Maks Velo: Bunkerizimi i tokës dhe qiellit kryeqytetas prej arkitektëve dhe politikanëve shqiptarë

(Botuar me 20 dhjetor 2000 në KOHA JONE)

Nga Maks Velo

Ansambli i vilave të Aviacionit është kthyer në qendrën e shëmtimit dhe poshtërimit njerëzor. Aty shoh arrogancën e paskrupull të politikanëve dhe specialistëve, injorancën profesionale, paturpësinë qytetare, shëmtimin dhe mungesën e njohjeve më elementare për urbanizimin dhe arkitekturën, pangopësinë e investitorëve, refuzimin e çdo kodi ligjor që rregullon bashkëjetesën.

Nëse shteti shqiptar nuk dënon ata që e lejuan këtë gjë dhe nuk e korrigjon atë, nuk ka për të qenë kurrë shtet.

Aty ishte shembulli i një ansambli të vogël harmonik dhe shumë funksional (ndërtuar nga pushtuesit) dhe u bë shembulli i shkatërrimit total bërë nga atdhetarët e mëdhenj! Në Arkitekturën dhe Urbanizimin e Tiranës reflektohen tërë mungesat profesionale dhe etike, tërë vetitë e fshehura barbare dhe primitive të kodit oriental Osman. Asnjë armik nuk e ka shkatërruar kështu kryeqytetin si ne vetë. Kjo u bë për një periudhë dhjetëvjeçare edhe nën vëzhgimin e të gjithëve.

Ata mafiozë që u pasuruan, heshtin; lypset patjetër të gjykohen pamëshirë, pa asnjë hezitim, përndryshe kjo do të vazhdojë qoftë dhe në forma të tjera. Enver Hoxha dhe regjimi komunist vari, pushkatoi dhe burgosi me dhjetëra inxhinierë nga më të zotët që nga grupi i Maliqit deri tek ata të Naftës. Edhe unë kam në aktakuzën e dënimit të tilla akuza.

Të gjithë ishin njerëz të ndershëm dhe të aftë.

Sabotatorët e vërtetë i keni tani me dhjetëra dhe çuditërisht asnjë nuk ka kaluar për ndjekje penale. Kjo sepse ka një korrupsion total: te politikanët, specialistët dhe organet e hetimit dhe ato gjyqësore.

Gjatë këtyre 10 vjetëve ka pasur shumë pak shkrime për arkitekturën dhe urbanistikën. Edhe një gazetare e cila ka mbaruar arkitekturë, A.M. nuk do të shkruajë. Unë kam shkruar dy artikuj: një në “Drita” dhe tjetrën në “Gazeta Shqiptare”. Çdo ditë gazetat në dhjetëra faqe si bëjnë dashuri yjet e Hollivudit dhe kush është homoseksual, por nuk kanë asgjë për problemin kryesor të shtetit: ndërtimin dhe arkitekturën. Jo vetëm nuk kemi kritikë por dhe nuk duam të kemi. Sepse nuk duam të dimë të vërtetën. Kemi frikë prej saj. Për mendimin tim fakulteti i Arkitekturës nuk dha rezultat. Kuadrot e tij janë shumë të dobët, përderisa bënë këto punëra; ata janë ndër përgjegjësit kryesorë.

Unë jam që ai të mbyllet, së paku të rikompozohet ose të kthehet në degë dizanji për interierë. Po të mos kemi fakultet, ata që do të duan të studiojnë do të shkojnë jashtë. Gjatë këtij 10-vjeçari bëmë tërë përpjekjet për të krijuar një shtet mafioz dhe kësaj ia arritëm me sukses. Tani është shumë e vështirë ta ndryshojmë. Të gjithë punonim me shumë vullnet në këtë drejtim, si të përsosnim mjetet për t’iu shmangur ligjit. Tani çështjet janë ngatërruar si një lëmsh që nuk e zgjidh dot.

Por lëmshi duhet zgjidhur, përndryshe nuk ecet dot për para. Jam dhe mbetem i një mendimi: të bëhet me imtësi verifikimi i çdo rasti veç e veç. Secili të marrë atë që meriton. Përndryshe nuk kemi për t’u rregulluar kurrë. Çdo profesion ka një kod moral, e dhe ai i arkitektit gjithashtu. Kush ka shkelur këtë kod, duhet të dënohet; të mos ketë të drejtë të punojë.

Tani po e shohim të qëruar barbarinë tonë. Dhe barbarinë arkitekturore. Kjo që është bërë, është një lloj gjakmarrje, gjakmarrje estetike. Arkitektët e vranë qytetin, e vranë Tiranën. Dhe janë ata e më tepër ato që bërtisnin më shumë, në shoqatën myslimane Tirana. Anëtarë të këshillit të RT dhe të Këshillit bashkiak. Ata e ato me sa duket e konsideronin qytetin një lloj prone, të cilën e shisnin copa – copa.

Nuk ka dhe nuk do të ketë Urbanistë, përderisa nuk kanë kuptuar që qytetin e krijon hapësira bosh dhe jo volumi i ngurtë. Hapësirën nuk e krijon dot. Asnjëri nuk ka të drejtë të ndërtojë mbi oborre, edhe duke qenë pronë e dikujt. Zotërimi i një sipërfaqeje horizontale nuk do të thotë se ke të drejtë të ngrihesh lart. Volumi i ajrit dhe i hapësirës bosh është pronë e qytetit. Ajo planifikohet, por sigurisht jo nga specialistë të këtij lloji që dinë të shohin vetëm në plan dhe në xhep.

Qytet më të çorganizuar se Tirana nuk mund të gjesh kurrkund. Një kakofoni volumesh, formash, ku nuk respektohet asnjë marrëdhënie ndërmjet tyre. Një ngjeshje e pakontrolluar si turmat anarkike të marsit ’97. Turmat ndoqën shembullin e arkitekturës.

Në rastin tonë shoh se si arti është refleks perfekt i vetë shoqërisë. Tani pallatet kafshojnë njëri-tjetrin si përbindësha. Por kjo nuk u intereson atyre që i projektuan dhe atyre që dhanë leje, përderisa janë shlyer me faturat.

Komplekset e pallateve të Xhenjos, të Moskatit, të Aviacionit, të Laprakës, u shkatërruan me gjithsej. Më duket sikur mezi prisnin që t’i shkatërronin, përderisa nuk ishim në gjendje të projektonin dhe ndërtonin në atë nivel. Ne nuk ishim në gjendje të projektonim vepra si Banka, Dajti, Kryeministria, Kompleksi i Universitetit, Pallati Presidencial.

Veprat tona me ambicioze Pallati i Kulturës, Muzeu Historik, Piramida, Muzeu i Krujës, Pallati i Kongreseve, janë me shumë defekte në zgjedhjet e tyre si funksionale ashtu dhe estetike. Jemi treguar të paaftë në zgjidhjet urbane, se nuk kemi akoma aq sa duhet dashurinë për njeriun. Dhe Urbanizmi është treguesi i kësaj. Shkatërrimi urban që iu bë Tiranës tregoi se specialistët e kësaj fushe janë më tepër egoistë se sa altruistë. Por egoizmi këtu është vrastar për komunitetin.

Arkitektura është profesioni më i vështirë nga të gjithë që ka praktikuar njeriu. Po tregojmë se jemi të paaftë. Se aftësia nuk është të bësh ca fasada të bukura por të respektosh natyrën dhe njeriun.

Mendoj se dy janë komunitetet profesionale që e shkatërruan Tiranën: politikanët dhe arkitektët. Në shtetet që marrin drejtimin mafioz, drejtimin më të vrullshëm e marrin ndërtimi i paligjshëm, droga dhe prostitucioni.

Në historinë e qytetërimeve barbare, antike, mesjetare dhe moderne, zor seç gjen një shembull si i yni. Shqiptarët si turma barbare iu sulën kryeqytetit të tyre dhe e kafshuan nga tërë anët. Por ata që ua shtruan në tavolinë, e therën, e ndanë copa-copa dhe e poqën janë arkitektet dhe urbanistët. Ata janë masakruesit e vërtetë të Tiranës.

Zor, në se e pamundur të rregullohet gjë. Çudi, asnjë nuk të thërret para se të fillojë masakra, na thërresin tani kur gjakun ia kanë pirë; në se mund ta ngjallim. Tirana ka qenë qytet horizontal dhe me hapësirë. Qytetet horizontale janë të lexueshme vetëm në distanca të afërta, sepse fshehin mbrapa tërë volumet e tjera. Tani Tirana ka marrë përpjetë pa llogaritur se në lartësi duken tërë defektet.

Gabim shumë të rëndë quaj zgjidhjen dhe lejimin për t’u ndërtuar të dy kullave karshi Kryeministrisë në parkun N. Frashëri. Vendosja diagonal është në kundërshtim me zgjidhjen ballore të godinave zyrtare të ngritura gjatë bulevardit.

Mbrapa tyre, shumë afër, është ngritur një tjetër lartësirë pa asnjë vlerë. Ngjitja në lartësi e të tri këtyre godinave, sjell prishjen e mashtabit të të gjithë bulevardit dhe një çoroditje vizuale, një provokacion të palejueshëm, një mungesë koherence dhe mendimi unik për bulevardin më të rëndësishëm të shtetit.

Duhet me vendosmëri të ndalohet vazhdimi i punimeve, të prishen, se përndryshe dy mastrodonte të llahtarshëm do të shëmtojnë përjetë këtë shëtitore. Ato kulla mund të ngriheshin, po, por në Selitë a Vorë. Në të gjitha banesat e ngritura, nuk gjen asnjë vepër që të jetë një realizim i plotë me të gjithë komponentët që i duhen një vepre arkitektonike.

Nuk gjen një arkitekt që të ketë një individualitet të tijin, që mund ta lexosh nga larg, të njohësh gjuhën e tij, shifrën e tij. Dhe s’ka se si të mos ndodhë që prapë, arkitektët e huaj të ngrenë opusin më të arritur artistikisht dhe funksionalisht.

E kam fjalën për rezidencën e Ipeshkvisë Katolike dhe Katedralen Katolike. Është i vetmi volum me kërkesa dhe arritje plastike, që po ravijëzohet në Tiranë. Dhe këtë radhë duhet të themi se nuk na e kanë fajin të huajt që jemi kaq të paaftë dhe kaq të pandërgjegjshëm. Hapësira është ajër, dritë, liri. Hapësira bën që të vlerësosh raportet reciproke të volumeve dhe të ndihesh i padhunuar.

Teoria që u aplikua që çdo oborr ose çdo parcelë është shesh ndërtimi, tregoi se këta urbanistë nuk dinë asgjë nga profesioni, por i dinë mirë të gjitha rregullat mafioze. Tanimë është krijuar një kupolë mafie e ndërtimit e cila grumbulloi miliona dollarë. Ndërtimet e larta duhet të ishin filluar nga segmentet më të largëta prej qendrës, rrëzë Dajtit, Kamzë, Selitë, Vorë, dalëngadalë, duke parë arritjet dhe të metat të vihej drejt qendrës në një periudhë 30-40 vjeçare.

U bë e kundërta. U ngrit një shumëkatëshe mu në qendër, e cila megjithëse në detaje është e proporcionuar, qendrës i bie si një tullë gjigante e lënë aty rastësisht. Ishte e domosdoshme që të ish transparente, që të lehtësonte peshën vizuale. U godit në mënyrë të pariparueshme Tirana e Re, sidomos zona e ish Bllokut. Tani godinat e larta po mbijnë sa të mundin, ku të mundin dhe si të mundin. Të huajt që vijnë tmerrohen. Nuk kanë parë kurrë një rast të tillë, që shëmtimi si thikë t’i ngulet qytetit tej për tej. Dhe ishin tërë mundësitë që Tirana të ish bërë një qytet i bukur dhe normal.

Para dy muajsh, kur u inauguruan punimet në KinemaTeatër “Pionieri”, e cila do të shndërrohet në Kinema “Millenium”, u tha se aty do të jetë edhe një rezidencë e të Drejtave të Autorit. Në momentin që thoshte këto, Ministri i Kulturës po shkelte të drejtat e autorit. Autor i saj jam unë, ata nuk e përmendën fare, dhe duhet të më drejtoheshin për të bërë projektin me ndryshimet përkatëse. Po kjo ka ndodhur edhe në disa objekte të tjera si në Ministrinë e Shëndetësisë (bashkautor me K. Miho), te shkolla e Gjuhëve të Huaja etj. Në se e drejta e autorit nuk respektohet, përse ka firma dhe autorësi?

Restaurimin e Bulevardit e ngrita si problem dhe e propozova në një artikull në “Gazetën Shqiptare”. Por ministri sa herë doli në televizor për këtë problem, nuk tha se kush e kish sugjeruar. Ka një mosrespekt total për vlerësimin e autorësisë dhe ndarjes së mendimit pozitiv nga mendimi mafioz.

Unë jam realist dhe tani besoj se nuk do të mund të rregullohet asgjë. Ne nuk jemi në gjendje të ndalojmë rrjedhën e pandalshme të mafias politiko-ekonomiko-arkitektonike. Tirana është një qytet që u ekzekutua.

Ata që e bënë, si zakonisht do të tërhiqen në heshtje, të qetë, me shumat e mëdha të fshehura mirë, të padënuar nga askush. Kjo sepse ne kemi fatin dhe rrjedhën e vendeve të brejtur nga injoranca dhe korrupsioni. Madje kësaj i ngremë dhe monument në bronz, sikurse i ngritën shpatës së Osmanit, mu në qendër të Tiranës.

Ne jemi qyteti i daulleve, dhe nuk mund të jemi qytet evropian. Tamtamet e daulleve binin rreth Bashkisë ku përgatitej kazan ryshfeti i hallvë dollarëve. Në mars të 99-ës në sallat e bibliotekës së fakultetit të Arkitekturës së Wentworth Institut of Technology në Boston ekspozova një cikël me vizatime të qyteteve mesjetare shqiptare.

Në Boston kisha ekspozuar edhe dy vjet më parë në një Institut Magjistrature për arkitektë, por këtë radhë kisha sjellë origjinalet. Në mes të të ftuarve më uroi edhe një profesor i Harwardit, urbanist.

– Kam qenë në Tiranë, më tha, – doja të ndihmoja në bazë të një programi për ndihmë dhe zhvillim. Por për çudi arkitektët nuk donin, nuk pranonin, gati-gati me përzunë. Tani po ndihmojmë vendet afrikane, ata me gjithë se kanë arkitektë më të mirë, na mirëpresin. Do të nisem javën tjetër…

Është e çuditshme, e dhimbshme, por edhe e vërtetë: Urbanistët dhe arkitektët tanë donin t’i realizonin këto vepra vrastare (sikurse i realizuan) pa prezencën e specialistëve ndërkombëtarë. Byroja e projektimit dhe urbanistika e Tiranës nuk kanë mirëpritur as bashkëpunimin, as ndihmën dhe as konsulencën amerikane, austriake apo italiane.

Në krejt fushat, edhe në ato më të parëndësishmet, u asistuam vetëm këtu jo. Dhe kjo ish fusha më e rëndësishme se ish fytyra e përhershme e kryeqytetit dhe e gjithë Shqipërisë. Por krimet duhen bërë gjithmonë pa dëshmitarë, duke harruar me mendjelehtësi. Se krimet e arkitekturës lexohen lehtësisht, përjetësisht dhe dënimi është si një vajtim që do të dëgjohet si legjendë mbi këtë qytet. Ata mallkimin do ta marrin, kudo që të largohen dhe sado mirë që t’i fshehin dollarët.

Këtë vit u nisa dhe shkova në Krefeld të Gjermanisë (me kursimet e mia) vetëm për të parë dy vilat e Ludwig Mies van der Rohe-s. Këto dy vila shënojnë një hap të rëndësishëm në ecjen drejt modernitetit në arkitekturën evropiane. Tani janë muzeume dhe pas tre vjetësh restaurimi, u çelën për publikun e gjerë. Qyteti i Krefeldit mburret me këto dy objekte dhe të gjithë banorët e dinin ku ishin ato, kur i pyesja. Veprat e arkitektëve të mëdhenj janë krenaria e një qyteti, e një populli. Por ato janë dhe krenaria e tërë njerëzimit, dhe krenaria ime.

Veprat e arkitektëve të vegjël dhe pa moral janë humbja e përhershme e një kombi. Duke vizituar ngadalë të dy vilat një ndjenjë hyjnore më pushtoi. Dhe aty kuptova përse thuhet Zoti mishërohet te Njeriu. Ata, arkitektët e mëdhenj, janë mishërimi i Krishtit në organizimin e botës. Janë Natyra në organizimin e saj më të lartë. Dhe arkitektët e paaftë dhe të korruptuar, janë mishërimi i djallit në shoqërinë njerëzore. Dëmi i tyre është i pariparueshëm, i pakthyeshëm, i dhimbshëm.

SHKARKO APP