Paloma, kurthi i politikanëve
(Botuar me 7 shkurt 2003)
Aida Harka
Alida Cenaj
Një mëngjes te bukur e shikon tek ura e rrugës se Elbasanit në një tentativë për të hedhur në lanë. Një dite tjetër e ulur këmbëkryq pranë Muzeut Kombëtar duke hedhur fall njerëzve të rastësishëm, e veshur si nuse apo mes grave në Burgun 325. Askush nuk çuditet më me vajzën çapkëne 16 Top Channelit. Nuk ishte jashtëzakonshëm as momenti kur kalon gardhin e bodigardëve dhe u gjend përpara Romano Prodit, vetëm pak ditë më parë. Nuk është e jashtëzakonshme më as shprehja “je yll fare” që ia drejton krejt “pate keq” edhe politikanëve më të njohur shqiptarë. Këto e shumë “të forta” të tjera mbajnë firmën e një 19-vjeçareje, që prej kohësh është bërë personazhi më i njohur i kanali televiziv shqiptar. Rudina Mëneri është “bjondinka” e Top Channelit, që prej kohësh njihet me emrin Paloma.
“Bëmat” e saj në ekran tashmë nuk kanë të numëruar dhe nofka e re është bërë emri i dytë i saj. Një emër dhe një famë që e bëjnë të ndihet mirë kudo. Rudina nuk ndryshon shumë nga ekrani në jetë. Edhe në shoqëri, në rrugë, në familje, në punë është po aq “mistrece” sa shfaqet edhe në ekran. Dikur, vite më parë kur ajo ishte ende larg ekranit dhe dëshirës për tu bërë me famë, Rudina ka dhënë edhe alarme. Jo për t’u hedhur nga ura apo nga kulla e sahatit, por për alarme bombe. Megjithatë kjo është një histori që tashmë për të i përket një të kaluare të largët dhe një moshe të shkuar. Ndërsa sot, ajo ndihet mirë nga puna që bën, nga përshëndetjet dashamirëse të njerëzve në rrugë, nga lumturia e prindërve dhe kjo falë famës që ka fituar.
Paloma, Nano, Legisi, Ruçi…
Nga eksperienca e deritanishme Paloma ruan jo pak “histori” me politikanët. Më e veçanta për të ishte prononcimi që do t’i shkëpuste Ndre Legisit. “Më parë nuk i kam njohur politikanët dhe atë ditë kisha shkuar me një gazetare të politikës që po më tregonte se kush ishte Legisi. Por ai ngjante shumë me badigardin e tij dhe unë iu afrova për ti marrë intervistë. Ai filloi të qeshte duke më thënë se nuk ishte ai Ndre Legisi”.
Për Rudinën deri tani ka qenë e vështirë të komunikojë me kryeministrin Fatos Nano. “Nano ka rreth 30 badigardë, ndërkohë që Presidenti ka vetëm katër, dhe shpeshherë jam zënë me ta se nuk më kanë lënë që ta takoja. Madje badigardët e Nanos nuk të prekin as në vendet e duhura. Një herë madje i jam “kthyer” njërit duke i thënë: “përse më fut duart!”. Një tjetër histori jo të këndshme me politikanë Paloma e ruan edhe me Gramoz Ruçin. “Atij iu duk sikur u talla kur i thashë të përshëndeste ditën e Bajramit me një këngë. Edhe pse unë fillova të këndoja për vete ai nuk pranoi të më prononcohej, madje edhe sot nuk pranon të flasë para mikrofonit tim”.
Ndërkohë Paloma pranon me plot bindje se ka marrëdhënie shumë të mira me politikanët e tjerë qofshin ata të majtë apo të djathtë. “Kam pyetur një ditë Monika Kryemadhin nëse i kishte thënë Iliri ndonjë gjë për debatin që ai kishte me Nanon, më tha se nuk dinte gjë. Ndërsa pyetjes time se nuk i kishte thënë kur shtriheshin për të fjetur, ajo m’u përgjigj duke qeshur”, tregon Rudina për intervistat e saj me politikanët. Ndërsa shefi i opozitës Berisha, nuk nguron ti flasë me emrin e pagëzimit “Paloma”
Fillimi… me një alarm për bombë
Rudina ka qenë vajza më çapkëne edhe në gjimnazin “Sami Frashëri”. Njihej e përshëndetej me të gjithë edhe pse atëherë ishte vetëm 15 vjeç. Për t’i shpëtuar një ore mësimi apo një provimi të radhës kishte bërë gati një plan bashkë me shokët e klasës. Ishte i thjeshtë dhe shumë në modë për kohën. Me një alo, “protagonistja” lajmëron se në shkollë është vendosur një bombë. Atëherë ishte viti 1998 dhe gjithçka u mor si e vërtetë, pa e menduar se pas kësaj telefonate fshiheshin çapkënllëqet e moshës. Dhe për më tepër që në receptor dëgjohej zëri i një vajze. E gjithë policia u vu në lëvizje për të zbuluar bombën, por shumë shpejt u zbulua se alarmi ishte i rremë. Të gjithë nxënësit e “Sami Frashërit” gëzuan atë ditë për telefonatën që iu fali një ditë pushimi dhe përgëzuan organizatoren e alarmit fals. Ndërsa tani ajo i ka lënë të gjitha pas, duke i kujtuar si momente gazmore të një kohe që ka kaluar. Kur e sjell ndërmend këtë gjë thotë se ajo është bërë më e matur, edhe pse është një gjë që e bezdis. Por me bindje thotë se është në vitin e katërt të shkollës “Partizani” dhe shpreson që të vazhdojë studimet e larta.
Emisionet e para
Edhe pse vetëm 19 vjeç, Rudina ka mbi shpinë një vit eksperiencë në Top Albania. Në të vërtetë karriera e saj ka nisur që kur ka qenë 13 vjeç. “Kam prezantuar shumë koncerte në Pallatin e Pionierëve dhe më pas kam vazhduar të punoj si prezantuese apo duke organizuar emisione të ndryshme në radio”, tregon Rudina për eksperiencat e para. Zëri i saj është dëgjuar në radio të ndryshme si “Radio Stinët”, “Kontakti”, në televizionin ATN. Ka shkruar edhe në gazetën “Intervista”. Aftësia e mirë e komunikimit dhe shkathtësia e saj nuk kishte si të mos binde në sytë e të gjithëve. Këto kanë qenë edhe gjërat që e kishin tërhequr Aldon Lipen për ta thirrur në radion “Top Albania”. “Aldo më kishte ndjekur dhe më pas më kërkoi që të takoheshim. Unë nuk plotësova ndonjë formular për të hyrë në punë dhe u futa pa provë. Ai ishte i bindur që unë mund të bëja çdo gjë që do të më caktonte, duke i shfrytëzuar të gjitha aftësitë e mia”, tregon më pas Rudina. Ndërsa për emrin e saj të pagëzimit, “Paloma” shprehet se ka qenë Aldo i pari i cili ia ka ngjitur këtë emër. Për Rudinën, Aldo ka një karakter të veçantë dhe ajo çuditet shpeshherë me indiferencën e tij. “Mua më pëlqen të më flasin kështu. Sikur të më ndodhte edhe mua ashtu si në telenovelë, që të kisha një njeri që të më donte, besoj se nuk do të ishte keq”. Ndërsa për “format” e ndryshme që ajo merr në emision, Rudina tregon se janë ide të regjisorit Albert Malltezi. Rudina gjithçka që demonstron përpara ekranit ia dedikon guximit të saj. Çdo gjë për të është spontane dhe pasioni e ndihmon për të arritur edhe ato gjëra që për të tjerët janë tabu. “Jam një tip i hedhur dhe vdes të bëj muhabet. Shpeshherë nuk i lë njerëzit që të mendohen dhe flas gjithmonë vetë. Për mua distanca mes miqve të mi dhe njerëzve është e njëjtë, pasi unë kështu jam edhe në jetën e përditshme”, tregon më tej ajo.
“Paloma” në jetën e përditshme
Ndryshimi mes asaj që shfaqet në televizion dhe asaj që është në jetën e përditshme thuajse nuk ekziston. Është po aq e çlirët dhe e çiltër, po aq spontane dhe çapkëne. Kujdeset shumë pak për veten pasi nuk ka shumë kohë. Ende nuk ka menduar të bëjë fitness për të “rrëzuar” ndonjë kile të tepërt. “Para se të filloja punë në radio kam qenë më e shëndoshë. Nga lodhja e përditshme, kam rënë rreth 6 kile. Nuk kam shumë kohë për tu marrë me palestër. Tani jam në shkollë dhe shpresoj që shumë shpejt të konkurroj për të vazhduar shkollën e lartë”. “Paloma” ëndërron që të vazhdojë për gazetari ose për dramaturgji.
Të dyja për të janë një pasion i madh dhe do të donte që t’i bënte të dyja, edhe gazetaren edhe aktoren. “Më pëlqen të jem e famshme dhe për ta arritur këtë kam vënë në dispozicion gjithçka”. Nuk mendon të ndalet për asnjë çast derisa të arrijë në majë të suksesit. Me krenari tregon për tipin e saj kokëfortë dhe pak “mistrece”. Janë këto disa nga “aftësitë” që ajo është e bindur që i kanë dhuruar suksesin që ka. Ajo çka ajo nuk do të donte që të prekej kurrë është “ndershmëria”, duke e quajtur si gjënë e ndaluar të cilën nuk do ta cenonte për asnjë arsye. Nuk nguron të tregojë edhe për “tërheqjen” e saj me një djalë, i cili i ka hyrë në zemër. “Ai është 24 vjeç dhe jemi njohur në një mbrëmje. Më ftoi që të kërcenim dhe unë pranova. Ishte shumë i gëzuar dhe më thoshte se deri dje më kishte parë në televizion ndërsa tani ishim në krahët e njëri-tjetrit duke kërcyer.
Ajo që më shqetëson më shumë tek ai është fakti i të qenit xheloz dhe kjo më bën të ndihem e pasigurtë në lidhjen me të, rrëfen “Paloma” për djalin që i pëlqen. Pjesën më të madhe e kaloj në punë dhe kam shumë pak kohë për të qëndruar me të dhe miqtë e mi. Rudina ka edhe dy motra të tjera, njëra që punon si juriste dhe tjetra parukiere. E ëma është edhe njeriu që ajo i beson shqetësimet e punës dhe të zemrës. “Jam shumë e lidhur me të dhe shpesh i qaj hallet e mia. Ndërsa babai është më i përmbajtur, edhe pse kur më shikon në televizor emocionohet. E ndiej se është i kënaqur me mua, por asnjëherë nuk ma rrit mendjen”, tregon për marrëdhëniet me prindërit.