Nano: T’i hiqet imuniteti deputetit Lesi

(Botuar 15 maj 2004)

Nano dorëzon në Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme kërkesën për ndjekje penale

Nano: T’i hiqet imuniteti deputetit Lesi

Deputeti-botuesi i “KJ”: “I gatshëm të votohet heqja e imunitetit”

Deputeti dhe botuesi i gazetës “Koha Jonë”, Nikoll Lesi, duke dalë dje nga seanca gjyqësore në ngarkim të tij, me padi të Fatos Nanos, ku gjyqtari Gerdi Hoxha drejton këtë cështje civile, është njohur nga media se kryeministri Nano kishte deklaruar se ka depozituar në Gjykatën e Lartë dhe në Prokurorinë e Përgjithshme të Republikës dy padi. Paditë e kryeministrit kërkojnë që ndaj deputetit Lesi të fillojë ndjekja penale. Por, meqë Lesi është deputet dhe gëzon imunitet, zoti Nano ka kërkuar që Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Theodhori Sollaku, ti kërkojë parlamentit heqjen e imunitetit për deputetin në fjalë.

Fillimi i çështjes penale ndaj deputetit Lesi nuk mund të bëhet pa i hequr atij imunitetin nga parlamenti. Ndaj kryeministri Nano ka bërë padi penale. Sapo mori vesh këtë njoftim zyrtar të padisë nga kryeministri Nano ndaj tij, deputeti Nikoll Lesi tha për median: “Mbetem i hapur ndaj drejtësisë për t’u hetuar kurdo, kudo dhe ndaj cilitdo. Le ta sjellë në parlament Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, zoti Sollaku, kërkesën për heqjen e imunitetit. Por kjo nuk do të më pengojë për ta denoncuar këtë familje kryeministrore si një familje mafioze, pasi shpërdoron pushtetin ekzekutiv për interesa private.

Zoti Kryeministër, nëse ka kurajë, le të vijë ditën e hënë në seancën parlamentare dhe të deklarojë se edhe ai heq dorë nga imuniteti parlamentar. Pas këtij veprimi, Prokurori i Përgjithshëm le të na hetojë të dyve për çfarë të dojë, bile që nga viti 1991, kur kam filluar gazetën e parë të pavarur në Shqipëri. Të hetojë edhe ku i ka marrë paratë Xhoana Nano për të bërë gjithë këto firma private me helikopterë e autobusë për në Greqi, të më hetojë mua ku t’i pëlqejë apo për çfarë të fantazojë zoti Nano, por kryeministri le t’i shpjegojë Prokurorit të Përgjithshëm se ku i ka marrë paratë për të blerë tre kate të një pallati tek lagja e Shallvareve në Tiranë, cili ia ka dhuruar benzin e shtrenjtë dhe kundrejt çfarë shpërblimi, të na shpjegojë se cili tregtar ia paguan shëtitjet jashtë shtetit në disa qindra mijëra dollarë. Zoti Kryeministër ka nevojë të shpjegohet jo në Prokurori, por para masës së madhe të socialistëve se ku po e çon PS-në; ai ka nevojë të na rrëfehet se a ka moral për atë vendim qeverie vetëm e vetëm për gruan e tij Xhoanën, që të quhet Gruaja e Parë e vendit, ndërkohë që i takon familjes së Presidentit. Zoti Nano duhet t’i shpjegojë popullit dhe sidomos mazhorancës se si ka mundësi që në protokollin që ndryshoi dhe miratoi fshehurazi ka futur edhe një term që në familjen e kryeministrit futen dhe ata fëmijë që bashkëjetojnë me kryeministrin. A ka më turp se ky, kur dihet se kryeministri jeton me Xhoanën dhe nuk ka fëmijë me të, por fut edhe djalin e saj në protokoll, kur dihet se e ka “dhuratë”. Ne nuk jemi shtet afrikan ku mund të futen në protokoll çdo lloj fëmije që na mbërrin “dhuratë”. Ai me mirë të fuste në protokoll zyrtar dy fëmijët e tij, Sokolin dhe Edën, dy të rritur të mrekullueshëm e më kulturë të jashtëzakonshme, sesa “dhurata” që sjell Xhoana me vete nga Greqia. Unë nuk mund të pranoj të hesht, ndërkohë që vendi është në varfëri absolute. Unë mund të heshtja nëse zoti Nano i bën gabimet nga nxitimi apo me mosdashje. Por kryeministri vepron me një inat shembullor për të shkatërruar gjithçka që e kundërshton”.

Më pas, deputeti Lesi është thirrur në tre ambasada të huaja perëndimore në Tiranë, ku është diskutuar rreth padisë së kryeministrit për heqjen e imunitetit. Këto ditë, deputeti Lesi pritet të bëjë një deklaratë publike. Re. Po.

SHKARKO APP