Pandi Gjata: Kryeredaktori i ZP-së, Erion Braçe, i shpëton sulmit të parapërgatitur të Fatos Nanos për shkarkim, duke mbetur në krye të “Zeri Popullit”
(Botuar me 2 prill 2000 në KOHA jone)
Nga Pandi Gjata-
Deputeti socialist, Erion Braçe, ka mundur dje në mbledhjen e kryesisë së PS-së kryetarin, Fatos Nano, pasi ky i fundit është gjendur nën presion për të mos e larguar atë nga posti i kryeredaktorit të “Zërit të Popullit”, dhe është detyruar të tërhiqet pas 6 orë mbledhje në Kryesinë e PS-së. Dje janë paraqitur dy raporte në mbledhjen e Kryesisë për “ZP”. Një analizë e Sekretarit për Marrëdhëniet me Publikun në PS, Luan Rama, për “ZP”-në, që përfshin periudhën nga data 1 janar 2000 deri në datën 31 mars dhe një raport ekonomik nga administrata e selisë rozë.
Mbështetësit e Nanos në kryesi kanë propozuar largimin e Braçes nga drejtimi i gazetës, pasi dhe vetë Nano e kishte vendosur më parë. Të premten në mbrëmje ai kishte thirrur Braçen në zyrë, ku e ka paralajmëruar se do ta shkarkonte, ndërsa dje i detyruar nga presioni i Metës dhe Majkos ka ndërruar mendim, siç i ndërron vazhdimisht mendimet Nano.
“Gazeta ZP nuk ka identitet, është e çoroditur dhe asaj i mungon profesionalizimi”- ka nënvizuar, sipas burimeve brenda PSsë, deputeti Rama, i cili njëkohësisht vazhdon të jetë me dokumente formale si drejtori i “ZP”-së, ndërsa Braçe krenohet se “Luan Ramën e kam flakur nga gazeta!”. Burimi tha se konstatimet e Ramës për “ZP”-në janë mbështetur dhe thelluar nga anëtarët e kryesisë së PS-së. Rama ka debatuar ashpër me Fatos Nanon për Braçen. Ky i fundit, ka pasur mbështetjen e fortë të kryeministrit dhe të ish-kryeministrit Majko.
Rezultantja e materialit ekonomik fliste për humbje të mëdha të gazetës. Nga 4000 kopje tirazh, gazeta shet vetëm 2500. Në material ishin pasqyruar edhe shkeljet që janë bërë kohët e fundit nga Braçe, i cili për të gjitha rregullimet dhe blerjet që janë bërë nuk ka përdorur tenderin. Mbështetësit e Nanos në kryesi, me paçka se nuk shprehnin gjë me gojë, i tradhtonte fytyra.
“Moslargimi i djeshëm i Braçes, përkthehet moszgjidhje të problemeve në mesin tonë në kohën e duhur”. Tha një nga anëtarët e kryesisë pas mbledhjes, tek dilte aty rreth orës 19.30 nga selia rozë. Kështu, me pozicionin e tij më tepër se liberal, Nano edhe njëherë i ka zhgënjyer mbështetësit e tij në PS, duke bërë që pikët e kryeministrit Meta të shkojnë në maksimum, aq sa militantët socialistë kanë filluar të shprehen se “më mirë me Metën edhe kryetar i PS-së, se sa me Nanon që s’ka takat”.
Pas kongresit, njerëzit më të afërt të Nanos u zhgënjyen nga njeriu për të cilin kontribuuan aq shumë për të kapur edhe njëherë kreun e PS-së. Zgjedhja e Metës në krye të qeverisë, rasti Blushi dhe tani rasti Braçe, flasin për zhgënjim të nanoistëve. Kryesia nënvizoi që “ZP” nuk duhet të dalë më me tituj të mëdhenj kundër Berishës, por me tituj ku të citohet Nano dhe Meta.
“Kemi nevojë për një gazetë që të përballojë fushatën elektorale dhe të jetë konkurruese në treg”, tha Nano në fillim të mbledhjes, (aq sa u lanë të pranishëm edhe gazetarët), për gazetën që para kongresit të PS-së dilte me titujt: “Nano kërkon të bëhet Mbret”. Për gati 6 orë është diskutuar çështja Braçe në mbledhjen e djeshme të kryesisë, aqsa nuk është bërë mbledhje edhe për kryetarin Nano për tu zgjedhur si kryetar . Nuk është bërë fjalë për votim, pasi këtë gjë me sa duket e ka shmangur Nano, i cili është trembur nga forca e kryeministrit Meta, i cili ka fituar çdo mbështetje ndërkombëtare.
Fiks në orën 17.30, kryeredaktori Braçe triumfator, me celular gjithnjë në dorë, ka dalë nga selia rozë. “Po shkoj të bëj gazetën e partisë sime”- tha Braçe, duke mos iu përgjigjur pyetjes për sa kohë do e drejtojë “ZP”-në. Nga selia rozë rrugën drejt “ZP”-së e mori në këmbë. Kryesia dje ka rënë dakord që të ngrihet një grup i posaçëm pune nën drejtimin e Sekretarit të Marrëdhënieve Publike, Luan Rama, që do të gjykojë jo thjesht statutin dhe platformën politiko-profesionale të gazetës, por shumë më gjerë, gjithë propagandën e platformës së PS-së që nuk është vetëm mediatike.
Në këtë grup mësohet se veç Ramës janë edhe Meksi, Malaj, Ruka, Braçe, etj. “Brenda këtij grupi pune do të peshohet edhe gjithë puna që do të bëjë stafi i gazetës, që duhet të paraqesë deri në 20 prill statutin e gazetës, platformën politiko-profesionale dhe mbi bazën e asaj që do të vijë në tryezën e kryesisë do të gjykohet konkretisht”- deklaroi Rama. Në datën 20 prill, kjo punë do të kalojë në filtrin e kryesisë për të shkuar drejt një vendimmarrje, që sipas Ramës “bën efektive zgjidhjen që çon domosdoshmërish në përmirësimin e situatës”.
Në 20 prill në filtrin e kryesisë edhe një herë tjetër Braçe, porse do të jetë një mbledhje formale, pasi Nano quhet i humburi i përhershëm në duelet , ku kërkohet edhe burrëri.
“Kryesia analizoi me përgjegjësi dhe seriozitet, nivelin e propagandës së partisë në përgjithësi dhe në veçanti përmes gazetës “ZP”, duke përcaktuar masa konkrete që do të çojnë shumë shpejt në përmirësimin e gjendjes dhe në rikthimin e gazetës në vendin dinjitoz që meriton si tribunë e mendimit politik, qytetar, të përgjegjshëm jo vetëm të PS-së, por edhe më gjerë”- deklaroi në konferencën për shtyp, pas mbledhjes së kryesisë sekretari i marrëdhënieve me Publikun i PS-së, deputeti Luan Rama. Pra edhe këtë betejë lideri socialist e humbi, pas tradhtisë partiake që i bëri Gramoz Ruçit, Arben Malajt dhe para disa kohësh edhe Ben Blushit. Kësisoj Nano tashmë është i lirë të shëtisë jashtë shtetit, të bëjë deklarata formale dhe të urdhëroj vetëm rojet dhe pastrueset e godinës së PS-së, ndërsa për punët e tjera, me sa duket, ka dalë jashtë loje, ndonëse përbetohet para militantëve se e ka në dorë PS-së./Pandi Gjata/