Rudina Llazari: Gjon Shllaku, heroi i katoliçizmit
( Botuar me 2 mars 2002)
Nga Rudina Llazri
SHKODËR – “Nji komb qi lindet ka nevojë për fatosat qi desin. Por fatosat qi desin, nuk kanë ç’të bajnë në nji komb qi i harron dhe i përbuz”. Kështu do të shprehej drejtuesi i revistës “Hylli i Dritës”, At Gjon Shllaku, në numrin 3-4 të kësaj reviste. “Tjetërkund, njerëzit e idealit, në u mbytshin për së gjalli nderohen për së dekuni. Ndër ne ata mbyten dy herë; edhe harrohen”. Apostrofime në dukje të thjeshta, parandjenja dhe profeci që tingëlluan deri vonë si tepër të trishta. Në mëngjesin e zymtë, të vrenjtur dhe me shi shkodre, të 4 marsit 1946 zemrat e shkodranëve u dridhën nga breshëritë e automatikëve dhe jehonat që vinin nga Zalli i Kirit, vendi i namun ku pushkatoheshin “mëkatarët” e kohës së kuqe. Nën plumbat e skuadrës ekzekutuese ranë njëri pas tjetrit përdhe trupat e 7 të dënuarve me vdekje, ndër të cilët 4 ishin klerikë katolikë. At Gjon Shllaku qe njëri ndër ta. Nuk ishte hera e parë që në të zbardhur të dritës në qytet të dëgjoheshin të shtime të tilla me ushtimë të “xanun” si ato që bien në mish njeriu. Në zakonin e fituar rishtazi pushkatimet e heretikëve bëheshin në orët e para kur njerëzit ishin ende në shtroja. Pas pushkatimit zakonisht trupat e të vdekurve liheshin ashtu njëri mbi tjetrin si të ishin thasë plehu në dispozicion të qytetarëve për tërë ditën.
Në muzg të natës, ashtu grumbull siç ishin, hidheshin në një gropë të përbashkët që mbulohej mirë mundësisht të mos mund të dallohej më. Ky qe fati që parandjeu në harresën e tij edhe At Gjon Shllaku. “Ne nesre së bashku edhe me nji koleg temin shkume kinse për me shëtitë, kah vendi i pushkatimit, me qëllim që të vërtetojmë se ku i kishin voprrue. Kurrkund shenjë grope dhe as dheu të çuem rishtaz. Ma vonë muerrme vesh se gropën e kishin çelë natën, afër shtrati të lumit, në zall që e mbulon lumi mbas shinave. Dheun tepricë e kishin tretë dhe gropën e kishin rrafshue me kujdes me fundrri të qytetit: teneqe, kutia zhele në mënyrë që të mos dukej shenjë dhe as gjurmë për krimin e kryer”. Kështu shprehet në kujtimet e tij për At Gjon Shllakun Pal Duka-Gjini.
Në Shkodër At Gjon Shllaku njihet si një ndër më intelektualët klerikë katolikë, Filozof, gazetar, profesor, at Shllaku njihet edhe politikan. Në historinë e mendimit demokristian At Gjon Shllaku thuhet të jetë i pari kryetar i Partisë Demokristiane Shqiptare. Madje duket se kjo ka qenë edhe një ndër shkaqet kryesore që e çuan atë drejt fundit dhe rrokamës së pashmangshme. Regjimi nuk mund të pranonte në rrjedhën e kohës ata që ishin në oponencë ideologjike me të. Le që për njerëz të tillë si At Gjon Shllaku ishte i mjaftueshëm fakti se qe prift dhe që bënte pjesë në një elitë të zgjedhur intelektualësh.
Eruditi që mbeti në histori
Të vjetrit e kujtojnë shumë mirë, megjithëse ai nuk është më që nga fillim marsi i vitit 1946.
Duke kujtuar takimin e parë të tij me at Gjon Shllakun, At Zef Pëllumbi tregon: “Ishte një burrë i ri, rreth të tridhjetave, por i plakun para kohe. I shkurtër, i thatë, i zbehtë, me nji palë syze të zeza që i mbulonin gjysmën e fytyrës që qeshte”. Jo i bëshëm në trup. Më shumë i mesëm se i gjatë. Me një paraqitje të përvuajtur. Fytyrë e një frati të zakonshëm që pamjes së jashtme nuk i jep as rëndësi dhe as peshë. I këndshëm në të folur dhe plot njerëzi. Fytyrën dhe formën e kokës karakteristike të racës ilire. Ballin të shpërvjelur dhe flokët të rrallë. Kështu e mbajnë mend në kujtimet e tyre ata që e njohën at Gjon Shllakun. “Dinte me u mbajtë në shoqni dhe në çdo ambient a rend shoqnuer, ruente të pacenueshëm dinjitetin e meshtarit, zotnisë e filozofit prakticien dhe sociologut pasurinë e nji kulture të hapët dhe të thellë. Kishte një mbamendë të fortë dhe refleksive. Lexonte shumë dhe shka lexonte e thandronte në mendje me kollajsi të çuditshme”- thotë për të Pal Duka Gjini. Njohës i shkëlqyer i filozofëve më të përmendur të kohës; Italianë, francezë dhe gjermanë nga ku duket se ka derivatur edhe një farë interesi i tij që mbase për momentet kur u shfaq mund të quhej i imponuar për politikën. I gatshëm për të diskutuar mbi çdo çështje të diturisë njerëzore dhe letrare. Dinte të sillej me të gjithë, pavarësisht se kishte parapëlqim intelektualët dhe të zgjuarit e kohës. Megjithatë fliste përzemërsisht njësoj më të gjithë. Në Shkodër kujtohet miqësia e tij me doktor Shirokën, i cili në bisedë me të edhe kur vinte rasti të përdorte terminologjinë e ngushtë të zhargoneve të shkencës humane të njeriut. Po kështu mbahet mirë në mend edhe një episod tjetër. Gjatë një vizite të një grupi albanologësh italianë në Shkodër At Gjon Shllaku është i zoti i shtëpisë. Në listën që kërkohet të bëhet për një dhuratë me libra At Shllaku vërteton të qenit njëri erudit dhe me kulturë dhe shije letraro-ditunore. At Gjoni në Liceun françeskan ku jepte mësim konsiderohej si profesori më i përgatitur. Në kohën e vet thuhej se ishte njeriu më i lartë i kulturës shqiptare. “E kam pasë profesor në liceun “Illyricum” dhe na jepte mësime në fiziko-kimi, në frëngjisht dhe në ekonom në frëngjisht dhe në ekonominë politike. Ishte profesori më simpatik. Në klasë na fliste për marrjen e Bastijës, që ndryshoi botën. E kuptonim na?.. Sigurisht që jo…”, thotë at Zef Pllumi.
Në drejtimin e “Hyllit të Dritës” aftësia e padër Gjonit spikati shkëlqyeshëm. Shpejt revista u shndërrua në një forum kombëtar me pjesëmarrje të personaliteteve më të shquara të kulturës si E. Çabej, L. Mirdita, K. Naraçi, F. Alkaj, P. Kaçnari etj. Ai mblodhi rreth vetes pendat më të mprehat të kohës. Në vatrën që inicioi Fishta i madh, ku u shkri platforma e një Shqipërie të lirë dhe të përparuar, u ulën në kuvend si dikur pleqt e kanunit dhe dhe shkrimtarët e rinj të krishterë ose jo, por gjithmonë adhurues të një Zoti. Ai pranoi ide moderne e përparimtare, por pa iu shmangë parimeve kristiane e kulturës shqiptare. Në vitin 1945 intelektualët shkodranë organizuan konferencën për krijimin e Shtëpisë së Kulturës. “U ftua edhe Padër Gjoni, gjë që ai e përqafoi me entuziazëm. Në atë konferencë që e zgjodhi Padër Gjonin kryetar nderi ai mbajti fjalimin përurues, fjalim që do të mbetet i paharruar për auditorin e asaj dite”- thotë kështu Zef Zorba. Të gjithë e njihnin Padre Gjonin dhe ishin të bindur se me nismëtarë të tillë, kultura ekonomia dhe arti do të lulëzonin në Shqipërinë e pavarur.
Për fe e për atdhe
Në lajtmotivin e klerikëve është e njohur edhe jeta e martirizuar për fe dhe për atdhe. Një jetë të tillë pati edhe martiri që njihet me ermin Gjon Shllaku. I lindur në Shkodër, djepi i kulturës dhe qendër e kristianizmit, ai pati emrin Kolë në pagëzimin e tij. Ende i vogël hyri në kolegjin Françeskan. Në tetor të 1922 shugurohet prift dhe filloi jetën rregulltare, duke ndërruar edhe emrin e pagëzimit në Gjon. Diplomohet në Holandë dhe Belgjikë në Universitetin e Levain, ndërsa në Francë në Universitetin e Sorbonës dhe kryen edhe një kurs për gazetari, çka do të jetë një ndër synimet e tij kryesore në drejtimin e Revistës “Hylli i Dritës”.
Sipas traditës së Françeskanizmit në Shqipëri dhe si pasojë e edukatës së fituar nga të mëdhenjtë me zhgun Bardhi, Gjeçovi, Harapi dhe Fishta, Rrota që ishin mësues në shpirt dhe në zemër Padër Gjoni ndikoi tek të rinjtë jo veç në ndjenjat fetare, por edhe në kulturën e shëndoshë dhe ndjesitë kombëtare. Edhe atij si etërve të Provinçës Françeskane i dha jetë binomi “Për fe dhe për atdhe”. Ajo që e dallon në misionin e tij meshtarak e françeskan asht penda dhe shkrimi. Këtu dha provat e para të një zotësie të rrallë dhe të një talenti të veçantë. Shkroi pak sepse koha e shkurtër e aktivitetit të tij dhe rrethanat e vështira, me të cilat u gjet në momentet që hyri në radhët e shkrimtarëve.
Mallkimi i kuq dhe politika e fesë
Në vitin 1946 për klerikët e krishterë në Shqipëri shënohet akti i parë dramatik i asaj tragjedie, e cila dalëngadalë do ta çonte kishën e këtij vendi në asgjësim të plotë të çdo shprehje të jashtme të besimit. “Ditë e më tepër rëndoheshin retë e zymta që lajmëronin stuhi e shtrëngata për ne. Më kujtohet si sot trishtimi që na kishte mbulue të gjithëve dhe më ka mbetë në mendje gjendja shpirtërore e Padër Gjonit”- tash më takon mu, por mjerisht s’jam as i pari as i mbrami. Të lutemi që Zoti të na japë forcë dhe zemër për të përballuar martirizmin”-thotë kështu Pal Duka Gjini. Akuzat qenë gati. Ai ishte me ideale demokristiane. Sipas disa treguesve në fund të vitit 1945 qe dukur në Shkodër Sejfulla Malëshova. Thuhet dhe madje është e dokumentuar që ai të ketë biseduar me Padër Gjon Shllakun për krijimin e një Partie Demokristiane. Këto ishin argumentet që u sollën në gjyqin farsë ndaj priftit të nderuar. Një nga përkthyeset në shërbim të Enver Hoxhës tregon se ka dëgjuar një bisede të Hoxhës me një ambasador jugosllav. “E mbytëm Padër Anton Harapin e me këtë kemi plagosë për dekë Klerin Katolik. Sipas rrëfimit të gruas, serbi i është përgjigje: “Po! Po! Keni ende gjallë padër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë. Duhet sipas porosisë së qeverisë seme të zhdukni Shllakun dhe të shkatërroni në kulm dhe themel çerdhen e klerit katolik në Shkodër”.
Atë e morën në shkurt të vitit 1946. E nxorën nga mësimi, ndërsa jepte mësim. Madje nuk kishte arritur të shkruante as temën në regjistër të klasës. Atë natë në Radio Shkodra u dha lajmi se “Krimineli Gjon Shllaku qe kapë duke kaluar kufirin për t’u arratisë”. Që nga ai moment ai ndërroi sallën e mësuesit me dhomën e torturave. “Kur ne të tjerët kryem mësimin në dhjetë minuta në gojë të secilit kaloi fjala. E pat edhe Padër Gjoni”, tregon Duka Gjini. Tani P. Gjoni bashkohej me viktima të tjera në pritje të nxirren në arenën e koloseut të Rozafës. Shtonte rreshtin e Padër Dajanit dhe të Padër Faustinit, anëtarë të organizatës antipopullore “Bashkimi Shqiptar”. Mbi të binte edhe akuza e të qenit si kryetar i PDK në fillimet e saj. Në gjyq pati një avokat të guximshëm dhe të përsosur Myzafer Pipën. Ky ishte ishstudent i tij, e njihte personalitetin e Padër Shllakut dhe nuk e pati të zorshme edhe mbrojtjen megjithëse pati pasoja prej tij. Sipas kujtimeve të Pal Duka Gjinit, Myzafer Pipa ka pranuar të mbrojë Padër Gjonin dhe në një koment tha: “Shka mund të bëjë juristi ku s’ka ligj dhe s’ka drejtësi? Si mund të mbrojë një njeri në kohën para se të provohet faji i tij, asht i dënuem?” Një gjyq tragjikomik. Padër Gjoni dënohet me vdekje. Akuzat të planifikuara nga lart e paraqitën Padër Gjonin si ideologun dhe krijuesin e PDK-së, organizatorin dhe udhëheqësin e “Bashkimit Shqiptar”. Fajtor për vdekje jo vetëm si kundërshtar regjimi, por edhe si kriminel dhe njeri i dëmshëm për popullin dhe kombin. Dënimi me vdekje kishte ardhur prej kohe nga Tirana zyrtare. Pas kësaj ekzekutimi është i padiskutueshëm.