Shtyhet sërish seanca gjyqësore midis gazetës “Koha Jonë” dhe kryeministrit Nano
(Botuar me 21 prill 2004)
Shtyhet sërish seanca gjyqësore midis gazetës “Koha Jonë” dhe kryeministrit Nano
Qeveria duhet të mblidhet në një mbledhje të posaçme dhe të pezullojë vendimin e shpërblimeve me pesë paga mujore për kryeministrin, drejtorin e kabinetit të tij Agim Isaku dhe sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave Ylli Manjani, të datës 14 janar 2004. Një gjë të tillë e pohoi dje para mediave avokati i mirënjohur zoti Spartak Ngjela. Bëhet fjalë për nga 5 paga mujore që kryeministri Fatos Nano i dha vetes, drejtorit të tij të kabinetit dhe sekretarit të Përgjithshëm të kryeministrisë si shpërblim me datë 14 janar të këtij, vetëm pesë ditë pas tragjedisë së 9 janarit. Lidhur me këtë shpërblim, pala e akuzuar nga kryeministri Nano, konkretisht gazeta “Koha Jonë”, kërkon që kjo çështje të mbyllet me kthimin mbrapsht të 12 milionë lekëve që janë marrë në formë shpërblimi nga ana e kryeministrit, si dhe afërsisht 11 milionë lekë nga ana e Isakut dhe Manjanit. “Qeveria duhet të mblidhet në një mbledhje të posaçme, pikërisht ajo që nuk u zhvillua kur u miratuan këto shpërblime. Gjatë saj duhet të merret vendimi për t’u kthyer sërish në buxhetin e shtetit këto lekë që u morën nga kryeministri Nano dhe këshilltarë të tij”, deklaroi lidhur me një fakt të tillë avokati mbrojtës i gazetës “Koha Jonë”, Spartak Ngjela para Gjykatës së Faktit Tiranë.
Edhe seanca e djeshme e parashikuar për gjykimin e kësaj çështje nuk u zhvillua për shkak të mungesës së gjykatësit Gerd Hoxha. Ashtu si edhe në seancën e parë u vu re një interesim tepër i madh i gazetarëve të shumë mediave vizive e elektronike, përfaqësues të agjencive të huaja dhe e përfaqësuesve të OSBE-së, të ambasadës amerikane dhe të Bashkimit Europian lidhur me zhvillimin e këtij gjyqi spektakolar. Interesimi tepër i lartë i institucioneve të lartpërmendura u shfaq me prezencën e tyre në Gjykatën e Faktit të Tiranës, rreth një orë para se të niste seanca përgatitore.
Në këtë çështje, paditësi kryeministri Fatos Nano përfaqësohet nga avokati Fatmir Braka, i njohur si mbrojtës i pushtetarëve dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Televizionit Publik. Kurse avokatët Spartak Ngjela dhe Aldona Sylaj përfaqësojnë mbrojtjen e gazetës “Koha Jonë”. Objekti i padisë nga ana e kryeministrit është kërkesa për “shpërblimin e dëmit për cenim nderi dhe personaliteti”, ku kërkon nga botuesi i gazetës Nikollë Lesi shumën prej 4 milionë lekë të reja.
Edhe Byroja Politike e Partisë së Punës bënte vendime asokohe për të shpërblyer vetveten dhe për privilegje, por që u dënuan me vendim gjykate në vitet e para të Demokracisë. Në të njëjtën mënyrë kryeministri Nano firmos për të shpërblyer vetveten, pasi paska kontribuar shumë në privatizimin e Bankës së Kursimeve! Kryeministri është funksion politik dhe jo administratë. Ai për këtë ka pagën e përcaktuar dhe duhet të kontrollojë ose të shpërblejë vartësit nëse punojnë mirë, por kurrsesi veten e tij. Nuk ka kryeministër në botë që e ka bërë një akt to tillë. A nuk kanë patur momente që kanë bërë gjëra të mira edhe ish-kryeministrat e këtyre viteve pluralizëm si Ahmeti, Bufi, Meksi, Fino, Meta e Majko? Natyrisht që po. Por në asnjë rast nuk kanë bërë një veprim të tillë të turpshëm.
Sipas kësaj logjike i takon që zoti Aleksandër Meksi që bëri gjithë ato reforma në vitet e para të demokracisë të shpërblente vetveten me vendim qeverie?! Apo për punën titanike dhe patriotike që bëri Majko gjatë luftës së Kosovës ai duhej të firmoste shpërblim për veten?! Ose për gjithë ato rrugë që shtroi Meta në kohën që ishte kryeministër duhej që ai të firmoste shpërblim për Ilir Metën!? Nëse vazhdojmë më tej për atë periudhë tepër të vështirë që kaloi Bashkim Fino si kryeministër në vitin e mbrapshtë 1997 duhej t’i jepte vetes shpërblim? As njëri prej tyre nuk e ka bërë një veprim të tillë, siç ka bërë Fatos Nano me datë 14 janar 2004. Një turp të tillë zor se ka kryeministër në botë që e bën me dorën e tij. Zoti Nano nuk e ka bërë një gjë të tillë se është i varfër apo se ka nevojë për lekë. Ai e ka firmosur një akt të tillë për të treguar se nuk do t’ia dijë për asgjë e për asnjëri, bile dhe në kulmin e tragjedisë së 9 janarit të këtij viti kur u mbytën 21 jetë njerëzish në Karaburun. Ai është cinik, bile edhe kur kishte ditë zie kombëtare, siç ishte ngjarja e Karaburunit.
Edhe 4 milionë lekë të reja i do (jo se do të arrijë t’i marrë), por për të thënë se unë bëj çfarë të dua me këtë popull. Ndaj ky cikël i ri gjyqi i shtetarëve më të lartë socialistë shënon një periudhë të re marrëdhëniesh mes qeverisësve të majtë dhe të pavarurës “Koha Jonë”.
Gazeta “Koha Jonë” që prej themelimit të saj, me datë 11 maj 1991, ka qenë objekt i gjyqeve nga pushtetarët e çdo kohe, por dhe arrestimesh e gjersa arriti me djegien e saj me 2 mars 1997 nga forcat e SHIK-ut. Gazeta “Koha Jonë” ka numrin më të madh të gjyqeve me pushtetarët. Sipas shoqatës së monitorimit të mediave në Europën Juglindore, ajo mbetet në Evropë me numrin e gjyqeve me të shumta me pushtetarët. Gazeta ka patur gjithashtu ish-kryeredaktorin Aleksandër Frangaj dhe ish-zv. kryeredaktorin Martin Leka (viti 1994) të arrestuar, por dhe gazetarë të rrahur nga policia. Ndërsa më së fundi vetë kryeministri i tanishëm zoti Nano ka bërë padi ndaj kësaj gazete për kritikat që kjo i ka bërë në lidhje me aktin e vetëshpërblimit të kryeministrit më datë 14 janar 2004. Gjyqi vazhdon, ndërsa kryeministri ende nuk ka kthyer paratë në buxhetin e Shtetit. E. Nasi