formë kompromisi, duke ia lehtësuar punën Ramës, që nuk e ka fort për zemër atë. Organizatat e tyre pa status juridik, pa forume, pa platforma, veç se vërtetojnë paaftësinë e komunitetit për të vepruar, në mbrojtje të vetvetes, duke i dhënë kështu një dorë Ramës për t’u shfajësuar përpara opinionit publik. Me fillimin e punës nga Komisioni për Hartimit e Ligjit për Teatrin, hyri në skenë edhe një protagonist tjetër, kryetari i tij Xhevdet Feri, ish-Dekan i Fakultetit të Arteve Skenike, ish-Kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK), i përfolur nga kundërshtarët e tij si ish-deputet, në legjislaturën famëkeqe ’96-’97.

Rama e shpalli si alternativën më të mirë të mundshme, si njeriu që kishte hartuar Ligjin për Kinematografinë, megjithëse ai vetë e dinte shumë mirë se Feri e kishte lexuar për herë të parë Ligjin në fjalë vetëm pasi i kishin propozuar postin e Kryetarit të QKK.

Si liberal me prirje të djathta, Feri hartoi idenë e projekt-ligjit duke u nisur më shumë nga bindjet e tij sa se nga interesat e Ministrit Rama. Por mungesa e përvojës në hartim ligjesh dhe zgjedhja e bashkëpunëtorëve krejtësisht injorantë në sferën menaxhimit të teatrit, e komprometuan keq punën e tij. Drafti i parë ishte një riprodhim i mjerë i Ligjit problematik të Kinematografisë, aspak i përshtatshëm për realitetin e ndryshëm të teatrit. Forumi i Oponencës, një organizëm i propozuar nga vetë Feri, i përbërë nga 15 përfaqësues të komunitetit teatror, e kundërshtoi fuqimisht draftin. Në mbledhjen e dytë dhe të fundit, kur u pa se Komisioni dhe Forumi kishin qëndrime diametralisht të kundërta, me propozim të aktorit Agim Qirjaqi, u vendos që Komisioni të vazhdonte punën dhe paralelisht me të, të ngriheshin edhe një ose dy Komisione alternativë, me financim nga MKRS, njëri nga të cilët mund të ishte ai që kryesohej nga Kame. Sipas kësaj formule kompromisi, brenda një afati gjashtë mujor, të tre variantet duhej të votoheshin nga komuniteti i artistëve të teatrit dhe varianti fitues t’i dërgohej Qeverisë për te kaluar më pas për miratim në Parlament. Por Rama edhe një herë injoroi kërkesën e artistëve dhe këtij kompromisi iu përgjigj me ndërprerjen e njëanshme të dialogut: Forumi i Oponencës pushoi së ekzistuari. I gjendur përballë presionit të artistëve që kërkonte të emërohej Drejtori i ri i TK, Rama nxitoi të të caktonte në këtë post pikërisht Xhevdet Ferin. Për mbylljen përfundimtare të “problemit” Kame, shërbeu “marifeti” i Statutit të TK, të formuluar nga Feri dhe të miratuar nga Rama, që duke mos parashikuar në strukturën e TK postin e Udhëheqësit Artistik, në fakt zhvishte Kamen edhe nga ky atribut, duke krijuar një handycap të rrezikshëm për mirëfunksionimin e TK. Me largimin zëvendësimin e stafit drejtues dhe rifillimin e shfaqjeve të repertorit, u duk se TK po hynte në rrjedhën e tij normale. Këtë përshtypje e përforcoi edhe heshtja e përkohshme e zërave kundër, pas acarimit të krizës në Kosovë.

Por e gjithë këtë kurba e krizës së TK, që përfshinte një hark kohor një vjeçar (Prill ’98-Mars ’99) me gjithë ulje-ngritjet e shumta, ishte shumë larg finishit të saj. Kriza më të madhe në historinë e teatrit shqiptar, përgatitet të hyjë tani në fazën më të egër të saj…

 

SHKARKO APP