Krijimi i institucionit “Xhoana”

(Botuar me 6 tetor 2004)

Nga Mustafa Nano

Kur e kam parë për herë të parë bashkëshorten e re të kryeministrit në një shfaqje televizive (intervistohej në TVA nga Ardit Gjebrea), jam befasuar me pafuqinë e saj për të belbëzuar në gjuhën shqipe. As që më shkonte mendja në ato kohë, se kjo grua, e cila nuk ishte në gjendje të formulonte një frazë të kompletuar e logjike përpara kamerave televizive, do të shndërrohej shpejt e shpejt në një personazh publik të planit të parë e në njeriun më të pushtetshëm në Shqipëri.

Mendoja se, duke qenë e vetëdijshme për limitet e veta intelektuale e kulturore, ishte thjesht e marrosur pas një njeriu të pushtetshëm, dhe jo pas pushtetit vetë. Por jam gabuar. Disa vite më pas, ajo është de facto njeriu më i pushtetshëm, pasi ka nën kontroll njeriun më të pushtetshëm de jure (burrin e saj e kryeministrin tonë). Nuk ka ditë që shtypi e media të mos flasin për të. Ajo shfaqet shpesh në krah të bashkëshortit, e shoqëron këtë të fundit brenda e jashtë Shqipërisë, bën vizita në titull personal nëpër rrethe të vendit e shoqëruar nga suita, eskorta e grupe mediatike të zhurmshme, lexon fjalime të përgatitura në veprimtari gjithashtu të përgatitura, luan rolin e një humanisteje përpara fëmijësh jetimë apo të ngujuar, qan përpara fëmijëve, ashtu si qan ndërsa dëgjon një fjalim kongresual butaforik të të shoqit. Largohet shpesh nga Tirana (tok me bashkëshortin), por kthehet sërish, pasi bash në Tiranë funksionojnë (kështu thonë prej kohësh një numër gazetash) disa agjenci udhëtimi e fluturimi, të cilat zotërohen e administrohen prej saj e mbi aktivitetin e të cilave askush nuk di asgjë. Transparenca është zero. E vetmja gjë që dihet ka të bëjë me faktin se këto sipërmarrje private janë ngritur prej saj në kohën, kur ajo ishte tashmë gruaja e kryeministrit. E vërteta është që e gjithë kjo situatë mund të përjetohet me një lloj indiference e mund të bëhet kabull. Dëshiron të dalë vend e pa vend në televizion e në faqet para të gazetave? Le të dalë! Do të udhëtojë? Le të udhëtojë! Do të qajë? Le të qajë! Nuk dëshiron të bëjë transparente veprimtarinë financiare të sipërmarrjeve të veta? Epo mirë, nuk është kjo e vetmja; do të vijë një ditë (kur i shoqi të mos jetë kryeministër) që transparencës nuk do të mund t’i përvidhet. Çështja është, që dhe kjo është e rrezikshme ajo komandon atë, të cilit të gjithë ne i kemi falur mandatin për të na drejtuar e qeverisur. Një tekë apo halucinacion i saj mund të shndërrohet fët e fët në një gjest kryeministror.

Mund të ndodhë edhe gjetkë që një burrë i pushtetshëm të ndikohet nga gruaja e tij (kjo është e natyrshme), por në të gjitha rastet pushteti i gruas së një të pushtetshmi konsumohet në mënyrë skrupuloze e jashtë syve të publikut. Ndërsa zonja Nano nuk kënaqet me kaq. Ajo lakmon shumë më tepër. Të krijohet përshtypja se i vetmi autoritet suprem e sovran, përballë të cilit kryeministri tërhiqet e zbythet janë tekat e dëshirat e gruas së tij të pangopur me protagonizëm.

Vendimi më i ri i Këshillit të Ministrave, me anë të të cilit u miratua Ceremoniali i ri Zyrtar i Republikës së Shqipërisë, është dëshmia më flagrante e faktit, që mandati i kryeministrit aktual shqiptar nuk është më në duart e sovranit popull, por në mëshirën e “sovranit” Xhoana.

Është e paimagjinueshme se si një qeveri e një kryeministër kanë kurajën e paturpshme të marrin një vendim, nëpërmjet të cilit kodifikojnë midis të tjerash prerogativat ceremoniale të gruas me emrin Xhoana Nano. Kjo e fundit na del si një institucion më vete. E gjithë kjo fshihet pas termit “zonja e parë” (shih “Korrierin” e datës 13 maj 2004), por merret vesh kollaj se gjithë ky mundim qeveritar nuk ka të bëjë me saktësimin “juridik” të funksionit të zonjës së parë, por me legjitimimin e protagonizmit të saj, i cili (protagonizmi) ka ekzistuar edhe pa këtë vendim. Ky është një teprim i paturp.

Mbi bazën e çdo logjike e sido që t’i vish vërdallë kësaj çështjeje, nuk mund t’i ikësh përkufizimit, sipas të cilit zonjë e parë thirret bashkëshortja e personalitetit më të lartë shtetëror. Në rastin tonë është bashkëshortja e Presidentit. Po ç’ndodh, nëse ky i fundit është i ve apo i pamartuar? Asgjë. Thjesht nuk do të kemi zonjë të parë. Dhe është absurde të kërkosh ta zëvendësosh, pasi nuk kemi të bëjmë me një funksion kushtetues, ligjor apo administrativ, por me një rekuizitë ceremoniale.

Asëll-asëll termi “zonja e parë” është një fiction, të cilin kryeministri ynë kuturis ta shohë si funksion. Për gruan e tij, kuptohet.

Në thelb, është humbje kohe për këdo të merret me një njeri (në këtë rast, grua) të sëmurë prej protagonizmit, por kam frikë se në këtë mes e prapa kësaj ngjarjeje të mërzitshme e bezdisëse, fshihet natyra e paskrupullt dhe e papërgjegjshme e kryeministrit të Shqipërisë. Me sa duket, ky njeri është i vendosur të qeverisë vetëm qejfet e veta e kapriçot e gruas që i rri në krah. As që do t’ia dijë për të tjerë e për të tjera. Deri kur? Deri në vitin 2005, sigurisht.

Më tutje do të jetë goxha i lirë për t’iu përkushtuar gruas e familjes, por nuk do të ketë pushtet për t’ua vënë në dispozicion. (Marrë nga gazeta “Shekulli” e muajit maj 2004)

Shënim i redaksisë: Redaksia e “Koha Jonë” po e boton këtë shkrim të analistit të njohur Mustafa Nano për të sqaruar opinionin publik se jo vetëm media “Koha Jonë”, por edhe mediat e tjera kanë botuar shkrime kritike për gruan e kryeministrit. Sipas logjikës kryeministrore me këtë shkrim Mustafa Nano duhet të ishte arrestuar deri tani 5 herë.

 

 

SHKARKO APP