Nikoll Lesi: Qeveri socialiste me dreqin brenda
(Botuar me 13 shtator 2001)
Fjala e mbajtur dje në parlament e deputetit të pavarur Nikoll Lesi për programin e paraqitur nga kryeministri Meta për vitet 2001-2005
Nga Nikoll Lesi-
I nderuar kryetar i kuvendit, të nderuar kolegë deputetë, i nderuar zoti Meta. Të nderuar dhe ju ministra që jeni me shumicë në këtë podium të ngushtë të Kuvendit dhe që keni mbushur selinë para kësaj salle të Kuvendit plot e përplot me vetura me targa jeshile, a thua se jeni në Partinë e Gjelbër të Agrarëve të Xhuvelit.
Zoti Kryeministër!
Ju në fjalën tuaj na shpjeguat mjaft saktë prioritetet e qeverisë që ju drejtoni, por kur bëj e shikoj numrin e pafund të ministrave që keni në krah e pas krahëve më duket sikur janë dy qeveri brenda një qeverie. Megjithatë në lidhje me këtë do të flas pak më poshtë, por tani po i referohem fjalës së kryeministrit Ilir Meta se si do të qeverisë dhe çfarë premtoi për vitet 2001-2005.
Nuk kam asnjë dyshim tek fjala juaj në lidhje me prioritetet, pasi Ju e keni manifestuar vendosmërinë dhe korrektësinë në atë që thoni, ndonëse në disa raste me dorë të fortë, por në kushtet e Shqipërisë nuk ka zgjidhje tjetër përveç asaj dore që keni përdorur Ju, zoti kryeministër. Megjithatë duke qenë deputet i një zone veriore të Shqipërisë, i zonës nr.13 në Lezhë, dua t’ju kujtoj jo vetëm për votat që i morët si rrallëherë me shumicë dhe me një dashamirësi shembullore, aq sa nuk ka ndodhur asnjëherë në këto vite që shkuan. Votat në Veri ua dhanë me zemër, por a mund t’ju pyes se përse në fjalën tuaj nuk kishte shumë vend për investimet në Veri dhe se Veriu nuk është vetëm verilindje, siç kërkuat Ju të investonit në këtë zonë, por Veriu kalon edhe nga Lezha dhe Shkodra që janë dy qytete me peshë në jetën ekonomike e politike në vend.
Meqë u hap fjala për Veriun dhe unë jam i detyruar të mbroj votën e atyre, të cilët jo vetëm votuan për mua, por dhe për qeverisjen tuaj, zoti Meta, dua t’ju kujtoj se me Veriun e Shqipërisë është luajtur politikisht dhe janë përdorur për të ardhur në pushtet politikanë të ndryshëm që me të hipur në karrigen e qeverisjes kanë harruar për premtimet që kanë bërë. Përse, për Shkodrën, qytetin që përmbysi komunizmin, Ju zoti Meta nuk keni një plan të qartë për investime ekonomike. Ju do të ktheheshit në njëri të ditës nëse do ta fillonit këtë mandat politik më Shkodrën, e cila në këto vite të pluralizmit nuk ka marrë atë që i është premtuar, pra mirëqenien dhe qetësinë. Jam i detyruar t’ju them se rruga për në Shkodër kalon nëpër qytetin tim të Lezhës, ku unë jam deputet. Ndaj, duke e ditur rëndësinë e portit të Shëngjinit, si mushkëria e Veriut, bashkë me deputetin tjetër të Lezhës, deputetin e PD-së zotin Zef Gjoka, i cili mbetet një njëri i përkushtuar më shumë për votuesit se sa për partitë, kemi një kërkesë publike ndaj jush, zoti Kryeministër: kur do të kthehet porti i Shëngjinit në port real të Veriut? E themi këtë sepse disa herë na është premtuar, porse, me keqardhje, mund të them se jemi gënjyer.
Tani po ju premtoj publikisht se do t’u ngjitem ministrave tuaj me interpelenca, seanca pyetjesh e ndofta edhe me format që di të përdorë një deputet i pavarur, (nuk e kam fjalën për përdorimin e celularit si me zotin Milo), pra do të jem kërkues derisa premtimi juaj të bëhet realitet i prekshëm për Shëngjinin e efektet që ai do të japë për krejt Veriun dhe Kosovën. Mos harroni se Kosova po shkon përfundimisht drejt një shteti të pavarur dhe se rrugët e ekonomisë së saj do të kalojnë nëpër Shqipëri e pse jo pikërisht nga porti i Shëngjinit. Veriorët nuk duhet ti shikoni vetëm si shportë votash, por si njerëz që duan zhvillim ekonomik, pasi nga zhvillimi vjen edhe mirëkuptimi.
Përveç kësaj që përmenda dua t’ju them se prioriteti emergjent i qeverisë tuaj duhet të jetë Energjetika dhe Infrastruktura kombëtare. Nëse e mban këtë premtim do të jesh i duartrokitur nga njerëzit e thjeshtë, siç jeni edhe tani; në të kundërt jep dorëheqjen dhe lëri të konkurrojnë ata që ëndërruan ditë e natë për postin tuaj, zotin Malaj, por edhe Spartak Poçin, ministrin që zhduku 40 bandat e rrugës, por që krijoi në vend të tyre 40 bandat e politikës dhe të mafias.
Natyrisht që Juve, zoti kryeministër, nuk ju pëlqen t’ju shajnë apo t’ju lëndojnë ministrat tuaj të ndjeshëm ndaj kritikave, porse nuk mund të hesht, kur lexoj emrat që na ke paraqitur dhe kur shikoj fytyrat e vuajtura të një pjese të kabinetit tënd, të cilët bëjnë sikur janë të merakosur për hallet e popullit. Si mund të votoj unë për kabinetin tuaj, ndërkohë që vetëm me ministra Shteti i ke mbushur dy katet e kryeministrisë, aq sa ka deputetë gjithsej PSD-ja e Gjinushit; si mund t’i administrosh këto dy qeveri që ke brenda qeverisë të dekretuar nga Presidenti Meidani, ndërkohë që një pjesë e tyre janë që në kohën e Adil Çarçanit e nuk po u ndahet vetura e qeverisë e kolltuku rrotullues i pushtetit, siç është Skënder Gjinushi, politikani që shkon ku është qesja e dollarëve; si mund të votoj pro kabinetit tuaj, zoti kryeministër, kur brenda kabinetit Meta 2 ziejnë dy kampe qeverisëse; një pjesë me fytyrë të re e me vështrim nga Perëndimi dhe pjesa tjetër e thinjur në pushtet e nga pushteti i përhershëm, por që vjen nga psikologjia e Lindjes.
Kush më garanton se cila qeveri brenda qeverisë tuaj do të jetë fituese e duelit të brendshëm apo të votoj për të rinjtë Nako, Blushi, Gjoni, Koja, Rama e Prifti dhe pas kësaj të përfitojnë mbi pushtet zotërinjtë Gjinushi, Milo, Xhuveli, Ruka e ndonjë tjetër. Përse duhet të votoj pro apo për të bërë të njohur ministrin tuaj të Shtetit, zotin Kacalidhas, i cili nuk dihet se çfarë shoqërie civile do të mbrojë, ndërkohë që nuk e njeh asnjeri për pjesëtar të këtij rangu intelektual, ndonëse duhet pranuar se mbetet njëri i poezisë. Pastaj, meqë ra fjala tek ky ministër i marrë hua nga PBDNJ, çfarë diaspore shqiptare do të mbrojë ky minoritar grek që po i turret Tiranës me forcën e Vasil Melos? Më mirë t’i kishit dhuruar personalisht kryetarit Melo një portofol ministror mjedisor që të ishte edhe ai afër kryetarëve të tjerë të partive të Koalicionit që janë me targa RSH, se sa të merrni njerëz nga rruga e ti thonit “Hajdeni e mësoni se si rrihet në karrigen e ministrit se na duheni për ngjyrë partiake”!
Zoti Kryeministër! Me këtë brigadë ministrash Shteti që ke grumbulluar përreth vetes do të bënit mirë, për qetësinë tuaj, të emëronit edhe një brigadier të tyre, fjala vjen zotin Ndre Legisi si më i rrahur në punët e drejtimit pa drejtim. Pas këtij veprimi mund të ishim të qetë se ministrat e Shtetit nuk do të ziheshin për karriget, për sekretaret, për rojet, për tenderët, për veturat me targë RSH apo për udhëtimet jashtë shtetit. Meqë jam këtu tek kjo lloj kategorie ministrash që na mbinë këtë vjeshtë me shumicë, a mund t’ju pyes se çdo të bëj, fjala vjen ministri Xhuveli apo do të sodisë të gjelbrën e targës RSH për të gjelbrën shqiptare?!
Ç’punë do të ketë ministri i Integrimit Europian, zoti Milo, kur vetë prioriteti i punës së ministres së Punëve të Jashtme të zonjës Arta Dade do të jetë pikërisht kjo gjë që ke emërtuar ministrinë e Milos? Apo do ti përplasesh me njëri-tjetrin në momentin që ministrja Dade do të shkarkojë morinë e diplomatëve, miq e të paaftë të emëruar në kohën e zotit Milo e që janë shumica kushërinj të ish-ministrit e të familjes së kryetarit të PSD-së. Nëse pas takimeve, fjala vjen, të ministres Dade në Bruksel apo në kryeqytetet e Europës turret edhe ministri juaj i Integrimit, zoti Milo, cilin ministër do të besojnë të huajt: zonjën Dade të panjollosur nga diplomacia e parave që ka përfituar PSD-ja për çdo emërim në diplomaci apo Milon, financuesin e Gjinushit, i cili do të jetë njeriu që mund t’i hajë kokën kësaj qeverie me allishverishet e tij? Ndërsa për ministrin e Mjedisit, zotin Ethem Ruka mendoj se mbetet një shkencëtar i rangut kombëtar, sidomos pas botimit të librit të tij në lidhje me teorinë e klonimit, por do të ishte në të mirë të shëndetit të zotit Ruka që të mos ta lodhnit më duke i ngarkuar vetëm detyra ministri, pasi ai nga vetë natyra nuk heziton të kryejë detyra të vështira sepse tash katër vjet ai pranon vetëm detyra të rënda, siç është posti i ministrit. Nëse ju zoti kryeministër nuk i ndalni këta lloj ministrash, në këtë sakrificë sublime që po bëjnë mund të ndodhë ndonjë ditë, fatkeqësisht, që të mos i kemi më fizikisht në gjirin tonë parlamentar dhe e kuptoni se çfarë fatkeqësie kombëtare mund të na vijë sikur të mos kemi Gjinushin e sojin e tij në qeverisje!
Zoti Meta! Ju qofshi dhe Perëndia ju ndihmoftë me sherret që i keni futur vetvetes me dy socialdemokratë siç janë zv.kryeministri Gjinushi dhe ministri i pa ministri, zoti Milo! Me sa duket e paskeni kujtesën e dobët ose kërkoni të provoni veten me dinakërinë e Gjinushit, përballë së cilës edhe Berisha, por edhe Nano, kanë dështuar. Dukuria Gjinushi është e vjetër në politikën shqiptare, ai e njeh më mirë se ju pushtetin e favoret që vijnë prej tij; Ai dhe partia e tij kanë kaluar shumë kryeministra si Adil Çarçaninin e Aleksandër Meksin, Fatos Nanon dhe Pandeli Majkon e për të mbërritur tek qeveria Meta 2. Ai turret ku shkon fitorja dhe ku ndjen erën e dollarit dhe të skafeve.
Ju, zoti kryeministër keni dy qeveri në okelion Meta 2. Njëra e përbërë nga njerëz kurajozë e korrektë me ligjin dhe tjetra qeveri e pazareve politike partiake me kryetar partish dhe njerëz të tyre. Pra, më thoni për cilin të votoj apo t’i besoj verbërisht fjalës tuaj, duke patur si garanci qeverisjen tuaj të mandatit që sapo mbylle. Për fatin tuaj të mirë ju keni ofruar dhe disa figura të PS-së që në momente delikate për vendin e partinë tuaj kanë ditur të shkëlqejnë. Dyshja ish-kryeministrore Fino e Majko ju jep garanci se mund t’ia dilni barrikadës që ju kanë vendosur ujqërit e vjetër të politikës e të kulisave, pa harruar ministrat e rinj, jo vetëm në eksperiencë, por kryesisht në mentalitet si Nako, Blushi, Prifti, Gjoni, Muçi apo dhe Koja.
Për fatin tuaj të mirë ju keni edhe një kryetar partie liberal dhe çuditërisht përherë tolerant, i cili ka një eksperiencë ekzekutive herë fatlume dhe nganjëherë ndjellakeqe, porse ai ju ka dhënë lirinë e të vepruarit të skajshëm, ndonëse ai ka harruar se për prangat e burgut të Bençës kontribuoi edhe Gjinushi në qershorin e vitit 1993, kohë kur ai ishte në koalicion me Berishën. Ndonëse keni afër vetes edhe ministra të rinj e korrektë, por mos kaloni në euforinë që të jep natyrshëm rizgjedhja përsëdyti. Ju e dini se përveç opozitës që kërkon kokën tuaj në tepsinë e Berishës janë edhe disa deputetë dhe politikanë të mazhorancës që mezi presin rastin të të pjekin mu në majën e malit të Dajtit, tamam atje ku vështrimi u shkon më lirshëm kah Lindja. Prandaj, megjithëse jam akoma në dilemë të votoj pro apo kundër qeverisë tuaj, prapë nuk më rrihet pa ju thënë se duhet të kujtosh shprehjen e urtë popullore: “Zot më ruaj nga miqtë se nga armiqtë ruhem vetë!” Dhe nëse më lejoni ti bëj një ndryshim të vogël të asaj që ka nxjerrë populli dua t’ju rikujtoj që të ruhesh nga të tuajt që janë me thikë ndër dhëmbë në çdo fjalë që llomotisin për ju. Ti thashë këto sugjerime jo se po më prish ndonjë punë mua rrëzimi juaj si kryeministër, veçse me shton tirazhin e medias që zotëroj, porse kush e rri e merret me sherret në gjirin e PS-së, të cilat do të rëndojnë mbi kurrizin e njerëzve të thjeshtë. Ju politikanëve asgjë e keqe nuk ju ndodh, të këqijat bien mbi popullin.
Zoti kryeministër! Që të realizosh ato çka na premtove neve dhe popullit të thjeshtë, po ju përsëris që të mos hutoheni pas targës jeshile RSH 006 apo pas telegrameve që të mbërrijnë nga homologët tuaj apo edhe pas dashamirësisë fallso të një pjese të kabinetit tuaj e të Kryesisë së PS-së. Në popull, ata që ndryshe thonë e ndryshe veprojnë quhen kodoshë, ndaj ruaju nga kodoshët që ke rrotull apo përballë në sallën e Kuvendit. Edhe kur të guxosh të flesh gjumë mos e mbyll njërin sy, sidomos atë të djathtin, pikërisht në atë anë ku të rri Gjinushi si zv/kryeministër se po të zunë mat, ai e soji i tij, nuk të mjafton as shëndeti jot e as i Bashkim Finos dhe ta dish se do të harlisen në malin e Dajtit me karrierën tënde të djegur.