Moikom Zeqo: Nifoni, patriarku shqiptar i Kostandinopojës, miku i afërt i Gjergj Kastriot Skënderbeut
(Botuar me 4 nëntor 2002)
Nga Moikom Zeqo
Në fillim të shek. XX, eruditi i jashtëzakonshëm Faik Konica bën një zbulim: gjen dhe shpall publikisht shqiptarësinë e një patriarku të njohur të Konstandinopojës në shek. XV. Konica boton një skicë lakonike me një informacion të ngjeshur. Duke lexuar këtë skicë mbas një shekulli kupton secili nga ne saktësinë e akribinë e Konicës. Çfarë thotë në substancë Konica?
Në fillim, Konica nënvizon se Shqipëria i ka dhënë Romës një Papë: Një princ shqiptar, të quajtur Gjovan Françesko Albani, i cili hipi në fronin Papal më 1700 nën emrin Klementi XI dhe pontefikoi 21 vjet. Klementi XI është ai që bëri dekretin e famshëm “Unigenitus”, me të cilin dënoi hermetizmin e Jansenistëve në 1713. Papa Klementi 11 ka ndikuar dhe ndihmuar në mënyrë vendimtare çështjen shqiptare dhe për këtë subjekt historik dhe kulturor për fat të mirë ekzistojnë studime dhe libra të tërë. Por, ndërsa Shqipëria i ka dhënë Kishës Katolike Perëndimore edhe Papë dhe figura të larta hierarkike, pa harruar dhe një numër shumë të madh martirësh dhe shenjtorësh shqiptarë, gjë që është theksuar nga shkenca shqiptare dhe e dijetarëve të huaj, për sa u përket shqiptareve të shquar, që arritën zenitin e hierarkisë së Kishës Lindore, është thënë pak, për të mos thënë aspak.
Konica hedh idenë se jo vetëm një patriark me origjinë shqiptare ka qenë në krye të Kishës Lindore Botërore, por realisht kanë qenë shumë shqiptarë. Për Nifonin, Konica mbështetet tek një numër librash historikë për perandorinë bizantine të shtypura greqisht dhe latinisht. Ai i referohet sidomos një botimi në latinisht në Bon të Gjermanisë, të bërë prej B. G. NIEBUHR. Në këtë libër ka disa njoftime mbi Nifonin. Gjithashtu Konica përmend edhe emrin e një libri tjetër “Historia politike e Konstadinopojës”, pa përmendur emrin e autorit dhe vitin e botimit.
Çfarë kumton Konica? Dokumentet tregojnë se Nifoni u bë Patriark pas Maksimit. Në kohën e mbretërimit të Sulltan Mehmet Fatiut, që pushtoi Konstadinopojën dhe e shndërroi emrin në Stamboll, më 1454, kanë qenë 4 Patriarkë. I nënti quhet “Maksimi i Dituri”, i cili qe Patriark kur vdiq Sulltan Mehmeti. Mbas Mehmetit hipi në fron më 1481 Sulltan Bajaziti, në mbretërimin e këtij Sulltani vdiq Maksimi, i cili qe Patriark për 6 vjet rrjesht. Nifoni i zuri vendin Maksimit më 1482 dhe ka qenë patriark ndoshta deri në vitin 1486. Të dhënat që jep Konica tregojnë qartë që Nifoni kishte lindur në More, e populluar prej shqiptarësh dhe babai i tij qe “një fisnik shqiptar i pasur dhe i kulturuar”. Që djalë, Nifoni dëshironte vetmi dhe i hyri rrugës së murgërisë. Ai shkoi në Athos në Kishën “Pantakratorit”. Në fillim qe murg dhe pastaj u bë prift. Këtu Nifoni jetoi shumë vjet kur befas me vdekjen e metropolitit të Selanikut doli e domosdoshme zëvendësimi i tij në këtë funksion me Nifonin. Nifoni u bë kështu për disa vite Metropolit i Selanikut. Fill pas vdekjes së Patriarkut Maksim, Nifoni arriti kreun e hierarkisë më të lartë kishtare të ortodoksisë. Konica tregon dhe disa hollësi nga jeta e Nifonit. Ai thotë veç të tjerave se një grek nga Trebezundi i quajtur Amirus, krijoi armiqësi të madhe kundër Patriarkut shqiptar. Ai krijoi intriga të mëdha kundër tij. Ai arriti të shkojë deri te Sulltani dhe ta bëjë me faj Nifonin për një dëshmi të rreme të tre priftërinjve grekë. Sulltani dha urdhër që të tre priftërinjve grekë t’u pritej hunda, kurse Nifonin e hoqi nga Patriarkana e Konstandinopojës dhe e dëboi. Sulltani dha urdhër të zgjidhej një Patriark tjetër dhe kështu në krye të Kishës Ortodokse Botërore erdhi kleriku grek, i quajtur Dionis, i cili kishte qenë patriark edhe gjatë kohës së Sulltan Mehmetit. Dionisi mbas dy vjetësh u tërhoq nga detyra e lartë dhe u bë murg. Pas Dionisit u zgjodh një tjetër i quajtur Manas, që u mbiquajt Maksim dhe ndjenji 6 vjet si Patriark. Po edhe këtë e dëbuan dhe u zgjodh përsëri për herë të dytë patriark Nifoni, që qëndroi vetëm një vit dhe gjithashtu e përzunë. Përcaktimin moral dhe intelektual të Nifonit, Konica e karakterizon kështu: “Nifoni ish burrë i letëruar, i mençur, fjalënxehtë, e me zakone të qëruara”. Kaq thotë Konica.
Po ç’dihet më tepër për Nifonin?
Për një rastësi të mrekullueshme një djalë i ri, studioze me kulturë, që sot ndjek Universitetin e Selanikut, i quajtur Rubens Ruka, ka një pasion të madh për historinë kombëtare tonën dhe po mbledh një koleksion të gravurave dhe pikturave, që lidhen me Shqipërinë në shekuj. Është pikërisht Rubensi, që më solli para disa ditësh mua, në zyrën e Muzeut Historik Kombëtar një libër në greqisht, të botuar në Athos. Libri është botuar më 1995 dhe ka këtë titull “Shën Nifoni, patriarku i Konstandinopojës”. Libri ka 14$ faqe dhe përveç tekstit studimor ka një numër të madh fotografish me ngjyra si dhe bardhë e zi të kishave ku ka qenë Nifoni, të afreskeve, ku është pikturuar figura e tij e shenjtëruar etj.
Libri është mbështetur mbi një bibliografi prej 62 zërash, që janë libra dhe studime posaçërisht për Nifonin. Ky libër ka të dhëna të reja të papritura dhe shumë interesante për këtë shqiptar të famshëm. Po ç’dihet më konkretisht? Është e vërtetë që në fillim ai qe murg në Athos. Pastaj u bë prift. Po ku u bë konkretisht prift? Duke falënderuar historianin shquar shqiptar Kristo Frashëri, që është një nga skënderbeologët më të shquar të ditëve tona, u njoha me dokumentet, që vërtetojnë se Nifoni është bërë prift pikërisht në Krujë, pas ardhjes së Skënderbeut më 1446. Ai ka pasur marrëdhënie dhe lidhje të ngushta me Skënderbeun. Fan Noli, na thotë qartë, që disa figura kishtare të Krujës, që kanë përfaqësuar në dokumentet e kancelarisë Gjon Kastriotin, por edhe djalin e tij, Skënderbeun, me Vatikanin dhe Venedikun, kanë qenë priftërinj të ritit ortodoks, të kishës bizantine.
Fan Noli thotë qartësisht se edhe Skënderbeu i ka takuar ritit kishtar lindor, por të atij formacioni, që ka qenë i lidhur me Romën Katolike. Kjo është një dukuri tipike e kohës. Ky është një problem i zgjidhur shkencërisht nga Fan Noli dhe nuk krijon asnjë kontradiktë konceptuale apo dhe kishtare me faktin se kryeheroi shqiptar u lidh ngushtë me Romën Katolike dhe arriti të bëhet “Atlet i Krishtit” duke mbrojtur si askush në botë krishterimin evropiano-perëndimor.
Sa kohë ka ndenjur Nifoni si prift te Skënderbeu? Kur u largua nga Kruja dhe pse? Ai ka ruajtur lidhjet Nifoni me Skënderbeun? Faktet tregojnë, që Nifoni ka qenë një kishtar i rëndësishëm i Krujës skënderbejane, dhe asnjëherë nuk e ka harruar miqësinë dhe lidhjen e tij me Skënderbeun. Në librin greqisht kushtuar Nifonit, në faqen 124 është botuar dhe harta e lëvizjeve të Nifonit në pikat e ndryshme gjeografike të Ballkanit. Aty duket qartë që Nifoni ka lëvizur së pari nga Moreja në qytetin e Artës dhe menjëherë pas Artës ka kaluar në rrethinat e Durrësit dhe është vendosur në Krujë, ku është shuguruar prift. Pas Krujës ka shkuar në Ohër dhe më pas në qytetin e Manastirit, për të shkuar në Bukuresht, në Andrianopojë dhe në Konstandinopojë. Nga Konstandinopoja ka lëvizur në qytetin Sozopull të Bullgarisë dhe pastaj përsëri në Gadishullin e Athosit. Në këtë libër botohet dhe një hartë ku tregohen tre udhëtime në kohë të ndryshme të Nifonit, dhe konkretisht vendosjen e tij në kishën “Pantakrator”, në manastirin “Laura e Madhe” si dhe në manastirin e “Shën Anës” dhe atë të “Shën Dionisit”.
Nifoni ka vdekur në Athos, ku gjendet dhe reliktuari i tij. Në shumë kisha janë pikturuar afreske me figurën e Nifonit. Ato e tregojnë Nifonin duke mbajtur në dorën e majtë Biblën e Shenjtë dhe me dorën e djathtë me gjestin e bekimit. Këto afreske janë të shumta dhe përbëjnë një koleksion shumë të rëndësishëm të një personazhi të shquar shqiptar të shek. XV. ajo që më tërhoqi vëmendjen posaçërisht është se në qelën e Nifonit ku ndodhet dhe biblioteka e tij, ekziston një portret i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ky portret është botuar në faqen 29 të librit dhe e paraqet Skënderbeun në profil me një mjekër të gjatë dhe të përdredhur, me përkrenaren e tij me kokë dhie dhe më e habitshmja është se ky portret në formë ikone ka të shënuar shqip, me germa latine, mbishkrimin “SKENDERBEUKASTRIOTI”.
Ky është një portret që se kemi hasur deri më sot në koleksionin skënderbejan të pikturave. Kush e ka pikturuar këtë portret? Padyshim artisti ka qenë shqiptar dhe e ka nënshkruar me një shqipe të kulluar emrin e Heroit. Të tërheq vëmendjen fakti se emri i Heroit nuk është shkruar me germa greke. Artisti që e ka bërë portretin e ka vendosur në Bibliotekën e Nifonit, gjë që tregon saktë se ai e ka ditur se Nifoni ka qenë prift në Krujën e Skënderbeut. Kjo vërteton tërë dokumentet rreth kësaj nyje historike. Në pjesën e sipërme të portretit është dhe një portret më i vogël në miniaturë, që tregon fytyrën e një burri. Mësojmë se ky është portreti i një kryengritësi grek të quajtur Riga Velenshtiliu, i cili është nga figurat më të mëdha ballkanike të çlirimit të popujve të gadishullit nga sundimi turk. Riga ka udhëhequr organizatën e njohur kryengritëse me emrin “Shoqëria e Miqve”, që është ndihmuar edhe prej shqiptarit Ali Pashë Tepelena. Madje ekziston edhe një dokument, që kjo organizatë aspironte një federatë të shteteve të popujve të çliruar të Ballkanit, duke i bërë një propozim konkret se, nëse Ali Pashë Tepelena do të pagëzohej i krishterë, do ta zgjidhnin në fronin e Konstandinit të Madh. Riga është autor i himnit luftarak drejtuar popujve ballkanas. Ky himn ka edhe këto vargje:
Shqiptarë dhe bullgarë
Serbë dhe grekë
Banorë të ishujve dhe të steresë
Me një vrull të përbashkët
Për liri
Të ç’veshim shpatat
Vetëkuptohet që portreti në minitura i Rigas parakupton thelbin e himnit të mësipërm. Dihet se më vonë “Shoqëria e Miqve” e degjeneroi idenë e lirisë së vërtetë në të ashtuquajturën “Megali idea”, që pati për bazë krijimin e shtetit grek në përmasat e perandorisë bizantine, ide absurde kjo dhe e parealizueshme. Por është pikërisht portreti i Rigas, që na ndihmon për të datuar afërsisht kohën e bërjes së pikturës së Skënderbeut. Kjo pikturë duhet t’i takojë fundit të shekullit XVIII ose fillimit të shekullit XIX.
Le të kthehemi te Nifoni. Ky patriark shqiptar ka lënë dorëshkrime të tij me karakter teologjik që s’janë botuar ende. Është rasti që të bëhen kërkime shkencore rreth figurës së Nifonit dhe sidomos lidhjeve të tij me shqiptarët dhe Gjergj Kasriot Skënderbeun. Amen!