Shaban Murati: Keqpërdorimi diplomatik i miqësive “historike”
(Botuar me 5 dhjetor 1999 në KOHA JONE)
Nga Shaban Murati-
Në diplomaci evokimi i historisë apo i karakterit historik të një ngjarjeje, periudhe apo marrëdhënieje, nuk bëhet rastësisht. Në telegramin e urimit, që presidenti i Republikës së Kinës, Jan Xe Min, i dërgoi presidentit të Shqipërisë, Rexhep Meidani, me rastin e festës kombëtare, theksohej falënderimi për ndihmën që Shqipëria i ka dhënë Kinës për të hyrë në OKB, ndonëse historia e ngjarjes po i afrohet tre dekadave. Vëmendja e presidentit të Kinës për të rendur në histori, qoftë edhe në një telegram protokollar urimi për një shtet me popullsi 500 herë më të vogël në një cep të Ballkanit, paraqet padyshim një rebus diplomatik, i cili rrjedh nga mënyra kineze e të bërit diplomaci, por që duket se është nxitur edhe nga disa mënyra të paqarta shqiptare të të bërit diplomaci. Po t’i shtojmë kësaj të vërtetën historike dhe juridike se nuk ishte dhe nuk mund të ishte Shqipëria që do t’i hapte dyert e OKB-së për Kinën, rebusi bëhet edhe më enigmatik, pra edhe më i nevojshëm për t’u shpjeguar.
Një ministër i rëndësishëm shqiptar në një vizitë në Pekin gjatë bisedimeve të tij me homologët kinezë evokon si bazë të forcimit të marrëdhënieve midis dy shteteve miqësinë “historike” që ka lidhur dikur dy shtetet tona dhe dy popujt tanë. Një ministër tjetër i rëndësishëm i Shqipërisë, në një vizitë në Moskë dhe në bisedimet me homologët e tij rusë, evokon si bazë të forcimit të marrëdhënieve midis dy shteteve dhe dy popujve miqësinë “historike” që ka ekzistuar midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, madje një ministër tjetër i rëndësishëm ka kërkuar dikur publikisht rikthimin tek ajo miqësi. Pozicionime të kësaj natyre vërehen edhe në politikanë të forcave të ndryshme politike, në të majtë dhe në të djathtë të politikës shqiptare.
Duke qenë se nuk kemi të bëjmë me një rastësi, por me një fenomen, i cili ka përmbajtjen dhe pasojat e tij diplomatike e politike, dhe duke qenë se ajo ka të bëjë edhe me drejtimet strategjike të zhvillimit të politikës së jashtme të shtetit shqiptar e të kombit shqiptar, kemi mendimin se është një problem, mbi të cilin duhet menduar seriozisht dhe duhet reflektuar akoma më seriozisht.
Është e zakonshme që në diplomaci, në përpjekjet për avancimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, të kërkohen në historinë e marrëdhënieve të shteteve apo popujve pika kontakte thelbësore ose rastësore, ngjarje të provuara ose të paprovuara historikisht, vetëm e vetëm që të krijohet një atmosferë më e ngrohtë e kërkesave dhe nxitjeve aktuale të marrëdhënieve. Por manualet mësojnë se duhen pasur parasysh tre elementë: së pari që të qëmtohet me shumë kujdes historia;
Së dyti që evokimi të mos bëhet bosht apo yll polar i politikës së jashtme, dhe së treti, për diplomacinë e shteteve dhe popujve të vegjël evokimi i historisë është si rregull një fushë e minuar.
Politika dhe diplomacia e një shteti modest si Shqipëria duhet të jenë jashtëzakonisht të vëmendshme në përdorimet diplomatike të miqësive “historike”, ose thënë më saktë, është pikërisht një keqpërdorim diplomatik i miqësive “historike” të Shqipërisë, që u bë shkas për analizën tonë. Për t’i paraprirë kritikës së mundshme të zyrtarëve, ithtarë të miqësive “historike, të përjetshme, të pavdekshme” të shtetit tonë të vogël në gjysmën e dytë të shekullit 20, po përsërisim bindjen se prirja e politikës së jashtme të shtetit, mbi bazën e interesave të sotme dhe të ardhme të palëve.
Mirëpo tendenca për ringjallje dhe përfshirje në arsenalin aktual diplomatik, të miqësive “historike” të Shqipërisë së vogël me Rusinë e madhe komuniste apo Kinën e madhe komuniste, përveç infantilizmit apo recidivizmit politikan, nuk duket se dëshmon ndonjë dobi reale në avancimin e marrëdhënieve midis shtetit tonë dhe ish-aleatëve të mëdhenj, miq “historikë” të epokës komuniste.
Vetë koncepti i miqësisë “historike” nuk duket se është i gjetur dhe as i kolauduar historikisht, dhe duket e vështirë të hulumtosh se ku i gjejnë referencat “historike” disa politikanë shqiptarë. Vetë arkitekti i këtyre miqësive “historike”, Enver Hoxha, i ka përgënjeshtruar miqësitë historike shtetërore, që ai i imponoi popullit gjatë sundimit të tij. Edhe kundërshtarët e regjimit të Enver Hoxhës i kanë hedhur poshtë ato miqësi të pakonfirmuara nga historia. Ahere mbi ç’trashëgimi shtetërore mbështetet koncepti i evokimit të këtyre miqësive “historike” në kohën e sotme? Këtu nuk jemi përpara një naiviteti politik të thjeshtë, sepse fakti, që kjo për të cilën po analizojmë është shfaqur si një fenomen në politikën shqiptare, tregon se nuk është i tillë. Nuk mjafton as nostalgjia e grupeve politike apo e politikanëve për të të ardhur në ndihmë për një shpjegim. Keqpërdorimi diplomatik i miqësive “historike” mund të ringjallë edhe në Shqipëri, por sidomos tek shtetet e miqësive “historike”, ndjenja dhe prirje tashmë të kapërcyera dhe të refuzuara nga shumica e popullit shqiptar në dekadën e fundit të këtij shekulli.
Në një mënyrë ose tjetër, kjo do të ishte një përpjekje për t’i dhënë marrëdhënieve të sotme bazat dhe përmbajtjen e padrejtë të asaj të kaluare “historike”. Kjo do të thotë se mund të ketë tentime të ringjallen jo vetëm pretendimet, por edhe raportet, që miqësitë “historike” kanë pasur ndaj Shqipërisë në atë kohë. Dhe nuk duhet të jesh historian, por mjafton të kesh jetuar ato periudha, për të ditur përfundimin e thjeshtë dhe tragjik se Shqipëria ka qenë satelit i Moskës dhe Pekinit.
Është e njohur, që orientimi zyrtar i Shqipërisë postkomuniste ka qenë dhe është integrimi euroatlantik, ecja dhe lidhja natyrale me civilizimin perëndimor. Është e qartë se ky orientim nuk pengon miqësinë, por edhe e inkurajon bashkëpunimin me shtetet e tjera në Azinë e Mesme apo Lindjen e Largët, kudo që të jenë. Por ka një të vërtetë të madhe politike, diplomatike e shtetërore, që në strukturën e marrëdhënieve të një shteti me shtetet e tjera, ka dhe duhet të ketë një hierarki marrëdhëniesh strategjike, e cila duhet të jetë shumë e qartë.
Kur njeri apo tjetri dinjitar i shtetit shqiptar apo i politikës shqiptare në mënyrë të panevojshme evokon si miqësira “historike”, kohërat e të qenit të Shqipërisë satelit i këtij apo atij kryeqyteti perandorak komunist, nuk kërkon shumë lodhje për të kuptuar se ky është një mesazh i papërshtatshëm, që u jepet shteteve dhe organizmave perëndimore, ku ne aspirojmë të hyjmë, qoftë NATO-s, qoftë Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë që ne me dorën tonë të ngjallim dyshime për vetë gravitimin strategjik të politikës sonë të jashtme shtetërore e kombëtare. Sepse evokimi i miqësive dhe miqve “historikë” lindorë të epokës komuniste, të cilët kanë pasur baza ushtarake në Shqipëri, mund të shtyjë diplomacitë perëndimore që të mendojnë në bazë të ligjit të asociacionit se evokimi mund të synojë të ringjallë edhe armiqësitë e atëhershme “historike” dhe që janë pikërisht shtetet e strukturave euroatlantike, ku populli dhe kombi shqiptar aspiron të bëjë pjesë.
Ithtarët e miqësive “historike” përdorin disa herë argumentimin ekonomik si përligjje të performancave të tyre të vjetra. Por Shqipëria, kur kërkon të hyjë në Evropë, do të thotë që kërkon të hyjë edhe në teknologjinë evropiane, edhe në standardet e shoqërisë civile, të ekonomisë së tregut dhe të armatimit evropian. Ekonomia shqiptare i ka provuar në kurrizin e saj teknologjitë e miqësive “historike”, të cilat i thyen shtyllën kurrizore ekonomisë dhe standardit të jetës së popullit.
Një nga arsyet kryesore të fenomenit të keqpërdorimit diplomatik të miqësive “historike” është ideologjizimi i politikës së jashtme dhe karakteri ideologjik, që disa politikanë e kanë si prirje, ose paaftësia e shkëputjes nga interpretimi ideologjik i marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo është një tendencë e dëmshme në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe veçanërisht e rrezikshme për shtetet e vegjël.
Është për të ardhur keq që ekziston një koncept jo i qartë për argumentet historike në diplomacinë e forcave të ndryshme politike. Jo çdo periudhë, kur marrëdhëniet midis shtetit tonë dhe një shteti tjetër kanë qenë dikur “të shkëlqyera”, meritojnë sot vlerësimin historik, Kjo do të çonte në hutim e udhë pa krye edhe diplomacinë, edhe politikën, edhe vetë shtetin. Sepse nëse do të evokohej si “historike” miqësia e Shqipërisë me Rusinë e Stalinit dhe Hrushovit, apo me Kinën e Mao Ce Dunit e të Lin Biaos, kjo logjikë do të krijonte mundësinë që të ngrihej nesër ndonjë forcë politike dhe të evokonte si historike edhe miqësinë “historike” për marrëdhëniet shqiptaro-serbe. Sepse historike në politikë e diplomaci do të thotë vlera historike dhe jo njësi matëse kohore. Dhe meqë jemi tek historia, do të mjaftonte vetëm Kosova për të shmangur vlerësimin “historik” për historinë tonë diplomatike e shtetërore me të tre shtetet e mësipërme. Sepse nuk ka matës më historik për historinë tonë diplomatike e shtetërore dhe të tërë marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet e tjera, se sa Kosova.
Interesat shtetërore e kombëtare afatgjata të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar sugjerojnë një përdorim sa më të kufizuar të patetizmit historik në marrëdhëniet ndërshtetërore. Le ta lemë historinë të qetë, për të mësuar dhe jo për të rigabuar./Shaban Murati/