Moikom Zeqo: Fati i armëve të Skënderbeut si fati i Mona Lizës?

(Botuar me 18 tetor 2005)

Edhe me rastin e 600-vjetorit të lindjes së Heroit, armët nuk dolën nga muzeu vjenez

Moikom Zeqo: Fati i armëve të Skënderbeut si fati i Mona Lizës?

Intervistë e Moikom Zeqos për Magdalena Allën

Zoti Moikom Zeqo! Ju sapo jeni kthyer nga përkujtimet që u zhvilluan në Vjenë, për 600vjetorin e lindjes së Skënderbeut. Mund të na tregoni detaje, që i veçoni ju personalisht si i pranishëm në këtë ngjarje, e cila disi u komentua nga mediat.

Ka qenë nisma e MHK, për të bërë dy veprimtari të rëndësishme. Që në qershor 2005 bëra propozimin të hapej një ekspozitë me objekte të Muzeut Historik Kombëtar në Muzeun e Artit Historik të Vjenës, një nga muzeumet më të mëdhenj të botës. Pastaj u dyfishua veprimtaria, sepse u propagandua të bëhej edhe një konferencë shkencore. U bënë dy veprimtari në rrafsh ndërkombëtar për 600-vjetorin e Skënderbeut. Peripecitë ishin afër absurditetit, që nga muaji qershor deri në 5 tetor, që filloi në Vjenë hapja e ekspozitës, për shkak se dy muaj zgjati procesi zgjedhor, dy muaj ndërrimi politik, e nuk u komunikua dot më me MKRS, dhe për një moment mund të dështonin të dy veprimtaritë.

Megjithatë me përkrahjen e ministrit të ri Bujar Leskaj u bë përshpejtimi i procedurave. Këtyre iu shtua edhe përurimi i bustit të Aleksandër Moisiut, vepër e skulptorit nga Durrësi, Qemal Kërtusha. Meqenëse u vendos të ishte i pranishëm vetë presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, u krijua mundësia që edhe veprimtaritë të kishin një status më të lartë. Ekspozita me 18 objektet e MHK, u plotësua nga objektet e vendosura nga Muzeu i Vjenës, që nga stema e shtetit të parë të Arbrit, ikona të shekullit XIII, XIX, XV, portrete dhe vepra për Skënderbeun, botime të librave për Skënderbeun etj. Pati dy referate; “Aspekte të heraldikës shqiptare në kohën e Skënderbeut”, mbajtur nga unë dhe një nga studiuesi Mathias Pfaffenbichler, i cili analizoi situatën politike të shteteve europiane në shekullin XV dhe luftën e Skënderbeut. Pati diskutime tepër interesante. Pati një film nga një televizion austriak mbi epokën e Skënderbeut.

Duket si një konferencë e vogël, jo një ngjarje e përmasave që meriton një figurë si Skënderbeu…

Po. Mund të ishte bërë më mirë, dikur në 1968, në Tiranë është zhvilluar një konferencë shembullore për heroin, por edhe kaq u bë me këmbënguljen time dhe aq ishin fondet. Por di që do të bëhet edhe një sesion ndërkombëtar në nëntor, organizuar nga Akademia e Shkencave. Unë vetë jam ftuar në Boston, në një tjetër konferencë dhe në Mitrovicë gjithashtu, por them se ajo e Akademisë së Shkencave është më e rëndësishmja.

A pati pjesëmarrje të konsiderueshme në këtë ekspozim. Nga çfarë përbëhej publiku? Çfarë përbënte qendër të interesit të tij?

Në atë sallë pati pjesëmarrjeje të jashtëzakonshme, sidomos në dy ditët e para. Kishte shqiptarë, sidomos studentë, por dhe të huaj, austriakë. Pjesa më e madhe e vizitorëve mohle kuriozohej për armët. Unë për këtë ekspozim dua të çmoj ndihmën e Muzeut të Vjenës, e cila ishte e madhe. Po përmend edhe që ekspozita u bë falas.

Në ç’gjendje janë armët e Heroit sot, pas afro 600 vjetësh? A ruajnë autenticitet të plotë?

Armët ruhen në gjendje shumë të mirë. Dua të them botërisht se nëse në ndonjë shkrim thuhet që armët nuk janë origjinale, për sa i përket shpatës, që është e llojit të kalifëve dhe ka mbishkrim në osmanisht, e cila është vënë në dyshim, se nuk është osmanisht, por sikur është një dekoracion që imiton shkrimin, mund të them që ky problem mund të jetë i hapur për specialistët e shkrimit, sepse sipas një botimi të bërë nga Faik Konica, përmendur edhe nga Kristo Frashëri, thuhet se mbishkrimi është konkretisht kështu: “Libehadur Allah Iskanderbeg”. (Kampioni i Perëndisë, Skënderbeu). Dhe kjo ishte e dukshme dhe nga afër. Shpata është dhe e shek. XV-të, e kohës së Skënderbeut. Besoj se kjo armë ka qenë pjesë e arsenalit të tij, se në arsenalin e tij ai s’ka pasur një shpatë, por shumë dhe mundet që shumë të jenë dhurata ose trashëgimi. Le të kthehemi te përkrenarja. Është hedhur mendimi se mund të mos jetë origjinale për shkak se pjesa kryesore e përkrenares përbëhet nga një helmetë e tipit venedikas, kurse pjesa tjetër nga koka e cjapit, si dhe nga një fashoturë me gjashtë lule rozete dhe me mbishkrimin dhe inicialet në latinisht.

Unë e kam parë me orë të tëra përkrenaren dhe duke pasur parasysh dyshimin shkencor të ndonjë studimi u binda Moikom Zeqo pranë armëve të Skënderbeut në Vjenë, tetor 2005 se përkrenarja është bërë me teknikën e kolazhit, është formësuar me elementë të lidhur me perçina, për t’i dhënë pamjen që ka sot. Nuk është me një derdhje të vetme fonderie, sepse vetëm teknika e kolazhit do bënte të mundur ndërthurjen e disa lloj metaleve. Kjo shpjegon se dyshimet, që pjesë të tjera mund të jenë vënë më vonë, duhen parë me rezervë. Gjendja e përkrenares është siç ka qenë në 1593, kur Ferdinandi i II-të i Triolit i ka blerë armët në Itali dhe sipas një studimi që lidhet me kartelën e përkrenares mund t’i ketë blerë në qytetin e Urbinës, qytet që ka qenë me shqiptarë që në mesjetë, prej nga ka dalë dhe Papa Klementi i II-të. Më 1601 është botuar katalogu i parë për Muzeun e Armëve në Kështjellën e Ambras nga Ferdinandi i Tirolit. Në këtë katalog gjendet gravura e Skënderbeut, ku heroi ynë mban të njëjtën përkrenare dhe shpatë në dorën e djathtë, që ne i shohim sot në Muzeun e Vjenës. Që nga 1601 deri sot pamja fizike e objekteve është e njëjtë. Për hir të së vërtetës dua të them që ka pasur proces restaurimi në përkrenare. Në brezin fundor të përkrenares ku ka lëkurë të mbërthyer me perçina.

Në ç’kohë mund të jetë bërë ky restaurim?

Duhet të jetë bërë në muze, se lëkura është e re, por kjo nuk mohon karakterin autentik të përkrenares. Këto relike të shenjta të Skënderbeut janë origjinale.

E sata herë është që shihni armët e Skënderbeut?

Hera e dytë.

Ka opinione të ndryshme, nga shqiptarë që kanë parë nga afër armët e heroit, të cilët thonë edhe që armët e Skënderbeut janë nga më të thjeshtat që gjenden në muze, krahasuar me mbretër e princër të tjerë europianë. Kuptohet që ky krahasim nuk merr në konsideratë vlerën morale të Skënderbeut. Ju si gjykoni?

Mua s’më duken më të thjeshtat. Përkrenarja e Skënderbeut quhet “unicom”, sepse nuk ekziston asnjë përkrenare me kokë cjapi. Për kuriozitet numri i inventarit të saj është a-127 dhe mund të them se në Muzeun e Armëve, armët e Skënderbeut gjenden mu në hyrje të Muzeut, si një lloj kartëvizite. Nuk mendoj se i kanë vënë rastësisht në këtë vend qendror. Unë kërkova nga Muzeu të më sjellin fotokopjen e kartelave të shpatës, përkrenares; këto kartela nuk i ka studiuar njeri, por ato janë 400-vjeçare dhe në to përfshihet gjithë historia e ardhjes së armëve në muze, restaurimeve, dmth mirëmbajtjes së tyre. Unë mendoj se nuk mund të botohet asnjë libër për Skënderbeun, nëse nuk njihen këto kartela.

Përse armët nuk u arrit të ekspozohen në Shqipëri?

Armët nuk u sollën, sepse drejtori i përgjithshëm i Muzeut të Artit Historik të Vjenës, Wilfries Seipel, pohoi që është rregull i muzeut, që disa nga objektet e veçanta nuk lëvizin nga muzeu. Përpjekjet që u bënë për ekspozimin e armëve në Shqipëri në fakt qenë vetëm në nivel drejtorësh. Duke u nisur nga kjo unë dyshova se mos ky ishte shkaku, mendova se nëse përpjekja do të ishte bërë në nivel kryeministrash, apo presidentësh mund të kishte ndodhur ndryshe. Por drejtori Seipel më siguroi që as ata s’mund të bënin dot gjë. “Edhe sikur presidenti të ishte marrë me këtë çështje nuk do të kishte ndryshuar gjë”. Dhe më përmendi shembullin e Mona Lizës, kryeveprës që gjendet në Luvër të Francës, dhe që nuk është ekspozuar kurrë në Itali, edhe pse atje e ka vendlindjen e saj.

 

SHKARKO APP