Kryeministri Ilir Meta: “Puçistët do t’i trajtojmë si puçistë”
(Botuar me 1 dhjetor 1999 në KOHA JONE)
Kryeministri Ilir Meta: “Puçistët do t’i trajtojmë si puçistë”
Më shumë se një mbledhje, këtë do ta quaja një takim të qeverisë për disa probleme që kanë dalë këto ditë në shtyp, lidhur me disa akuza që janë bërë ndaj ministrit të Mbrojtjes dhe mbi disa akuza që janë paralajmëruar për anëtarë të qeverisë, lidhur me shpërdorimin e detyrës nga drejtori i Hetimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, zoti Agim Tirana, që ka kompromentuar procesin e hetimit në Ministrinë e Mbrojtjes, duke marrë kompetencat e gjykatës, duke shpallur fajtorë ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit. Unë dëshiroj t’ju informoj që në fillim se me vullnetin për të konsoliduar institucionet në vend dhe për të luftuar korrupsionin unë kam komunikuar edhe me Prokurorinë e Përgjithshëm dhe kam dëgjuar emrin e të gjithë juve edhe kandidatëve të tjerë që nuk janë sot anëtarë qeverie, përpara Presidentit të Republikës dhe nuk ka pasur asnjë evidencë për asnjë prej jush. Kjo më ka motivuar që të dërgoj emrat tuaj tek Presidenti i Republikës për të bërë betimin dhe po kështu i kam kërkuar zotit Rakipi, që në çdo rast, për çdo anëtar qeverie, qoftë edhe për mua vetë, për çdo funksionar të lartë shtetëror, për të cilin do ketë evidenca të qarta dhe të plota, që e implikojnë në kundërshtim me ligjet, të më verë në dijeni, sepse unë do të jem i hapur për ta pastruar qeverinë dhe administratën nga njerëz të papërgjegjshëm.
Dua të deklaroj se me këtë vullnet për bashkëpunim institucional është abuzuar jo nga prokuroria si institucion, por nga individë të veçantë të saj dhe në këtë kuadër janë dhe sulmet që ka ndërmarrë këto ditë drejtori i Hetimeve të Tiranës, në bashkëpunim me një gjeneral bashibozuk dhe me të tjerë kundër ministrit të Mbrojtjes, kundër Ministrisë së Mbrojtjes dhe kundër qeverisë, e përsëris, duke marrë kompetencat e Gjykatës. Dua të theksoj edhe një herë se qeveria e ka shumë të qartë ndarjen institucionale dhe nuk dëshiron të marrë kompetencat as të Parlamentit, as të Prokurorisë, as të Gjykatës dhe të askujt tjetër. Por nuk mund të tolerojmë këtë fakt kur goditet një ministër pa u lajmëruar Kryeministri, pa u çuar dosja në gjyq dhe në bashkëpunim me një gjeneral Aqif Cikalleshi, i cili ka drejtuar Repartin 5011, ku në ngjarjet e marsit të vitit 1997, janë vjedhur rreth 825 milionë lekë të reja armatim e municion dhe nga specialistët e logjistikës ky dëm konsiderohet si më i madhi i ndodhur në të gjithë repartet e ushtrisë shqiptare. Asnjë repart nuk ka pasur kaq dëm ekonomik sa reparti i komandantit që “zbatuaka vetëm ligjet”.
Gjithashtu ai i ka zbatuar ligjet “kaq mirë”, sa që në ngjarjet e marsit të vitit 1997, ka furnizuar me armatim e mjete të tjera logjistike, në kundërshtim me të gjitha ligjet në fuqi, struktura jashtë juridiksionit të Ministrisë së Mbrojtjes, duke shkaktuar një dëm efektiv ekonomik në shuma të konsiderueshme. Po kështu, në repartin ku ka drejtuar Aqif Cikalleshi gjatë ngjarjeve të marsit të vitit 1997 u vodhën të gjitha rezervat ushqimore, u vodhën depot e veshmbathjeve, të kazermave, të teknikës, të shëndetësisë dhe agregate. Janë vjedhur gjithashtu mbi 2000 instrumente artilerie, 1600 pistoleta të llojeve të ndryshme, mbi 75 copë makina qepëse, mbi 40 milionë fishekë të llojeve të ndryshme etj. Pa përmendur këtu vjedhjen e 30 kg ar dhe materiale të tjera të rëndësishme. Për të gjitha këto arsye, nga ish-ministri i Mbrojtjes është propozuar për heqje grade, por deri më sot nuk është vepruar, ose më saktë, është vepruar vetëm para disa viteve. Po kështu në muajt shkurt-mars të vitit 1997, në Bazën e Furnizimit të Ushtrisë jepej urdhër për armatosjen e bandave nga vetë krerët e Partisë Demokratike, që nga Blerim Çela, Shaban Memia dhe Agim Shehu. Besoj se tani e kuptoni gjithë solidaritetin e djeshëm të ish-kryetarit të Kontrollit të Shtetit dhe një nga njerëzit më të korruptuar të sistemit të Berishës, zotit Blerim Çela, për gjeneral Aqif Cikalleshin. Për të gjitha këto i është kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme që në fillim të vitit 1998 për gjeneral Aqif Cikalleshin të ndërmarrë veprimet e saj, por deri më sot ajo nuk ka bërë asnjë veprim. Për këtë zoti Hajdaraga kërkoi urgjent nga ju, si ministër i Mbrojtjes, që t’i kërkoni. Presidentit të Republikës heqjen e gradës dhe të bëni lirimin e menjëhershëm të këtij gjenerali bashibozuk nga strukturat e ushtrisë shqiptare. Jo vetëm kaq, por edhe t’i vini në ngarkim gjithë këto dëme që i ka shkaktuar shtetit ky ish-gjeneral gjatë kohës në të cilën ai ka qenë në funksion dhe të komunikoni me Prokurorinë, meqenëse edhe ajo ka shprehur vullnetin për ta luftuar korrupsionin edhe kur ky tashmë është kaq evident dhe i provuar.
Së dyti, zoti Poçi, ju tërheq vëmendjen që një vartësi juaj ka marrë guximin të bëjë konferencë shtypi në një nga institucionet lokale të Ministrisë së Rendit kundër jush, kundër disiplinës dhe rregullit në administratë dhe në forcat e rendit, prandaj për ish-drejtorin Hasan Ahmeti kërkoj largimin e tij të menjëhershëm nga strukturat e Rendit Publik, sikundër do të largoj çdo ministër që nuk është në gjendje të vendosë rregull në administrimin e tij, që lejon vartës për të bërë karshillëqe me institucionet dhe me shtetin.
Për sa u takon problemeve të Ministrisë së Mbrojtjes, pa qenë i bindur se cila është e vërteta e saj, të cilën nuk e ka monopol Prokuroria, por që ka detyrë të ndihmojë dhe jo të bëjë zhurmë nëpër gazeta, siç ka më shumë se një vit që po bën (Monopolin për të vërtetën e ka vetëm Gjykata dhe askush tjetër), pavarësisht nga kjo, për të shmangur një zhurmë, e cila dukej që ishte e qëllimshme, pa marrë përsipër për të thënë nëse ishte, apo nuk ishte i implikuar ish-drejtori i Përgjithshëm i Ekonomisë, unë kam kërkuar shkarkimin e tij dhe e kam bërë këtë, por unë nuk mund të shkarkoj një ministër, sa herë i teket një prokurori, për më tepër pa prova, pa evidenca të qarta, por thjeshtë dhe vetëm nëpër gazeta dhe thjeshtë e vetëm për qëllime politike.
Unë jam i gatshëm, siç kam deklaruar, të jap dorëheqjen edhe vetë nëse rezultoj i implikuar, të kërkoj largimin e çdo ministri që është i implikuar, por vetëm në bazë të provave ligjore dhe jo në bazë të segmenteve politike, të cilat promovojnë elementë të caktuara edhe brenda drejtësisë. Unë nuk dëshiroj konfrontimin institucional dhe nuk mendoj se lufta kundër korrupsionit është monopol i qeverisë dhe se qeveria duhet të bëjë një garë për të qenë e para në këtë luftë, përkundrazi, kjo është një problem i gjithë shoqërisë, madje për këtë kam ftuar edhe opozitën, për këtë kam shkuar edhe te Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe u kam kërkuar që të punojmë së bashku për të reflektuar mbi të gjitha ato shkelje dhe konstatime që ata kanë gjetur për më se një vit, të cilat nuk janë marrë në konsideratë nga qeveria e mëparshme, dhe këto do të vazhdojmë ta bëjmë.
Kam deklaruar se do të bashkëpunoj edhe me Prokurorinë, kam deklaruar se për ato raste, kur është tejkaluar në shkelje, të veprojë prokuroria dhe përfundimisht të ketë edhe zyrtarë të përgjegjshëm në çdo lloj niveli qofshin ata, të shkojnë edhe në burg, që të mësohen të mos shpërdorojnë fondet publike, pozitën publike, në mënyrë që askush të mos guxojë të prekë ligjet në këtë vend. Unë e kuptoj se është një luftë shumë e vështirë kjo që kemi filluar për të zhveshur institucionet nga protagonizmi personal i individëve të papërgjegjshëm.
Unë garantoj qytetarët, garantoj gjithë institucionet e tjera se nuk do të pranoj dhe nuk do të lejoj asnjë ministër të krijojë konflikte me institucionet e tjera, ashtu sikurse nuk do të pranoj asnjë njeri të papërgjegjshëm në Prokurori, në Gjykatë, apo kudo qoftë ai, që të hedhë baltë mbi qeverinë dhe mbi punën e saj, sepse edhe qeveria nuk mund të jetë as një ministër i papërgjegjshëm, as një kryeministër i papërgjegjshëm. Unë do të vazhdoj të kërkoj bashkëpunimin e zotit Rakipi, si Prokuror i përgjithshëm, që ta drejtojë institucionin e tij me të njëjtin përkushtim, ndershmëri dhe vendosmëri që unë kam vendosur të drejtoj qeverinë aktuale.
Unë do t’i kërkoj atij dhe ia kërkoj publikisht që të vazhdojnë hetimet në Ministrinë e Mbrojtjes dhe kudo ku ka probleme, ku ka denoncime, ku ka abuzime. Unë i kërkoj që këtë drejtor hetimesh, të papërgjegjshëm, i cili nuk është hera e parë, që merr iniciativa të tilla që krijon probleme të tilla, pa ndjekur rrugën ligjore, duke kompromentuar organin e prokurorisë, duke nxitur konflikte institucionale, duke bërë presion mbi ministra, se “dika edhe shumë gjëra të tjera”, ndërkohë që ka dështuar në shumë çështje të mëparshme dhe dëshiroj në këtë mënyrë të zhvillojmë marrëdhënie të qëndrueshme me Prokurorinë dhe në rast se nuk do të ketë një vullnet të tillë, atëherë do të jem i detyruar që këto çështje t’i vendosë përfundimisht Parlamenti.
Unë kam besim se shumica e Parlamentit është e vendosur në luftën kundër korrupsionit, në luftën kundër kriminalitetit, nuk do të pranoj që nga lufta e vërtetë që po bëhet, të shmanget vëmendja me “shashka” të hedhura nga njerëz të papërgjegjshëm edhe brenda Prokurorisë, edhe brenda administratës, edhe kudo qofshin. Po kështu unë kërkoj që Prokuroria të bëjë më mirë detyrën e saj, ashtu sikurse ne kemi vendosur të bëjmë mirë detyrën tonë, sepse vetëm kështu mund të rritet autoriteti i institucioneve dhe i shtetit. Kërkoj që ne të bashkëpunojmë më shumë për të arrestuar gjithë presidentët e piramidave mashtruese, për ta zbardhur më mirë çështjen e piramidave, për të mos e zvarritur më atë dhe njëkohësisht kërkoj që të mos zvarriten më as hetimet për çështjen e vrasjes së Azem Hajdarit dhe tani as të vrasjes së vrasësve të Azem Hajdarit.
Përfundimisht, në këtë shtet duhet të kuptohet se askush nuk mund të luajë me përgjegjësitë institucionale, se ato nuk janë private dhe u bëj të qartë gjithë institucioneve të tjera se nuk mund të bëjnë hetime mbi anëtarë të qeverisë, mbi politikanë, pa kërkuar më parë heqjen e imunitetit të tyre. Ndryshe gjithçka do të konsiderohet si puç institucional dhe ata do të trajtohen si puçistë. Askush nuk ka imunitet përtej ligjit, duke filluar që nga unë, që nga Presidenti i Republikës, që nga çdo deputet, që nga çdo prokuror dhe çdo gjykatës.
Ne të gjithë kemi imunitet vetëm kur zbatojmë ligjin. Jam i bindur në mirëkuptimin e gjithë institucioneve të tjera, jam i bindur që vetë prokuroria do të dijë të ruajë autoritetin e saj dhe në këtë mënyrë bashkëpunimi me të, me Kontrollin e Lartë të Shtetit, do të bëjë të mundur që të godasë më tej krimin dhe korrupsionin, gjithnjë në bazë të ligjeve në fuqi, gjithnjë në bazë të një bashkëpunimi institucional dhe të kuptimit që kjo është një përgjegjësi e përbashkët.
Qeveria nuk e ka kuptuar këtë si një sfidë të saj, të vetën. Ne i kemi dhënë tashmë sinjalet duke shkarkuar njerëz të papërgjegjshëm. Ne e ftojmë Prokurorinë kudo ku ka njerëz të papërgjegjshëm, kudo ku ka shpërdorime të vendosë drejtësinë. Ajo është organi i akuzës, nuk është organ politik, nuk ka përse të merret me komente politike dhe nuk do të lejojë askënd, asnjë institucion, të dalë përtej kompetencave të tij, ashtu sikurse qeveria nuk ka ndërmend të marrë as kompetencat e Parlamentit, as kompetencat e Prokurorisë, as të gjykatave dhe të askujt tjetër. Shpresoj që edhe të tjerët ta kuptojnë kështu përgjegjësinë institucionale dhe të gjithë të kuptojnë që nuk ka organe të pavarura, në kuptimin anarkik dhe kaotik, të gjithë varemi nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Sot festojmë 1-vjetorin e kësaj Kushtetute dhe nuk do të lejojmë asnjë që të tallet me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Fjala e kryeministrit Ilir Meta në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, të datës 28.11.1999